Hvala, Ahtisaari!
Albeu.com
nga Alban Tartari Ai duhet falënderuar. Dhe jo nga Shqiptarët. Mbi të gjitha dhe para së gjithash nga vetë Serbët, që e pritën duke e etiketuar me një emër turko-musliman, për ta përulur dhe injoruar (Miftar , turqisht - Muhtar, dmth kryeplak fshati)!Serbët duhet ta falënderojnë zotin Marti Ahtisaari, jo vetëm sepse ka muaj të tërë kokëçarjesh mes dy kombeve që s`janë marrë vesh kurrë me njëri tjetrin (përjashto mini-dashurinë Enver-Tito), e as se po u lë kosovarëve në derë një “fëmijë” paemër, duke ngurruar ta quajë PAVARESI, por sepse po i shpëton serbët nga një makth i madh qindra vjeçar. Fatkeqësisht serbët, e kanë ndërtuar historinë e tyre mbi humbjet, dhe duke qenë kombi më ekspansionist në Ballkan, kanë ditur të luajnë gjithmonë shumë mirë rolin e viktimës, në një teatër botëror mbushur me trillime.

Por më në fund, serbët po shpëtojnë nga dashuria e tyre e pashpresë, nga një martesë e gabuar dhe rrjedhimisht e dështuar që përfundoi në divorc... Të gjithë e kanë provuar Dashurinë, në rini a pleqëri, sidomos atë të thekurën, që të heq gjumin, të pret oreksin e të prish gjakun. Dhe kur kjo dashuri është e pashpresë, njeriu i drejtohet kafesë, cigareve, alkoolit dhe në fund mban frymën te droga... Pikërisht kështu ishte edhe dashuria serbe për Kosovën, e pashpresë, dhe mbi të gjitha një dashuri e droguar me dogma millosheviçiane, dhe fatkeqësisht e veshur me veladonin e nderuar të një prifti më shumë politikan se njeri i fesë, quajtur Artemije. Ndarja, duket fjalë poetike, por është e vështirë...shumë e vështirë. Le ta quajmë divorc, të një gruaje (Kosova) që e kanë martuar pa e pyetur që në djep me një burrë (Serbia)...

Prandaj serbët, duhet të dalin e të falënderojnë Ahtisaarin, që me ftohtësinë e tij skandinave, arriti të nxjerrë diçka nga katrahura shqiptaro-serbe, megjithë propagandën aq “të suksesshme” të fëmijës bonjak (jetim) të Jugosllavisë, Serbisë. Aq shumë e donte dhe e do Beogradi Prishtinën, saqë tani, kosovarët janë gati të qeverisen jo nga Brukseli a Uashingtoni, por janë “razi” të udhëhiqen edhe nga Brazili, Afrika e Jugut apo Sri Lanka. Mjaft që të mos kenë të bëjnë me “të dashurin e marrë”, dashuria manjake e të cilit të bën të ndërrosh udhë çdo mëngjes...

Por më në fund, gjykata vendosi divorcin. Dikush u erdhi në ndihmë serbëve, të mbyllin një plagë që ka vite që rrjedh. Ata e mbyllën me disfata Mijëvjeçarin e dytë dhe qenkesh e shkruar ta celnin po me dështime edhe të Tretin.

Shqiptarët (kosovarët le të themi) nuk duhet të gëzohen e as të falënderojnë. Nderin nuk jua bëri Ahtisaari. Nuk jua bëri as SHBA apo Solana (NATO dikur). Nderin jua bëri vetë Beogradi, që si një bashkëshort pijanec dhe i dhunshëm, i vrau e i preu, që i përzuri e i përbuzi... duke kujtuar se “kjo grua” s`do të guxonte të kërkonte ndarjen. Kosovarët, kanë halle të tjera tashmë. Ata duhet të mendojnë tani se s`i do ta menaxhojnë lirinë, sesi do të ngrenë shtëpinë, pa bashkëshortin “tapë” dhe të xhindosur.

Ata duhet të mendojnë sesi të mos bëhen të tillë vetë, me ata që janë më të vegjël brenda familjes së tyre, Kosovës! Dhe shembullin e kanë ende të gjallë, me shenja të grricura në shpinë nga thonjtë e Millosheviçit.

E shumta që mund t`i bëjnë Ahtisaarit, është që t`i japin emrin e tij ndonjë Aeroporti, apo edhe ndonjë rruge nacionale që i lidh me Serbinë. Dhe unë si një shqiptar, po bëj ndaj Skandinavit të Urtë e të Mirë, detyrën që duhet të bëjë njeriu në vend të fqinjit, thjesht të them dy fjalë. Po ja lë emrin pa ndryshuar, Marti dhe prapë në turqisht ka një kuptim shumë të bukur, Pulëbardhë! Vetëm dy fjalë për të: Hvalla, Ahtisaari!!!


Hvalla – serb., Falemnderit!
Muhtar – turq., Kryeplak (Kështu shkruhej në pankartet e protestuesve serbë që pritën Ahtisarin në Beograd)
Marti – turq., Pulëbardhë
Botuar ne Gazeta PANORAMA
Shtuar më 06/02/2007, ora 21:23
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori