Gjiganti Washington Post
Albeu.com
Është një gazetë që vazhdon përpos shumë sfidave të kohëve moderne të ruajë një emër të mirë dhe të meritojë cilësimin “Gazeta e zbulimeve”. Deri tani gazetarët e saj kanë marrë 30 çmime “Pulitzer” dhe botuesit, kryeredaktorët, gazetarët ...... redaktorë të saj, përmes forcës, guximit dhe jo rrallë edhe sakrificave personale- në shumë raste përmes informimit të publikut për çështje shumë delikate -kanë ruajtur të vërtetën dhe e kanë përhapur atë. Edhe sot e kësaj dite, kjo gazetë, që duket edhe si “fabrika e lajmit”, vazhdon t’u bëhet ferrë në këmbë politikanëve amerikanë dhe kjo duke bërë thjesht punën që duhet të bëjë çdo gazetë: gjurmimin e së vërtetës. Dhe kjo në një kohë të vështirë për shtypin e shkruar, që po përballet çdo ditë me “sulmin” e burimeve të tjera të informacionit.

Në korrik të vitit 1971, ish-presidenti amerikan, Richard Nixon, ia kishte dalë mbanë që të vononte botimin në gazetën “New York Times” të raportit “Ellsberg”, mbi studimin supersekret të kryer nga Pentagoni, i cili rrëfente një tjetër anë të pushtetit të Shtëpisë së Bardhë. Por ndërkaq Nixonit i kishte dalë nga vëmendja ekzistenca e një gazete të vogël, e në atë kohë periferike, e cila madje shtypej pak hapa larg Shtëpisë së Bardhë dhe që kishte emrin “Washington Post”. Ishte gazeta së cilën një zonjë e pasur dhe pa përvojë në fushën e gazetarisë e kishte trashëguar nga i shoqi, botuesi i saj, kur ky kishte vrarë veten me një pushkë gjahu.

“Washington Post”-i i vejushës Kay Graham dhe e drejtorit të asaj kohe, Ben Bradlee, ashtu pa u ndjerë dhe pa bujë botoi pikërisht ato ditë të nxehta një artikull me titullin “Letrat e Pentagonit”. Gjykata menjëherë pas këtij botimi i dha të drejtë plotësisht gazetës që kishte bërë me këtë publikim “detyrën e saj”, për shkak se e drejta e informimit është një e drejtë që qëndron mbi gjithë të tjerat. Pikërisht pas botimit të këtij artikulli që nxori në shesh shumë të palara, në gazetën e vogël nisën që të vihen në funksionim përbërësit e nevojshëm për të hulumtuar dhe zbuluar, e që punojnë edhe sot e kësaj dite, pa pasur aspak ndërmend të ndalen. Gjatë viteve në vijim, gazetarët e kësaj gazete shijuan një periudhë të gjatë lirie dhe force. Tre vjet pas botimit të skandalit të parë që kishte të bënte me prapaskenat e pushtetit në Washington, Nixon u përpoq me të gjitha mënyrat që ta mbyllte gazetën, me arsyetime nga më të ndryshmet, por ishte pikërisht gazeta që ai e luftoi aq shumë, ajo e cila i dha grushtin e fortë në skandalin famëkeq të Watergate-it.

Tashmë miti i “Washington Post”-it kishte lindur. Për shumë kohë drejtori i gazetës, Ben Bradlee, ishte motori që vuri në lëvizje mekanizmin e pandalshëm. Gjithçka e kishte zanafillën në sallën e qelqtë, në të cilën ai çdo mëngjes mblidhte shefat e redaksive për të ndarë detyrat e ditës dhe për të shkëmbyer mendime për çështjet më të rëndësishme dhe mbulimin e tyre. Është një sallë mitike, me pamje nga Shtëpia e Bardhë. Në sallat e gazetës, ajo që binte në sy ishte qetësia dhe përqendrimi në punë i të gjithëve, i gjithë stafit që ishte i bindur për lodhjen e madhe dhe të pafund të një profesioni pa të cilin ata nuk bënin dot dhe për të cilin e ndjenin se në fund të fundit kishin lindur. Puna e tyre ishte e pafund, si puna e të gjithë punonjësve të medies së përditshme. Në sallën ku zhvillohej mbledhja kishte gjithmonë gazetarë me lajme “djegëse”.

“Jemi të sigurt për burimin?”, u thoshte drejtori shefave të redaksive. “Po, por sapo e ka marrë vesh kryetari i bashkisë ka nisur të më bombardojë me telefonata”, përgjigjej gazetari që kishte gjetur “kleçkën”. “Do t’i flasësh ti shef?”, e pyeste ai drejtorin. “Jo, përgjigjej prerazi Ben. Kryebashkiaku mund të shkojë në dreq po të dojë”. Këto ishin pjesë nga dialogët që zhvilloheshin në dhomën me xhama prej nga Shtëpia e Bardhë shpesh, përmes lajmeve që përftoheshin, nuk dukej edhe aq “e bardhë”. Sa për skandalet, ato nuk mbaronin kurrë në Washington... Le të vijmë tani në kohën tonë. Ndërsa dikur në këtë sallë të gjithë pinin duhan në mënyrë të shfrenuar ndërsa diskutonin me ankth, stres dhe pasion, sot askush nuk guxon që të ndezë cigare në mbledhjet që drejtohen nga drejtori i ri, Marcus Brauchli, një nga “viktimat” e shkurtimeve dhe ndryshmeve që solli në gazetën “Wall Street Journal” Murdoch. Ai u thirr menjëherë në detyrën e shefit të “Post” nga pronarja e re e gazetës, Katharine Weymouth, mbesa e gjyshes legjendare. Tashmë në sallat e gazetës nuk ndihet era e zakonshme dhe e dikurshme e bojës së shtypshkronjës. Gjithçka bëhet përmes internetit dhe internetit nuk i vjen erë.

Tashmë ish-drejtori i dikurshëm, 90 vjeç, jeton diku në periferi me të shoqen, edhe ajo ish-gazetare. Për këtë fabrikë të hulumtimit, ndryshimet janë të dukshme, por ajo që në fakt nuk ka ndryshuar, të paktën për ata që e njohin në të dyja periudhat e ekzistencës, atë të fillimit dhe këtë që mund të quhet periudha moderne, është pikërisht shpirti i gazetës. Ky shpirt ka arritur të mbijetojë, pavarësisht ndërrimit të brezave në gazetë, pavarësisht tërheqjes për shkak të moshës së drejtorit Bradlee, pavarësisht vdekjes së pronares së dikurshme, Kay Graham, apo pasimit të gjatë në drejtimin e gazetës së Leo Downie Jr., që për 17 vjet rresht mbajti në duart e tij timonin e gazetës në kohë të mira e të vështira. Ajo që ka ndryshuar brenda gazetës së madhe tashmë është prania e grave që është më e madhe se në çdo kohë tjetër. Madje edhe gazetën vetë e drejton një grua. Edhe “ylli” i redaksisë së shkrimeve hetuese drejtohet nga një zonjë shumë elegante dhe shumë e rregullt, rreth të 50-ve, Dana Priest. Ajo ka një përvojë shumë të gjatë në çështjet “e papastra” të pushtetit dhe për këtë ka marrë edhe një çmim “Pulitzer”, i cili është çmimi më i lartë që mund t’i jepet një gazetari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikërisht kjo zonjë, me një vullnet të hekurt dhe vendosmëri të rrallë, me një pamje të brishtë, por me qëllime shumë të qarta, botoi në bashkëpunim javën që shkoi disa artikuj të ndarë në disa numra, në të cilët u bë një ekspoze e argumentuar dhe bindëse e gjithë rrëmujës, kaosit që ka përfshirë botën e spiunazhit amerikan pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një punë që, sipas vetë fjalëve të Danës, i ka kushtuar plot dy vjet lodhje dhe një pafundësi regjistrimesh, shënimesh, takimesh.

Dana është një gazetare që vazhdon ende me të vjetrën, duke preferuar më shumë blloqet dhe shënimet me dorë, se sa regjistruesit. “Kjo sepse letra nuk mund të përgjohet, apo të përçohet në rrugë elektronike”, thotë gazetarja. Një nga zbulimet e saj, që i dha çmimin e famshëm, ishte ai i spitaleve ku ushtarët amerikanë të plagosur, djemtë dhe vajzat që Washington-i i ka nisur nëpër botë për të “eksportuar demokracinë”, shkojnë për të marrë kurimin e duhur e në vend të tij trajtohen si të ishin mbeturina dhe sende të pavlefshme. Sipas saj, nuk ka gazetari virtuale apo gazetari reale, siç po përpiqen ta kategorizojnë gazetarinë së fundmi disa ekspertë, po gazetari të mirë dhe gazetari të keqe.

“Pikërisht gazetaria e mirë është ajo që i mban vazhdimisht nën presion të pushtetshmit e kësaj bote, nën presion dhe në ankth të vazhdueshëm kur hapin kompjuterët apo kur shfletojnë gazetat”, thotë Dana. Ajo si shefe e redaksisë së investigimit ka 19 reporterë që punojnë për të, të cilët çdo ditë paraqesin projektet e tyre dhe pistat e hetimit për çështjet që kanë nisur tashmë të hetojnë. Janë pista që sigurisht shumë pak të çojnë në zbulimin e lajmit të rëndësishëm dhe “djegës”, por që ia vlen t’i ndjekësh dhe të shpenzosh për to edhe një mal me para. Por në fund të fundit, zbulimi i së vërtetës shpesh është paguar tepër shtrenjtë. Është kjo arsyeja që gazeta “Washington Post” dhe disa të tjera në SHBA dhe në botë vazhdojnë të ekzistojnë.

Me shumë mundim dhe sakrifica kjo gazetë ia ka dalë mbanë që të drithërojë pushtetarët çdo ditë para se të japin faqet e saj. Për sa i përket drejtuesit të ri të gazetës, ai është shef si i gazetës prej letre, ashtu edhe i versionit elektronik të saj, që është në shtim dhe ndryshim e sipër për shkak se kështu ka kërkuar pronarja. Ajo ka një dëshirë të madhe që të sundojë edhe në medien elektronike me lajmet e saj dhe ta bëjë këtë në mënyrë sa më profesionale, me stil, por edhe përmes një menaxhimi të kujdesshëm dhe të zgjuar të reklamave dhe burimeve të tjera fitimprurëse. Sipas saj, e drejta për të informuar duhet që të përdorë të gjitha mjetet që ndihmojnë në një gjë të tillë. “Washington Post” edhe në këtë epokë ku media flet shumë pak për të vërtetën, mbetet një fortesë. Sipas një njeriu të medieve, puna e një gazetari matet me numrin e shollave të ngrëna të këpucëve dhe në këtë gazetë konsumi vazhdon që të jetë i madh. (express)
Shtuar më 26/07/2010, ora 09:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori