Hajde me shuplaka
Albeu.com
nga Albin KurtiTë hënën, Martti Ahtisaari vjen në Prishtinë. Nuk e dimë se kë krejt do ta takojë dhe çfarë ai do të bëjë e thotë në Kosovë. Por, sikurse edhe shumë pashallarë, vezirë e sulltanë të tjerë para tij, e të cilët kësaj radhe na vijnë ...... nga perëndimi e jo nga lindja si dikur, ai do ta mbajë një fjalim në një seancë gjithsesi solemne të Kuvendit të Kosovës. Nga deputetët e Kosovës nuk kërkohet të thonë ose bëjnë asgjë përveçse të jenë të gatshëm, si përherë, për duartrokitjet e tyre. Pas fjalive të caktuara të Martti Ahtisaarit atyre do t’u jepet sinjali që të duartrokasin: ndonjëherë ca më gjatë, nganjëherë fare shkurtimisht, kurse, së paku një ose dy herë, edhe të ngriten në këmbë gjersa duartrokasin.

Pieter Feith e Tina Kaidanow, të ndjekur nga suflerët e tyre Sejdiu e Thaçi, do ta kenë detyrën e sinjalizuesit: ata e diktojnë momentin e fillimit të duartrokitjes si dhe ritmin e saj, ashtu siç bëhet me audiencën në një talk show. Ndërkaq, duke përcaktuar se kur duhet ngritur në këmbë deputetët dhe kur duhet ulur ata, do të na e dhurojnë një imazh që i ngjan asaj valës së tifozëve në tribunat e stadiumeve të futbollit. Deputetët sigurisht që e dëgjojnë Ahtisaarin porse ata, me shumë vëmendje, i shikojnë pikërisht këta katër sinjalizuesit. Nganjëherë, deputetëve edhe u kthehet shikimi, lehtas dhe papritmas, mu sikurse te filmi i Ridley Scott, atëherë kur Hannibal Lecter (Anthony Hopkins) kthen kokën për ta shikuar inspektorin Renaldo Pazzin (Giancarlo Giannini), në skenën kur ata ndjekin arien operistike “Vide Cor Meum” (libreto nga “La Vita Nuova” e Dantes).

Ministrat, në momentet e qetësisë, do të jenë duke pohuar me kokë fjalimin e Ahtisaarit, dhe do të duken si peshat e atij kandarit që refuzon të stabilizohet. Kurse, në periudhën tjetër, duke u ndodhur prapa shpinës së Ahtisaarit, ministrat për deputetët shërbejnë si pasqyra të shenjave për duartrokitje të katër sinjalizuesve. Ministrat janë ajo banda që me porosinë “hajde me shuplakë, hajde me shuplaka” e shndërrojnë sallën e kuvendit në tubim njerëzish të djersitur nga fërkimi i sqetullave, të mërdhezur në fytyrë nga temperatura e ngritur, dhe të ngazëllyer nga valëzimet e dhjamit të trupave të tyre. Salla e Kuvendit të Kosovës, kjo saunë e njerëzve me duar të ënjtura, është pasuruesi kryesor i spektaklit për Kosovën e varfër. Nga këso njerëzish të padinjitet e të shitur për karrige e privilegje, popullit të Kosovës, i duhet të ndjehet i përfaqësuar e i udhëhequr. Pra, janë këta paria institucionale e Kosovës që paguhen nga qytetarët e Kosovës për t’u mashtruar e vjedhur prej tyre. Dhe, e gjithë kjo pari nuk është shitur pasi që i ka marrë postet që i gëzon tani, por para se t’i ketë marrë ato. Ata u shitën për t’u ngjitur në pozita, e zbritën pazarin fare poshtë, dhe tash veçse vazhdojnë të përulen për të mbetur lartë aty ku janë.

Përderisa qytetarët e Kosovës do ta përcjellin këtë maskaradë prej kuvendi nëpër televizione, në të vërtetë, është Kosova ajo që do shitet shpejt dhe kollaj si asnjëherë më parë. Dhe atë, në mënyrë të dyfishtë: territori i saj me decentralizimin e ministrit Sadri Ferati, kurse pasuritë e saj me privatizimin e ministrit Ahmet Shala. Sadri Ferati do që të sajojë komuna me shumicë serbe pa u njohur Kosova nga Serbia, pa u shpërbërë strukturat e saj në Kosovë dhe pa u integruar veriu, ndërsa Ahmet Shala do që t’i shesë të gjitha ndërmarrjet shoqërore e publike të Kosovës ‘më lirë se badihava’, pa i pyetur qytetarët dhe pa i marrë një herë ato 450 milionë të ndërmarrjeve të shitura deri më tani.

E drejta e vetos për deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës që do të mund të vazhdojnë të dirigjohen nga Serbia, lidhjet horizontale ndërmjet komunave me shumicë serbe dhe lidhjet e tyre vertikale me Beogradin, dhjetëra mijëra hektarë tokë brenda së cilave do të serbizohet trashëgimia kulturore ortodokse, shuarja e TMK-së dhe një FSK si aneks i policisë por pa të drejtë intervenimi, pjesëmarrja në borxhin e jashtëm të Serbisë pa na i paguar ajo dëmet e luftës, dhe ICO-ja me fuqi ekzekutive mbi çdo institucion të Kosovës, që të gjitha këto, janë peshqesh nga Plani i Ahtisaarit. Ky është një çmim aq i lartë për pavarësinë saqë, në fakt, nuk kemi të bëjmë përnjëmend me pavarësi. Kosova u shpall e pavarur porse kjo është një pavarësi pa substancë – pavarësi pa sovranitet dhe integritet territorial, pavarësi pa zhvillim ekonomik dhe me histori e identitet të mohuar. Disi ngjashëm sikurse ta kishim kërkuar një gotë me ujë duke besuar që kjo e nënkupton ujin në gotë, porse kemi fituar vetëm gotën dhe shpresën se do të bjerë shi.

Të hënën që vjen, Martti Ahtisaari arrin në Prishtinë për t’u duartrokitur nga ata që realisht s’bëjnë punë tjetër: deputetët e Kuvendit të Kosovës. Të hënën që vjen, Martti Ahtisaari do të vijë e do të shkojë. Ashtu sikurse edhe Joseph Biden dhe shumë të tjerë para tij. Ne, qytetarët e Kosovës, do të vazhdojmë të jetojmë në këtë mjerim prej nga nuk na nxjerr kush, nëse nuk e nxjerrim ne vetveten: duke u ngritur kundër gjithë këtyre padrejtësive e poshtërsive.
Shtuar më 12/06/2009, ora 23:27
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori