Haaretz: Krenaria izraelite, viktima dhe agresori
Pëlqej
Albeu.com
nga Haaretz - Njëherë e një kohë, në bluzën ngjyrë të kaltër zinte vend stema që përfaqësonte “Lëvizjen Laburiste”, e shoqëruar kjo me tingujt e këngës së Mordechai Zeiras, refreni i së cilës ishte: “Është më e bukur se të gjitha stolitë”. Brezat i lanë vend njeri-tjetrit. Ngjyra e bluzës u errësua jo pak. Ditëve të sotme ajo është e zezë, si një kushtrim i të parëve: “Të gjithë jemi viktima të raportit Goldstone”.

Dhjetëra miq e të afërt të reparteve ushtarakeGivati”, veshur me këto bluza dalldisëse, ngjitën shkallët e Gjykatës Ushtarake. “Miqtë” ishin të bindur se bëhej fjalë për tejkalim të kompetencave të autoriteteve ushtarake, duke vënë në rrezik jetën e një djaloshi 11-vjeçar. Për të qenë më i saktë, për një “sjellje të pahijshme” të ushtarëve. Nga ana tjetër, ushtarët gëzonin mbështetjen e pakursyer të ushtarakëve të lartë, aq sa të linte të kuptohej se dy të pandehurit mund të shpalleshin edhe heronj.

Izraeli duket krenar që përfaqëson njëherazi viktimën dhe agresorin. Historia ka njohur sa e sa pushtime më mizore.

Qysh nga koha kur Golda Meir shprehej se nuk do t’ua falte kurrë arabëve që na detyruan të lëndojmë edhe fëmijët e tyre, prej atyre luftëtarëve që pasi shtien me plumba derdhin edhe lot krokodili, ne kemi vendosur - falë trupave ushtarakeGivati”- një rekord të ri në krekosje: “Jemi të gjithë viktima të raportit Goldstone”.

Viktimizimi, tashmë i provuar, nuk i përket vetëm një fëmije 11-vjeçar, jeta të cilit u vu në rrezik dhe që vuan nga pagjumësia sot e kësaj dite, por për shkak të ushtarëve që e urdhëruan të verifikonte ekzistencën e lëndës plasëse, në kundërshti të plotë me vendimet e Gjykatës së Lartë.

Nuk bëhet fjalë vetëm për viktimizimin e familjes Samouni, 21 anëtarët e së cilës u masakruan në kohën kur brigada ushtarakeGivati” - nën urdhrat e të njëjtit drejtues - bombardoi shtëpinë. (Tashmë, komandanti i brigadës, Ilan Malka, është nën hetim, edhe pse poshtërsisht tepër vonë). Nuk bëhet fjala as për banorët e Gazës që provuan mbi shpinë vrazhdësinë, tmerrin, shkatërrimet dhe krimet e luftës. Përkundrazi, “të viktimizuarit” janë ushtarakët që ndajnë përgjegjësinë edhe me komandantët e politikanët e tyre.

Na e ka shumë ënda të veshim petkun e viktimës. Kjo ndodh jo vetëm kur jemi viktima në mënyrë të njëmendtë, siç na ka ndodhur përgjatë historisë, por edhe kur jemi agresorë, pushtues e abuzues. Nga ana tjetër, ne nuk e shfaqim veten vetëm si të viktimizuar, por edhe si të vetmit në dynja. Le ta shqyrtojmë më në imtësi këtë përqasje të keqbërjeve tona: zë fill me mohimin që më pas shndërrohet në dhunë. Pra, kalojmë nga qenia të pacipë, në çnjerëzorë e demonizues, gjersa mbërrijmë në këtë pikë ku ndodhemi: në “Paradën e Krenarisë”.

Ushtarë që pozojnë para viktimave të tyre dhe ata që kërcejnë e hedhin vallë para të burgosurve, ndjehen të pakufishëm në shprehjen e krenarisë. Hedhin foto të këtilla edhe në ueb-faqet që t’i shohin të gjithë. Sakaq, edhe simpatizantët e brigadës “Givati” ndjehen krenarë me veprat e tyre. Janë krenarë para njerëzisë se kanë shkelur ligjet. Solidariteti mes tyre është i kuptueshëm, por është mjaft e vështirë të kuptosh edhe mbështetjen që u ofrohet nga komandantët e brigadës: Koloneli Moni Katz dhe Major Gjenerali Uzi Dayan.

Çfarë po thonë, që ushtarët kanë të drejtë?! Që nuk duhen ndëshkuar! Që janë viktima! Në këtë rast, pak na mbetet për të folur për ushtarët që përmbushin vetëm urdhrat e marra prej eprorëve të tyre. Të bëhet shumë e vështirë të kuptosh edhe mbështetjen e gjerë që gëzojnë në opinionin publik si vartësit ashtu edhe eprorët. Si në rastin e policit të Nahariyas, që tashmë është i pandehur për vendosjen e bombës për të goditur të pandehurit si anëtarë të grupeve kriminale. Këta janë njëherazi edhe “heronj” dhe “viktima” kombëtare të shkallës më të lartë.

Vërtetë mund të ndihemi krenarë për ata ushtarë që urdhërojnë fëmijët të vënë në rrezik jetën e tyre, si dhe në shkelje të plotë të ligjit? Kështu vallë duam ne që të sillen trupat tona ushtarake? A do të vijë ndonjëherë dita kur opinioni publik izraelit të mos pranojë shkeljen e ligjeve të luftës; e kur ndonjë ushtar izraelit t’i thyejë, të ndëshkohet ligjërisht? Mund të jetë e vërtetë që ata të kenë tejkaluar urdhrat e dhëna, mund të kenë qenë të rraskapitur e të dërrmuar pas tri javë sulmesh të pandërprera në Gaza, siç u tha në Gjykatë. Por të shfaqesh si viktimë, kjo dëshmon tollovinë që po kaplon vetë Izraelin.

Prandaj, na duhet t’u rikthehemi vlerave bazë të drejtësisë. Viktimat e operacioneve ushtarake të ndërmarra në Gaza janë pikërisht të 1.5 milion banorët e Gazës. “Viktimat” e raportit Goldstone nuk janë dy të pandehurit, por viktimat e tyre. Bluzat më ngjyrë të errët, të veshura nga ‘miqtë’ e tyre në Gjykatë, janë dëshmia e gjallë e faktit se vlerat bazë të së vërtetës janë errësuar e shformuar aq sa nuk njihen më.
Shtuar më 21/11/2010, ora 09:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori