Grekët "pajtohen" me çamët
Albeu.com
Roli i çamëve gjatë Luftës së Dytë Botërore ka hapur një debat të fortë në Greqi. Këtë radhë, çamët, janë vlerësuar pozitivisht nga historianët grekë. Sipas fakteve të reja historike, roli i tyre gjatë luftës italo-greke nuk përkufizohet më me tradhti, duke i dhënë një ngjyrë tjetër të gjithë historisë.
Gjithçka ka nisur nga dokumentari i televizionit "SKY". Për herë të parë ky televizion ka zbardhur me pamje filmime dhe dokumente të pazbuluar, historinë e vërtetë të luftërave të Greqisë që nga viti 1897 deri në luftën italo-greke të vitit 1940.

Televizioni kombëtar i profilizuar te dokumentarët ka bërë një përmbledhje me fakte dhe dëshmi të pazbuluara ndonjëherë nga dëshmitarë okularë dhe historianë të rëndësishëm, në serialin "Ne grekët".

Bëhet fjalë për dokumente që zbardhen për herë të parë me dëshmi, rrëfime dhe komente të personazheve të këtyre ngjarjeve dhe studiues të historisë.

"Materialet e grumbulluara dhe që do t'i shfaqen për herë të parë publikut grek nga televizioni më i madh për filmat dokumentarë (i ngjashëm me Discovery) janë marrë në vendet ku kanë ndodhur ngjarjet historike, mbështetur nga faktet e dëshmitë dhe jo nga hamendjet që janë publikuar deri tani të prodhuara në bazë të interesave të caktuara në periudha të caktuara", është cituar kryeredaktori i televizionit, Mihalis Kacigiras.

“Në bazë të zbulimeve të reja dhe materialeve të grumbulluara në dokumentar për periudhën e pushtimit grek nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë, çamët nuk përmenden si tradhtarë të vendit. Kjo tregon që kamera e ‘Sky’ e ndodhur në vendet ku janë zhvilluar këto ngjarje, ka filmuar të gjitha rrëfimet e personazheve që kanë marrë pjesë në këtë histori si dhe studimet e historianëve më të shquar grekë dhe që nuk e kanë cilësuar në asnjë vend se çamët ishin bashkëpunëtorë të okupatorit", është shprehur Kacigiras për gazetën shqiptare “Panorama”.

"Teleshikuesit grekë do të kenë mundësinë të ndjekin për herë të parë të vërtetën e historisë së luftërave greke gjatë periudhës 1897-1940 nëpërmjet dokumentarit të titulluar 'Ne grekët' të përmbledhur në 12 episode", ka vazhduar kryeredaktori.

Premiera e cila ka nisur 29 shtator dhe që do shfaqet çdo të hënë, ka disa javë që është vënë në publicitet në televizion dhe në radiot greke, si një eveniment ku teleshikuesit do të mësojnë për herë të parë historinë e vërtetë të këtyre periudhave që kanë shënuar historinë e Greqisë.

Ndihmuesit e këtij seriali të rrallë dokumentar janë disa studiues të rëndësishëm të historisë moderne greke, të cilët garantojnë historinë e vërtetë si dhe zbardhjen e shumanshme të ngjarjeve të paraqitura. Sipas tyre, dokumentari shfaq periudha të rrëqethshme me plot fitore heroike, me humbje shkatërruese dhe me përplasje diplomatike, ku në disa raste e çojnë Greqinë në histori të errëta, në buzët e shkatërrimit dhe në momente të tjera që shkruan për faqet e ndritshme të historisë së saj.
Megjithatë, për nacionalistët grekë, ky dokumentar është kthyer në një herezi. Në shumë faqe interneti ka reagime nga qarqe nacionaliste ekstremiste greke, që për t'iu kundërvënë të vërtetës së këtij dokumentari të rrallë, të bazuar me fakte kanë krijuar disa faqe interneti ku i shprehin hapur mendimet antishqiptare. (G. Panorama)
Shtuar më 03/10/2008, ora 23:33
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori