Godo: Lajthitja e Dules për çamët
Albeu.com
Republikani Sabri Godo i kthen përgjigje kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili është bërë palë me Athinën zyrtare, duke deklaruar publikisht se çështja çame nuk ekziston.Godo i cilëson marrëzira deklaratat e Dules, duke i kthyer përgjigje "dhëmbë për dhëmbë" këtij të fundit me të njëjtën monedhë. "Nuk ekziston problemi i minoritetit grek në Shqipëri, ndërkohë që gjithë bota e di se çamët janë shpërngulur nga Greqia dhe kanë pronat e tyre atje", tha Godo. Presidenti i nderit të asamblesë së PR-së denoncoi edhe heshtjen afatgjatë të qeverisë shqiptare lidhur me çështjen çame. Sipas tij, nuk ekziston asnjë dokument, asnjë lloj deklarate dhe asnjë lloj letre e palës shqiptare në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës, në OSBE-në, në struktura të tjera që të ketë formën e një ankimi nga ana jonë për çështjen çame. "Mbase ndonjë deputet evropian e ka ngritur me iniciativën e tij këtë çështje, por nuk ka qenë shqiptar dhe nuk ka qenë as nga Shqipëria", theksoi Godo.

Zoti Godo, qeveria greke në mënyrë të përsëritur mohon ekzistencën e çështjes çame, ndërkohë që Tirana zyrtare tregohet indiferente ndaj këtij qëndrimi. Si e komentoni këtë fenomen?

Ne duhet të pranojmë se qeveritë greke, pavarësisht se në cilin krah kanë qenë, kanë pasur një qëndrim të njëjtë dhe konsekuent për çështjen çame. Domethënë kanë refuzuar të pranojnë se ekziston ky problem. Kjo mbrohet si ide nga krerët e atij vendi, qeveria, Presidenti dhe forcat politike. Ne kemi ndenjur urtë ndaj këtij qëndrimi, jemi tërhequr. Ndokush mund të krenohet se ka thënë ndonjë fjalë, por realisht nuk ka thënë asgjë. Asnjëherë nuk u kemi thënë grekëve haptas se ne e konsiderojmë këtë problem të hapur dhe duhet ta diskutojmë ndërmjet nesh dhe nëse ndërmjet nesh nuk e gjejmë fjalën, atëherë duhet të kërkojmë arbitrimin e institucioneve ndërkombëtare evropiane që kanë kompetencën për të thënë fjalën e tyre në raste të tilla. Në vend që të mbanim një qëndrim të tillë dhe të bënim përçapjet e duhura në këtë drejtim, e thënë me fjalë të thjeshta kemi ulur kurrizin, gjoja duke u nisur nga interesa kombëtare dhe interesa të emigracionit. Ky është qëndrimi ynë në këtë çështje, një qëndrim i padenjë, është një risi e neveritshme që në themel nuk u kontribuon marrëdhënieve të mira mes shqiptarëve dhe grekëve, por i dëmton ato. Sepse kjo çështje mes fqinjëve duhet të diskutohet dhe të synohet që të arrihet në një zgjidhje dhe në një marrëveshje. Ajo që është në thelb është fakti që nuk ekziston asnjë dokument dhe asnjë lloj deklarate, apo asnjë lloj letre e palës shqiptare në Parlamentin Evropian, në Këshillin e Evropës, në OSBE-në, në struktura të tjera që të ketë formën e një ankimi nga ana jonë për çështjen çame. Mbase ndonjë deputet evropian e ka ngritur me iniciativën e tij këtë çështje, por nuk ka qe shqiptar dhe nuk ka qenë as nga Shqipëria. Të gjithë këtë unë e konsideroj të dëmshme dhe kjo u jep të drejtë grekëve që të ngrenë çështjen se nuk ekziston problemi çam. Dhe kjo bie në kundërshtim me të drejtat e njeriut, të shkruara në të gjitha kartat ndërkombëtare, që nga deklaratat e Kazablankës, nënshkruar në 1945, në të gjitha kartat evropiane, duhet të ngrenë të drejtat e minoriteteve. Në fakt, Greqia është i vetmi vend në Evropë që nuk njeh asnjë lloj minoriteti. Në qoftë se nuk njeh minoritetet e tjera, kur vjen puna për çamët ajo as që e përfill këtë çështje fare. Kjo është ajo që mund të përmblidhet si histori e kësaj çështjeje.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare në mbrojtje të interesave të çamëve dhe ajo që është bërë deri tani a konsiderohet e mjaftueshme për t`u faktuar grekëve se çështja çame ekziston?

Më e keqja është se unë nuk shoh edhe sot e kësaj dite ndonjë lloj tentative për t‘ia bërë të qartë Greqisë zyrtare se këta janë shtetas grekë, por janë me kombësi shqiptare dhe ne nuk mund të heqim dorë nga detyrimet që kemi për mbrojtjen e kërkesave të tyre.

Cila është arsyeja pse Tirana zyrtare hesht për çështjen e çamëve? Çfarë fshihet pas kësaj heshtjeje?

Sepse, sipas meje, me naivitet gjithë kohës, me ndrojtje se kjo do të acaronte marrëdhëniet me Greqinë dhe pastaj kopanët do të binin mbi emigracionin. Për mua ky rrezik nuk ekziston. Mbase pala greke mund të reagonte dhe të përdorte fshesën në mënyrë të pjesshme, siç ka ndodhur edhe herë të tjera kur ka pasur ndonjë ndikim ndaj Shqipërisë. Emigracioni ynë atje është një faktor që ndihmon në favor të Greqisë. Paguhen më pak dhe punojnë më shumë dhe nuk janë atje se grekët kanë dashur t‘u japin një strehë të ngrohtë, por sepse janë një faktor në zhvillimin e Greqisë.

Athina zyrtare, por tashmë edhe partitë politike në Shqipëri, shfaqen hapur kundër çështjes çame, duke mos njohur ekzistencën e tyre. Rasti më i fundit ishte kur kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, në "Deja Vu", është shprehur se çështja çame nuk ekziston. Si e gjykoni këtë?

Unë besoj se zoti Mustafa Nano, apo cilido shqiptar tjetër në këtë rast mund t‘i thoshte zotit Dule se nuk ekziston problemi i minoritetit grek në Shqipëri. Ne s‘mund të flasim marrëzira të tilla. Dhe e di gjithë bota që çamët janë shpërngulur prej andej, e di gjithë bota që ata kanë pronat e tyre. Ne nuk mund të kalojmë në retorikë. Prona është pronë në çdo pikë të dheut që të jesh.

Vendimi më i fundit i qeverisë "Karamanlis" është që të gjithë personat e huaj që kanë prona në Greqi duhet t`i regjistrojnë ato nga e para brenda një afati të caktuar, çka ka sjellë kundërshtime nga Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe shoqata "Çamëria" në Tiranë. Cila është tendenca që ka qeveria greke për hipotekimin e pronave nga e para?

Të privosh çamët nga e drejta e pronës, apo të bësh atë që kanë bërë grekët, që kanë lënë afat deri në fund të tetorit për ata që duan të deklarojnë pronat, duke e ditur shumë mirë që çdo çam nuk ka mundësi të paraqitet në ambasadën greke dhe të marrë një vizë, nuk është gjë tjetër vetëm mungesë vullneti për ta zgjidhur këtë çështje. Ata do të pengohen që në hapin e parë. Nuk do të arrijnë dot të shkojnë atje. Por edhe sikur të jetë, mua më duket e pamundur që me afate të tilla javore të arrinte çdokush të provonte me dokumentacionin e duhur të drejtën e pronësisë. Kështu që përdorin metoda të tilla arbitrare krejt të padrejta, që t‘i shpronësojnë çamët nga e drejta e tyre. Them që jo vetëm çamët duhet të ankohen në Gjykatën e Strasburgut për këtë, por them që duhet të mendojë edhe qeveria shqiptare për këtë popullsi prej 200 mijë vetash që jetojnë këtu e që kanë pronat e tyre në Greqi. Janë pronat e etërve të tyre dhe duhet të njihen si zotër të këtyre pronave, ndryshe shkelen në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Tani qeveria shqiptare duhet të ketë arsyet e saj strategjike, por asnjëherë nuk i ka shpalosur këto publikisht, që ne të bindemi se duhet të heqim dorë nga një e drejtë që na takon. Troket në një derë të shurdhët, por s‘të përgjigjet askush.

Diplomacia shqiptare ka një qëndrim të heshtur për marrëdhëniet greko-shqiptare për çështjen e çamëve, ndërkohë që nga ana tjetër është një marrëveshje e fshehtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri...

Mund të deklaroj me një farë kompetence që nuk ka marrëveshje. Pala greke nguli këmbë që të arrihet një marrëveshje dhe kërkon katër varreza në Shqipëri. Këtu ka pasur edhe ushtri të tjera të huaja dhe nuk kanë ardhur si grekët për varrezat. Ne me grekët kemi qenë krah për krah në luftën kundër fashizmit. Ushtrive të tjera që kanë ardhur këtu dhe kanë lënë të vrarët e tyre nuk u është njohur e drejta të kenë varrezat. Edhe francezët në Luftën e Parë Botërore s`kanë varreza. Duhet të lejohet që të bëhet edhe një monument në Greqi, sepse duhet të nderohen të rënët shqiptarë. Që t`i shpërndash varrezat greke në të gjithë territorin, kjo mua më duket një lloj agresiviteti politik. Disa reminishenca, disa fakte të së kaluarës që dikur është thënë se aty ku ka rënë ushtari grek, aty është tokë greke, ky veprim ka ekzistuar dhe është i njohur. Nëse ka ende njerëz me ndikime politike greke që kanë ndjesi të tilla dhe duan të arrijnë objektive të tilla, unë duhet të them se ka kaluar koha e atyre, për sa kohë një varrezë, e shumta dy varreza, duhet të përqendrohen në dy vende jo më shumë.

Mos ndoshta heshtja e palës shqiptare ka të bëjë me shmangien e ndonjë presioni të mundshëm nga pala greke për firmosjen e MSA-së për Shqipërinë?

Ai që drejton politikën e shtetit ka detyrimin t‘i dijë të gjitha dhe të kurojë interesat e vendit nga çdo vend. Edhe ky është një fakt. Duhet vota e grekëve që ne të pranohemi në paktin e Atlantikut, aq më tepër pastaj për të hyrë në Komunitetin Evropian. Po ajo që dua të them është se kjo nuk mund të na detyrojë ne që të heqim dorë nga disa gjëra nga të cilat nuk mund të heqim dorë, sepse shkelim të drejtat e njeriut. Duhet të përpiqemi që në bazë të marrëveshjeve të parashtrojmë arsyet tona dhe të kërkojmë pastaj edhe ndihmën e strukturave evropiane. (G. Shqip)
Shtuar më 08/10/2008, ora 23:10
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori