Shteti autoritar dhe autoriteti i shtetit
nga Fatos Lubonja
Panorama
Në librin e tij të famshëm: “Të kesh apo të jesh” Eric Fromm shkruan edhe për diferencën midis: “të kesh autoritet” dhe “të jesh autoritet”. Shkurt, sipas tij, “të kesh autoritet” do të thotë ta kesh “marrë” atë me forcë dhe ta ushtrosh kryesisht nëpërmjet frikës që ngjall tek të tjerët. Të “jesh autoritet” do të thotë të fitosh respektin e të tjerëve nëpërmjet veprave të mira; çka bën që njerëzit të ta dëgjojnë fjalën edhe pa qenë nevoja e ushtrimit të forcës dhe frikës ndaj tyre.
Ajo që më solli ndërmend këtë kategorizim të Frommit janë aksionet e fundit që po merr qeveria ndër të cilët spikat ultimatumi pesë ditësh për të gjithë popullsinë se çështja e vjedhjes dhe mospagesës së energjisë elektrike do të zgjidhet me një aksion policor dhe me burgime. Pas ditës së pestë Edi Rama mblodhi në Pallatin e Kongreseve dy mijë punonjës shtetërorë dhe, si personifikim i këtij lloj shteti që kërkon të “marrë” autoritet, njoftoi mbarimin e ultimatumit dhe fillimin e aksionit.
Si rastësisht po këto ditë u njoftua edhe ndryshimi i një ligji të qarkullimit rrugor sipas të cilit vihen gjoba deri në 50 000 lekë për një kalim semafori me të kuqe, dhe, po ashtu, u dha ultimatumi se një gjobë e tillë do t’i vihet çdo makine që policia nuk do t’i gjejë kutinë mjekësore, atë trekëndëshin e stopit që vihet pas saj, kur ke pësuar aksident, si dhe jelekun e verdhë që duhet të veshësh në këtë rast.
Thuhet se njerëzit, të frikësuar, rendën me vrap të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe po ashtu nxituan të blejnë ato jelekët e verdhë dhe kutitë e shërbimit mjekësor si dhe ca bombola që, mesa di unë, nuk i kërkojnë as në Itali.
Po a është kjo rruga për ndërtimin e një shteti me autoritet në kuptimin që i jep Frommi të qenit autoritet.
Po jap vetëm disa argumente se pse më duket se me këto metoda veprimi nuk jemi në rrugën e drejtë të ndërtimit të një shteti që fiton respekt në sajë të një pune të mirë.
Së pari, vetë buon sensi i bazuar në intuitën dhe në sadopak njohje të mënyrës se si funksionojnë shtetet e së drejtës dhe shtetet autoritare, të thotë se këto ultimatume të lenë shijen e keqe të një arrogance që synon të frikësojnë. Një shtet i së drejtës nuk funksionon me aksione frikësuese dhe taksidarë të shoqëruar me policë, por me punë të përditshme, që synon mbi të gjitha tu shërbejë njerëzve, tu rrisë mirëqenien, të fitojë respekt dhe jo t’i frikësojë ata, apo t’i përdorë si lopë për tu mjelur. Nuk mund të mos ngresh disa pyetje: Ku keni parë ju një shtet të së drejtës ku drejtori i policisë së shtetit (por qoftë ky edhe Kryeministri) udhëzon policinë të monitorojë prokurorinë dhe gjykatat? Kush na e jep ne garancinë se policia qenka më e ndershme se prokuroria dhe gjykatat? Në një vend ku sipas drejtorit të OSHEE ka rreth pesëqind gjashtëqind mijë lidhje të paligjshme si mund të futësh çdo shkelës në burg siç deklaron Ministri i Brendshëm? Ku i keni parë ju që për një kalim me të kuqe të semaforit apo për mungesë jeleku të marrësh gjoba që janë në mos sa rroga sa gjysma e rrogës mujore të një mësuesi apo mjeku? A nuk do të ishte më normale që shteti të bënte përditë punën me vjedhësit e energjisë dhe po ashtu të bëhej një fushatë sensibilizuese për nevojën e vërtetë të këtyre jelekëve dhe jo të kërcënoheshin njerëzit me ultimatume? Ka një parabolë të Krishtit në Ungjill që tregon për atë fshatarin që deshi të pastrojë krejtësisht arën e grurit nga egjiri dhe shkatërroi edhe grurin e që le mesazhin se nuk mund të bësh pastrim apo drejtësi absolute, lërja Zotit ta bëjë atë. Dhe historia ka treguar se kush ka synuar pastrime të tilla ka bërë shumë më keq.
Së dyti, (lidhur me të parën): do të duhej, më së pari, që politikanët tanë të kishin treguar të paktën për një farë kohe se janë ata respektuesit më të parë të atyre që predikojnë. Deri tani kjo nuk më rezulton. Në reporteri.al lexova psh. një shkrim të Besar Likmetës (sa për dijeni të atyre që nuk e njohin është fitues i CEI/SEMO për gazetari investigative) që përsërit edhe një herë faktin e përmendur në një shkrim të dy javëve më parë të botuar nga BIRN (agjenci investigative gazetarësh të Ballkanit) sipas të cilit OSHEE, ka bashkëpunuar me dy tregtarë të energjisë, EFT A.G dhe GSA – për të manipuluar rezultatin e tenderëve për importimin e energjisë elektrike, çka besohet se i ka sjellë konsumatorit një dëm prej 7.3 milionë eurosh, që s’krahasohet me asnjë nga vjedhësit për të cilët kërkohet dënimi 3 – 5 vjet. Thotë Likmeta: “Ka më shumë se njëzet vjet që një pjesë e shoqërisë paguan, jo vetëm për hajdutët e dritave, por edhe për luksin e politikanëve që ishin mbledhur në sallën e Pallatit të Kongreseve të dëgjonin fjalimin e Kryeministrit.”…“ka dhe një klasë me të madhe vjedhësish që Kryeministri bën sikur nuk ekzistojnë më, edhe pse kur ishte në opozitë, shpesh ai dhe deputetët e tij, i bënin fajtor për kolapsin e sistemit energjetik”.
Gjithë në këtë kontekst: është shumë e vështirë të besosh sot, sado mirëdashës të jesh ndaj qeverisë, se ky aksioni i jelekëve të verdhë dhe bombolave dhe kutive mjekësore nuk është një aferë midis atyre që e kanë urdhëruar dhe atyre që përfitojnë direkt nga ky operacion. E mendja nuk ka se si mos të të shkojë tek sponsorët e fushatave elektorale të partisë dhe në krejt sistemin klientelist korruptiv që, sipas Kryeministrit kur ishte në opozitë, qe fajtori kryesor për korruptimin e njerëzve.
Së treti, (lidhur me të dytën): që shteti të fitojë respektin do të duhej që paratë e mbledhura: - psh paratë e mbledhura nga ata që nuk paguajnë energjinë,- të shkojnë në përfitim të atyre që, sipas vetë fjalëve të Kryeministrit, kanë paguar për ata që nuk paguajnë. Mirëpo nuk rezulton kjo. Sepse bashkë me këtë aksion kundër shkelësve të ligjit njoftohet edhe heqja e fashës së 300 KWh për konsumatorët familjarë që kanë respektuar ligjin. Dhe, sipas kalkulimeve, del se me këtë heqje fashe ata që kanë paguar për ata që nuk kanë paguar përsëri do të paguajnë më shumë nga ç’kanë paguar, pra nuk përfitojnë asgjë, por humbasin. Po ashtu duhet që paratë e mbledhura nga policia e qarkullimit rrugor apo edhe paratë e mbledhura nga taksat më të shumta që do të paguajnë ata që na kanë shitur jelekët dhe kutitë mjekësore dhe ato bombolat, të konvertohen në shërbime më të mira përsa i përket cilësisë së trafikut, e vijave tëbardha e ndriçimeve, mundësive më të mëdha për parkim e më the të thashë. Deri më tani duket se këto para shkojnë në vrima të zeza. Ajo që shumëkush me të drejtë mund të mendojë është se ky është një aksion për të mbledhur para pjesa e luanit e të cilave (përveç borxhit që mbetet një problem shumë i madh e që s’më duket se mund të menaxhohet me të tilla aksione) do të shkojë në shërbim të oligarkisë që ka kapur shtetin.
Së katërti (lidhur me të tretën): Problemi i vjedhjes e mospagimit të energjisë është shumë i madh, kjo dihet, por ne jetojmë në një vend ku shteti është akuzuar vazhdimisht se është kapur dhe përdorur nga ata që e kanë kapur, edhe për të goditur në mënyrë selektive kundërshtarët, ku hyjnë edhe ata qytetarë që kanë mbështetur njërën parti apo tjetrën. Një aksion i tillë, pra, presupozohej se do të kishte dyshimin e reaksionin e gjysmës tjetër që është në opozitë – siç edhe ndodhi. U tha se për të zhvilluar këtë aksion janë ndërtuar komisione të përbërë nga OSHEE, policia dhe ekspertë. Personalisht kjo më duket se është tejet problematike përsa i përket aspekti ligjor, pasi këta duken si komisione revolucionare, si kontrollet punëtore në kohën e Enver Hoxhës që viheshin mbi institucionet dhe ligjin). Por edhe duke zbatuar këtë logjikë revolucionare, në një vend që pretendon të bëhet shtet i së drejtës, a nuk do të ishte më e udhës që të paktën të negociohej me opozitën dhe të kërkohej të futeshin edhe përfaqësues të opozitës në këta komisione, që të evitohej akuza për ndëshkime selektive?
Së fundi, por jo për nga rëndësia, ne kemi në pushtet një parti që jo vetëm ka premtuar “rilindje”, të shtetit, por që është edhe një forcë politike e majtë. Dhe është e mirënjohur tashmë që në vendet me demokraci, ku ka ende kuptim të qënit i majtë dhe i djathtë, një nga diferencat kryesore midis tyre është pikërisht fakti se nëse të djathtët u besojnë më shumë metodave tradicionale ku hyn psh. edhe ushtrimi i forcës për të zgjidhur probleme të tilla si kriminaliteti, e majta i mshon më shumë metodave edukative, përmirësimit të kushteve të jetesës, pra ndryshimit të kushteve që e bëjnë një njeri kriminel dhe jo dënimit të tij. Në këtë aspekt një qeverisje e mbështetur vetëm në policinë bëhet dy herë problematike për një forcë që pretendon se është e majtë.

Ndaj gjithë sa shkrova mbetet pyetja: po mirë çfarë na sugjeron ti të mbetet gjendja ashtu siç ishte? Absolutisht jo, besoj se nëpër rreshtat e kësaj kritike, kush do t’i lexojë ato ashtu siç janë shkruar, do të gjejë edhe shumë sugjerime se si do të duhet të veprohet jo vetëm që njerëzit të mos e vjedhin energjinë dhe ta paguajnë atë, por edhe që shteti të mos shihet si armik i tij nga qytetari, por me më shumë respekt.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist