Çfarë morali për brezat e rinj?
nga Ermal Hasimja
Panorama
Ka diçka më të keqe sesa problemet e sistemit arsimor, dhe kjo nuk vjen dhe aq nga shkolla, sesa nga vetë familja dhe shoqëria në përgjithësi.
Është morali i ngordhalaqit. Një moral që nuk përcakton parime veprimi për individin, por parime justifikimi për dështimin e tij. Dhe si në çdo shoqëri tjetër, ai rrezikon të marrë përmasat e shumicës.
Po marr disa shembuj të këtij morali. Së pari thënia proverbiale: “Vetëm të paaftët çajnë sot”. Po të ulemi e llogarisim njerëzit që njohim rrotull nesh, na rezulton menjëherë se statistikisht thënia nuk është e vërtetë. Por ajo ka statistikisht diçka të saktë: të paaftët vërtet arrijnë të gjejnë punë. Por ku? Në shtet, me shumicë. Sepse shteti nuk funksionon me parimet e meritokracisë. Këtë e dimë: kështu ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë edhe për shumë kohë. Por çfarë emri do t’i vinit një personi që synimin madhor të jetës së tij e ka të zërë një vend “pune në shtet”, në këtë shtet që kemi? Një njeri që arritjet e jetës së tij i mbyll brenda sigurimit të një rroge të paqtë e një karriere lineare? Kjo ishte e kuptueshme në kushtet e mbijetesës në komunizëm. Por sot? A është rroga përkufizimi i plotë i realizimit të vetvetes? Kjo është një nga arsyet përse zakonisht kur dëgjoj njerëz që ankohen se të paaftët u kanë zënë vendet e punës në shtet, më kap ndjesia se ata vetë janë më keq se këta të paaftë. Sepse të paaftit militant të paktën më duhet t’i njoh meritën e paligjshme e të palavdishme të të qenit aq i shkathët sa t’i bëjë vend vetes. E nëse dikush nga këta të paaftë bëhet edhe ministër, pyetja ime qëndron sërish vetëm se me ndryshimin e nivelit: cili person i aftë, me integritet e me respekt për veten do të donte të ishte në vendin e ndonjë ministri që po ta shkarkonin si ministër do të mbetej pa punë, sepse nuk do ta punësonin as për shitës supermarketi (me gjithë respektin maksimal për shitësit)?
Është e qartë se jeta nuk është e lehtë dhe nuk ka për të qenë asnjëherë, sepse është e pamundur që dëshirat njerëzorë të përputhen me mundësitë e planetit për t’i përmbushur. Por, nëse Darvini ka pasur ndonjë gjë të saktë në teorinë e tij, është ajo ideja e thjeshtë se ata që janë të përgatitur më mirë do t’u mbijetojnë më lehtë vështirësive.
Së dyti, një mendësi akoma më e frikshme mendoj se po rrënon sot edukimin e brezave të rinj. Të gjithë njohim prindër që ua marrin vetë notat fëmijëve të vet që në klasë të 6-të, pastaj harrojnë se ua kanë marrë vetë dhe besojnë se fëmijët i kanë gjeni. Dhe kur vjen momenti i përplasjes me ndonjë shkollë a mësues kërkues e rigoroz, natyrisht fajin e ka shkolla apo mësuesi. Sepse procesi i përpunimit të kujtesës ka funksionuar shumë mirë. Fajin e kanë gjithmonë të tjerët. Rezultati: fëmija natyrisht beson prindin hileqar dhe mekanizmin justifikues të vetes. Në plot raste prindi do të vazhdojë ta “ndihmojë” me notat nga 9-vjeçarja e deri në përfundim të universitetit, madje mund t’i gjejë edhe punë, derisa një ditë ky individ bëhet pikërisht ai i paafti që u ka zënë vendin të tjerëve (edhe këta me plot të paaftë mes tyre). Dhe prindi mund të jetë i lumtur se i ka rregulluar jetën. Në një punë shteti natyrisht, sepse në privat funksionon ndryshe. Ja ku u kopsit edhe një jetë tjetër ngordhalaqi të qetë. I gjithë ky proces katalizohet nga shumë mësues “dashamirës” që mendojnë se nuk është ndonjë gjë e madhe se e ëmbëlsojnë pak notën. Pyesni nxënësit se si vihen notat në 9-vjeçare. Pyesni prindërit. Pyesni vetë mësuesit. Jo të gjithë
natyrisht. Ky “ëmbëlsim” i notës është ai që shkakton shpesh dekurajimin dhe dorëzimin e nxënësit sapo përballet me sfida reale. Mësuesit e tillë e kanë ndërgjegjen e pastër se i kanë “dhënë një dorë fëmijës”. Në fakt e kanë marrë në qafë. E kanë mashtruar dhe e kanë hedhur të çarmatosur në një betejë ku ka pak mundësi të arrijë diçka. Mund të pyesësh: por a është e mundur që prindi t’ia bëjë këtë fëmijës së vet? Përgjigja: po të mos ishte e mundur, do të ishim si Zvicra e Suedia. Nuk ka magji, ka vetëm veprime njerëzore. Paradoksalisht ata që i vuajnë më tepër pasojat janë ata që futen në kategorinë “çun i mirë/gocë e mirë”, sepse atyre nota u jepet më kollaj. Rrjedhimisht, edhe dëmi u bëhet më i madh. Jam i sigurt se cilido lexues i këtij shkrimi mund të kujtojë nga vitet e shkollës se intensitetin më të lartë të mësimit e ka pasur nga mësuesit rigorozë. Jo nga ata që përmbysnin klasën me 10 apo venin 10-ta për “sytë e bukur” dhe çiltërsinë e fëmijës.
Së treti, vetë përsëritja, pranimi dhe theksimi masiv i teorisë së të paaftit që bëka kërdinë dhe s’paska lënë shteg të lirë, u mundëson fëmijëve e të rinjve të përgatisin sistematikisht dështimin e tyre në jetë. Pse dreqin u dashka të mësosh, të punosh më shumë se të tjerët, të mendosh më shumë se të tjerët, të durosh edhe talljen e një shoqërie antilibër, nëse, në fund të fundit, siç thotë mami, babi, fqinji dhe daja, përsëri të paaftët do të ta zënë rrugën? Për ta kuptuar rrezikun e kësaj teorie kaq popullore në Shqipëri, mjafton të kujtosh se është një teori pa zgjidhje. Pra, meqë të paaftët paskan në dorë fatin tënd, çfarë të mbetet të bësh? Teoria nuk jep përgjigje, por e nënkupton: bashkoju tufës. Blegërij edhe ti.
E vërteta është se të paaftët janë të suksesshëm vetëm në raport me objektivat e tyre, madje ka shumë mundësi as në lidhje me to. Sepse në sektorin privat nuk ka aq shumë altruistë sa t’ia lënë në dorë fatin e ndërmarrjes së tyre një të paafti. Sepse edhe në punë shteti ata që janë të aftë arrijnë të bëjnë diçka të vlefshme për veten e tyre: CV-në e tyre, respektin për veten dhe respektin e të tjerëve për të. Dhe e dini çfarë: unë njoh njerëz (pak, por njoh) që i kanë mbijetuar ndërrimit të qeverive… sepse janë të aftë dhe sepse jo të gjithë “shefat” janë aq idiotë sa të mos kenë nevojë për të aftë.
Por mësuesit “dashamirës” dhe ëmbëlsues të notave, prindërit që e dinë më mirë se mësuesi notën e fëmijës së tyre dhe ia dalin ta vënë në regjistër, studentët e kafeve që ankohen se kanë mbetur pa punë prej të paaftëve, të gjithë këta janë vetëm një simptomë tjetër e një shoqërie që bën sikur përgatit brezat e rinj, që bën sikur respekton ligjin, që bën sikur paguan taksat, që bën sikur punon, që bën sikur voton…., shkurt i një shoqërie që bën sikur dhe në fund ua vë fajin politikanëve të korruptuar, që gjithsesi, i voton sërish. E një shoqërie së cilës i ka ngordhur që në maternitet nervi kritik ndaj vetes: jo ndaj të tjerëve, ndaj VETES.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist
 
Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com

Tifozët Kuqezi në ndeshjen Shqipëri-Spanjë. Foto: Nderim Kaçeli/Albeu.com