Menteshat
nga Edmond Tupja
Panorama
U bënë gati dhjetë ditë që përpiqem të kuptoj mekanizmin e asaj ngjarjeje të pazakontë, të paimagjinueshme, të pakonceptueshme, të papranueshme për mua, që ndodhi në Kuvendin tonë të nderuar kur zoti Kryetar i këtij Institucioni të mbiinstitucionshëm, duke lënë papritmas mënjanë qetësinë e tij olimpiane, doli nga menteshat. “Doli nga menteshat? – do të çuditet lexuesi i vëmendshëm i rubrikës sime të përjavshme – çfarë do të thotë kjo?”.

Sigurisht që shprehja “të dalësh nga menteshat” nuk është shqipe, ajo është thjesht një përkthim fjalë për fjalë i shprehjes frënge “sortir de ses gonds”, që, sipas fjalorit Kokona, ka kuptimin “të xhindosesh”, por ideja e menteshave që mbajnë derën apo dritaren, ideja se pa këto mentesha dera apo dritarja shembet përtokë, ideja se me këto mentesha njeriun e pajis edukata dhe se këtë edukatë çdonjëri prej nesh e merr deri në moshën e pubertetit, kjo ide, pra, më duket themelore.

Nuk e kisha parë ndonjëherë zotin Ilir Meta, këto vitet e fundit, të reagonte aq emocionalisht e të fyente një zonjë ashtu siç veproi ai me zonjën Jozefina Topalli. Me gjithë empatinë time, nuk arrij që nuk arrij ta kuptoj se si ai mbërriti deri në atë pikë saqë ta cilësonte këtë zonjë si “të pacipë” dhe tërthorazi si “moldave”, fjalë fort fyese e poshtëruese jo vetëm për një deputete, një ish-Kryetare të Kuvendit, një ish-aleate të vetë zotit Meta dhe të partisë që ai drejton ose më saktë udhëheq, por edhe për një bashkëshorte, një nënë, një grua, një femër si ajo, me një fjalë, një Zonjë me Z të madhe.

Ndoshta, madje me siguri, ka njerëz që, ashtu si zoti Kryetar i Kuvendit, mendojnë se një burrë, pra, një mashkull, mund të fyejë pa ndonjë vrasje ndërgjegjeje, një zonjë, një nënë, një grua, një femër. Fatkeqësisht, për shkak apo për faj të edukatës që më kanë dhënë prindërit e gjyshërit, mësuesit e pedagogët e mi në Shqipëri e në Francë, librat që kam lexuar dhe filmat e pjesët teatrore që kam parë, unë jam krejt i pafuqishëm të fyej një femër, një grua, një nënë, pra një zonjë, edhe sikur ajo të ma sjellë në majë të hundës e të më xhindosë duke më fyer haptas.

Kështu jam gatuar unë dhe si unë, me siguri edhe më mirë se unë, qindra e mijëra shqiptarë që u habitën, u shtangën, u skandalizuan nga spektakli fort i papëlqyeshëm, arrogant e i pashoq që, duke dalë nga menteshat, zoti Kryetar i Kuvendit na ofroi para afro dhjetë ditësh në përplasjen e tij me zonjën Topalli.

Mjerisht, kjo ngjarje më solli ndër mend një tjetër dalje të tij nga menteshat, dalje që e kisha harruar, kur, para shumë vitesh, duke qenë në opozitë, ai u ngrit nga vendi dhe iu turr Kryetares së atëhershme të Kuvendit, pikërisht zonjës Topalli, me tërë vrullin dhe peshën e tij masive (asokohe ende nuk kishte nisur ndonjë kurë dobësimi) a thua se donte ta… vërtet çfarë donte t’i bënte? Gjithsesi, kësaj here turrja e tij nuk ishte fizike, por psikologjike, pra, më keq akoma, sepse u shoqërua me fjalë të padenja për një zonjë, një nënë, një grua, një femër…

Le të analizojmë tani dy fjalët tejet fyese që lëshoi aspak “me qetësi e dashuri” nga goja e nga thellësia e shpirtit zoti Meta në drejtim të zonjës Topalli, konkretisht epitetet “e pacipë” dhe “moldave”. Epiteti i parë, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) përdoret për të cilësuar dikë “që nuk ka fare turp”, pra, që është pa pikë cipe, cipëngrënë, cipëplasur. Mirëpo, populli ynë fjalën “cipë” e përdor edhe në togfjalëshin “cipa e virgjërisë” që normalisht çahet tek femra në kontaktin e saj të parë seksual; shtoi këtij fakti edhe epitetin e dytë, pra, fjalën “moldave” dhe ja tek dalim te prostituta ose, më shqip, te kurva.

Si do të ishte ndier zoti Meta sikur dikush t’i kishte përdorur këto epitete për bashkëshorten e tij të nderuar, i cila është jo vetëm figurë politike, por edhe nënë, grua e femër po aq sa edhe zonja Topalli? Si do të ndihet ai, si ish-kryeministër, si ishministër i jashtëm, si Kryetar i Kuvendit po të takohet me homologët e vet moldavë të cilët, në dijeni të incidentit të tij me zonjën Topalli, t’i lënë të nënkuptojë që jo të gjitha moldavet janë prostituta?

Po sikur, meqë ekzistojnë prostituta shqiptare edhe përtej kufijve tanë, një burrë shteti i huaj, ish-kryeministër, ish-ministër i jashtëm apo kryeparlamentar, gjatë një debati me një ish-kryeparlamentare të vendit të vet, të dilte nga menteshat e të përdorte në adresë të saj fjalën “shqiptare” pikërisht në kuptimin “prostitutë”, si do të ndihej zoti Meta? Andej nga prilli i vitit 2013, para se ta prishte aleancë me zotin Berisha, zoti Meta, në emisionin “Zonë e lirë” të Arian Çanit, i premtoi publikisht shkrimtares Flutura Açka se do ta lexonte librin e saj “Kukullat nuk kanë atdhe”.

Tani jam i bindur që ai nuk e mbajti premtimin e tij, sepse, po ta kishte lexuar atë libër aq tronditës lidhur me keqqeverisjen e vendit tonë, me korrupsionin e frikshëm dhe me pasigurinë e atyre që guxojnë e thonë apo shkruajnë të vërteta të hidhura, tepër të hidhura edhe mbi fatin e nënave, e grave, e femrave shqiptare, e këtyre zonjave me Z të madhe që dhunohen e vuajnë në heshtje, po ta kishte lexuar, pra, nuk do ta fyente në atë mënyrë zonjën Topalli.

Së fundi, nëse Zoti Meta, do që të tregojë se i ka mbetur ende një fije elegance morale, do të bënte mirë t’i kërkonte ndjesë zonjës Topalli për daljen e tij të dytë nga menteshat. Apo ndoshta do të ketë edhe një dalje të tretë, sepse, siç thotë populli ynë, e treta e vërteta?

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist