Goditja e trete per Maqedonine
Pëlqej
Albeu.com
nga Muhamer PajazitiKomisioni i Evropian edhe kësaj radhe nuk i dha një datë Maqedonisë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.Përmbajtja e raportit të Komisionit Evropian edhe kësaj radhe dëshmoi se ky vend akoma po ngec në përmbushjen e reformave dhe kushteve për të filluar negociatat për anëtarësim në BE.

“Kartoni i kuq” i radhës nga Bashkimi Evropian për Shkupin është goditja e rëndë që vërteton brishtësinë e këtij vendi në të gjitha sferat institucionale dhe shoqërore.

Pritja e marrjes së datës së negociatave nga viti 2005, kur Maqedonia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, dëshmon se bashkësia evropiane nuk toleron qasjen e improvizimeve dhe makinacioneve nga vendet që një ditë synojnë të jenë pjesë e kësaj familje.

Brukseli e ka të qartë se Maqedonia gjendet përballë shumë arsyeve shumë të faktuara.

Dhuna zgjedhore e qershorit, që pasoi edhe me viktima, mungesa e dialogut politik, kontesti i pazgjidhur i emrit me Greqinë, mosimplementimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe shumë shkelje të tjera janë argumente të bollshme të renditura në dosjen për Maqedoninë.

Komisioni Evropian para këtyre fakteve nuk mund të mbyllë sytë dhe të tolerojë që një vend pretendentë të futet brenda familjes evropiane me probleme të mëdha dhe me një sistem të improvizuar të funksionimit shtetëror dhe shoqëror.

Andaj, ajo që pritet nga Brukseli është vetëm një rekomandim i përsëritur si tre vitet e kaluara se Maqedonia duhet që sa më shpejt të përmbush principet, prioritet dhe kushtet për të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Prioritetet e renditura për këtë partneritet duhet të zgjidhen në baza praktike, duke pasur për bazë edhe konsensusin e përgjithshëm politik.

Nervozizmi i KE-së për Maqedoninë po shfaqet edhe për shkak të harxhimit të kohës nga lidershipi maqedonas me [çështje dhe politika të interesave ditore.

Hapja e rasteve të Hagës, miratimi i disa ligjeve dhe projekteve të panevojshme me logot një-etnike maqedonase janë dëshmi që BE nuk mund të lejojë një farsë të tillë që mbytë multietnicitetin dhe promovimin e vlerave shumëdimensionale në aspektin shoqëror dhe kulturor.

Problem të madh për Maqedoninë gjithashtu paraqet edhe gjyqësia e politizuar dhe partizuar që nuk përkon aspak me gjyqësin e shteteve evropiane anëtare të Bashkimit Evropian.

Mungesa e implementimit të reformave në sistemin e jurisprudencës në linjë me rekomandimet e Komisionit akoma është evidente, kur dihet se gjyqësia e Maqedonisë vlon nga partizimi, politizimi dhe nga kuadrot e vjetra.
Mospërmbushja e të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit është një refren që përsëritet çdo vit në raportet e KE-së dhe kësaj radhe kjo ]çështje është pjesë e dosjes së BE-së për Maqedoninë.

Dokumenti kornizë që ka të bëjë me avancimin e pozitës së shqiptarëve akoma nuk është përmbyllur edhe pas shtatë viteve të përfundimit të konfliktit në Maqedoni. Dhe faji mbi këtë [çështje nuk i takon vetëm palës maqedonase, por kryesisht faktorit politik shqiptar. Partitë shqiptare janë përgjegjëse kryesore se përse nuk arritën të përmbyllin një marrëveshje të tillë shumë koncize për shumë sfera.

Është një argument injorant kur dëgjohet nga politikanët shqiptarë se lidershipi shtetëror dhe politik maqedonas në pushtet është fajtor për mosrealizimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse edhe shqiptarët janë pjesë e këtij pushteti dhe ata duhet të bëjnë të pamundurën dhe të gjejnë mekanizmat e funksionimit dhe realizimit nëpërmjet kushtëzimeve të partneritetit politik dhe bashkëqeverisjes.

Ajo që bie në sy në planin e realizimit të kësaj marrëveshje si argument i fuqishëm për Brukselin mbetet edhe [çështja e përfaqësimit të shqiptarëve. Edhe pse është rritur trendi i rritjes së përfaqësimit, Komisioni Evropian është i tmerruar nga qasja e përfaqësimit në institucioneve me ushtarë partiak, joprofesionist dhe duke anashkaluar kuadro të mirëfillta profesionale.

E gjetur në një situatë të tillë, Maqedonia realisht nuk mund të pretendojë se i takon familjes evropiane, atje ku promovohet demokracia, të drejtat e njeriut, tolerancës ndëretnike... etj.

Maqedonia në të ardhmen medoemos duhet të hapet ndaj vlerave demokratike dhe principeve që ofron Bashkimi Evropian , sepse vetëm ashtu do të këtë edhe më shumë liri për vete dhe aspiratat e saj për anëtarësim në familjen evropiane do të jenë më shpresëdhënëse.

(Autori është magjistër i së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare)
Shtuar më 06/11/2008, ora 15:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori