G 99-ta ose politika folk-pop
Albeu.com
nga Mentor BeqaErion Veliaj, ish drejtuesi i lëvizjes Mjaft duket se së shpejti do të dalë me një ofertë të re politike, e cila nuk është përvijuar përfundimisht.Sipas njoftimeve të disa të përditshmeve, Veliaj do të organizojë një lëvizje politike që synon përçimnin e ekspertizës në vendim-marrje dhe ndryshimin e jetës së shqiptarëve nëpërmjet zgjidhjes së problemeve të ndryshme të vendit. Ai heziton ta quajë lëvizjen e tij dhe të disa bashkëpunëtorëve të afërt, parti politike, duke shmangur në këtë mënyrë, konotacionin gjoja të rëndë që kanë partitë politike. "Nuk do të lodhem së përsërituri se publiku shqiptar nuk do të përballet sërish edhe me një parti tjetër, mes shumë partive që tashmë ekzistojnë, që vetëm premtojnë, por nuk mbajnë asnjë premtim. Ajo në çka unë dhe kolegë të mi jemi angazhuar, është një mënyrë e re përmes së cilës qytetarët afrohen pranë politikës" (Albania, 2 shkurt 2008) Nëpërmjet asaj që zoti Veliaj thotë duket qartë se kemi të bëjmë me një organizim politik, që do të konkurrojë në zgjedhje për tu përfaqësuar në parlament.
Sado anës e anës ti biem, ky lloj organizimi është parti politike, sido që ta ketë emrin. Shqetësimi i parë që lind ende pa nisur aktivitetin ky lloj organizimi është mungesa e dëshirës për tu identifikuar me një parti politike. Partia politike është një "organizim individësh me vlera dhe vizion të përbashkët, që ka si qëllim përçimin e ekspertizës në nivele vendim-marrëse dhe promovimin e personaliteteve që përfshihen në qeverisje". As më shumë e as më pak se ajo që aspiron zoti Veliaj. Erioni dhe mentorët e tij e dinë shumë mirë se çfarë është një parti politike, në mos jo, mjafton të shfletosh në hyrje në shkencat politike për ta kuptuar. Por shmangja nga ky lloj emërtimi i ka rrënjët tek aktiviteti publik i mëparshëm i zotit Veliaj. Që me nisjen e lëvizjes Mjaft, ai ka kontribuar në demonizimin e nocionit "parti
politike", e si i tillë ai nuk mund të bjerë në grackën që ka ndërtuar vetë. Faktorizimi publik i zotit Veliaj ka ardhur nëpërmjet këtij lloj aktiviteti refuzues dhe përbaltës, tani që kërkon të katapultohet në politikë, ndeshet me një realitet të hidhur për të cilin ka kontribuar që të krijohet. Problemi i dytë që lind është se mashtrimi nuk është asnjehërë një fillim e mirë për të realizuar objektivat. Zoti Veliaj duhet të gjejë kurajon dhe tu thotë shqiptarëve se ai do të jetë drejtuesi i një parti politike dhe të shpalosë ofertën e tij në tregun e hapur politik. Konkurrimi nuk bëhet me lojra terminologjishë, por me oferta dhe platforma të qarta politike që joshin votuesit, suksesi matet me nivel përfaqësues në vendim-marrje. Lëvizja e zotit Veliaj çcalon që në pikënisje, aq sa heziton të identifikohet me një parti politike, po nëse hyjmë më thellë se çfarë krahu politik do i përkasë kjo soj lëvizje – të majtës apo të djathtës – atëherë problemi komplikohet edhe më tej, por këtë le ta sqarojmë më poshtë. Për çcudi, ligjërimi publik i Erion Veliajt ngjason shumë me atë të Edi Ramës. Veliaj sulmon partitë politike, Rama po ashtu. Erioni beson se ndarjet, e djathtë - e majtë, janë koncepte të vjetëruara, Edi po ashtu. Z. Veliaj thotë se duhet lënë pas politika e së shkuarës, z. Rama thotë se duhet lënë pas politika e vjetër. Teksti të tradhton, kur përpiqesh të fshehësh të vërtetën. "Unë jqam i bindur se Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk u nevojitet një tjetër parti. Unë jam i bindur se Shqipërisë dhe shqiptarëve u nevojitet një vizion i ri, të cilin mund dhe duhet ta kjrijojë një brez i ri, i cili angazhimin në politikë nuk e sheh si qëllim për përfitim personal, por si një mjet për të ndryshuar të ardhmen..." (Erion Veliaj, Albania 1 shkurt 2008).
"Ne po kërkojmë një bashkim të ri, përtej kufinjve të vjetër të partisë socialiste e të partive politike në Shqipëri, përtej së majtës e së djathtës së vjetër, që për ne janë njësoj pjesë e politikës së vjetër të së shkuarës... për ta këputur zinxhirin e dështimeve të 17 vjetëve të fundit, për ti dhënë jetë një politike të re, një atdhetarie të re, një vizioni të ri për Shqipërinë" (Edi
Rama, Shqip 1 shkurt 2008). Teksti është identik, linear, me të njejtën përmbajtje dhe formë të shprehuri, veçse i artikuluar nga dy persona të ndryshëm. A mund të besojmë tashmë se z.Veliaj kërkon të krijojë një formë të re të organizimit politik (meqë Erionit nuk i pëlqen nocioni fisnik parti politike) të ndryshme nga oferta politike e Edi Ramës!?. Skenari duket se është i qartë. Veliaj është i detyruar të krijojë një parti të re politike në pamundësi të integrimit të tij në Partinë Socialiste. Ekuilibrat në këtë parti
janë shumë të brishtë dhe nuk është e largët koha kur Veliaj luftonte që Partia Socialiste të rrëzohej nga pushteti. Realisht qëllimi ishte largimi i Fatos Nanos nga Partia Socialiste dhe kjo realizohej gvetëm nëpërmjet rrëzimit të pushtetit socialist. Baza e partisë socialiste është shumë konservatore dhe si e tillë, vështirë ta pranonte zotin Veliaj dhe për më shumë do të legjitimonte lëvizjen e Nanos brenda PS-së. Rama nuk mundtë bëjë një gabim të tillë që mund t'i kushtonte shumë. Së dyti, partia e z.Veliaj mund të shërbejë si një shtojcë e Partisë Socialiste. Meqenëse Partia Socialiste ka një trupë elektorale monolite, të ngurtë, të trashëguar nga historia 50-vjeçare e Partisë së Punës, Edi Rama e sheh të vështirë misionin e zgjerimit të bazës elektorale të kësaj partie, çka është vendimtare për ardhjen në pushtet. Kësisoj, një parti e re e Erion Veliajt, do të shërbente opër grumbullimin e votuesve që nuk e gjejnë dot veten në PS për shumë arsye. Rama llogarit që në këtë formë mund të krijojë një dominancë elektorale në raport me të djathtën, por zgjidh edhe një herë e mirë vicklat me partitë e vogla të së majtës, duke i bërë ato të panevojshme. Është një llogari politike e saktë, por skena politike ofron befasi të paparashikueshme. Intuita e elektoratit është aq e fortë sa për të
nuhatur format e pandershme në politikë-bërje. Gjithsesi, kjo lëvizje përkthehet në imperativ për të djathtën. Ajo duhet të lëvizë me domosdo për të zgjeruar bazën elektorale, përndryshe humbja e zgjedhjeve në zgjedhjet e 2009-ës është thuajse e sigurt. Zoti Berisha nuk mund të përdorë të njejtën strategji, pasi partitë e vogla të së djathtës nuk kanë kredibilitetin e nevojshëm për tu rritur, atëherë kundërpërgjigjja mund të vijë vetëm nëpërmjet hapjes reale të Partisë Demokratike dhe institucionalizimit të kësaj hapje.
PD ka një veçanti strukturore në raport me PS-në. Baza elektorale e kësaj partie nuk është një trupë e ngurtë, dhe kjo vjen edhe për shkaqe historike, por një grup i lëvizshëm, një panoramë shumëngjyrëshe. Ristrukturimi i PD-së dhe institucionalizimi i përfaqësimit të interesave që mund të artikulohen politikisht vetëm nga PD-ja do të çonte automatikisht në zgjerimin e bazës elektorale të kësaj partie. PD-ja duket se ka një avantazh në këtë pikë. Ajo
nuk duket se ka hequr dorë nga identifikimi me një parti të qendrës së djathtë, pavarësisht ekseseve në praktikë. Kjo është një pikë e fortë përballë politikës folk-pop të Edi Ramës, i cili tenton të bëjë nul ndasitë ideologjike mes partive politike. Për të argumentuar rrezikun që vjen nga një artikulim politik i kësaj natyre, duhet të hedhim sytë në gjenezën e formëzimeve të organizimeve politike. Në përgjigje të një pyetjeje, mjeshtri i madh i filozofisë orientale, Konfuci thotë se udhëheqësi më i mirë është ai që rrit mirëqenien e të udhëhequrve nga ai. Që prej këtej, qëllimi i përbashkët i të gjitha organizimeve politike, është rritja e mirëqenies ekonomike të qytetarëve dhe të gjitha derivatet që burojnë nga ky qëllim. Forma e realizimit të këtij qëllimi ndan kategoritë politike. Disa mendimtarë politikë e shohin mundësinë më të shpejtë të realizimit të këtij qëllimi tek organizimi i panatyrshëm i shoqërisë, si një trup e vetme monolite, që prodhon pushtete autokratike-autoritariste, ndërsa disa të tjerë tek një organizim i ndryshëm që pranon shumëngjyrshmërinë e interesave të grupeve sociale, dhe si rrjedhim prodhon një formë organizimi plural, ku artikulohen politikisht këto interesa. Brenda organizimit të dytë dallojmë referenca të ndryshme politike në shërbim të të njejtit qëllim. Konstatime banale të natyrës se e djatha do të pasurit dhe e majta do të varfrit, apo se të djathtët ulen fizikisht në anën e djathtë të parlamentit dhe të majtët në anën e majtë, nuk kanë vend në një diskutim serioz politik. Le ta bëjmë më skolastik arsyetimin; partitë politike nuk dallojnë shumë tek qëllimet, por
ndahen këmbë e krye tek mënyrat për të arritur tek qëllimet. Nëse Erion Veliaj thotë se shqiptarët kanë nevojë për 24-orë ujë, ky është një qëllim. Platforma për të mbërritur tek gjendja me 24-orë ujë merr ngjyresë politike. Si do t'ua mundësojë Erioni shqiptarëve që të kenë 24-orë ujë? Duke vitalizuar organizimet e ujësjellësit nëpërmjet rritjes së rolit të administratës shtetërore! Kjo është një politikë e majtë. Duke privatizuar shërbimin e ujësjellësit për ta shndërruar ujin në një produkt si produktet e tjera që funksionon në bazë të ligjësive të tregut! Kjo është një politikë e djathtë. Ja që ndasitë ideore mes partive politike kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë edhe për gjëra fare naive. Përpjekjet për të standardizuar ligjërimin politik janë një kontribut i keq në jetën politike dhe në përgjithësi në jetën publike. Një sistem pluripartiak ka nevojë për këto diferenca, ndryshe përfundojmë në një sistem politik ku ekzistenca e partive politike të ndryshme është e panevojshme. Ky sistem prodhon një qeverisje monopartiake, bëmat e të cilës shqiptarët i ruajnë fort në memorie. (G. Standard)
Shtuar më 04/02/2008, ora 21:10
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori