Harasani: Rama te ike se nuk e solli PS ne pushtet
Albeu.com
Sekretari socialist për Programin, Andis Harasani, lexon me ftohtësi votën e shqiptarëve në 28 qershor. Sipas tij, PS-ja ka humbur zgjedhjet. Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve nxori koalicionin e djathtë fitues, ndërsa PS-ja nuk arriti të përmbushte objektivin dhe premtimin e saj për të ardhur në pushtet.
Kjo është disfata e dytë radhazi e socialistëve në zgjedhjet parlamentare. Sa të ngjashëm janë faktorët që ndikuan në këtë humbje krahasuar me dy zgjedhjet e fundit, 2005, 2009?

Ka në fakt një ngjashmëri të trishtuar: njëlloj si në 2005-ën, Partia Socialiste mundi të marrë në shumicë besimin e shqiptarëve, por nuk arriti të marrë pushtetin. Që do të thotë se ne nuk mundëm të shkaktojmë divorcin e plotë dhe të pakthyeshëm të qytetarit shqiptar me një të shkuar, që duket se do të vazhdojë të na mbajë të gjithëve peng, ashtu siç kemi pretenduar se ka ndodhur në këto katër vjet. Që do të thotë se ne nuk mundëm të mbyllim një cikël të vjetër të politikës, për të shpresuar nisjen e një cikli të ri, më të pjekur, më të përgjegjshëm, më të aftë dhe natyrisht, jo thjesht më pak të korruptuar, por një pushtet që ndëshkon pikërisht korrupsionin politik, moral dhe financiar të të gjithë shoqërisë shqiptare dhe që kulmon në klasën e saj politike. Që do të thotë se premtimi ynë solemn për të sjellë qytetarin në qeverisje dhe për të afruar qytetarin tek qeverisja nuk funksionoi ashtu siç kishim shpresuar.


Ndikoi strategjia e formimit dhe funksionimit të PS-së me aleatët e koalicionit të saj dhe përtej tij?

Mes dy fushatave, një tjetër ngjashmëri është mënyra e sjelljes dhe e administrimit që PS-ja i bëri votës popullore. Ne, edhe kësaj radhe, njëlloj si në 2005-ën gabuam në mënyrat e sjelljes me aleatët tanë, qoftë duke minimizuar rolin e pritshëm që mund të luanin e duhet të luanin të majtë si Gjinushi e Milo, e qoftë duke u dhënë hapësirë aleatëve të tjerë, më shumë sesa e meritonin. Nga ana tjetër, PS-ja ndoqi një politikë të dyzuar, mes portave të hapura për individë, që pak ose aspak lidheshin me partinë dhe mes portave të mbyllura për të tjerë individë. Nuk do të ndalesha gjatë në emra konkretë, duke dashur të mos krijoj keqkuptime praktike për një diskutim që deri më tani po bëhet vetëm në rrafsh teorik. PS-ja dështoi në maksimalizimin e votës së majtë, kur edhe njëherë, kundërshtari ynë politik mundi të marrë dhe të bëjë të vlefshme cilëndo votë që iu dha atij apo dhe aleatëve të tij, shumë nga të cilët, vetëm sigla me disa qindra vota, por që dolën se ishin shumë të dobishme. Aq të dobishme, sa në një qasje matematike të shifrave të deritanishme, kanë rezultuar vendimtare për qeverisjen e nesërme të vendit.


Sa efikase u tregua PS-ja në krye të koalicionit të saj për të maksimalizuar votat e saj përballë një strategjie gjithëpërfshirëse të Berishës në një koalicion prej 15 partish?

Ka dhe një detaj tjetër mjaft të rëndësishëm. Bashkohem me bindjen e përgjithshme se Berisha nuk ka mundur t´i fitojë këto zgjedhje. Por duke thënë një gjë të tillë, besoj se shtojmë vetëm një rresht më shumë në histori. Qëllimi i çdo partie politike është marrja e pushtetit dhe realizimi i programit të saj në qeverisje dhe, këtë qëllim, kundërshtari ynë e ka realizuar për 12 vjet në 20 vjetët e pluralizmit politik në Shqipëri, pavarësisht sesi është votuar e pavarësisht sesi janë numëruar votat. Të paktën në këtë pikë, ne kemi vërtet për të mësuar prej tij. Edhe në këto zgjedhje, njëlloj si katër vjet më parë, Berisha u tregua më i aftë se ne jo vetëm në garantimin e pushtetit, por sidomos në mënyrën e ndarjes së tij. PS-ja ndau pushtet në 1997, atëherë kur kishte një shumicë dërmuese, Berisha e bëri në 2005, kur edhe pse në pakicë me vota, mundi të marrë e më pas të ndajë pushtetin. Kujtoni afrimin tek PD-ja të Rulit, Pollos, Pashkos, Imamit, Zogajt e të tjerëve. Berisha arriti deri tek Xhuveli, madje, në një moment që mund të bënte dhe pa votat e tij. Kësaj radhe, ndonëse me disa firo, afroi Cekën që deri dje ishte me PS-në dhe mbi të gjitha, ende pa mbaruar numërimi i votave, afroi të ndante pushtet me vetë Metën. Besoj se etiketimet e të gjithë ish-aleatëve, e kryesisht Metës në këtë drejtim, si tradhtarë, janë më shumë emocionale dhe pak kanë të bëjnë me një politikë realiste. Njëlloj si ajo që thashë më lart: qëllimi i çdo partie është ardhja e saj në pushtet. Mendoj se dhe veprimi i Metës duhet parë me këtë sy, me më shumë realizëm dhe me një analizë që tejkalon emocionet e çastit. Edhe nëse ky çast zgjat shumë më shumë se sa do të donim.


Gjatë fushatës elektorale shpeshherë iu kërkua shqiptarëve të votonin PS-në, sepse ajo kishte një lider, një ekip dhe një program. Cilët nga këto elementë çaloi dhe ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve?

Mendoj se është herët që një analizë e tillë të bëhet në media. Më parë ajo duhet të jetë objekt i një analize të hollësishme në parti. Dhe nuk është se mund të gjendet një apo më shumë elementë që nuk funksionoi si duhet nga këto që përmendni juve. Për mendimin tim, situata e post 28 qershorit ishte e parathënë që në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007. Partia Socialiste mundi të fitojë në qytetet kryesorë të vendit, por humbi në të ashtuquajturat zona të dorës së dytë dhe të tretë. Madje, dhe në bastione tradicionale të saj. Po të shihet me vëmendje rezultati ynë paraprak, mund të vihet re i njëjti mekanizëm që nuk na dha shumicë qeverisëse, pikërisht në këto zona. Të cilat edhe kësaj radhe ose nuk na dhanë atë rezervuar të pritshëm votash, ose dhe ndikuan në fitoren e kundërshtarit.


Koalicioni i PS-së rezultoi më i dobët, jo kompakt, madje dhe me diversione siç deklarojnë kryetarët e partive aleate të PS-së. Ku i gjeni gabimet e mosfunksionimit të tij dhe si e mendoni të ardhmen e së majtës për garën e ardhshme elektorale?

Fatkeqësisht edhe një gjë e tillë rezultoi e vërtetë. Koalicioni ynë ishte më i dobët se ai i kundërshtarit tonë. Jo vetëm nga pikëpamja numerike, por sepse më ngjan se nuk ishte një sipërmarrje kryekreje e sinqertë, që secila nga pjesët përbërëse të ishte e mirëpritur për kontribut dhe se do të ishte pjesë e ndarjes dhe administrimit të pushtetit të nesërm. Po të dëgjosh akuzat e aleatëve tanë, tani që dihet rezultati, shumë nga to janë serioze dhe prekin thelbin e problemit. Koalicioni ynë rezultoi të ishte një make up dhe jo një nevojë. Ai u trajtua si make up për diversitetin në unitet tek ne, apo si një ylber që u rrek të pasqyronte koalicionin e djathtë. Aq e vërtetë është kjo, saqë sapo në të djathtë u dëgjuan zërat e parë që bënin thirrje për të mos votuar aleatët, zëra të tillë u amplifikuan dhe në PS. Ishte një koalicion virtual, i ndërtuar mes mungesës së besimit se rruga e të nesërmes ishte një rrugë që bashkonte dhe jo një mur që ndante elementët e koalicionit.


Në vitin 2005 mungoi një analizë e gjerë dhe e hapur për shkaqet e humbjes, ndërsa u mjaftua vetëm me zgjedhjen e kryetarit të ri pas dorëheqjes së Fatos Nanos. Si duhet të organizohet analiza e këtyre zgjedhjeve dhe pse PS ka marrë 65 deputetë, numër ky i paarritshëm që prej zgjedhjeve të 1991?

Natyrisht që PS-ja ka mundur të marrë më shumë vota, që janë dhe të përkthyera në mandate, por e njëjta gjë mund të thuhet dhe për kundërshtarët tanë, çka na dëshmon se ishte në vetvete sistemi i ri elektoral që na e dha këtë mundësi. Sepse nëse analizohen numrat e votave dhe rritja e përqindjes së votuesve, sërish del se në 2009 jemi në po të njëjtat nivele të mbështetjes popullore si në vitin 2005. Nga ana tjetër, nuk mund të them se ka munguar analiza e thellë e asaj çfarë ndodhi në 2005-ën me PS-në. Ajo që mund të thuhet me siguri është vetëm që ne arritëm sërish të biem në të njëjtat gabime si katër vjet më parë dhe morëm një rezultat të njëjtë, dhe kjo ndodhi kryesisht pasi ishin të njëjtët njerëz që udhëhoqën procesin.


Sa ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve moskandidimi i Edi Ramës në krye të listës së Tiranës, por dhe mungesa e tij në parlamentin e ri, nëse do ndikojë në cilësinë e opozitës në parlament?

Ka qenë një nga temat kryesore me të cilën është marrë kundërshtari ynë gjatë fushatës dhe mund të thuhet se edhe na ka dëmtuar. Sot është vështirë të thuhet që po të kishte ndodhur ndryshe, mund të kishim dhe një situatë të ndryshme. Unë dua të falënderoj, pavarësisht kësaj, Edi Ramën, për atë punë të madhe që ka bërë në katër vitet që drejtoi Partinë Socialiste në veçanti dhe në gjithë politikën shqiptare në përgjithësi, por që fatkeqësisht, nuk solli atë rezultat që prisnim. E përsëris, qëllimi i çdo partie është marrja e pushtetit.


Politika e re dështoi, apo nuk pati fare elementë të politikës së re, pasi gjatë katër viteve të shkuara opozita u lëkund nga luftë me bilbila deri në heshtje të plotë për tragjedinë e Gërdecit në parlament, ndërsa ditët e fundit u bë thirrje që populli të rrethonte KQZ-në dhe të mbronte votën e tij?

Nëse do të përdornim një metaforë, politika e re ishte ishulli i premtuar i lumturisë. Ku të gjithë, pavarësisht bindjes politike, të majtë e të djathtë e përtej të majtës dhe të djathtës, do të jetonin më mirë, do të kishte punë për të gjithë, arsim cilësor për fëmijët, shëndetësi të garantuar, mjedis të pastër apo lëvizje pa viza nga sinoret e ishullit. Fatkeqësisht, ne nuk mundëm t´i bindim shqiptarët se ky ishull ekzistonte apo së paku, nuk i bindëm se dinim rrugën për të shkuar të gjithë bashkë aty. Me votë, shqiptarët na thanë se ata dyshonin në këto dy elemente. Pastaj, nëse e quajmë politikë të re apo të vjetër rrugën drejt këtij ishulli, kjo është një çështje krejt tjetër. Velat e anijes sonë, nuk mbajtën, pavarësisht se kishim erën në favor.


Fushata zgjedhore u personalizua në mënyrë të skajshme sa dhe në këngën e fushatës zoti Rama shprehej se “Unë do ta fitoj këtë garë!” Sa ndikoi kjo në rezultatin e zgjedhjeve?

Eshtë e vërtetë se fushata zgjedhore u personalizua në mënyrë të skajshme dhe të paktën në publik, nëpërmjet mediave, u krijua ideja se PS-ja dhe Edi Rama ishin një trup i vetëm. Nëse do të ishte arritur rezultati i pritshëm, atëherë padyshim, suksesi kryesor do t´i përkiste Ramës dhe gjithë pjesa tjetër e PS-së duhet të heshte pikërisht për këtë arsye. Por personalizimi i fushatës nuk është gabim vetëm i Ramës. Të gjithë në PS, kush më shumë, e kush më pak, ka përgjegjësinë e tij. Edhe zëra të veçuar që e kundërshtonin këtë mënyrë fushate apo dhe drejtimi deri diku të personalizuar të partisë, nuk patën forcën e duhur për të ndryshuar një situatë që nuk nisi vetëm në muajin e fushatës. Ato zëra merrnin zakonisht përgjigjen se do të bëhet kështu, do të bëhet në këtë mënyrë. Deshëm apo nuk deshëm, shumëkush nga ne, në vendimmarrjen e PS-së, u kthyem në pasagjerët e një autobusi ku nuk i duhej folur shoferit të autobusit. Kjo ka qenë një shprehje e dikurshme e Blushit për situatën në PS, që për fat të keq, rezultoi e saktë.


Ka një përpjekje të vendosur për të mos pranuar humbjen e zgjedhjeve, madje për të thënë se s’ka të fituar dhe deklarata për mosnjohjen e zgjedhjeve. Sa e dëmtojnë imazhin e PS-së këto deklarata dhe përpjekje?

Unë mendoj se një gjë e tillë do të dëmtonte shumë imazhin e PS-së. Beteja për mosnjohjen e realitetit të ri të krijuar mbas 28 qershorit do të jetë një shpenzim i panevojshëm kohe dhe energjish, të cilat do të na shmangnin nga qëllimi dhe targeti kryesor që kemi për të nesërmen, zgjedhjet lokale. Ato janë shumë më pranë sesa mendojmë dhe dy vjet janë shumë pak, në të vërtetë. Ka shumë argumente për të zgjidhur këtë lëmsh të krijuar, për të ndarë fitoren nga humbja, por ka një moment që i rrëzon ato të gjitha. Sa kohë që ne nuk kemi mundësi të krijojmë qeverinë tonë, ne kemi humbur në zgjedhje.


Ka një debat nëse, kryetari socialist duhet të largohet nga drejtimi i partisë në zbatim të statutit të PS, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Sa e rëndësishme është një gjë e tillë në këto momente?

Në kongresin e vitit 2005 ishte vetë Edi Rama që kërkoi me forcë ndryshimin e tre pikave të statutit të PS-së. E para ishte dorëheqja e kryetarit të partisë në rast se nuk fitonte zgjedhjet e përgjithshme, një gjë të cilën në fakt e zbatoi Fatos Nano, e dyta, ishte lejimi i fraksioneve në parti, gjë që u la në mënyrë të çuditshme në harresë dhe e treta, pjesëmarrja e grave në Kuvendin e ardhshëm, e vetmja pikë e zbatuar pothuaj e plotë deri më sot. Nuk dua të besoj se kryetari i një partie moderne evropiane, i një partie me të njëjtin rezultat elektoral si në 2005 – e votuar më shumë se kundërshtari i saj – të mos zbatojë vetë i pari statutin e partisë së tij. (Arsitir Lumezi, panorama)
Shtuar më 23/07/2009, ora 17:10
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori