Pse kemi vetëm parti “të djathta”
nga Fatos Lubonja
Panorama
Me gjithë përpjekjet që bën Berisha për të na paraqitur si një përjashtim në botë përsa i përket moskrizës, kush ka sy në ballë dhe mendjen të paturbulluar nga ankthi i pushtetit dhe parasë, e konstaton mjaft lehtë gjendjen e vështirë të vendit. A nuk ishte edhe paaftësia e qeverisë për të dëmshpërblyer ish-të përndjekurit politikë konform ligjit një shenjë e krizës?
Në fakt, Shqipëria ka mjaft situata të ngjashme apo të përbashkëta me dy vendet kryesore fqinje në krizë, Italinë dhe Greqinë, prej të cilave mund të themi se kemi imituar edhe shumëçka nga sistemi politiko-ekonomik. Mbi të gjitha, kemi të përbashkët faktin se kriza jonë nuk është thjesht e vetëm krizë ekonomike, por edhe krizë e besimit në klasën politike që e ka qeverisur vendin këta njëzet vjet. Me fjalë të tjera, si për opinionin e gjerë andej edhe këtë këtej, në thelb të krizës qëndron fakti se këto vende janë qeverisur nga një kastë politike ekonomike dhe mediatike që ka abuzuar me pushtetin për t’u pasuruar për vete duke lënë të tjerët në mjerim e së fundi edhe në pasiguri jetese.
Ndërkaq, Shqipëria ka edhe mjaft ndryshime nga këto vende. Njëri prej tyre, që tërheq vëmendjen veçanërisht dhe meriton një analizë të gjerë, është fakti që në Greqi dhe në Itali, si rezultat i këtij zhgënjimi të thellë, kanë lindur parti të fuqishme të majta që udhëheqin në sondazhe: Syriza në Greqi është partia e parë në sondazh dhe po ashtu në Itali lëvizja “Cinque Stelle” (Pesë Yjet) është bërë kërcënimi numër një i të gjithë kastës. Kurse në Shqipëri kanë lindur dy parti të reja, që janë, që të dyja, të djathta.
Si ta shpjegojmë këtë ndryshim?
Fillimisht duhet thënë se kriza, normalisht, duhej të provokonte reagimin/lindjen e forcave të majta, sepse është e majta ajo që përfaqëson interesat e atyre që pësojnë më shumë se kushdo nga kriza: shtresat më të brishta të shoqërisë. Dikush, duke iu referuar historisë, mund të thotë se edhe fashizmi, dhe nazizmi, si lëvizje e djathtë ka lindur si rezultat i krisës. Por kujtoj se përsa i përket sistemit ekonomik, fashizmi dhe nazizmi ishin kundër kapitalizmit që prodhoi krizën. Erza Paund e dashuroi aq shumë fashizmin e Musolinit mu pse ishte kundër usuria-s (fajdexhinjve kapitalistë); ideologjia e Hitlerit ishte nacional – socializmi.
Për të shpjeguar shkakun – ose më saktë një nga shkaqet kryesore, sipas meje, të ndryshimit tonë me Greqinë apo Italinë përsa i përket lindjes së partive të reja në kohë krize – më duket me vend të them dy fjalë për lëvizjen e Pepe Grillos në Itali, sepse, sipas mendimit tim, realiteti italian, edhe pse shumë më i sofistikuar sesa i yni, është mjaft i ngjashëm me sistemin tonë – sigurisht, në mënyrë të tillë që ne mund të quhemi një kopje e thjeshtëzuar, banale e tij.
Në Itali ka njëzet vjet që dominojnë dy parti kryesore. Ka dominuar Berluskoni i alternuar nga Partia Demokratike, baza e së cilës është ish-Partia Komuniste, e cila, edhe kur ka qenë në opozitë, ka qeverisur, megjithatë, shumë provinca e komuna të rëndësishme të vendit. Pas njëzet vjetësh në pushtet këto dy parti kanë arritur minimumin e pikëve në sondazhe dhe, sipas disa zërave të fundit, ato po nxitojnë për në prag të zgjedhjeve të ndryshojnë ligjin elektoral, sepse përndryshe, sikurse tha një nga eksponentët e partisë së Berluskonit, Grillo, mund të shkojë nga 30% te 80%.
Ç’është lëvizja e Grillos që ka arritur në një kohë të shkurtër një sukses kaq galopant? Së pari duhet vënë në dukje se Grillo e ka krijuar lëvizjen e tij në internet. Madje ai akuzon të gjitha mediat se janë “teatrino” e kastës politike. (A nuk ju tingëllon kjo shumë e ngjashme me mediat tona?) – duke i bojkotuar ato. Ai është kundër pushteteve të forta – të bankave dhe pasunarëve, akuzon rrjetin e sistemit politik italian (si qendrën e majtë edhe atë të djathtë) si një rrjet korrupsioni të paparë, kërkon të ndryshojë partitokracinë në favor të një demokracie më pjesëmarrëse, ka qëndrime të forta ekologjiste. Por, pa u zgjatur më tej në programin e tij, mund të them se, pavarësisht nëse janë dakord me të apo jo përsa i përket programit, shumica e italianëve bien dakord se Grillo ka një konsensus kaq të madh për shkak se ai shpreh nevojën e shkatërrimit të sistemit ekzistues në Itali, të kalbur e të korruptuar deri në palcë si dhe të kastës politike që e ka ngritur këtë sistem. Sistemi dhe njerëzit e tij, sipas Grillos, janë dy anë të së njëjtës medalje, prandaj lëvizja “Pesë Yjet” synon kandidimin e njerëzve të rinj që nuk kanë qenë pjesë e sistemit të vjetër. Pra, janë të shumtë ata që thonë sot se qoftë edhe vetëm me shkatërrim, Grillo do t’i bënte një shërbim të madh Italisë sepse, pas tij do të lindte diçka e re. E njëjta gjë thuhet, në thelb, edhe për Syrizën në Greqi. Të rinjtë grekë të Athinës e Selanikut, që mbështesnin Syrizën në zgjedhjet e fundit, mbyllnin në shtëpi prindërit që të mos shkonin të votonin për partitë tradicionale të kastës. Për këtë kastë fliste edhe lajmi i arrestimit të gazetarit grek që denoncoi kontot e saj bankare jashtë vendit.
Analiza se pse në Shqipëri, me gjithë krizën e rëndë, kanë lindur dy parti të djathta dhe asnjë e majtë, meriton një debat që e tejkalon hapësirën e një shkrimi të tillë. Unë, megjithatë, dua të theksoj një aspekt të këtij fenomeni që më duket shumë i rëndësishëm. Them se partitë që po kërkojnë të sfidojnë sot PD-në dhe PS-në janë të djathta sepse liderët e tyre nuk duan të ndryshojnë apo shkatërrojnë sistemin, por thjesht të bëhen pjesë e tij apo të mbeten në të me një emblemë tjetër. Si e argumentoj këtë? Më së pari le të them se çfarë duhet të kuptojmë me fjalën “sistem” në Shqipëri. Thjesht dhe qartë atë që kupton edhe Grillo në Itali: politika në shërbim të ekonomisë së fitimit të kastës; politika e kapur gjithnjë e më shumë nga mafia, gazetaria po në shërbim të këtij grupi/kaste, çka në Shqipëri ka marrë trajta shumë herë më të shëmtuara dhe abuzive, por edhe më falimentare. Po ç’lidhje ka e djathta me këtë sistem? Ka, sepse fasada ideologjike që e ndihmoi ngritjen e këtij sistemi ishte e djathtë në kuptimin e kultit të privatizimit si zgjidhje e çdo problemi nëpërmjet privatizimit apo nëpërmjet idesë së zhvillimit si çimentifikim që nëpërkëmbi çdo lloj kujdesi për ambientin dhe cilësinë e jetës. Nuk dua të them me këtë se ne kemi parti vërtet të djathta, absolutisht jo. Në Shqipëri s’ka të majtë dhe të djathtë, por vetëm pasunarë që kanë kapur parti dhe shtetin, dhe të varfër që s’kanë as parti, as shtet në krah të tyre. Desha të them se këta që kanë parti dhe gazeta, dhe televizione, dhe shtetin, si nga PD-ja, edhe nga PS-ja, LSI-ja etj., e kanë përdorur ideologjinë e djathtë, që ka në bazë të vet lirinë maksimale të sipërmarrjes, interesin e privatit që kështu prodhon më shumë, për të ndërtuar sistemin e grabitjes së shqiptarëve dhe se, nga ana tjetër, nëse duam të godasim vërtet sistemin dhe kastën që e ka ngritur atë, kjo mund të bëhet sot nga një parti e majtë, që duhet të kërkojë të vendosë më shumë kontroll të shoqërisë/publikut mbi këto interesa – pa harruar, sigurisht, se edhe ajo mund ta përdorë të majtën si fasadë. Kurse parti të djathta, aq më tepër njerëzish që deri dje kanë qenë pjesë e kastës, premtojnë shumë pak në këtë aspekt, sepse në të ndjehet “investimi” i atyre që punojnë sipas të njëjtit sistem.
Po të vësh re kritikat që bëhen nga dy partitë e reja sot për gjendjen ku është katandisur vendi, ato përqendrohen tek individi Sali Berisha dhe individi Edi Rama, kryesisht tek autoritarizmi dhe korrupsioni i tyre, por s’gjen, ama, asnjë tentativë serioze për t’u marrë me tërë atë sistem politik, mediatik, ekonomik që këta individë udhëheqin dhe i shërbejnë njëkohësisht dhe veçanërisht me protagonistët e tjerë të kastës, në skenë apo prapaskenë. Kështu, po t’i heqësh disa fraza për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit, programit të Bamir Topit nuk i mbetet veçse denoncimi dhe sharjet për Berishën dhe Ramën si autoritarë. Asnjë depërtim më thellë në rrjetin e interesave abuzive që Berisha e trashëgoi nga socialistët, e jo më ndonjë propozim mbi ndryshimin e këtij sistemi. Kreshnik Spahiu, po ashtu, bën ndonjë denoncim më shumë për disa pasoja, thekson më së shumti tradhtitë e Berishës se i ka dhënë grekut detin, tund flamurin, por asnjë analizë të sistemit politik, ekonomik, mediatik që e ka futur vendin në një ekonomi piramidale dhe aq më
pak ndonjë propozim se si mund të dilet prej tij. Për të përmendur vetëm një shembull: Sot pritet me ankth që “shpëtimi” t’i vijë Shqipërisë nga shitja e Albpetrolit. Edhe ish-të burgosurit politikë aty e kanë shpresën e dëmshpërblimit. Por askush nga këta që përmenda nuk përmend se aksionisti kryesor i shoqërisë që kërkon të na shpëtojë të gjithëve i ka Albpetrolit, që s’e ka blerë akoma, d.m.th. shtetit, rreth 100 milionë dollarë borxh dhe që askush nuk ia kërkon. Apo që u ka borxh disa azerbajxhanasve ndonja 70 milionë të tjerë dhe që – sipas një shkrimi të Baton Haxhiut – për turp të gazetarisë nuk u dha nga asnjë media shqiptare, pasi gazetarët, sipas thashethemeve, “u blenë”. A kanë para, apo kanë borxhe këta njerëz? Nuk e dimë. Kush do t’i paguajë ato. As këtë nuk e dimë. Si i kanë vënë paratë pasunarët tanë që blejnë për të sponsorizuar një fondacion të gruas së Kryeministrit një pikturë 100 000 dollarë? Çfarë taksash paguajnë këta? Po shteti çka bërë dhe çfarë bën? Po ky Bamir Topi që deri dje ka qenë kryetar i shtetit, a mund të jetë jashtë këtij rrjeti? Po ky Spahiu që ka qenë zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Ka shumë pyetje që ngrihen e që po t’u kapësh fillin, të çojnë në rrjetin e sistemit për të cilin flas, që po bëhet mortja jonë, e që këto parti, ndryshe nga ato që përmenda në Greqi apo Itali, nuk e prekin fare.
Lexova në një lajm të fundit se Edi Rama i PS ka deklaruar se do ta çlirojë arsimin nga politika, duke nënkuptuar me këtë çlirimin nga Berishën. Por problemi thelbësor, sipas meje, nuk është ky. Problemi thelbësor është çlirimi i politikës, edhe i Edi Ramës vetë, nga sistemi të cilit i shërben ai dhe politika e tij, dhe që, si gjarpri që kafshon bishtin, edhe e udhëheq njëkohësisht. Përndryshe, çlirimi nga Berisha, të cilit sot po i këndohet aq shumë, dhe jo pa arsye, ashtu si ai nga Berluskoni që ndodhi më në fund në Itali, do të rezultojë një çlirim i rremë.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. 

Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit

Një avion i linjave egjiptiane ka kryer ulje të detyruar në aeroportin e Larnakes në Qipro, në orën 8:46. Ai ka liruar te gjithe pasagjeret, por jo ekuipazhin e avionit