Federalizimi – kercenim politik apo perspektive reale per Maqedonine
Albeu.com
nga Jeton AmetiKushtetuta e shtetit unitar të Maqedonisë pasqyron në mënyrë më besnike ambalazhin e produkteve që zihen në kuzhinën antishqiptare të Shkupit.
Opinioni publik, që përcjell me shqetësime të mëdha tensionet e vazhdueshme ndëretnike që gjeneron kjo kuzhinë, ka hapur debatin rreth domosdoshmërisë së ndryshimeve të Kushtetutës.

Përballë kësaj domosdoshmërie, si domosdoshmëri e kohës për të ndërprerë degradimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike, ruajtësit e status quo-së, valëvisin flamurin ideologjik të unitarizmit të kamufluar me sintagmën se gjoja « nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike ».
Kjo sintagmë u përsërit me cinizëm të paparë edhe nga përfaqësues të lartë të BDI-së në debatin e organizuar nga Alsat-M lidhur me temën « Federalizimi – kërcënim politik apo perspektivë reale për Maqedoninë? .. ».

Për ata që shtiren se nuk e dinë po ua rikujtojmë se etnitë nuk jetojnë në qiell por janë të vendosura në tokë ! Në territore të caktuara !

Sintagma unitariste që pretendon se « nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike » fsheh qëllimin e vetëm që territori i shtetit të jetë territor në shërbim ekskluziv të një etnie. Në rastin e Maqedonisë, kjo sintagmë tenton të maskojë realitetin se ky territor shtetëror me pasuritë e veta dhe njerëzit që jetojnë në te duhet të vihen në shërbim të atyre që identifikohen si maqedonas!
Kjo formë e funksionimit të shtetit është forma më e keqe e organizimit të shoqërive shumë etnike. Ajo nuk përmban në vete asnjë dëshirë të jetës së përbashkët. Përkundrazi, ajo shtrihet në logjikën e luftës për dominim politik, ekonomik e kulturor dhe si e tillë çon në mënyrë të pashmangshme në tensione dhe konflikte ndëretnike.

Tensionet vijnë si rezultat i mosrespektimit të kompleksitetit shoqëror dhe ekskuluzivitetit të një etnie ndaj etnive tjera.
Shkurt, sovranitetit nga lartë-poshtë është burim i konflikteve të vazhdueshme ndëretnike !
Nga ana tjetër kemi filozofinë politike të organizimit shoqëror qe bazohet në sovranitetin nga poshtë - lartë.

Ky sovranitet nga poshtë - lartë mund të merr formën e konfederatës apo federatës, mund të shprehet me njësi autonome (krahinave, kantoneve apo strukturave tjera) si ndërmjetësuese përmes të cilave sigurohet funksionimi demokratik i shoqërisë shumë etnike.
Sovranitet nga poshtë - lartë paraqet formën politike ku komunitetet e ndryshme që nuk kanë as gjuhë, as fe, e as tradita të përbashkëta mund të bashkëjetojnë në harmoni. Është sinonim i dialogut dhe vlerave të përbashkëta ku mirëkuptimi, këmbimi i vlerave dhe dialogu i vazhdueshëm përbëjnë objektivat madhore të bashkëjetesës paqësore. Është organizimi politik ku harmonia e pjesëve nuk shihet si konkurrente, por si plotësuese për t’i dhënë kuptim tërësisë.
Aplikimi i kësaj filozofie politike ka bërë që demokracitë perëndimore të kenë epërsinë e pakontestueshme në raport me shtetet unitare dhe të ngadhënjejnë në përmasa botërore përballë totalitarizmit.

Sot, pas përvojave disa shekujsh të organizimit federativ, askush nuk mund të kontestojë efikasitetin e federalizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Australi, Zvicër, Belgjikë dhe shtetet e shumta të demokracive në botë.
Madje edhe shtetet që i afrohen më së shumti përbërjes monoetnike të popullsisë, si Gjermania dhe Austria, kanë zgjedhur modelin federariv si model më efikas.
Domosdoshmëria e tejkalimit të formës unitare të shtetit të Maqedonisë bëhet edhe më urgjente kur dihet fakti se edhe shtetet që janë themeluar mbi modelin e filozofisë jakobiniste janë shumë më të decentralizuara se Maqedonia.

Kur Gjermania si shtet, popullsia e së cilës ka një gjuhë dhe një fe, aplikon sistemin federativ të organizimit politik atëherë pse Maqedonia, në të cilën dy kombet numerikisht më të mëdha (maqedonasit dhe shqiptarët) nuk kanë as gjuhë, as fe dhe as kulturë të përbashkët duhet të funksionoj si shtet unitar ?

“Argumetet” se gjoja ndërkombëtarët sugjerojnë këtë model të organizimit politik për Maqedoninë janë banale dhe ironike në të njëjtën kohë.
Cili “ndërkombëtarë” që vjen nga shtetet e demokracive perëndimore, i lindur dhe i edukuar në frymën e tolerancës dhe respektit të diversitetit etnik, gjuhësor, kulturor dhe fetar do të na sugjeronte modelin e organizimit politik që gjeneron tensione dhe konflikte të vazhdueshme.
Nëse qëndrimet e “ndërkombëtarëve” që kanë lindur dhe janë edukuar në frymën e despotizmit tentoni t’i përgjithësoni atëherë kjo është e qartë se e bëni në funksion të ruajtjes së status quo-së.

Federatat demokatike mbijetuan shekujt dhe dëshmuan efikasitet të madh me organizimin politik në interes të diversitetit etnik, gjuhësor, kulturor dhe fetar.
Diktaturat, qofshin edhe në formë federate të tipit sovjetik apo jugosllav, përfunduan me shpartallime.
Shpartallimi i Federatës jugosllave është shumë i freskët siç janë të freskëta edhe qëndrimet e të gjitha atyre që nuk pranonin të ndryshonin Kushtetutën dhe t’i trajtonin shqiptarët e Kosovës si të barabartë.

Ithtarët e ruajtjes së status quo-së të asaj kohe mund të shkojnë nëpër arkiva shtetëror apo biblioteka dhe me nostalgji të lexojnë atë Kushtetutë. Kosova është shtet i pavarur dhe popujt tjerë nuk pranuan të jetojnë nën diktatin e Beogradit.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Maqedoni. Populli shqiptar nuk do të pranojë të jetojë nën diktaturë, qofshin ato edhe « diktatura multietnike » të unitarizmit maqedonas!
Shtuar më 08/03/2010, ora 22:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori