Heshtje që “vret”
Albeu.com
nga Aleks PetritiQeveria e mazhorancës së djathtë nga momenti që ka ardhur në pushtet është munduar të ruajë një kurs të zbutur të marrëdhënieve me Greqinë. Filozofia e fqinjësisë së mirë dhe nevoja që ka Shqipëria për të ruajtur marrëdhenie relativisht të mira me shtetin fqinj janë të kuptueshme dhe të pranueshme besoj për shumicën e shqiptarëve.Ai që e ka kuptuar i pari këtë domosdoshmëri është vetë kryeministri Berisha i cili ruan në memorien e tij politike eksperinca jo shumë pozitive të këtyre marrëdhënieve . Ishte ai që në vitin 94 pas asaj ngjarje që ka hyrë në histori si masakra e Peshkëpisë dha urdhërin për nisjen e autokolonës së tanqeve drejt kufirit grek. Megjithatë zoti Berisha duket se ka vuajtur shumë në ndërgjegje këtë acarim të marrëdhënieve me Greqinë që ndihmoi në rrëzimin e tij nga pushteti.

Në këtë shkrim nuk dua të komentoj ndikimin e Athinës apo të politikës greke mbi zhvillime në Shqipëri por duhet pranuar se ky ndikim është prezent në kohë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. Duket se ky është dhe shkaku që pas ardhjes në pushtet kësaj here jo si president por si kryeministër i këtij vendi ai nuk ka ruajtur të njëjtën ndjeshmëri ndaj çështjeve delicate që shqetësojnë marëdhëniet shqiptaro-greke.

Deklarata e fundit e një kryetari komune që për shkak se nuk dua të ul nivelin nuk po ia përmend emrin, është një moment që vendos një kufi në këtë kokëultësinë e Tiranës zyrtare ndaj provokimeve të hapura që vijnë nga qarqe të caktuara greke dhe pro greke. Është mëse e qartë se kjo taktikë që ka zgjedhur kryeministri për të ruajtur me çdo kusht marrëdhënie të mira me Greqinë , mund të funksionojë dhe për pak kohë.

Ndonëse opinioni publik shqiptar vitet e fundit nuk shquhet për një reagim të organizuar qytetar ndaj fenomeneve që e shqetësojnë, kur bëhet fjalë për çështjen kombëtare ka një ndjeshmëri shumë të lartë. Nuk është shumë çudi që kjo heshtje e qeverisë dhe e mazhorancës në përgjithësi të përkthehet dhe në një reagim politik ndaj saj që mund të çojë në një ndëshkim me votë. Ishte për tu vlerësuar reagimi i politikanit Sabri Godo që duhet pranuar se është i vetmi që nuk ka përtuar ose më mirë të themi ka guxuar të thotë hapur ato që mendon ndaj këtyre provokimeve. Ai u shpreh se me këtë heshtje nuk i shërbehet aspak klimës së mirë të marrëdhënieve dypalëshe pasi në këtë mënyrë i lihet terren të lirë tipave të tillë si ai zotëria në Himarë. Kjo duket se është me të vërtetë e tillë.

E meqënëse Athina nuk ka ndërmend të distancohet nga ky qëndirm atëherë s'mbetet gjë tjetër veçse Tirana të thotë fjalën e saj dhe ta thotë fuqishëm kësaj here. Nuk mundet kjo mazhorancë të anashkalojë duke bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh një deklaratë të tillë që kërcënon direkt integritetin territorial të Shqipërisë. Nuk arrij ta imagjinoj se çdo të ndodhte nëse një përfaqësues I minoritetit turk në Greqi të bënte një deklaratë të ngjashme. Po kjo nuk kërkon shumë hamendje sepse është e qartë se do ta kishin linçuar publikisht në mes të Athinës ose të paktën do të ishte dënuar me dhjetëra vite burg.

Kjo mazhoranca dhe kjo qeveri duhet patjetër të thotë fjalën e saj në lidhje me ketë deklaratë sepse ajo ka si pjesë të saj përbërëse një forcë politike të cilës i përket dhe ai “ultranacionalisti fashist”. Pra përgjegjësia nuk është e vogël. Së paku kryeministri duhet që ti kërkojë falje shqiptarëve dhe më shumë himariotëve që ,me mbështetjen e tij të plotë ai zotëri për fat të keq u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës. Partia Demokratike duhet që të heqë dorë nga kjo mbështetje që i ka dhënë njerëzve të omonias në këtë zonë pasi në rast se nuk e bën do të jetë ajo që do të humbë besimin jo vetëm tek elektorati i saj tradicional I cili duhet theksuar se ëhstë mjaft patriot, por edhe tek të gjithë shqiptarët.

Nuk mund të funksionojë një bashkëjetesë mes një politikani që bën paralelizme të Shqipërisë së Jugut me Kosovën dhe mundohet dëshpërimisht të jetë një kundra pedal në momentin e përckatimit të statusit të Kosovës dhe një Qeverie e cila ka mbrojtur dhe mbron fuqimisht idenë e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Jo kjo nuk është e ndershme. Kështu ky kryerministër dhe kjo mazhorancë do të bëhet shumë e pabesueshme në sy të shqiptarëve dhe përballë faktorit ndërkombëtar.
Botuar ne Gazeten Start www.gazetastart.com
Shtuar më 24/04/2007, ora 17:34
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori