“Çunat e Tironës” Blloku i vjetër dhe Blloku i ri
nga Fatos Lubonja
Panorama
Postimi i Ramës me vlerësimin për Santon si “Çun Tirone”, “nga ata të vërtetët”, hapi një debat jo të vogël, kryesisht në rrjetin social. Lehtësia, për të mos thënë papërgjegjshmëria, me të cilën e lëshoi Kryeministri postimin e tij, veçanërisht duke marrë parasysh se është një politikan, ngacmoi shumë veta. “Po të tjerët që s’kanë lindur në Tironë ç’janë?” – ishte reagimi më i përhapur. “Ç’është kjo ndjenjë superioriteti si tironas, që tregon ky, ndërkohë që e kemi Kryeministër të të gjithëve?”.Ndërkaq, neve na duhet ta marrim me mend se ç’kupton Kryeministri me “çun Tirone” “të vërtetë”, pasi ai nuk e shpjegoi; por edhe gazetaria nuk i kërkoi ndonjë sqarim. E këtu ndoshta duhet vënë në dukje ana negative e rrjeteve social si Twiter-i apo Facebook-u përsa i përket komunikimit të politikanëve me publikun, sepse këta duket se gjithnjë e më shumë mjaftohen me ndonjë postim, që mediat dembele apo servile e marrin dhe e publikojnë pa u ballafaquar me ta e pa na thelluar kësisoj për nga e vërteta. Kurse, me këtë rast, mendoj që postimi i Ramës mund të na shërbente të bënim një radiografi jo vetëm të stereotipave dhe thashethemeve që kanë qarkulluar e vazhdojnë të qarkullojnë në Shqipëri për të kategorizuar njerëzit, por edhe të statuseve sociale të njerëzve dje edhe sot, atyre të trashëguara dhe atyre të fituara pas ’90-s si dhe të faktorëve kryesorë të përcaktimit të tyre.

Blloku i vjetër
Shumë nga të prekurit nga postimi i Ramës i mëshuan menjëherë stereotipit të bijve të Bllokut, të ushqyer aq shumë nga makina propagandistike e Berishës: pra sikur Rama identifikohet me ata të Bllokut dhe sheh me përçmim të tjerët.Për mendimin tim, ideja se Rama me “çun Tirone” ka pasur parasysh, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, “bijtë e Bllokut”, nuk qëndron. Pikë së pari, as Santo, as Rama nuk i kanë përkitur Bllokut, nëse me këtë kuptojmë banorët e asaj zone në qendër të Tiranës ku banonte nomenklatura më e lartë. Dhe, nëse flasim për këta, duhet vënë në dukje se; të paktën siç e kujtoj unë – elita e ashtuquajtur e Bllokut ka pasur një status të veçantë që e diferenconte deri edhe nga nomenklatura dhe elita e privilegjuar që s’bënte pjesë në Bllok, e jo më nga qytetarët e Tiranës, ata të provincës apo dhe fshatarët, pra edhe nga të supozuarit “çuna Tirone”. Kurse ata që e quanin veten “tiranas” apo “tironas” (me sa kujtoj jo “çuna Tirone”) i përkisnin një kategorie tjetër. Gjithë duke qenë i vetëdijshëm se kategorizimi, si semplifikim, mund të të çojë në thjeshtëzime të realitetit dhe gabime, do të thosha se në kategorinë e “tiranasve” në vitet ’60 bënin pjesë më së shumti ata që, duke dashur të dallonin statusin e tyre social, flisnin për lebër që u kishin pushtuar qytetin (dhe në këtë kategori mund të hynin edhe një pjesë e familjeve të Bllokut) dhe për provincialë që s’linin gjë pa bërë për të ardhur në kryeqytet. Gjithashtu këta “tiranas”, më së shumti, nuk identifikoheshin me pushtetarët, por i qesëndisnin ata. Në vitet ’80 një pjesë e bijve të “të padëshiruarve” janë integruar në këtë kategori duke diskriminuar të tjerë.

Gjithë duke folur për statuse sociale në diktaturë le të mos harrojmë, po ashtu, se në atë kohë kishte edhe një diferencim të madh social, bazuar në biografinë e “familjeve” që e kishte përcaktuar “lufta e klasave”. Kishte “familje të mira” dhe “familje të këqija”. Por ama familjet e ashtuquajtura “të këqija”, në më të shpeshtën, kishin qenë të privilegjuarit e dikurshëm, madje quheshin edhe “klasat e përmbysura” apo “të deklasuarit” dhe shumë syresh, ndër ta edhe mjaft tironas të vjetër, thellë-thellë ndiheshin superiorë ndaj klasës që i kishte përmbysur edhe pse këtë nuk mund ta shprehnin hapur.
Dua të them se nuk është kaq e thjeshtë të flasësh për kategori dhe statuse sociale në kohën e diktaturës pa rënë në semplifikime. Le të mos harrojmë edhe se diktatura, me atë prirjen rrafshuese që paranoja e diktatorit e bënte edhe më vrastare, bënte çmos t’i priste herë pas here kokat që tentonin të ngriheshin sadopak, si dhe t’i lëvizte kuadrot nga qyteti në qytet. Mjaft të kujtojmë se edhe pjesa më e madhe e të ashtuquajturave familje të Bllokut përfunduan nëpër burgje dhe internime.

Gjithsesi, statuset e ndryshme sociale në komunizëm ekzistonin; me gjithë propagandën e vazhdueshme për barazinë apo për klasën punëtore si udhëheqësen e revolucionit dhe vëllazërinë e saj me fshatarësinë dhe inteligjencien. Paradoksalisht, në atë kohë, edhe vetë fjala “shok”, që ishte përdorur për të shënjuar barazinë e komunistëve, kishte marrë një kuptim hierarkik: ai që ishte më poshtë i drejtohej duke i vënë fjalën “shoku” përpara emrit të atij që ishte më lart, kurse ky i fliste vetëm me emër atij që kishte më poshtë. Përsa u përket faktorëve që përcaktonin hierarkinë e statuseve sociale, para së gjithash do të veçoja sipas rëndësisë:Së pari Pushteti, d.m.th. kush kishte më shumë pushtet kishte status më të lartë. Dhe sigurisht, Blloku kishte statusin më të lartë dhe rreth tij nomenklatura komuniste.Biografia politike, që, sikurse e thashë, kishte edhe anën tjetër të medaljes.Arsimimi, dija, që përcaktonte edhe llojin e punës, shpesh edhe vendin e qytetin e punës. E këto nuk ishin pa lidhje me pushtetin dhe biografinë politike, pasi, siç dihet, të deklasuarit, në më të shpeshtën e rasteve, nuk kishin të drejta studimi për në universitet dhe bënin punët më të rëndomta. Nga ana tjetër, nuk mohohet se pjesa më e paarsimuar, edhe kur nuk ishte e persekutuar, ishte fshatarësia. Kjo ishte edhe pjesa më e varfër e shoqërisë, me aq sa mund të flitet për varfëri dhe pasuri në atë sistem që tentonte kolektivizimin absolut, ku varfëria e pasuria vareshin nga faktorët e mësipërm, nuk ishin, pra, faktor më vete në përcaktimin e statusit social.

Blloku i ri
Sipas mendimit tim, termi “çun Tirone” nuk i përket kohës së diktaturës dhe Edi Rama nuk e ka përdorur duke pasur parasysh të privilegjuarit e asaj kohe. Me gjithë ambiguitetin që ka termi; që e vë në dukje edhe Rama kur shton “nga ata të vërtetët”; nuk mund të mos ndiesh te postimi i tij identifikimin e vetë Kryeministrit me kategorinë ku ka futur Santon dhe shfrytëzimin politik të këtij përcaktimi. Ai e ka përdorur atë term sigurisht për të shprehur një diferencim, duke përcaktuar, dashur pa dashur, një status më superior se të tjerët. Santoja ishte si puna jonë… jo si e tyrja… qe nënkuptimi i parë. Disa, që futën edhe ish-kryeministrin Nano në këtë kategori, i mirënjohur si mik i Santos, pasi debatuan nëse edhe ky ishte apo jo, sipas Kryeministrit, “çun Tirone i vërtetë” arritën në përfundimin se përkthimi i postimit mund të ishte pak a shumë ky: ne jemi nga ata “çuna” Tirone që e duan jetën, lekun e luksin, që bëjnë edhe marifete për ta fituar atë, por që nuk meritojmë të vritemi, se edhe ne nuk shkojmë deri te vrasja siç shkojnë ca malokë.Pra, termi është një rimarrje e një ideje fort të përhapur pas rënies së komunizmit për të bërë diferencimin midis atyre që rënia e komunizmit i gjeti qytetarë dhe të tjerëve që u dyndën kryesisht për në kryeqytet e që shpesh morën edhe cilësime të tilla si “çeçenë”, “malokë”, “bathoras” e që të parët i veshin përgjegjësinë për të keqen që i ka ndodhur Shqipërisë këta 20 vjet. Nëse do t’i referohemi filozofit frëng Derrida, mund të thoshim se te ky kategorizim ndihet edhe ekzistenca e nevojës së “tjetrit”, “të përjashtuarit”, “çifutit” për të përligjur vetveten dhe sistemin që ti përfaqëson.Lidhur me këtë do të thosha se nuk mohohet se ky urbanizim i menjëhershëm ka krijuar transformime dhe njëherësh probleme pa fund në kryeqytetin shqiptar, por nga kjo deri në veshjen e përgjegjësisë për çfarë ka ndodhur atyre që kanë migruar ka një hendek të madh. Mjaft të kesh parasysh dy gjëra për ta hedhur poshtë këtë pretendim. Migrimi i brendshëm, ashtu sikurse edhe emigrimi, u bë nga njerëz kryesisht në nevojë që s’kishin kurrfarë pushteti. Pushtetin e kishin elitat postkomuniste që ishin kryesisht, në mos ekskluzivisht, qytetare. Le të marrim një nga të këqijat më të mëdha të këtyre njëzet vjetëve: uzurpimin dhe shkatërrimin e territorit ku më i dukshëm është ai i kryer në Tiranë dhe në Durrës. Nëse do të kërkojmë të gjejmë përgjegjësit e këtij shkatërrimi, nuk ka pikë dyshimi se përgjegjësit janë “çunat e Tironës” dhe të Durrësit, jo katundarët dhe malokët. Dhe nuk kam parasysh vetëm faktin se kryeministrat, kryebashkiakët e ndihmësit e tyre që lejuan dyndjet në rrethinat kanë qenë qytetarë, por edhe se “dyndja” më e tmerrshme u bë brenda qyteteve nga vetë banorët e Tiranës dhe të Durrësit që prishën pa u dhimbsur çdo normë urbane. Është e vërtetë se ata që u quajtën “bathorasit” apo “çeçenët” zbritën e zaptuan toka, por, po të vësh re, ata sollën atje ku zbritën pak a shumë kulturën e tyre të fshatit; ndërtuan shtëpi, maksimumi dy-trekatëshe me oborr dhe me pemë, kurse masakra e vërtetë është bërë nga ndërtuesit e pallateve dhe mu në qendër si të Tiranës edhe të Durrësit e mu prej atyre që kishin statusin më të lartë.

E këtu le t’i kthehemi edhe një herë idesë së Bllokut si status social dhe postimit të Ramës. Më së pari duhet thënë se ashtu sikurse udhëheqësit e Bllokut në retorikën e tyre nuk identifikoheshin me Bllokun, por me “popullin”, “klasën punëtore”, ashtu edhe Rama, kur ka përdorur termin “çuna Tirone” nuk ka dashur të përcaktojë Bllokun e ri të Shqipërisë, por një kategori të perceptuar pozitivisht, sipas tij, nga një pjesë e mirë e elektoratit që ai përfaqëson. Po cili është Blloku i sotëm?; mund të shtrohet pyetja. Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta gjejmë duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë diferencimet sociale të sotme dhe nga cilët faktorë përcaktohen ata.
Sipas meje, disa ndër këta janë të përbashkët me faktorët e sistemin të djeshëm dhe disa të ndryshëm.I përbashkët është pushteti, pra kush ka në dorë vendimmarrjen ka status më të lartë social.I përbashkët deri diku është edhe arsimimi. Kush ka më shumë dije, kush ka studiuar jashtë shtetit ka një status social më të lartë.Përsa i përket biografisë mund të thuhet se me gjithë përpjekjet e ish-të deklasuarve për të kthyer shkëlqimin e kohëve të para të familjeve të tyre dhe po ashtu me gjithë përpjekjet e Berishës dhe krahut më intolerant të antikomunistëve për të zëvendësuar të deklasuarit e djeshëm me ish-bllokmenët, biografia nuk ka peshë të madhe sot në përcaktimin e një statusi më të lartë social. Prandaj, kur bëhet fjalë për pushtetin e ri, me gjithë faktin e pamohueshëm se ai është kryesisht në duart e të privilegjuarve të diktaturës, është abuzive dhe manipulative të thuash, siç bëjnë disa, se fijet e tij tërhiqen nga ish-bllokmenët.Po ashtu edhe të qenit katundar apo qytetar nuk e ka peshën që ka pasur përsa i përket statusit social, ndërkohë që edhe vetë të qenit tiranas e kanë siguruar thuajse të gjithë ata që kanë dashur.



Pasuria
Nuk ka pikë dyshimi se në këtë shoqërinë tonë, shumë nga dallimet e dikurshme përsa i përket statusit social janë duke u zbehur për t’ia lënë peshën kryesore në përcaktimin e statusit pasurisë. Ky faktori i ri në përcaktimin e statusit social në shoqëri lidhet me faktin se ajo është modeli ndoshta më radikal i asaj që quhet shoqëri e konsumit. Duke karakterizuar shoqërinë e konsumit, Jean Baudrillard thotë se shumë nga objektet që prodhohen dhe blihen në këtë shoqëri, më shumë se sa shprehje të nevojës funksionale, janë shprehje e nevojës për t’u diferencuar në statusin social. Pra pasuria në formën e vilave, makinave të shtrenjta, shkollave private ku çon fëmijët, vendeve ku kalon pushimet e të tjera si këto, janë përcaktuesit e statusit social. Edhe kur flasim për Bllokun e ri, atë duhet ta kërkojmë në komplekset e vilave të shtrenjta të pasunarëve të rinj që, si në vendet e Amerikës Latine, janë të rrethuara me mure dhe me roje private. Besoj se edhe Santo bënte pjesë në këtë kategori, por jo si “çun Tirone”, por si “bllokmen i ri”.

E përbashkëta e të dy Blloqeve
Ajo që mund të thuhet në tërësi për shoqëritë shqiptare (po e përdor termin në shumës pasi nuk mund të flitet për një shoqëri të vetme) është fakti se, që kur është krijuar shteti shqiptar, ato nuk kanë qenë dhe vazhdojnë të mos jenë demokratike, nuk janë bazuar mbi meritokracinë dhe punën e ndershme dhe sundimin e ligjit, por mbi sundimin e personave dhe klaneve të fuqishme që kapin pushtetin politik. Në këto shoqëri, ndryshe nga ato demokratike, statuset sociale janë shumë më hierarkike dhe njëherësh shumë më të përqendruara rreth pushtetit. Pra, nëse në shoqëritë demokratike statusi i politikanit apo ai i intelektualit dhe statusi i pasanikut, ashtu sikurse edhe statusi i punëtorit apo i fshatarit, mund të bashkëjetojnë sadokudo më ndarazi, secili në vendin e vet dhe dinjitetin e vet, në mënyrë si të thuash sa më horizontale, në shoqëritë autoritare këta janë të vendosur shumë më vertikalisht dhe në mënyrë shumë më të ndërvarur. Sipas meje, kjo çon në fenomenin e Bllokut që mbetet maja e kësaj hierarkie dhe përcaktuesi kryesor, në mos i vetëm, i statuseve sociale. Sipas meje, jo rastësisht, por bash si vazhdimësi e fenomenit që krijoi Bllokun e vjetër, në komplekset e vilave të Bllokut të ri, të shoqërisë së sotme, ku kulturës së saj autoritare e të pushtetit të personave e klaneve i është bashkuar edhe kultura konsumiste, gjen një pleksje paradoksale të njerëzve të pushteteve që në një demokraci duhet të jenë të ndara, siç janë vilat e pushtetarëve politikë, atyre financiarë, të gjyqësorit, atyre mediatikë e shoqërisë civile, madje edhe të atyre të botës së krimit, ku dhe vetë rrethimet me mure më shumë se nevojë mbrojtjeje janë shenja statusi. Dhe jo rastësisht në këto shoqëri njohim edhe përmbysje të forta e të dhunshme të statuseve sociale.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist