Fjala e gomarit
nga Edmond Tupja
Panorama
Sa shpesh është folur, flitet e do të flitet për gomarin jo vetëm në Shqipëri e në gjuhën shqipe, por edhe në vende e në gjuhë të tjera! Kjo kafshë, e trajtuar herë si simbol i budallallëkut dhe herë si simbol i durimit e i mençurisë, bën tashmë pjesë në fondin e artë të fabulave në nivel ndërkombëtar, por në disa vende si i yni njihet gjithashtu si bashkudhëtare e Nastradinit, personazh ky në dukje pak si leshko, por, në thelb filozof sipas mënyrës së vet.

Sidoqoftë, tregojnë se, një ditë, Nastradinit vjen e i troket në derë një fshatar që kishte dëshmuar dikur për të në një proces gjyqësor dhe i kërkon hua gomarin për të çuar ca drithë në mulli. Nastradini i përgjigjet se sapo ia ka dhënë dikujt tjetër. Në këto fjalë e sipër, gomari i Nastradinit nis e pëllet me të madhe që prapa derës së ahurit. “Hej, hoxhë efendi, – hidhet e thotë fshatari, – unë nuk i kam veshët aq të gjatë sa të gomarit, por për të dëgjuar ia dëgjova pëllitjen. Qenke edhe gënjeshtar, pale!”. Nastradini, flakë i kuq nga zemërimi, ia kthen në çast: “M’u hiq sysh, trutharë! Meqë i besuake më shumë fjalës së gomarit sesa fjalës sime, s’ke më punë me mua!”.

Në dritën e kësaj përralle domethënëse, me siguri që lexuesi im i zgjuar e kureshtar, por që përjeton aktualitetin shqiptar, mund të vrasë mendjen për të gjetur se ku dua të dal me historinë e mësipërme. E siguroj atë që qëllim im është krejt i dukshëm: dua të dal te politika dhe premtimet e qeveritarëve tanë, madje edhe të kryeqeveritarit, që nga koha kur kanë ardhur apo, më saktë, kanë hipur në pushtet ashtu si Nastradini ia hip gomarit apo siç ia hip unë çdo mëngjes biçikletës sime (Me një përjashtim gjithsesi: Edhe Nastradini, edhe unë, kur mbarojmë punë – ai me gomarin, unë me biçikletën –, zbresim prej atyre, kurse zotërinjtë në fjalë nuk zbresin nga pushteti).

Por le të flasim më seriozisht: në këto kohë krize të përbotshme, pra, për arsye objektive, por me siguri edhe për arsye subjektive, mosmbajtja e disa prej premtimeve të bëra në periudha zgjedhore nga ata që na udhëheqin drejt së ardhmes sonë mavi është e kuptueshme, si për shembull “hapja e treqind mijë vendeve të punës”, “mjekësia falas” e ndonjë tjetër; në këtë kuptim, shqiptarët e thjeshtë si puna ime, anipse nuk i kanë veshët aq të gjatë dhe mendjen aq të mprehtë sa ata që na (krye)qeverisin, e kuptojnë fare mirë se premtimet në fjalë nuk mund të mbahen plotësisht, por kjo s’do të thotë që qeveritarët tanë bashkë me kryeqeveritarin të zemërohen me ata ashtu siç u zemërua me fshatarin Nastradini i përrallës sonë, aq më tepër që shumica e shqiptarëve të thjeshtë votuan për ata në qershor të vitit të kaluar, ashtu siç kishte dëshmuar për Nastradinin në një proces gjyqësor fshatari i së njëjtës përrallë. Sigurisht, fshatari në fjalë e zuri ngushtë Nastradinin, por ky, me batutën e tij përmbyllëse (a thua se batutat janë argumente), u përpoq t’i shtinte bashkëfolësit trutë e gomarit, pra, thjesht t’i thoshte “prit gomar të mbijë bar”. Në këtë pikë, mendoj unë modestisht, shqiptari është si fshatari, ai e di fort mirë nga lidhet gomari, prandaj fjala e gomarit, në kundërshtim me atë që pretendon Nastradini, nganjëherë është e besueshme, sepse gomari e di ku e vret samari më mirë se i zoti, qoftë ky hoxhë, prift, qeveritar apo kryeqeveritar. Së fundi, por jo më së paku – meqenëse e majta dhe e djathta shqiptare, të cilat, siç e dëshmon tranzicioni ynë gati çerekshekullor, alternohen në pushtet (hip e zbrit, zbrit e hip) –, ajo çka kam shkruar më sipër vlen për pushtetarët e të gjitha kohëve. Veçse, kujdes, si pasojë e hipje-zbritjeve në fjalë, vjen një ditë kur të luash gomarthi bëhet aq e padurueshme saqë gomarët nisin e hedhin shkelma dhe atëherë (krye) qeveritarët bien nga fiku i pushtetit ashtu siç i ndodh nganjëherë Nastradinit të bjerë nga gomari dhe mua të bie nga biçikleta.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist