Hysni Shaqiri dhe shokët e tij të idealit, luftës e politikës
Albeu.com
nga Nebi MËRSELIHysni Shaqiri 12 vjet ka udhëtuar pa veturë në Parlament. E nuk e gjet kurrgjë. Deputeti që la karriget parlamentare dhe rroki pushkën në dorë për të bindur maqedonasit se pozita e shqiptarëve ...... në Maqedoni duhet avancuar, është shembull i mirë për të gjithë politikanët shqiptarët kudo që janë. Ai nuk mori kurrë ma shumë sesa i takoi në politikë. U nda nga të gjitha grupimet politike ku rreshtohej. Nuk ka përfituar asgjë nga politika. Vetëm pse nuk deshi të jetë i njollosur. Madje ishte edhe nënkryetar Parlamenti pas luftës në vitin 2001. Edhe atëherë nuk arriti të gëzojë më shumë privilegje nga pozita se sa krerët e Kuvendit të Kosovës.
Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti e Naim Maloku janë shokë të tij të idealeve dhe luftës. Hysni Shaqiri ka mundur të korruptohet nga maqedonasit, por nuk deshi. E, shokët e tij të Kuvendit të Kosovës, e korruptuan vetveten. Në emër të parlamentarizmit demokratik i siguruan vetes përfitime të arsyeshme. Do ta rëndojnë buxhetin e Kosovës pa fije turpi. Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, në emër të rebelizmit, si kundërpërgjigje kapricioze për veprimet ose joveprimet e shokëve dhe bashkëpartiakëve të Qeverisë, gjysmë milioni euro ia kanë ndarë vetes për “konsulenca juridike”, një milion për “përfaqësim diplomatik-parlamentar” dhe një milionë e gjysmë euro për “sende të tjera”. Logjika e mbrapshtë e përfitimit material, krerët e Kuvendit i bashkoi, edhe pse të ndarë partiakisht, për të demonstruar forcën e “makinerisë votuese”. Jakup Krasniqi dhe Xhavit Haliti i dërguan selame shefit të tyre - Hashim Thaçit se s’mund të kalohen aq lehtë. E morën përgjigjen se Qeveria nuk do t’ua lëshojë parat e vetëdedikuara nga Kryesia e Kuvendit, e cila tashmë vetë menaxhon mjetet buxhetore që i ka në dispozicion.
Për të bërë deputetët për vete, atyre iu dhanë pak kikirikë – nga gjashtë mijë euro për vetura. Dhe me kaq i korruptuan, ndërsa u siguruan se ky makinacion financiar nuk ua dridh karriget.
Në periudhën kur pavarësia është vënë në peshojë, marrja me këso gjëra vetëm se e komprometon Kosovën dhe u jep alibi kundërshtarëve të pavarësisë. Zërat se Jakup Krasniqi e Hydajet Hyseni do të ndahen nga PDK-ja dhe do të bëhen “socialistë” është mesazh i keq për kryeministrin Thaçi, që duket se se ka neglizhuar legjislativin. Është mesazh i keq për kryeministrin vlimi brenda LDK-së, partnerit qeverisës. Një pjesë e mirë e LDK-së është e pakënaqur me bashkëqeverisjen. Dhe mund të ndodhë pakënaqësia të erruptojë kur dihet se ministrat e kësaj partia janë të papërfillur nga pjesa tjetër e Qeverisë.
Në vigjilje të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së rreth iniciativës serbe për ta kontestuar pavarësinë, kur Maqedonia dhe Mali i Zi nuk e njohin këtë pavarësi, dhe kur njerëz të shoqërisë civile dhe alumnistët po fusin kokën në struktura udhëheqëse, goditjet mund të jenë edhe më të rënda për presidentin Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçin. Stabiliteti i deritanishëm politik, përkundër kritikave të vakëta të opozitës, sfidohet nga turbulencat në relacion Kryesi e Kuvendit - Qeveri, apo raporteve brenda PDK-së - Jakup Krasniqit e Xhavit Halitit, në njërën anë, dhe Hashim Thaçit, në anën tjetër. (Lajm)
Shtuar më 10/10/2008, ora 22:15
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori