Fitorja qe nuk u festua
Albeu.com
nga Xhavit Haliti Pas parashtrimit, debatit dhe votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të kërkesës së Serbisë për t‘i hapur rrugë ecjes së saj drejt Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, fitoi. Dhe fitoi me 77 vota pro, 74 abstenime dhe 6 vota kundër. Formalisht nuk mund të mos quhet fitore dhe u konsiderua si e tillë, por realisht vështirë të pranohet si e tillë. Këtë "vështirësi" e ndjeu dhe e paralajmëroi botërisht Jeremiç, një ditë para votimit të 8 tetorit, ku u deklarua se ne (Serbia) do të fitojmë, por shtetet më të fuqishme të botës janë kundër nesh.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, që për vetë moshën dhe formimin akademik duket se i ka tejkaluar kufizimet e psikologjisë nacionaliste, bëri "orakullin" (fatthënësin e fitores). Jo shumë orë para votimit, ai tha se do të fitojnë, por fitorja jonë do të jetë fitore?! Në këtë dyshim paraprak, Jeremiç e dinte që deklarimi i parathënë i strukturave më të larta të BE-së për abstenim, në votimin nga Asambleja e Përgjithshme, nuk ishte thjesht mospëlqim, por ishte kundërshtim ndaj Rezolutës së Serbisë.

Nisur nga kjo logjikë, kërkesa serbe për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e mori përgjigjen nga vetë rezultati i votimit: 77 pro rezolutës, 74 abstenime dhe 6 kundër. Po të llogarisim numrin e "abstenimeve", që, qysh para votimit në Asamblenë e Përgjithshme, e kishin bërë të qartë qëndrimin "kundër" ndaj pranimit, debatimit dhe votimit të projektrezolutës serbe në këtë forum të lartë ndërkombëtar dhe 6 votave kundër, fitorja e Serbisë nuk ishte fitore. U shpall si e tillë më 8 tetor në mbrëmje, por nuk vazhdoi më gjatë se 48 orë.

Mali i Zi, përfaqësuesi i së cilës para votimit në Asamble ishte kërcënuar nga Jeremiç përtej çdo etike diplomatike, njohu shtetin e pavarur të Kosovës. Pak orë më vonë e njohu Kosovën-shtet edhe Republika e Maqedonisë. Përsëri në distancë orësh, BE-ja i ofron dhe nënshkruan marrëveshje me Kryeministrin e Kosovës për një donacion prej rreth 123 milionë eurosh për konsolidimin e shtetit tonë. Dhe, në këtë vazhdë, pa kaluar katër ditë nga 8 tetori i "fitores", Marti Ahtisari merr çmimin "Nobel" për paqen.

Këto ngjarje të njëpasnjëshme, që ndodhën brenda kuadrit të 100-orëshit, nuk e lanë Beogradin zyrtar të festonte "fitoren" e votimit pro të 8 tetorit. Ndjesia e fitores u sundua nga nervozizmi. U anatemua (mallkua) dhe u kërcënua Mali i Zi dhe Maqedonia, u sulmua dhe u "zhvlerësua" Akademia Suedeze e Shkencave. Brenda 3-4 ditësh, Beogradi zyrtar, fituesi në votimin e 8 tetorit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u ndje i tradhtuar, i fyer dhe i sulmuar nga shtete "vëllezër", nga BE-ja, madje dhe nga juria, që akordon çmimin "Nobel". Ndjesinë e "fitores" për t‘iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për t‘u shprehur, jo për të vendosur, për legjitimitetin e pavarësisë dhe ekzistencës së shtetit të Kosovës, të njohur nga 50 shtete, e "sundoi" nervozizmi. Këtë "nervozizëm" nuk e zbuti as angazhimi i Rusisë për mosnjohjen afatgjatë të Kosovës dhe mbështetjen e tërësisë territoriale të Serbisë.

Kosova është ekzistente "de aktive" në raportet shtetërore ndërkombëtare. Ne jetojmë realitetin, me hallet dhe problemet e natyrshme të një shteti të sapoformuar. Strukturat tona shtetërore i dinë dhe janë të vetëdijshme për këto. Qeveritarët serbë, të sunduar nga legjenda dhe nacionalizmi primitiv që, nuk po arrijnë të orientohen në koniunkturën aktuale politike ndërkombëtare që, nuk arrijnë të vlerësojnë "fitoren" në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së (në shifra, reale 77 pro dhe 80 kundër), janë aq të mençur sa të kuptojnë që fitorja për t‘iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk është fitore dhe nuk meriton të festohet. Ata e dinë që shteti i Kosovës nuk mund të zhbëhet kurrë paskëtaj. (Shqip)
Shtuar më 17/10/2008, ora 02:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori