Feja e të parëve apo feja e parave?
Albeu.com
Para një jave në një gazetë shqiptare lexova me kënaqësi një fjalim të panjohur të Fan Stilian Nolit, i cili u thoshte shqiptarëve të Çikagos sesa lumturisht përfaqësuesi (me origjinë myslimane) i Indisë në Lidhjen e Kombeve lavdëronte mençurinë e një populli (mysliman) si shqiptarët që kishin zgjedhur një të krishter ortodoks nga pakica për t’i përfaqësuar si shtet e si komb.U ndjeva i lumtur të pranoja se rasti i Nolit nuk është i vetmi, kur përfaqësues të pakicave fetare kanë marrë denjësisht përkrahjen e të gjithë shqiptarëve për t’u përfaqësuar në çështje madhore. Madje presidenti Moisiu kishte të gjithë të drejtën të ndjehej i ngjashëm me Nolin në këtë pikë.
Por fjala e tij e mbajtur në Oxford (UK) pak ditë më parë dëshmon krejt të kundërtën. Ai është i pakënaqur. I pakënaqur se nënshtetasit e tij perceptohen virtualisht si myslimanë, kur, sipas z. Moisiu apo shkruesve të fjalës së tij, shqiptarët janë historikisht dhe pragmatikisht të krishterë. Në fakt, përpjekja e këtij fjalimi presidencial është titanike. Deri tani qeveritë apo udhëheqësit botërorë, për qëllime po aq pragmatike sa ligjërata e mbajtur në Oxford, janë përpjekur të mohojnë ekzistencën e pakicave të tyre, etnike apo fetare. Në disa raste - shpesh edhe fqinjët tanë, kanë marrë përsipër t’i asgjësojnë ato. Por askush më parë, në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë, nuk kishte marrë përsipër të zhbënte ekzistencën e një shumice fetare në vendin ku qeveris. Moisiu mbetet në këtë drejtim i pari dhe me shpresë edhe i fundmi i kësaj tipologjie lidershipi. Në fjalën e tij presidenti i Shqipërisë literalisht e mohon ekzistencën e një shumice fetare myslimane- të origjinës apo praktikante, në Shqipëri.
Dhe kjo nuk është e gjitha. Z. Moisiu nuk thotë: Myslimanët në Shqipëri nuk ekzistojnë. Ai thotë: SAa janë, por me një pamje krejt të gënjeshtërt! (Moisiu: “Një pjesë e mirë e tyre deri vonë kanë ruajtur besimin e të parëve, në formën e kripto-krishtërimit ose, më saktë, islamikë në shfaqje dhe të krishterë në përmbajtje”, fundi i citimit).
Për hir të së vërtetës, me keqardhje më duhet ta kujtoj se në këtë përpjekje z.Moisiu nuk renditet i pari. Të tjerë përpara tij, diku me pahun e miellit më të mirë letrar apo me krunde të zgjedhura publicistike janë rrekur t’i denigrojnë pozitat shoqërore dhe traditën historike të shumicës islame të shqiptarëve, të cilët –duke i qëndruar gjithnjë të vërtetës- kanë qenë përgjithësisht pasivë dhe inertë ndaj ngacmimeve të tilla. Në shekuj, me zemërgjerësi ata kanë treguar të gjitha virtytet e mira që presidenti nuk mënon t’i përmendë në ligjëratën e tij, por ua atribuon këto vepra nënshtresave kulturore dhe religjoze të trashëguara prej 15 shekujsh nën yllin e krishtërimit. Në dallim prej tij, të tjerët përpara z. Moisiu nuk guxuan të marrin përsipër të pamundurën. Presidenti e pranoi barrën. Përse?
Çfarë është e papranueshme në fjalën e presidentit?
Që krishtërimi shqiptar ka sjellë çdo të mirë, duke përfshirë “Atletin” e mrekullueshëm e pragmatist dhe refugjatët më dinjitarë të histories sonë; që ai përfaqëson një konvertim të besueshëm sepse është apostolik në formë, ndërsa islami jo- sepse “nuk është burimor, resident”, është evropian d.m.th i cekët- sipas z.Moisiu dhe i mbarsur me paganizëm etj., etj. Por nëse presidenti pretendon se shqiptarët ruajnë një truall pagan, mbi të cilin kanë mbjellë, sipas radhës së pushtuesve, pemët e religjionit, i bie se edhe krishtërimi i tyre ka qenë i rrejshëm, sepse ka referenca pagane; i bie që te shqiptarët feja nuk ka qenë pjesë e besimit (monotheist) në Zotin Një, por vetëm ngjyra e tapetit që u është shtruar pushtuesve; d.m.th shqiptari e përdori besimin fetar si monedhë shkëmbimi në interes të vetes- qoftë për mbijetesë apo karrierë! Ky është përfundimi i mjeruar i një vizioni ateist, thellësisht mohues dhe mosnjohës as i realiteteve fetare dhe as i cilësive kombëtare, nga i cili vuan si presidenti Moisiu ashtu edhe stafi përgatitës i kësaj ligjërate. Nuk dua të ndalem këtu as në padijen terminologjike që përmban teksti (bashkësi muhamedane, praktikantë të ndonjë faltoreje, islami- dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli…) a thua se Akademia e Shkencave e ka xhaminë më të afërt 2 000 km larg për të kuptuar se Shqipërinë asnjëherë nuk e kanë pushtuar arabët, por turqit osmanllinj dhe se Kurani lexohet në gjuhën arabe në mbarë botën. Nuk dua të ndalem këtu as në optikën thellësisht materialiste që e përshkon fjalimin. Vetëm se i kujtoj z. president dhe ndihmësve të tij jashtëzakonisht pragmatistë, se në pikëpamjen vertikale-diakronike të gjithë shqiptarët janë paganë.
Së dyti, i kujtoj z. president se nuk mund të jetë e vërtetë që “faktori homogjenizues i shqiptarëve është tradita 15-shekullore e krishtërimit”, pasi Kisha Romane e Perëndimit deri në prag të vitit 1400 ishte e përçarë në 3 njësi që luftonin njëra-tjetrën për jetë a vdekje. Pa folur për betejat mes dy kishave, të Perëndimit dhe Lindjes, që për shkak të ndarjeve dhe historisë së tyre plot rivalitet, nuk u bashkuan dot as në 2 000-vjetorin e Krishtit, por i festuan Krishtlindjet të ndara.(?!) Nëse krishtërimi nuk arriti të kthehej në faktor homogjenizues për veten e tij, i lutem z. president të shpjegojë si arriti krishtërimi të homogjenizonte shqiptarët?
Unë mund ta pranoj arsyetimin që për rrjedhojë të pushtuesve dhe sundimeve të tyre shekullore që spikasnin edhe nga emblema fetare, shqiptarët preferonin më mirë truallin e tyre të origjinës pagane dhe i qëndruan atij besnik edhe atëherë kur kishin tri fe të ndryshme. Por kjo nuk e shndërron islamin shqiptar në një fe më pak të rëndësishme sesa fetë e tjera të mëparshme, duke gjykuar që në nivel botëror islami ishte feja e fundit hyjnore e shpallur.
Nëse vlerësohen arsyet që motivojnë presidentin dhe të tjerët pas tij ta ndërtojnë këtë teori, mund të hamendësohen: 1. Motivet politike – vendi synon integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Që Evropa është produkt i një trashëgimie shumicash të krishtera, kjo është jashtë diskutimit. Debatet e fundit me Turqinë dhe refuzimet e hapura kundër saj prej origjinës fetare e bëjnë të interesuar presidentin e Shqipërisë dhe stafin e tij- të afërt dhe të largët- që të gjejnë një zgjidhje për të mos u përballur me të njëjtat probleme në një stad më të lartë integrimi të vendit. Në politikë kjo quhet diplomaci preventive. Në marrëdhënie publike “Parandalim i krizës”. Nëse problemi është perceptimi, le të rrëzojmë perceptimin. Shqiptarët janë kripto- të krishterë dhe pseudomyslimanët e mbetur janë gati ta shkëmbejnë fenë me një cilësi jete dhe nivel integrimi më të mirë. E kanë bërë gjithmonë, në kushte pushtimi apo paqeje. Pse mos ta provojmë edhe njëherë? Teoria e shkopit dhe karrotës. Më jep fenë, të të jap integrimin. A vlen besimi te Zoti sa një pasaportë Shengen? Mesazhi është i qartë dhe audienca e zgjedhur. Shqiptarët që jetojnë në vendet evropiane ikën nga Shqipëria kur këtu nuk kishte institucione fetare dhe besimi zyrtar ishte ateizmi. Ata janë të parët që e pranojnë këtë mesazh. Në fund të fundit, pse po robëtohen? Pastaj a nuk janë ata që mbajnë me bukë barkthatët e Shqipërisë që pak po t’i gërvishësh, i gjen ndryshe nga sa duken? Ftesa për audiencën e huaj është gati e mirënjohur. Edhe njëherë si dikur: “Gërvish për të fituar”. Çfarë: Euro-optimistë? Besimtarë të krishterë? Territore? Asnjërën prej këtyre.
Kjo pikë mbetet për t’u sqaruar nga shkruesit, sepse unë nuk e kuptoj se çfarë do të fitonte Evropa nga një popullsi e re dhe e sapokonvertuar për herë të pestë në fenë e parave (lexo: të të parëve).
2. Motivet fetare: Shqiptarët janë myslimanë. Të gjithë e dimë që ata janë myslimanë edhe kur nuk e thonë këtë, edhe kur pinë raki apo hanë byrekun varfanjak me hithra e lulëkuqe të Shën Gjergjit, kur pranojnë të jetojnë derë më derë me fqinjin pa e paragjykuar se çfarë feje ka. Shqiptarët janë myslimanë dhe si të tillë mund të përdoren nga terrorizmi ndërkombëtar si një bazë për aksione të mëtejshme kundër Perëndimit të krishterë. Më herët ata edhe janë infiltruar. Do ta provojnë prapë. Kjo ligjëratë është ftesë për vullnetarizëm në mbrojtjen e krishtërimit perëndimor, i cili në fakt është më shumë se i lidhur në interesa dhe prirje komunikimi me botën islame. Pastaj pse të jemi bukë për lajmet me terrorizëm? Sa të infiltruar janë kapur deri tani anë e mbanë vendeve “të krishtera” perëndimore? Askush nuk i ka akuzuar këto vende për lidhje të brendshme me terrorizmin, as ka aluduar për to. Sepse popullatat atje janë të ndryshme. Le të bëhemi përsëri “të ndryshëm” edhe ne. Për këtë do të na japin edhe rend më të lartë në listën e kombeve, edhe para’. Siç i dhanë Rumanisë, Kroacisë apo Bullgarisë. Po na le pas edhe Maqedonia, vetëm sepse atje shumica deklarohet e krishterë. Le të kthehemi në fenë e parave (lexo: të të parëve). Do të jetë më mirë. Çfarë fitohet prej kësaj? Sa realiste është kjo lojë me partnerët? Sa serioze në irrealitetin e saj? Misterin shpresoj përsëri ta shpjegojnë shkruesit e heshtur të ligjëratës presidenciale.
Por në vizionin tim, terrorizmi është zgjatim i ateizmit (feja e parave dhe e varësisë prej botës materiale), i cili e përdor fenë si mburojë etike ndaj krimeve të tij, ashtu si udhëheqësit gjakatarë të së shkuarës përdorën fenë për të justifikuar masakrat e tyre. Në mijëra vjet pushtime edhe mbi shqiptarët. Që nuk ranë pre e ndasisë fetare, por e përqafimit të Zotit në emër të së ardhmes. Duke mbetur te analiza fetare, vërej me keqardhje se presidenti Moisiu ka rënë gjithashtu pre e një qëllimi që pak më herët është shpërfaqur dhe mbështetur edhe nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë: kundërvënien mes myslimanëve shqiptarë. Kjo ka ndodhur rreth dy vjet më parë gjatë një konference të bashkëdrejtuar nga Akademia e Shkencave, Kisha Orthodokse Autoqefale me kryesim grek dhe Fondacioni Saadi Shirazi nga Irani, kur zv.ministri i jashtëm iranian nënvizoi faktin se në analizën e Samuel Hantingtonit mbi përleshjen e qytetërimeve, nuk ishte marrë parasysh dasia mes myslimanëve dhe se myslimanët sunni ishin të këqijtë, ndërsa ata shii’a të mirë dhe bashkëpunues.
Në këtë linjë presidenti Moisiu thotë në ligjëratën e tij se “Bektashizmi përfaqëson njëlloj protestanizmi reformator dhe liberal brenda islamit”. I kujtoj z.president se bektashizmi është një teori me origjinë sufiste, e mbështetur në vlerat e trashëgimisë personale (parim joislamik), që motivoi në kohën e afirmimit të vet krijimin e një modeli paralel të teokracisë me bazë islame, për të synuar përmes forcës së armëve kreun e Portës së Lartë.
Shpikësit e kësaj rryme iu referuan të shkuarës për t’i dhënë asaj një permasë historike (jetëgjatësi), u përpoqën të afrohen me perëndimin dhe për këtë zgjodhën Shqipërinë, si vend kufitar jotokësor- me Evropën, ndërsa adoptuan rregulla kanonike të krishtera si murgjërine dhe moslejimin e martesës së një kategorie klerikësh. Lëvizja që në krye ka qene e mbështetur nga Persia (Irani i Sotëm) dhe kjo qendër fetare mbetet gjithpaprerë mbështetëse e parë dhe kryesore e bektashizmit në Shqipëri. Mbijetesa e bektashizmit në Shqipëri i dedikohet truallit pagan te besimit popullor në Zot.
Megjithatë, duke mos e pranuar dot idenë se presidenti i Shqipërisë po kërkon rindezjen e konflikteve fetare në vend, duke mos e pranuar dot arsyetimin se ai personalisht si një ish-hebre i krishterizuar ndjehet pakicë dhe jo përfaqësues, duke mos artikuluar dot një kuptim për përpjekjet e z.Moisiu në këtë shpërfaqje jokohezive të ideve, jam i detyruar të pyes: Përse? Përse u zgjodh z.Moisiu dhe përse në këtë mënyrë? Përse një teori e tillë, që i shkon për shtat kancelarisë së cilësdo prej kishave në Shqipëri, nuk del prej tyre? Përse nuk ishte një historian i sprovuar që ta hapte këtë debat? Sepse presidenti Moisiu as mund ta vazhdojë, as mund ta mbrojë atë që ka thënë në Oksford. Ai është një ushtarak karriere, një burrë i urtë dhe babaxhan, por – pa ofezë- i papërvojë për të menduar kaq larg në rrafshe vertikale- diakronike, siç ia kanë shpjeguar të urtët historinë. Nëse ai do të ishte, sigurisht do ta kuptonte menjëherë se në Perëndim nuk të pyesin për historinë 2 000-vjeçare kur është fjala për integrimin. Të pyesin për situatën aktuale, atë që z.Moisiu e mbiquan horizontale-sinkrotike. Në Bruksel nuk japin diploma diakronike për cilësitë mesjetare të një vendi. Atje vlerësohesh për prirjet, arritjet dhe cilësitë që po zhvillon në politikë, ekonomi dhe çështje të sigurisë.
Procesi i integrimit të Shqipërisë nuk është penguar asnjëherë nga fakti se në vend banojnë 70% a më shumë myslimanë, por nga fakti se ne përfaqësonim deri dje kastat më mizore të mafias rajonale që po fitonte terren me shpejtësi në vendet e BE-së. Shqipëria është penguar nga korrupsioni galopant dhe nga “kapja e shtetit”, i cili deri para 3 muajsh kishte në krye të të gjithë institucioneve më të rëndësishme personalitete nga fetë e pakicës. Të jemi seriozë kur flasim për gjëra serioze. Cili vend në procesin e tij të integrimit është përpjekur të ngrejë profilin vertikal diakronik për të lehtësuar pengesat e drejta të Brukselit? Do të ishte njëlloj sikur Kroacia të botonte almanakë pafund për peshkun e mirë që hanin dikur prej saj doxhët e Venedikut, mbretërit e frankëve apo kontët e Pyllit të Zi. (!?)
Z. President! Ku është në fjalën tuaj dinjiteti i atyre mijëra shqiptarëve që respektuan njëri-tjetrin, vëllain e tyre me fe tjetër – pa ia prishur apo përdhosur atë, të panjohurin e pafajshëm që nuk meritonte të vritej nga nazistët, udhëtarin e lodhur që nuk pyetej se ç’fe kishte, kur kerkonte strehë nga porta me thupra me thirrjen “A pret miq i zoti i shtëpise?” apo “Të kam ra n’Dorë/Toor (keltisht- shen.im)/Derë!”, një portë që shtrihej për nderin e shqiptarëve deri në sinorët e fshatit. Apo ata shqiptarë ishin të gjithë pragmatistë, hileqarë të vegjël dhe të pabesë ndaj pushtetit të huaj dhe e dëshmonin këtë duke hedhur e pritur fenë si monedhën e fatit? Ju duhet të tregoni z.President në anën e cilit gjykim qëndroni, pasi teksti juaj është përçmues ndaj shqiptarëve si në rrafshin vertical diakronik ashtu në atë horizontal sinkrotik.
Unë kam shumë respekt për ata që lanë paganizmin në emër të krishtërimit, që lanë krishtërimin në emër të një feje tjetër, sepse qoftë ata që u krishtëruan në rrugë apostolike, qoftë ata që u islamizuan në rrugë historike, na lanë pas një Shqipëri të të gjithëve, një atdhe’ për të jetuar, një traditë për të vlerësuar dhe gjallëruar.
Toleranca ndër-fetare është vlerë e kombeve që e shikojnë historinë e tyre si pjesë të funksionit të Zotit dhe jo si armë e një feje kundër të tjerave. Ky komb shqiptar nuk ka një fe në themelet e formimit të tij. Ai ka Zotin. Vetë presidenti në të njëjtën fjalë, pak paragrafe më poshtë e quan tolerancën fetare një “tipar etnodallues” apo “Tipar etnotipik” të shqiptarëve. I pyesni Ju lutem shkruesit e fjalës suaj se cilën teori mëtojnë për të vërtetë? Faktin që ky tipar na dallon, apo që ky na bashkon me Evropën? Eshtë joserioze gjithashtu të deklarohet se “Raportet midis bashkësive fetare, që përmenden në studime, sidomos nga të huajt, u referohen shifrave hipotetike të konkluduara duke u mbështetur në të vetmin regjistrim shtetëror demografik që ka pasur edhe treguesin “besimi”, që është kryer në vitet 1929-1930”. Kujtoj se çdo vit US State Dept. boton një raport mbi lirinë e fesë, ku shprehen gjithashtu edhe raportet demografike fetare të një vendi. Ky tekst nuk i përket regjistrimeve të Ahmet Zogut. Për më tepër, ne censusin zyrtar te popullsisë të realizuar nga qeveria komuniste e Republikës së Shqipërisë deri në vitin 1955 (shih të dhënat e INSTAT dt. 4 shtator 1955) regjistrimi e ka përfshirë treguesin fetar.
Por shkruesit e fjalimit janë pragmatistë, si pjesa tjetër e shqiptarëve- sipas tyre, dhe kjo do të thotë se për ta “qëllimi e justifikon mjetin”. Mjeti i tyre është ky tekst dhe sigurisht instrumenti kryesor i qëllimit të tyre është personalisht Presidenti i Republikës së Shqipërisë, viktimë e synimeve aspak dashamirëse ndaj shqiptarëve të mi të mrekullueshëm që kanë ditur të bëjnë vend për njëri tjetrin dhe ta duan edhe poetin rilindas që shkroi se “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Sepse në atë kohë feja ishte e shenjtë sa edhe atdheu i munguar.
Po sot, z. president, ndërsa feja mbetet e shenjtë për ata që e besojnë Zotin, a nuk është atdheu ai që kemi dhe ai që na mungon- monedha më e kollajtë për shkëmbime pragmatike ateistësh? Fatin e një vendi e përcakton shumica e qytetarëve të tij dhe pa përkrahjen e saj asgjë nuk mund të arrihet. As toleranca fetare. Kjo shumicë jeton në të tashmen dhe e ka të përditshmen po aq të vështirë se çka dikur pasur mbijetesën ekonomike nën pushtime të huaja.
Unë jam i bindur që ateizmi ka qenë një e keqe shumë e madhe që dënoi shqiptarët jo vetëm në 23 vitet e sundimit të tij, por vazhdoi të na dëmtonte gjatë tranzicionit të gjatë e të vështirë. Respekti ndaj institucioneve, respekti ndaj pronës, qëndrimi ndaj pasurisë dhe refuzimi i fajdeve që predikohen nga të tri fetë ekzistuese të vendit do të kishin qenë motive të mjaftueshme për një zhvillim më solid dhe tejet më të shpejtë në rrugën e ringjalljes kombëtare. Në fund të tunelit evropian ka dritë për shqiptarët. Dhe atje arrihet duke u bashkuar më mirë se deri tani, më qytetarisht, më me dinjitet. Hyrja e shqiptarëve në Evropë nuk duhet t’i ngjajë valës migratore të 1 478- 1 500, sado dinjitoze t’ju duket ajo ju. Shqiptarët hyjnë në Evropë si pasojë e zgjerimit të Evropës së bashkuar, jo si dorëzim i identitetit para një pushtuesi të ri. Të konsiderosh kësisoj Evropën, është të mos ta meritosh as integrimin në të, dhe as besimin e shqiptarëve. Sepse Evropa ka bërë përpara përmes integrimit të kulturave, nga ajo hebraike deri tek ajo islame. Nëse nuk ndjekim këtë model, nuk kemi kuptuar asgjë prej Evropës, ndërsa do të jetë shumë vonë për të qenë vetja jonë.
nga Alban Bala, Shekulli
Shtuar më 15/11/2005, ora 19:04
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori