Tradhtimi i Mukjes dhe mosmësimi nga historia
nga Fatos Lubonja
Panorama
Më duhet ta them që në fillim një opinion të fortë që s’është vetëm i imi: të përkujtosh me festime shtetërore një ditë që për 45 vjet rresht ka qenë dita festive e diktaturës, ditë që në kujtesën e shqiptarëve të burgosur, të pushkatuar, të izoluar, të lënë në injorancë dhe mjerim është e lidhur me glorifikimin e persekutorëve të tyre, është një fyerje. Është një fyerje ndaj të vdekurve dhe ndaj të gjallëve. Është një fyerje ndaj së kaluarës historike gjithashtu, është një fyerje edhe ndaj së ardhmes.
Si përjetim personal mund të them se duke zipuar nga njëri televizion në tjetrin atë ditë, m’u bë sikur po shihja një ëndërr, që më kthehet si makth herë pas here, në të cilën, megjithëse e di se kanë ndodhur ndryshime, unë dhe shumë bashkëvuajtës të mi ndodhemi ende në burg dhe s’i jap dot dum këtij paradoksi derisa më del gjumi. Por kësaj here këtë ëndërr të keqe nuk e pashë në gjumë, por zgjuar, dhe jo bardh e zi, por me ngjyra.

ARSYET E KËTIJ FESTIMI
Arsyet e këtij festimi i kam shtjelluar në një shkrim të disa kohëve më parë “Pse e duan Enver Hoxhën” (“Panorama”, 15 shtator 2014). Ato lidhen me narrativat që duan të mbajnë gjallë, në mungesë të vizioneve e programeve e kredibilitetit moral, dy forcat politike në pushtet, që kanë trashëguar të njëjtën kulturë të manipulim-simulimit të regjimit të kaluar.
Simbolet e këtyre dy narrativave i kemi edhe këto ditë të shpalosura në qendër të Tiranës: në fasadën e Pallatit të Kulturës posterat gjigante përkujtojnë komunistët në luftë, ku spikat fotoja e madhe e një skulpture të shëmtuar patetike e partizanit të panjohur; përballë tyre demokratët e Bashkisë kanë vendosur një instalacion ku njerëzit shohin të parakalojnë në një shirit të pafund fotot me emrat e mijëra viktimave të këtyre luftëtarëve.
Sikurse e kam thënë edhe në shkrimin që përmenda, këto nuk kanë të bëjnë me të djeshmen, por me të sotmen. Është një lojë dy teatrosh, regjisorët e të cilëve kanë interes të mbajnë spektatorët në tunelet e tyre, duke i polarizuar ata sa të jetë e mundur më shumë. Sigurisht, edhe duke i mbajtur në injorancë, larg historisë së vërtetë, vlerave të vërteta, respektit të vërtetë për dëshmorët e njërës apo tjetrës palë, por veçanërisht duke i polarizuar. E përsëris, duke i polarizuar, sepse do t’i kthehem dhe rikthehem këtij koncepti në këtë shkrim.
* * *
“Në sajë të Luftës (nënkupto që bënë tanët) Shqipëria nuk u zhbë”; “Ne ishim në anën e duhur” (nënkupto të tjerët në anën e armikut). “Në sajë të kësaj lufte ne jemi sot në NATO” (duke harruar se nëse kishte njerëz që bënin ditë e natë propagandë kundër NATO-s dhe SHBA për afro gjysmë shekulli qenë ata). “Ne po shohim sot të realizuara disa nga ëndrrat tona të asaj kohe, si ajo për demokraci”– (tha një veteran, duke “harruar” se tërë jetën ia ka dedikuar diktaturës së proletariati dhe jo demokracisë).
Këto qenë parullat që u përsëritën më së shumti gjatë këtyre festimeve teatrale socialiste. Spikati, sigurisht, edhe fjala e kryeregjisorit të shfaqjes: “I shohim me keqardhje ata që bëjnë përpjekje të dëshpëruar për të zbehur 29 Nëntorin. Flamuri i Shqipërisë u ngrit dhe u valëvit i lirë, krahas me flamurin e SHBA, Britanisë dhe shteteve të botës së lirë”, tha ai në fjalën e tij, duke i rreshtuar tek “tradhtarët” “ata” që ngrenë dyshime mbi narrativën socialiste të Luftës. Dikush u kujtua t’i vërë përballë në internet fjalët që ka recituar, vite më parë, në teatrin tjetër: “Për ata që mund ta kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me një referendum pas Lufte. Kurse Kongresi i Përmetit, me fitimin e luftës civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike”. Por për këtë kategori aktorësh dhe regjisorësh, që harrojnë çfarë shfaqje kanë luajtur dje, nuk ka rëndësi e vërteta. Për këta ka rëndësi vota, d.m.th. numri i spektatorëve në teatër, që përkthehet në lekë dhe pushtet, pushtet dhe lekë. Sa më injorantë të jenë njerëzit, aq më lehtë i manipulon dhe sa më shumë të manipulohen, aq më shumë vota u merr. Prandaj parulla “gjithçka për pushtetin” duhet të përqendrohet tek kontrolli i manipulimit, d.m.th. edhe tek kontrolli i kujtesës së njerëzve. Paraqitja nëpër media e këtyre festimeve tregoi se ky kontroll po merr përmasa të frikshme dhe shqiptarët e
persekutuar, për turp të të gjithëve, duhet të falënderojnë paralajmërimin e ambasadorit amerikan që pengoi që kësaj here t’u hynte vetë Enver Hoxha me përdhunë në shtëpi si dikur. U hyri hija e tij.

DISA ARGUMENTE HISTORIKE
Duke kërkuar t’u flasin, në emër të këtij manipulimi, jo vetëm atyre që e kanë tashmë të gdhendur përjetësisht Luftën në kokë si fe, por edhe atyre që mund të kenë ndonjë “dyshim”, politikanët e festimit përsëritën disa herë argumentin se, po të mos kishte qenë Lufta, Shqipëria nuk do të ekzistonte fare, sepse, sipas tyre, do të ishte e rreshtuar me humbësit.
Pa 29 Nëntorin nuk do të kishte 28 Nëntor– ja pra se sa të rëndësishëm na paskan qenë Komandanti dhe shokët e tij. Prandaj kush qahet se ai ka vrarë e prerë duhet të kuptojë se këto janë të parëndësishme përpara lirisë së atdheut.
Pa dashur të ndalem në atë se ky lloj argumenti, edhe po të jetë i vërtetë, është çnjerëzor sepse pa lirinë e njerëzve konkretë liria e atdheut abstrakt është një fjalë boshe– dhe për njerëzit konkretë atdheu i Enver Hoxhës ka qenë më i keq se çdo pushtim– më duhet të them se ky argument është edhe i rremë. Shqipëria ka pasur, përveç komunistëve, edhe mjaft dëshmi që do ta mbronin nga akuzat e përfshirjes në koalicion me Boshtin e humbësve, pavarësisht bashkëpunimit të kuislingëve që, siç dihet, kanë ekzistuar edhe në mjaft vende, që nuk u zhbënë megjithatë prej kësaj.
Së pari, Shqipëria kishte një Mbret, i cili nuk e pranoi pushtimin italian, prandaj dhe iku më 7 prill 1939 e që ka pasur në Luftë një përfaqësues të tij të rëndësishëm, Abaz Kupin. Kujtoj se heroi i parë i rezistencës modeste që iu bë këtij pushtimi, Mujo Ulqinaku, nuk ishte komunist, por u përkiste pikërisht njerëzve të Abaz Kupit, i cili ka qenë vetë në krye të kësaj rezistence. Kujtoj po ashtu se pikërisht prej autoritetit që i kishte dhënë kjo rezistencë, Abaz Kupi deri më ’43-shin ka qenë, së bashku me komunistët, në Frontin Nacional- Çlirimtar në emër të çlirimit të atdheut, pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Së dyti: Shqipëria ka pasur edhe lëvizjen nacionaliste, Ballin Kombëtar, me të cilët deri në Mukje kanë bashkëpunuar dhe kanë bërë marrëveshje për çlirimin e vendit edhe komunistët.
Së treti, edhe aleatët anglo- amerikanë kanë pasur njerëzit e tyre pranë këtyre organizatave antifashiste.
Së katërti, Shqipëria ka pasur edhe shumë lëvizje në mbështetje të saj nga emigrantë shqiptarë jashtë atdheut dhe po ashtu nga miq dashamirës të saj që kanë kryer aktivitete të ndryshme dhe që janë injoruar krejtësisht nga historiografia komuniste.
Së pesti, sikur të mos kish qenë prishja e Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët, ky argument nuk do të mund të ekzistonte fare.

PRISHJA E MARRËVESHJES SË MUKJES
"1. Luftë e menjëhershme kundër pushtuesit të huaj dhe kundër cilitdo pushtues tjetër të mundshëm.
2. Luftë për Shqipëri të pavarur dhe për vënien në jetë të parimit të njohur universal dhe të garancive të Kartës së Atlantikut për vetëvendosjen e popujve. Për një Shqipëri etnike.
3. Për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike për të gjithë popullin.
4. Për formimin e një qeverie të përkohshme ngarkohet Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë.
5. Forma e qeverisjes do të vendoset nga vetë populli, një mbledhje legjislative do të shpallë zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta”.
Këto janë pikat që u aprovuan në Mukje në fillim të gushtit 1943. Po t’i shohësh nga këndvështrimi i sotëm, të bëjnë të mendosh se po të kishte funksionuar kjo Marrëveshje, shqiptarët do të vazhdonin së bashku luftën kundër gjermanëve– aq sa ia lejonte takati i një vendi të vogël – në aleancë me aleatët, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në organizimin e kësaj Konference dhe do të shkonin në zgjedhje, ku do të mund të vendosnin qoftë me referendum për formën e shtetit monarki apo republikë, qoftë për partitë që do të vinin në pushtet.
Po pse u prish Mukja? Shkaqet qenë dy anë të së njëjtës medalje: çështja e pushtetit dhe çështja e sistemit. Sipas udhëzimeve që vinin nga Jugosllavia e më përtej nga lëvizje komuniste botërore me në krye Stalinin, pushteti nuk duhej ndarë me borgjezinë, por duhej punuar e luftuar në favor të revolucionit proletar dhe vendosjes së diktaturës së proletariatit që, nën udhëheqjen e BS, do të triumfonte shpejt në të gjithë botën. Argumenti se ishte thjesht çështja e Kosovës që i shtyu jugosllavët të prishnin Marrëveshjen e Mukjes, sipas mendimit tim, mbetet, pasi e ardhmja e komunizmit nuk ka qenë e sigurt, por është dytësor në këtë kontekst, sepse, në planin e komunistëve, kjo çështje do të zgjidhej në kuadrin e internacionalizmit që për Titon kishte kuptimin e një federate ballkanike komuniste. Fakti është se Tito, që aspironte të kryesonte një federatë të tillë, ka ndikuar edhe për të prishur marrëveshjet për qeveri të unitetit kombëtar në Greqi, duke “ndihmuar” shpërthimin e luftës civile edhe në Greqi. E provojnë këtë dokumente që kanë dalë edhe në shtypin shqiptar së fundi, ku flitet për direktivat që u jepte ai partizanëve grekë: “Po jua përsëris, mbajeni fort ushtrinë tuaj. Dëgjova që doni ta shpërbëni dhe u zemërova. Po ju them vetëm një gjë: Është më mirë të keni një batalion të armatosur, sesa 6 ministra në qeveri. Neve na intereson që partia juaj të ketë nën kontroll gjithçka. Dy ushtarë mund të largojnë nga qeveria këdo që ju bezdis. Nëse nuk keni ushtri, nuk mund të bëni asgjë”. A nuk flet ky dokument shumëçka edhe për mentalitetin që ka çuar në prishjen e Mukjes në Shqipëri, që solli edhe polarizimin e shoqërisë në komunistë
dhe kundërshtarë të tyre? (Këtu po hap një parantezë: një nga të metat që ka historiografia jonë është se zhvillimet në Shqipëri i sheh nga një këndvështrim shumë shqiptarocentrist, a thua se gjithçka është vendosur nga shqiptarët duke injoruar apo mbajtur fshehur kontekstin ndërkombëtar, që ka qenë në fakt vendimtari për fatet e vendit).
Atëherë shtrohet pyetja: nëse të gjithë ishin në anën e më së mirës në Mukje, si vazhdim i konferencës së Pezës, kush tradhtoi e çfarë u tradhtua? Sipas meje, u tradhtua parimi bazë i Pezës: bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje për çlirimin e atdheut, që nënkuptonte pastaj edhe ndarjen e pushtetit mes forcave të ndryshme, d.m.th. vendosjen e një demokracie. U tradhtua nga komunistët në favor të revolucionit që synonte marrjen e pushtetit dhe vendosjen e diktaturës së proletariatit në shembullin e sistemit sovjetik, që frymëzonte komunistët shqiptarë dhe jugosllavë. Argumenti që u dha një javë më vonë (8 gusht) se Marrëveshja prishej sepse ballistët nuk kishin hedhur pushkë kundër armikut, duket qartazi se është i stisur.
E para, se nuk është i vërtetë pasi ka prova të pakundërshtueshme se kundër italianëve kishin luftuar edhe ballistët.
E dyta, edhe sikur të ishte ashtu, përderisa qe nënshkruar një marrëveshje e firmosur nga të dyja palët, që përfshinte edhe një Komitet Shpëtimi Kombëtar, kjo nënkupton një bashkëpunim që, të paktën, duhej vënë në provë. E vërteta është se në Konferencën e Labinotit, që u mbajt afro një muaj pas Mukjes nga Fronti Nacional- Çlirimtar (4 deri 9 shtator të vitit 1943), është miratuar teza sipas së cilës “Këshillat Nacionalçlirimtarë janë përfaqësues të vetëm të pushtetit në Shqipëri”. E pra, në këtë kohë as që mund të bëhet fjalë për ndonjë bashkëpunim të Ballit Kombëtar qoftë me italianët dhe aq më pak me gjermanët, që nuk kishin hyrë ende në Shqipëri.
Në fakt, deri dje luftën për çlirim dhe revolucionin proletar, si dy anë të së njëjtës medalje, i ka pranuar edhe Enver Hoxha, që ka folur vazhdimisht për “rolin udhëheqës të Partisë Komuniste” duke e shitur si meritë, sepse ajo që ndodhi pas vitit 1944 na shitej si triumf i revolucionit, si një e mirë e madhe, jo si një tragjedi.
Sigurisht, ta do mendja se komunistët e thjeshtë– më të mirët e të cilëve ishin të rinj që sapo kishin mbarur shkollat e mesme– gjatë asaj lufte kanë besuar vërtet se ata do të ndërtonin një botë më të mirë nëpërmjet diktaturës së proletariatit nën udhëheqjen e BS, por historia për këtë naivitet nuk u jep ndonjë meritë, por vetëm të drejtën për të thënë se kishin bërë një zgjedhje të gabuar. Ndërsa për ata që nuk ishin naivë si Enver Hoxha, në të gjithë këtë strategji ka pasur një pabesi të madhe sepse pjesa/Partia Komuniste, duke mos u shfaqur si pjesë, por si e tërë, ka shfrytëzuar dhe tradhtuar interesat e së tërës në emër të interesave të veta.

LUFTA CIVILE
Pas Mukjes, Shqipëria hyn në një polarizim të imponuar nga komunistët, që degjeneroi në luftë për pushtet midis dy forcave, ku është treguar një egërsi dhe armiqësi e denjë për një popull që në fillim të luftës ishte 90% analfabet. Në këtë luftë bën pjesë edhe bashkëpunimi i një pjese të Ballit me gjermanët.
Lind pyetja: po pse historianët politikanë të teatrit socialist nuk duan që nuk duan ta pranojnë se ka pasur luftë civile në Shqipëri, që do të thotë luftë për pushtet midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre? Ua tha edhe historiani Bernd Fisher së fundi këtë dhe u hodhën përpjetë. Sipas meje, për shkak të mitologjizimit që i ka bërë Luftës historiografia komuniste e që ata duan ta mbajnë gjallë në funksion të manipulimit të votuesve të rinj. Lufta civile nënkupton hije drite, kurse ata synojnë ta paraqesin si një dritë absolute. Aq i fortë është ky element mitologjizues i përpunuar nga Enver Hoxha,saqë nga historia janë fshirë më shumë se gjysma e pjesëmarrësve të Konferencës së Pezës e historianët socialistë s’i përmendën as sot, pasi u duken si hije. Sepse festuesit duhet të paraqiten vetëm si e mira triumfuese mbi të keqen dhe, që të paraqiten kështu, duhet që kundërshtarët të jenë në një front me të keqen. Prandaj përdoret edhe argumenti gjoja shkencor sikur nuk ka luftë civile, kur ka pushtim, por në një krah ishin e mira: komunistët që luftonin për çlirimin e atdheut, kurse në krahun tjetër e keqja; pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre tradhtarë. Prandaj dhe, meqë faktin që ajo që ndodhi më pas ishte një tragjedi nuk e mohojnë dot, kanë bërë zgjedhjen të na shesin një ndarje midis dritës që na paska rrezatuar deri më 29 Nëntor ‘44 Enver Hoxha me partizanët e tij dhe errësirës që e pllakosi vendin më pas.
Mirëpo ky argument është i pafuqishëm ndaj shumë pyetjeve që lidhen me historinë e vërtetë të Luftës: siç janë tradhtia e parimeve të Pezës dhe Mukjes, që çuan në vëllavrasje dhe diktaturë. Ky argument nuk i jep dot përgjigje as një pyetjeje shumë të thjeshtë: kur ata ishin kaq të mirë deri më 29 Nëntor ‘44, pasi kishin besim se kishin bërë vetëm mirë dhe se do të ndërtonin sistemin më të mirë në botë, pse futën nëpër kampe përqendrimi menjëherë pas luftës edhe gratë dhe fëmijët e atyre që i konsideronin kundërshtarë?
Pse duhej izoluar e rrethuar me tela një vend që do të duhej të ishte simbol frymëzimi edhe për të tjerët? Përgjigjen na e jep Sejfulla Malëshova, që nuk ishte ballist, por komunist, e që thotë pikërisht në atë kohë se Partia Komuniste ishte kthyer që gjatë Luftës në një bandë kriminelësh.

MUNGESA E MËSIMIT NGA HISTORIA
Kam ngulmuar dhe ngulmoj se Lufta duhet studiuar në funksion të kuptimit të së sotmes që po e vuajmë deri sot dhe jo të festohet në emër të vazhdimit të kësaj vuajtjeje. Mësimet që mund të nxirren janë të shumta, por unë po përqendrohem në atë që më duket sinteza e të gjitha gabimeve.
Sikurse u përpoqa të shpjegoj, Lufta ka një moment kthese tragjike, Mukjen, që është në qendër të tragjedisë shqiptare, sepse, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, është në origjinën e historisë së mëpasshme vëllavrasëse dhe përçarëse midis shqiptarëve. Dy gjëra kemi trashëgim nga e keqja e saj që sot e kësaj dite duhet t’i studiojmë:
E para, politikat ku interesi i pjesës/partisë vihet mbi interesat e tërë shoqërisë, vendit, duke çuar në sundimin e plotë të pjesës mbi të tërën, polarizimin ekstrem të shoqërisë me idenë se duhet të jesh më i forti që të fitosh mbi më të dobëtin dhe të sundosh i vetëm.
E dyta, tradhtinë nga ana e udhëheqësve tanë të çdo ideali e premtimi që lidhet me interesin e së tërës për hir të sundimit të pjesë me në krye udhëheqësin e radhës. Që të dyja i shohim të mishëruara tek të gjitha zhvillimet politike që kanë ardhur pas Mukjes dhe tek të gjithë liderët që kanë ardhur deri më sot në krye të Shqipërisë, duke filluar nga Enver Hoxha. Fakti që edhe më herët, kur lindi për herë të parë mundësia e një Shqipërie demokratike, në vitet 1920- 1924, Zogu dhe Noli, si përfaqësues të dy partive të ndryshme nuk mundën dot të bashkëpunojnë, por luftuan për jetë a vdekje me njëri- tjetrin, tregon se rrënjët e kësaj së keqeje janë edhe më të thella– por Mukja ishte sidoqoftë shumë më tragjike, sepse në kohën e diktaturës polarizimi i shoqërisë në të mirë dhe të këqij në emër të sundimit degjeneroi në shtypjen totale të njërës pjesë.
Pas rënies së diktaturës, hija e Mukjes si vënie e interesit të pjesës dhe pushtetit të saj mbi interesin e vendit, madje në dëm të tij, vazhdon në një formë më të butë, por përsëri është sëmundja kryesore që kanë të gjithë shqiptarët. (E gjen edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni, e pa dyshim është një çështje kulture, prandaj dhe gjykoj se në raste tilla si përkujtimi i Luftës duhet të përqendroheshim atje).
Është një çështje kulturore edhe “aftësia” e udhëheqësve tanë për të tradhtuar çdo ideal apo vizion për botën për hir të pushtetit dhe gjetja pastaj e gënjeshtrave gjithfarëshe për ta fshehur këtë tradhti. Kujtoni se si Enver Hoxha u prish me jugosllavët, pastaj me sovjetikët, pastaj me kinezët, gjithnjë në emër të pushtetit të vet, e duke mos dhënë asnjëherë shpjegime të sinqerta për këtë, por duke sajuar gjithnjë pretekste, siç qenë ato të prishjes së marrëveshjeve së Pezës e Mukjes. E njëjta histori ka vazhduar edhe pas rënies së komunizmit.
Nuk po zgjatem me komunistin fanatik Sali Berisha që u bë antikomunist fanatik pa iu dridhur qerpiku. Disa thonë se ai i përket brezit të vjetër të edukuar me frymën enveriste. Po nuk duket i ndonjë brezi tjetër Edi Rama, që dje shkruante për nevojën e “denoncimit pa kompromis të veprimtarisë kriminale të PPSH-së […] të origjinës dhe historisë së saj”, kurse sot glorifikon pikërisht ato origjina dhe i quan tradhtarë ata që flasin siç fliste ai vetë dje, pa iu dridhur qerpiku.
Shqiptarët janë shumë vonë në nxjerrjen e këtyre mësimeve pa të cilat zor se do të hyjnë në demokraci. Festimet e 70 vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë në Shqipëri treguan se fatkeqësisht kjo vonesë do të vazhdojë në pritje njerëzish më të ndriçuar e më të ndershëm.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist