Veriorët
nga Edmond Tupja
Panorama
Gjatë përkthimit të një libri, tek kërkoja një fjalë në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Akademisë së Shkencave, të botuar në Tiranë në vitin 2006, rashë krejt rastësisht, besomëni, te fjala që, në numrin shumës, e kam vënë si titull të këtij shkrimi. Ja njëri prej përkufizimeve të saj: “banor i viseve të veriut”. Për kureshtje thjesht gjuhësore, u hodha te fjala “jugor” dhe, për habinë time të padjallëzuar, nuk e gjeta përkufizimin analog “banor i viseve të jugut”. Për një çast, rashë në mendime ngaqë nuk po mundja t’i jepja një shpjegim kësaj mangësie.

Kalova, gati instinktivisht, te “Fjalori i shqipes së sotme shqipe”, botim i së njëjtës Akademi të Shkencave, veçse i vitit 1980, ku vura re se as te fjala “verior”, as tek ajo “jugor” nuk shkruhej për banorë visesh veriore apo jugore. U krodha sërish në mendime dhe, befas, m’u kujtuan disa fakte, oh, gati-gati të parëndësishme, të historisë së Shqipërisë gjatë këtyre njëzet viteve të fundit. Le të më lejojë, pra, lexuesi kureshtar dhe i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, ta vë në dijeni të fakteve në fjalë. Më kujtohet se si, veçanërisht fill pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997, nisi kudo, në kanale televizive, radio e media të shkruara, por edhe në biseda mes njerëzish, të flitej për “veriorë”, për “qytete veriore”, për “thekse veriore të foluri”, për “ecje veriori” për “fytyrë veriori”, ndërsa, çuditërisht, nuk përmendeshin aspak jugorët, të cilët, edhe ata, kanë tiparet e tyre karakteristike, as lindorët apo perëndimorët. Më kujtohen epitetet denigruese, si “malok”, “shpellar” e “çeçen”, që iu vunë nga shumë njerëz malësorëve të zbritur nga veriu e verilindja në Tiranë e në qytete të tjera të Shqipërisë, ndërsa për banorët e zonave malore të jugut, juglindjes e jugperëndimit, nuk u vu re një dukuri e tillë fyese kur ata zbritën nëpër qytete, madje edhe në kryeqytet, ashtu siç nuk ishte vënë re, fill pas Çlirimit, kur “banorë visesh jugore” u nxitën për t’u vendosur me banim të përhershëm e me vend pune të siguruar në Tiranë e të tjera qendra qytetëse të vendit. Kjo përbuzje me ngjyresë diskriminuese, për të mos thënë raciste, me siguri ka çuar ujë në mullirin e disa pseudo-intelektualëve që ende, herë pas here, i hedhin benzinë zjarrit të dasisë veri/jug dhe gegë/ toskë.

Por ç’faj kanë “veriorët”që diktatura i la gati të izoluar në trevat e tyre malore e tyre sepse, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, shumë prej atyre nuk qenë komunistë, por nacionalistë e zogistë, pra kishin qëndrime e mendime të ndryshme ndonëse iu kundërvunë pushtuesve? Por ç’faj kanë veriorët në përgjithësi që me shembjen e diktaturës hoxhiste u dehën me liri dhe, në shumë raste, e keqpërdorën atë nga padia? Le të lexohet e të rilexohet romani me titull “Te porta e shën Pjetrit”, ku, njëherazi me mprehtësi psikologjike e me dhembshuri të sinqertë edhe për “veriorët”, si për të gjithë shqiptarët, shkrimtari Fatos Kongoli përshkruan gjithashtu dramën e një malësori të ri nga veriu të zbritur në kryeqytet pas rënies së regjimit komunist. Por le të kthehemi te “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), pikërisht te fjala “verior” dhe te përkufizimi i saj “banor i viseve të veriut”, ndërkohë që, siç e shkrova më lart, fjala “jugor” nuk përkufizohet si “banor i viseve të jugut”. Në këtë rast, një arsyetim fare i thjeshtë, por i ndershëm, të çon në përfundimin logjik se në Shqipërinë e sotme paska banorë “visesh veriore” dhe përballë tyre u gjendkan gjithë të tjerët, meqë, në fjalorin e lartpërmendur nuk flitet fare për banorë “visesh jugore, lindore apo perëndimore”.

Më e keqja është se kjo mangësi mund të lërë të nënkuptohet se këta “gjithë të tjerë” na qenkan më të qytetëruar se “veriorët”, më të denjë për t’u larguar nga zonat malore e për të ardhur e për t’u vendosur në qytete. Në fund, e tërë kjo përsiatje më solli në mendje një thënie të Bismarkut, sipas të cilit “i vetmi faktor i përhershëm i historisë është gjeografia”. Po, kështu më duket edhe mua, sepse, në rruzullin tokësor, malet, luginat, fushat, shkretëtirat, detet e lumenjtë ndryshojnë shumë ngadalë, kurse historia e njerëzimit që nga krijimi i qytetërimeve të para deri më sot, ka ndryshuar e po ndryshon shumë shpejt. Rrjedhimisht, besoj se në Shqipëri do të ketë ende për shekujt të tërë male e fusha, fshatra e qytete kudo, në veri e në jug, në lindje e në perëndim.

Do të ketë, pra, banorë visesh edhe veriore, edhe jugore, edhe lindore, edhe perëndimore. Të gjithë të barabartë para ligjit, me të drejta e me detyra. Të gjithë të ndryshëm si prejardhje krahinore, por të lirë e të respektuar njësoj. Sepse, dialektika më elementare na mëson që pa veri nuk ka jug dhe anasjelltas, se pa lindje nuk ka perëndim dhe anasjelltas, dhe se pa veri, pa jug, pa lindje e pa perëndim, bashkë me banorët e tyre, nuk ka dhe nuk mund të ketë Shqipëri.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist