Godo: Pse nuk foli Topi për çamët
Albeu.com
Kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, komenton heshtjen e Presidentit Topi përballë kreut të shtetit grek, Karolios Papulias për çështjen çame.Politikani i njohur komenton heshtjen e Presidentit në Greqi për pronat e çamëve: Kishte tjetër mision. Më vonë duhet të flasë


Ndonëse pala greke ka kërkuar nga Shqipëria që të zgjidhë shqetësimet e shtetit helen, Shqipëria ka qëndruar gojëkyçur mbi zgjidhjen e problemit të Çamërisë. Në një intervistë për "Shqip", Godo u shpreh se "ashtu si grekët që kërkojnë nga Shqipëria të respektojë të drejtat e minoritetit, ashtu edhe politika shqiptare duhet të ballafaqohet me shtetin helen, për të drejtat e pronësisë së çamëve dhe të drejtat e arvanitasve". Duke komentuar mosreagimin e palës shqiptare mbi këtë çështje, Godo theksoi se "në rast se Presidenti nuk ka folur për çështjen çame në Greqi, unë e kuptoj disi për pozitën e vështirë në të cilën ai është ndodhur, sepse kur shkon të kërkosh atje një përkrahje politike për një problem madhor për anëtarësimin në NATO dhe BE, është e vështirë që në të njëjtën kohë të shtrosh për bisedim edhe një gjë që e irriton së tepërmi palën tjetër, sepse grekët kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur vite me radhë që problemi çam nuk ekziston". Gjithashtu Godo ka reaguar edhe për çështjen e hapjen e dosjeve duke u cilësuar se "është përdorur si një lojë për të bërë shantazh, njëherë njërës palë dhe pastaj palës tjetër, dhe personalisht kam humbur besimin se kjo do të trajtohet ndonjëherë me seriozitet".

Zoti Godo, vizita zyrtare e Presidentit Topi në Athinë me Presidentin grek vinte pas një ndërprerjeje të gjatë të takimeve të këtij niveli mes dy shteteve. Nga njëra anë, pala greke ka shprehur shqetësimet e saj në adresë të Shqipërisë, ndërkohë që kjo e fundit ka qëndruar në heshtje për zgjidhjen e çështjes çame. Si e komentoni këtë qëndrim?

Ky, nuk më dukej momenti i duhur ku të ngrihej me forcë çështja çame në Greqi. Vlen të theksohet se misioni kryesor i Presidentit ishte të kërkonte në Greqi që ky shtet të përkrahë hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe Komunitetin Evropian. Kjo ishte një nga interesat madhore dhe doemos që Presidenti në këtë pikë duhet të përqendrohej. Në cilindo rast tjetër, Presidenti dhe çdo politikan shqiptar që ballafaqohet me palën greke, ashtu siç thonë grekët kur vijnë në Shqipëri për të drejtat e minoritetit grek, ashtu duhet të themi edhe ne kur shkojmë në Greqi, për të drejtat e pronësisë së çamëve në shtetin helen dhe të drejtat e arvanitasve shqiptarë, që duhet të kenë të drejtat e tyre etniko-kulturore dhe të drejtat e arsimit të emigrantëve në Greqi. Kemi probleme të shumta për t‘i parashtruar palës greke dhe nga këto nuk duhet të heqim dorë në rast se duhet t‘i shërbejmë marrëdhënieve të mira mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Zoti Godo, megjithëse tema kryesore e bisedimeve mes dy krerëve të shtetit shqiptar dhe atij grek ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, një tjetër çështje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit shqiptar, ishte edhe ndarja ose siç mund ta quajmë ndryshe shkëmbimi i pronave në këto dy vende. Ka lidhje kjo çështje me pronat e çamëve?

Kjo e përjashton çështjen çame. Këtu bëhet fjalë për pronat që mund të kenë shtetasit shqiptarë në Greqi, jo për çamët, dhe anasjelltas. Kjo diskutohet normalisht ndërmjet të gjitha vendeve që kanë probleme të tilla. Kështu që, ajo ju intereson ju të dini, nëse këtu s‘diskutohet për pronat e çamëve apo jo, unë e përjashtoj këtë. Këto janë terma të përgjithshme të rregullimit të çështjeve të natyrës së tillë ndërmjet vendeve. Kurse problemi i çamëve është një problem specifik që qëndron më vete. Në rast se Presidenti kësaj here nuk ka folur për çështjen çame në Greqi, unë e kuptoj disi për pozitën e vështirë në të cilën ai është ndodhur, sepse kur shkon të kërkosh atje një përkrahje politike për një problem madhor për anëtarësimin në NATO dhe Komunitetin Evropian është e vështirë që në të njëjtën kohë të shtrosh për bisedim edhe një gjë që e irriton së tepërmi palën tjetër, sepse grekët kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur vite me radhë që problemi çam nuk ekziston. Është një qëndrim i paarsyeshëm dhe jashtë realitetit, pasi problemi çam është dhe do të jetë derisa të zgjidhet. Megjithatë ky është qëndrimi i qartë i palës greke dhe ne duhet të shikojmë se ç‘duhet të bëjmë me këtë çështje në të ardhmen, pasi në rast se në ballafaqimet direkte me grekët nuk arrijmë të biem në ndonjë ujdi për këtë punë, atëherë duhet të kërkojmë ndërhyrjen e këtyre institucioneve që i kemi të përbashkëta si ne ashtu edhe grekët, siç janë Parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE-ja etj. Kjo, sepse kemi të bëjmë me mohimin e të drejtave të dhjetëra-mijërave njerëzve, mohim që është flagrant, sepse s‘mund ta shpërngulësh tjetrin me forcë nga shtëpia dhe të mos t‘ia njohësh të drejtën dhe pronësinë së paku. Këtu nuk bëhet fjalë për kthimin e çamëve në tokat e tyre, por vetëm për të njohur të drejtën e pronës. Them se nga kjo nuk duhet të heqim dorë nga asnjë rast, sepse është diçka e papranueshme dhe shkelje e të drejtave universale të njeriut.

Duke iu referuar çështjes çame, vihet re qëndrimi i ashpër i palës greke si heqja e shtetësisë në mënyrë kolektive dhe mohimi i pronës. A do të ketë zgjidhje ndonjëherë kjo çështje dhe a është politika shqiptare e zonja për t‘i dhënë drejtim kësaj pike?

Politika shqiptare asnjëherë nuk ka formuluar një qëndrim të sajin. Mund të ketë parti politike që në raste të ndryshme kanë folur dhe në raste të veçanta janë përpjekur t‘i dalin për zot kësaj, ndërmjet tyre përmend edhe partinë ku bëj pjesë unë, Partinë Republikane. Por janë edhe parti të tjera të djathta që janë përpjekur të ngrenë zërin, edhe në mënyrë spontane për çështjen çame. Këtu kemi të bëjmë me një çështje që prek drejtpërdrejt politikën qeveritare dhe nëse flasim për këtë, atëherë duhet të themi për fat të keq haptas se kjo qeveri dhe ato që kanë qenë më parë, asnjëherë nuk janë ballafaquar seriozisht me palën greke për çështjen çame dhe asnjëherë nuk kanë bërë ndonjë ankim në strukturat evropiane për këtë çështje. Ky është një qëndrim që lidhet me uljen e qafës, megjithëse nuk dua të përmend terma të tilla, por kjo është të tërhiqesh nga pozicioni ku duhet të jesh për të mbrojtur të drejtat e pronave.

Për t‘i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, a duhet që politika të marrë pikënisjen e parë, duke u ankimuar në institucionet evropiane për çështjen çame. A duhet të fillojë pikënisja fillestare pikërisht në këtë mënyrë?

Deri më sot nuk ekziston asnjë copë letër në institucionet evropiane ku qeveria shqiptare të ketë kërkuar ndonjëherë asistencë në këtë problem. Edhe kur ndonjë parlamentar i huaj ka ngritur këtë çështje, ne kemi dalë përpara për të thënë që janë çështje që e zgjidhim me Greqinë dhe nuk kërkojmë ndihmë nga askush. Deri këtu ka arritur puna. Dhe ka me të vërtetë politikanë në Evropë që habiten me një qëndrim të tillë.

Republikanët kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit 7501, ndërkohë që Presidenti Topi nga Athina ka deklaruar se minoritarët grekë do t‘i marrin pronat e tyre sipas ligjit 7501. Mendoni se ka një mosakordim mes PR-së dhe kreut të shtetit mbi ligjin e shumëpërfolur për pronat?

Ndofta Presidenti ka dashur të thotë që minoritarët grekë kanë marrë në Shqipëri toka sipas ligjit 7501, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë. Ky propozim i Partisë Republikane akoma nuk është kthyer në ligj, por unë shpresoj që do të bëhet dhe do të ndalet shpërdorimi i mëtejshëm i tokës nën etiketën e ligjit 7501. Nuk do të korrigjohen padrejtësitë që janë bërë në të kaluarën, por të paktën të mos bëhen shpërdorime të tjera, sepse kanë filluar pushtetet lokale, apo drejtoritë e pyjeve të interpretojnë si të tillë brenda ligjit 7501 edhe pyjet edhe kullotat dhe vazhdojnë të bëjnë spekulime.

Herë pas herë, politika rikthen debatin për hapjen e dosjeve. A do të hapen ndonjëherë dosjet në Shqipëri, apo kjo është vetëm një shashkë e politikanëve në momente të caktuara për të hequr vëmendjen nga një çështje më e rëndësishme se kjo e dosjeve?

Ky është një debat që ka nisur në vitin 1992. Personalisht kam pasur një qëndrim konstant në këtë pikë. Kam thënë se duhet të hapen dosjet për të gjithë ata që kanë një rol të dorës së parë në politikë dhe në qeverinë e vendit dhe të lihen mënjanë të tjerët, operativët e lagjeve dhe njerëzve që mblidhnin folklor në lagje, sepse do të përfshiheshin një numër i madh njerëzish. Ky ka qenë qëndrimi im. Kam parë që janë bashkuar edhe njerëz të tjerë në këtë mendim, megjithatë kjo nuk është bërë dhe nuk është ngritur një komision parlamentar që të përcaktojë kriteret se për kë, si dhe për çfarë do të hapen dosjet dhe çfarë do të nxjerrim nga të gjitha këto. Asnjëherë nuk është ndërmarrë diçka serioze që të sjellë bindjen se duam me të vërtetë t‘i hapim dosjet. Është thënë me të drejtë se kjo është përdorur si një lojë për të bërë shantazh, njëherë njërës palë dhe pastaj palës tjetër, dhe personalisht kam humbur besimin se kjo do të trajtohet ndonjëherë me seriozitet. Kjo është një gjë me të vërtetë shumë negative. Ka dy gjëra që nuk ka bërë politika shqiptare dhe që i kanë bërë të gjithë vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste. Pra të dënojnë haptas regjimin komunist dhe e dyta të hapin dosjet. Ndoshta jo ashtu siç ka bërë Gjermania, kemi shembuj të tjerë që mund të ndjekim. Hapjet e deritanishme kanë qenë fiktive dhe vetëm kur i kanë interesuar dikujt dhe kjo duhet të marrë fund, sepse është një gjë vërtetë e dëmshme. /G. Shqip/
Shtuar më 28/11/2007, ora 18:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori