EUROISLAMIZMI
Albeu.com
nga Qani ALIUShkatërrimi i shtetit Izraelit, gjykohen me fjalë kërcënuese “terrorist, sionist”, buçet zëri i imamit nga vendi i mbuluar me qelq në një xhami, “shtazë me pamje të njeriut”, e kanë shndërruar rripin e Gazës në “konc-logor”, por kjo është “fillimi i mbarimit të pseudo-shtetit çifut".Me këtë koment e fillon artikullin e saj javorja e njohur gjermane “Shpigel”, për besimtarët mysliman në xhaminë e njohur të mbretit Fahad në Sarajevë. Artikulli në fjalë fund e krye përshkruhet me një dozë të lartë të anti-islamizmit dhe islamofobisë si dukuri e shpeshtë e cila është prezent në disa mjete informative evropiane. Kjo dukuri është prezentë edhe në vetëdijen e një pjese të opinionit të krishtere evropian. Islamofobia si dukuri në Evropë është prezent përherë që nga periudha mesjetare me depërtimin e arabëve në Evropë përmes Gadishullit Iberik dhe me intensitet të ndryshëm si paragjykim transferohet në të gjitha vendet evropiane. Në kushtet bashkëkohore shkas kryesor për këtë frikë është shtimi i popullsisë myslimane në Evropë ku sipas të dhënave statistikore ku nga numri i përgjithshëm i popullatës mbi 5% i takojnë besimit islam, kurse në disa vende siç është Franca numri i kësaj popullsie ka arritur në 10%. Frika është edhe më e madhe kur të kemi parasysh se nataliteti në Evropë prej viti në vit bie dhe lindshmëria ka arritur në shkallën mesatare 2.1% për një grua. Sipas parashikimeve deri më vitin 2075 popullsia në Evropë do të zvogëlohet për 100 milion banorë. Kjo mund të arrihet po që se nuk do të ketë migrim të popullatës nga vendet jashtë Evropës veçanërisht ata islamike. Në botë përveç tre religjioneve më të mëdha monoteiste: judaizmi, krishterizmi dhe islamizmi ekzistojnë edhe religjione të tjera, gjithashtu që përfshijnë një masë të madhe të popullatës, si religjionet me prejardhje kineze-konfuçianizmi dhe taoizmi dhe religjionet me prejardhje induse-induizmi dhe budizmi. Të gjithë këta përveç islamizmit në botën krishtere përjetohen si më të afërt me besimin e tyre, madje edhe me një simpati të theksuar. Islamizmi si religjion i cili ka prejardhje nga lindja e afërt së bashku edhe me dy religjionet e tjera monoteiste. Me krishterizmin ka një fqinjësi mijëvjeçare, mirëpo në perëndim nga disa qarqe përjetohet si kërcënim serioz për ata. Kështu politikologu amerikan Samuel Huntington me mllef të madh thotë: kufijtë e islamit në të gjitha anët janë të përgjakur!
Ky fenomen i armiqësisë së këtyre dy religjioneve është prezent gjatë kohë por në intensitet si duket ka fituar që nga dy luftërat e gjirit Persik, ndërsa kulminacionin e ka arritur me sulmin e 11 shtatorit të 2001 në Nju Jork.
Disa fundamentalist-krishterë të cilët kanë krijuar disponim armiqësor ndaj islamizmit thonë: “islamizmi ka për qëllim sundimin e botës, është fe antikristiane, jotolerante dhe agresive e cila ka mbuluar gati gjysmën e botës”.
Në këtë rast krijohen paragjykime me ndihmën e mjeteve të informimit se myslimanët janë kryesisht fanatik mjekrosh, terrorist të dhunshëm dhe me gra të mbuluara. Fotografitë e tilla stereotipa për myslimanët mund të kenë pasoja të rënda për marrëdhëniet dhe bashkëjetesën në mes dy civilizimeve.
Problemi mes dy religjioneve posaçërisht është i mprehtë në Evropë për shkak të arsyeve të lartpërmendura por edhe për shkak të dy ngjarjeve të rënda dhe të dhimbshme që ndodhën në Madrid në vitin 2004 dhe Londër më 2005.
Këto dy ngjarje dhe disa të tjera, vrasja e regjisorit holandez Teo Van Gog dhe botimi i karikaturave provokuese të profetit Muhamed në gazetë daneze edhe më tepër i thelluan mosmarrëveshjet dhe kontradiktat në mes këtyre religjioneve në Evropë të cilët nga një herë ashpërsohen deri te pika e vlimit. Për këto arsye myslimanët e Evropës u desh që me shpejtësi të reflektojnë dhe sado pak të përmirësojnë imazhin e islamizmit si religjion i paqes dhe mirëbesimit me këtë rast para opinionit Evropian dolën me deklarata që këtu do të përmendim dy deklarata e Top Kapisë e vitit 2006 dhe deklarata e myslimanëve të Evropës me autor Dr.Mustafa ef.Ceriq, Reis-Ul-Ulema i Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në deklaratën e drejtuar UE myslimanët e Evropës plotësisht dhe pa mëdyshje mbështesin sundimin e të drejtës, parimin e tolerancës,respektimin e të drejtave të njeriut dhe ato demokratike, të bindur se çdo njeri ka të drejtë në pesë vlera esenciale, ato janë: vlera e jetës, feja, liria, prona dhe nderi.
Duke proklamuar besnikërinë ndaj vlerave Evropiane myslimanët e Evropës kanë të drejtë të bëjnë kërkesa ndaj Unionit Evropian të cilët janë:
- institucionalizimi i islamizmit në Evropë
- zhvillimi ekonomik i Bashkësisë Islame që të mund të përjetojë lirinë kulturore shpirtërore dhe pavarësinë;
- hapjen e shkollave islamike të cilët do të jenë të afta ti edukojnë myslimanët e lindur në Evropë për ti përballuar provokimeve të shoqërisë multi-kulturore Evropiane;
- liritë politike që do tu mundësojnë myslimanëve të Evropës të kenë përfaqësues legjitim në parlamentet shtetërore në Evropë;
- zbutjen e politikës Evropiane për migracion e cila në kohën e fundit është tepër restriktive ndaj myslimanëve;
- hapja e mundësisë për pranimin e të drejtës së myslimanëve për çështje personale siç është e drejta familjare;
- mbrojtja e myslimanëve nga islamofobia, pastrimi etnik, gjenocidi dhe dukuri tjera.
Në të njëjtën deklaratë paraqiten një sërë obligimesh që myslimanët kanë ndaj Evropës edhe atë:
- myslimanët që jetojnë në Evropë duhet që të kuptojnë se liria nuk jepet falas ajo duhet fituar;
- ata të cilët marrin përgjegjësi e meritojnë lirinë;
- obligimi i myslimanëve Evropian është që islamizmin ta prezantojnë para opinionit si botëkuptim universal e jo si kulturë fisnore etnike apo nacionale;
- myslimanët që jetojnë në Evropë kanë jo vetëm të drejtë por dhe obligim ta zhvillojnë edhe kulturën e tyre Evropiane islame si argument për interaksion mes lindjes dhe perëndimit, si nevojë për një renesancë të re e cila do ta çonte njerëzimin drejt një bote më të mirë dhe më të sigurt.
Përfshirja e islamit në Evropën krishtere nuk është një kërkesë vetëm e liberalëve të krishterë evropian por është kërkesë e shumë mendimtarëve islamik.
Basan Tibi nga universiteti i Gotingenit thotë se: myslimanët evropian duhet ta pajtojnë islamizmin me pluralizmin fetar dhe politik, ndarjen e kishës nga shteti dhe të drejtat individuale njerëzore.
Mendimtari tjetër Tarik Ramadan i cili jeton në Zvicër dhe është nipi i Hasan Al-Banit themelues i organizatës “vëllezërit mysliman në Egjipt”, në veprat e veta “të jesh mysliman Evropian”, “myslimanët e perëndimit dhe ardhmëria islame” thotë se formimi i bashkësive myslimane në perëndim veçanërisht në Evropë, krijon mundësi për zhvillimin njëlloj të veçantë të islamit.
Këtë duhet parafrazuar mendimtari holandez Jan Buruna i cili u drejtohet evropianëve me fjalët: u pëlqen ose jo evropianëve myslimanët janë pjesë e tyre. Shumica e tyre asnjëherë nuk do të heqin dorë nga feja e vet, evropianët do të jenë të detyruar të jetojnë me ata dhe islamin.
Interesante është se te të gjithë mendimtarët, pa marrë parasysh cilës fe i takojnë se tejkalimi i mosmarrëveshjeve në mes dy civilizimeve duhet tejkaluar vetëm me dialog.
Në dialogun evropian në mes krishterëve dhe myslimanëve sipas bindjes sime, rol më aktiv duhet të kenë autoritetet shqiptare të të gjitha konfesioneve sepse shqiptarët në lidhje me tolerancën fetare kanë se çfarë ti ofrojnë Evropës sepse model tipik i kësaj tolerance i sprovuar me shekuj është bashkëjetesa fetare ndër shqiptarët. Kjo duhet afirmuar sa më shumë në Evropë dhe për këtë duhet trimëruar të gjithë krerët e bashkësive fetare shqiptare. Me këtë kulturë dhe traditë me të vërtetë duhet të mburremi dhe të jemi krenarë. (Lajm)
Shtuar më 12/04/2009, ora 22:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori