Egjipti, ne prag te ndryshimit
Albeu.com
nga Besim KamberiKa një kohë që skena politike në Egjipt është kapluar nga një valë demonstratash masive popullore. Edhe pse këto protesta, para se gjithash në shikim të parë dukeshin se janë të drejtuara kundër sjelljes arrogante të ...
... forcave policore të vendit, por në fakt si qëllim kanë goditjen e regjimit aktual dhe kërkesat për reforma rrënjësore politike. Në këto rrethana, aktivizimi në politikë i Muhamed Beradeit dhe dalja në ndihmë të partive opozitare, si dhe përkrahja verbale e europianëve ndaj nismës së tij, tregon që në një të ardhme relativisht të afërt do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve në skenën politike në Egjipt.

Skena politike në Egjipt, kohëve të fundit është duke u përballur me pakënaqësi dhe trazira masive nga ana e popullatës së këtij vendi. Protestat janë si rezultat i një liste të gjatë pakënaqësish si: kundërshtimi ndaj vazhdimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe i manaxhimit të vendit me ligje që kanë të bëjnë me këtë gjendje 30 vjeçare, shkeljen e të drejtave civile si dhe arrestimet e shumta të qytetarëve, e posaçërisht aktivistët e lëvizjes Vëllazërit Muslimanë (Ihvanul Muslimin) dhe partive opozitare, protestë ndaj manipulimeve permanente të zgjedhjeve në dobi të partisë në pushtet, kundërshtimet ndaj përpjekjeve të regjimit për zëvendësimin e Husni Mubarekut nga djali i tij, Xhemal Mubarak në postin e presidentit, irritimet ndaj korrupsionit në të gjitha organet dhe institucionet shtetërore, pakënaqësia përballë jetës së shtrenjtë dhe pagave të ulëta, ndaj bashkëpunimit të qeverisë së Egjiptit me Izraelin në lidhje me bllokadën e Rripit të Gazës, dënimi i mbylljes së kalimit kufitar Rafah si dhe një numër i madh pakënaqësish tjera. Gjatë protestave nëpër rrugët e qyteteve të Egjiptit aq shumë është përsëritur slogani “Mjaft më” sa që ky slogan tashmë është shndërruar në një lëvizje politiko-sociale e quajtur “Keffaije”, të cilës iu kanë bashkuar një numër i madh i intelektualëve dhe aktivistëve të këtij vendi. Megjithatë, vdekja e të riut Khaled Said nga plagët e torturimeve të policisë egjiptiane në qytetin Aleksandria, rezultoi me reagime të ashpra në mesin e popullatës së këtij vendi, ndërsa në rrethanat aktuale nuk pritet vendosja e një qetësie në Egjipt.

Rasti ka të bëjë me ngjarjen e 16 qershorit të këtij viti, ku forcat policore në një internet kafe, në qytetin Aleksandria arrestuan një të djalë të ri dhe në mënyrën më brutale të mundshme filluan ta rrihnin dhe maltretonin përpara syve të qytetarëve dhe më pas u larguan në drejtim të panjohur. Pas dy orëve, forcat e rendit erdhën dhe djaloshin e hodhën përpara internet kafesë në gjendje gjysmë të vdekur. Sipas burimeve policore, bëhej fjalë për një djalë 28 vjeçar me emrin Khaled Said i cili ishte i dyshuar për përdorim të lëndëve narkotike. Mirëpo, familjarët e të riut, pretendonin të kundërtën se Khaled Said ka poseduar informacione sekrete lidhur me korrupsionin financiar të forcave policore dhe ka dashur të njëjtat t'i publikojë në një web faqe të internetit. Por, policia e Aleksandrisë ka mohuar akuzat e familjarëve duke pretenduar se Khaled Said është marrë me shitblerjen e lëndëve narkotike dhe, pasi që është përballur me policinë, duke dashur t'i ikë arrestimit ka gëlltitur lëndën narkotike dhe si rezultat i kësaj është mbytur. Lajmi për vdekjen e Khaled Said, së pari u publikua në faqet e internetit dhe pastaj nëpër gazeta, ku dhe në qytetin Aleksandria u organizuan demonstrata në shenjë proteste kundër policisë së këtij rajoni. Për një kohë shumë të shkurtër, protestat u zgjeruan edhe në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit, ku morën pjesë parti dhe grupe të shumta politike në vend.

Reagimi më i rëndësishëm në lidhje këtë ngjarje, erdhi nga Dr. Muhamed el-Beradei, ish drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, i cili qëndronte në fronin e parë të protestuesve. Në një ditë të premte, Dr. Muhamed el-Beradei ndërsa shoqërohej nga Imen Nur, kryetar i Partisë “Ghad” (Nesër) si dhe një numër i madh i partive opozitare shkuan në qytetin Aleksandria dhe pas takimit me nënën dhe anëtarët e tjerë të familjes së të vrarit, morën pjesë në faljen e namazit të Premtes. Edhe pse forcat policore kishin bllokuar të gjitha hyrjet e rrugëve që çonin drejt xhamisë, por përsëri, me mijëra protestues kishin ardhur për të shprehur revoltën e tyre kundër politikave të qeverisë së Husni Mubarakut, si dhe për të kërkuar ndërprerjen e sjelljes së dhunshme të policisë dhe dënimin e përgjegjësve të krimit të Khaled Saidit.

Si rrjedhim i protestave dhe presionit nga ana e opinionit publik, autoritetet gjyqësore të Egjiptit, për herë të dytë, kërkuan zhvarrosjen dhe inspektim mjekësor nga ana e një grupi të mjekëve ligjorë si dhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Grupi i mjekëve ligjorë edhe kësaj radhe konstatoi se vdekja e Khaled Saidit ka qenë si rezultat i gëlltitjes së lëndës narkotike të marihuanës, mirëpo fotografitë e dëmtuara të nofullës dhe kafkës të cilat ishin të shpërndara kudo, pengonin që opinioni publik të besojë raportin e mjekut ligjorë dhe, për këtë arsye, familjarët dhe partitë opozitare kërkonin inspektim mjekësor të trupit dhe përcaktimin e shkaqeve të vdekjes nga ana e mjekëve ndërkombëtarë.


Konfuzioni i regjimit të Egjiptit

Vazhdimi i protestave duket se ka krijuar një konfuzion të thellë në regjimin e Husni Mubarakut. Reagimet e para të policisë dhe autoriteteve gjyqësore ishin tepër të guximshme, por me përhapjen e protestave, autoritetet përgjegjëse nuk arritën të kontrollonin situatën dhe filluan të tërhiqen. Kështu që më në fund autoritetet gjyqësore bënë të ditur se prokuroria e Aleksandrisë ka ngritur akt padi penale kundër dy policëve me akuzë për ndalim të paligjshëm dhe torturim. Qeveria shpresonte se me këtë gjest të autoriteteve përkatëse të ulë tensionet dhe protestat e qytetarëve të revoltuar, por nuk ndodhi një gjë e tillë. Përkundrazi në vazhdim të agresioneve të policisë egjiptiane ndodhi një ngjarje tjetër në qytetin Mensureh ku gjithashtu dy policë një shofer taksie e hodhën nga kati i tretë. Mëkati i vetëm i këtij shoferi taksie ishte kërkimi i qirasë nga dy policët egjiptianë të cilët jo vetëm që nuk i paguan qiranë por të acaruar nga kërkesa legjitime e tij, e rrahën brutalisht dhe më pas e hodhën nga kati i tretë.

Të gjitha këto ngjarje tregojnë se policia dhe autoritetet gjyqësore në Egjipt në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe popullit, janë shndërruar në kërcënim për vetë popullin. Një numër i konsiderueshëm i analistëve politikë janë të mendimit që Egjipti është në prag të ndryshimeve, megjithatë, akoma janë të paqarta metodat dhe përmasat e ndryshimeve. Dr. Hasan Nafe, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kajros është i mendimit se regjimi aktual është duke vepruar njëlloj si gjatë ditëve të fundit të qeverisjes së Enver Sadatit, ku skena e brendshme politike ishte kapluar nga një atmosferë anarkie dhe përplot nervozizëm. Ajo që është e sigurtë dhe shpresëdhënëse, është se partitë opozitare kanë gjetur një kornizë afrimi dhe bashkëpunimi, madje edhe lëvizja Vëllezërit Musliman ka marrë pjesë gjatë protestave të organizuara nga opozita.

Regjimi aktual i Husni Mubarakut deri më tani, në një farë mënyre, ka gëzuar mbështetje nga perëndimi në përgjithësi, dhe tani kohëve të fundit, ndryshimi i sjelljes dhe politikave të vendeve perëndimore ndaj Husni Mubarekit, ka një rëndësi të veçantë për ndryshimet eventuale në vend. Vrasja e Khaled Saidit detyroi ambasadorët e shteteve të Bashkimin Europian që të lëshojnë një deklaratë të përbashkët, në të cilën shprehën shqetësimet e thella të Unionit ndaj ngjarjes në fjalë dhe kërkuan dënimin me çdo kusht të autorëve të krimit, kurse një veprim i tillë ishte i pashembullt në traditën diplomatike në Egjipt. Ky veprim i evropianëve ka nxitur reagime të ashpra dhe ka detyruar Ministrin për Punë të Jashtme të Egjiptit të thirr për konsultime të gjithë ambasadorët europianë dhe në mënyrë kategorike të dënojë “ndërhyrjen e tyre në çështjet e brendshme të vendit”.

Të gjitha këto zhvillime, së bashku me takimet e shpeshtuara të Dr. Muhamed Beradeit me ambasadorët e SHBA dhe Europës, jep mundësin se vendet perëndimore, SHBA bashkë me BE, kanë ardhur në përfundim së vazhdimi i situatës aktuale nuk është në interes të vendit dhe rajonit në përgjithësi dhe se skena politike e Egjiptit ka nevojë për ndryshime rrënjësore në drejtim të demokratizimit, si kusht parimor për zhvillimin dhe përparimin e vendit
Shtuar më 26/07/2010, ora 15:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori