Elita politike ne Shqiperi, Kultura politike e shqiptareve
Pëlqej
Albeu.com
nga Edvin Lamce*Jemi afër zgjedhjeve elektorale dhe përsëri përballemi me mendimin se kush do të na përfaqësojë në qeverisjen e ardhshme të Shqipërisë! Është bërë e qartë tashmë që janë po ata... janë ata, "të vjetrit", ata që "karrigen" se lënë kurrë, pseudopolitikanë.Nuk sheh as më të voglin ndryshim edhe në përzgjedhjen e kandidatëve nga subjektet politike, është e qartë se klasa politike në Shqiperi është tërësisht e konsumuar dhe s’ka ç’jep më për të gjithë shqiptarët. Në një sistem politik dhe sidomos në sistemet politike perëndimore ndryshimi, rotacioni dhe sidomos futja e elementëve të rinj në politikë janë "modele" bazë në ecurinë e sistemit. Në kulturën politike perëndimore, kurrsesi s'mund të kenë të ardhme politike personazhe të akuzuara ashpër për korrupsion, ashtu siç ndodh në Shqipëri. Nuk ndodh kurrë në Perëndim që të kontenstohen zgjedhjet nga opozita, nëse kjo e fundit s'fiton në zgjedhjet e radhës. Është shumë kuptim plotë se si M. Hoëard, lideri konservator në Britani, përshëndeti laburistët dhe T. Blerin për fitoren e radhës. Natyrisht që gjatë fushatës elektorale T. Bler u akuzua si mashtrues dhe u godit ashpër integriteti i tij personal nga opozita dhe nga lideri konservator M. Howard, por ishte ky i fundit që i uroi sukses Toni Blerit në qeverisje dhe që pranoi humbjen. Jo vetëm kaq, por për shkak të humbjes, lideri konservator deklaroi që shumë shpejt do të tërihiqet nga drejtimi i partisë. Shumë ndryshe ndodh në Shqipëri kur s'ka alternativa dhe ku drejtuesit e partisë rizgjidhen dhe rizgjidhen... dhe kur s'ka një kandidat të dytë që t’i rivalizojë! Shqiptarët kanë vërtet probleme me elitën drejtuse në vend… Mangësitë nuk janë vetëm tek "elita politike", por edhe vetë shqiptarët kanë mangësi në "kulturën politike". Duhet thënë me "plot gojë", shqiptarët shkojnë në zgjedhje elektorale pa kulturë politike! Kultura politike përcaktohet si një ndër elementët më kryesorë në një sistem politik dhe në ecurinë e tij. Ndër elementët kryesorë në kulturën politike bëjnë pjesë mënyra se si konceptohet qeverisja nga të qeverisurit, ç'rol luajnë të qeverisurit në qeverisje dhe sa të vetëdishëm janë ata për ata që i qeverisin, si reagojnë të qeverisurit ndaj politikave dhe sa të vetëdishëm janë ata për përzgjedhjen e tyrë nëpërmjet votës.... Në Shqipëri nuk ka një "kulturë politike". Shqiptarët shkojnë në zgjedhje pa kulturë politike. Shqiptarët kanë mangësi në këtë drejtim. Ata kurrë nuk bëjnë zgjedhjen e duhur në përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në qeverisje. Ka ndodhur shpesh që votuesit shqiptarë s'heqin dorë nga një subjekt politik. E kaluara komuniste dhe "besimi ndaj partisë", ka bërë që në Shqipëri të krijohen "mite". Partia Socialiste dhe ajo Demokratike janë bërë "mit" për shumë shqiptarë. Edhe pse kanë dështuar në platformat e tyre, përsëri këto parti gëzojnë popullaritet. Edhe pse është e qartë se një pjesë e klasës politike socialiste është tërësisht pjesë e korrupsionit dhe krimit ekonomik, përsëri shqiptarët votojnë për këtë subjekt. Edhe pse është bërë e qartë se Partia Demokratike në Shqiperi s'ka një platformë dhe elementë të rinj në drejtim, përsëri shumë shqiptarë kanë idhull dr. Berishën.
Partia e Toni Blerit fitoi, por me shumë humbje në zgjedhjet e radhës. Lufta në Irak ka ndikuar shumë në këtë drejtim dhe shumë britanikë votuan kundër alternativës laburiste dhe Toni Blerit. Perëndimorët janë shumë të ndjeshëm ndaj procesit të qeverisjes. Nuk imagjinohet në Perëndim që një figurë politike të ketë të ardhme, nëse është e përfolur për korrupsion apo qoftë edhe mungesë të etikës! Kultura politike në Shqipëri është vërtet në një fazë kritike. Ndryshimi, rotacioni, alternativat e reja në qeverisje janë elementë kryesorë në një sistem politik dhe në të gjithë ecurinë e një vendi. Në Shqipëri nuk ka akoma një "elitë të pjekur", vetë shqiptarët s'kanë kulturë politike...

*Institute for Ballcans Study, London
email i autorit: [email protected]
Shtuar më 18/05/2005, ora 19:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori