Gruevski, politike e re me shqiptaret
Pëlqej
Albeu.com
nga Alban TartariAi është padyshim politikani më guximtar në Ballkanin perëndimor. Na pëlqen apo jo ne në Tiranë, i irriton apo jo ata në Athinë, i shqetëson apo jo ata në Sofje, i sfidon apo jo të tjetrët në Beograd, ...... Nikola Gruevski është aktualisht njeriu që po mundohet ta mbajë vendin e tij Maqedoninë si një anije në këmbë mes një deti me suferinë.

I rrethuar nga probleme madhore, së fundi kryeministri maqedonas u shfaq mes dy kryeministrave shqiptarë, Berishës së Tiranës dhe Thaçit të Prishtinës, duke qenë ai vetë organizator i ceremonisë përkujtimore të Kongresit të Manastirit. Shumëkush është surprizuar, por ja që zoti Gruevski e bëri diçka të tillë duke fituar shumë pikë dhe duke mbyllur një mori problemesh.

Nikola Gruevski është rreshtuar në krah të shqiptarëve. Ai pasi pranoi të njihte Kosovën, gjë e cila s’u prit aspak mirë në Beograd, vijoi t’i afrohej spektrit shqiptar, nisur edhe nga problemet që vendi ka me Greqinë për emrin, Bullgarinë për mentalitetin pretendues dhe jo më pak me vetë Kosovën për kufirin. Ai si një akrobat profesionist, u ka mbyllur gojën së fundi shqiptarëve që ka në Shkup, në qeveri apo opozitë qofshin duke u treguar se mund të bëjë më shumë se ata për shqiptarët!

Ai e ka rritur pjacën duke qëndruar mes “dy krerëve të shqiponjës” për të treguar atë që autori i këtyre rreshtave e ka thënë me ngulm: shqiptarët janë aktualisht aleati më natyral i maqedonasve që na shikojnë ende me skepticizëm dhe frikë! Me hapin e hedhur para pak ditësh zoti Gruevski, me gjithë problemet që mund të ketë komuniteti etnik shqiptar në Maqedoni, me gjithë mungesën e kuadrove, luftën politike pa nivel mes politikanëve shqiptarë atje, tregoi pra se ai është një evropian duke tejkaluar vetveten dhe mentalitetin e të djathtëve maqedonas që përfaqëson, shumë më nacionalistë sesa të majtët socialdemokratë të Crvenkovskit.

Kohë më parë ai as që ngurroi të merrte Ali Ahmetin në qeveri pasi i dha duart Menduh Thaçit që u rendit në vend të dytë në zgjedhje ndër shqiptarët. Filozofia etnike dhe politike e Ahmetit nuk përputhej aspak me atë të Gruevskit, megjithatë ai bëri zgjedhjen dhe i tregoi BE-së së s’ka probleme me mentalitetin e vjetër anti-UÇK!

Afrimi i tij me shqiptarët, vjen në një moment kritik për vendin. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO vazhdon të mbahet peng nga emri i pazgjidhur me Greqinë. Me këtë rast, Shkupi dëshiron të ketë mbështetjen e fqinjëve, tashmë përballë mbështetjes serbe të humbur në të gjitha pikat. Gruevski përllogarit se tashmë Shkupi po sheh nga perëndimi, pra jo nga Sofja dhe rrjedhimisht rruga do t’i bjerë dhe do jetë e përbashkët me shqiptarët.

Ai me uljen serbes mes Berishës dhe Thaçit, s’beri tjetër veçse u dha mesazhin atyre që as të mos e mendojnë ndarjen e Maqedonisë, sepse tashmë ky vend është në një shportë me hapësirën shqiptare. Dhe frika e tij dhe e çdo personi në Maqedoni është normale me “pikat” e Ban Ki Mun-it që s’bëjnë tjetër veçse e çojnë Kosovën drejt ndarjes dhe rajonin drejt ripërcaktimit të kufijve në baza etnike.

Po ashtu, duket se fshatrat shqiptarë mes Kosovës dhe Maqedonisë, ndonëse do vazhdojnë të jenë të paqartë në status për goxha kohë se kujt i përkasin, në fund Gruevski synon që ata të mbeten pjesë e Maqedonisë.

Fjalët e zotit Berisha se “marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera” treguan edhe faktin se tashmë ngërçi kur Maqedonia i vuri “kufirin te thana” apo më mirë te Qafa e Thanës me viza shqiptarëve është i tejkaluar.

Kështu, Nikola Gruevski, mbetet politikani më guximtar që Maqedonia ka përjetuar pas Kiro Gligorovit në fillim të viteve ’90, është në timon mes shumë valësh e dallgësh që e kanë ngadalësuar kursin e anijes, por që kanë rritur rëndësinë e vendit që nuk pranon lojën me identitetin që pretendon të ketë. Dhe dora e tij e shtrirë drejt shqiptarëve, duhet të pranohet.
Shtuar më 27/11/2008, ora 04:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori