Fajin e ka Volteri
nga Edmond Tupja
Panorama
Prej vitesh, në mbarë plan etin, ekologjistët po i bien kambanës së kushtrimit lidhur me zhdukjen e mjaft specieve të botës shtazore, duke ia veshur përgjegjësinë zhvillimit e urbanizimit të shfrenuar, të administruar keq, ashtu edhe ndotjes së mjedisit si pasojë e mjaft veprimtarive njerëzore në sferën industriale, bujqësore, të transporteve etj. Meqë vendi ynë, pra, Republika tmerrësisht demokratike e Shqipërisë, bën ende pjesë në bashkësinë planetare, edhe te ne ka specie e lloje kafshësh që rrezikojnë deri diku, në mos të zhduken, të paktën të rrallohen ndjeshëm.

Miku dhe ish-kolegu im Françesk Armadhi, i apasionuar pas natyrës, tek pinim një çaj të ftohtë në mes të xhunglës së betontë në qendër të Tiranës, më tërhoqi vëmendjen me një konstatim të thjeshtë, por, gjithsesi, befasues: në Tiranë, ka përherë e më pak insekte si, për shembull, mizat fluturake, që para disa vitesh ende gëlonin, sidomos në pisk të vapës, në tregjet e hapura me fruta e zarzavate dhe jo vetëm atje, por, në njëfarë mase, edhe nëpër verandat e kafeneve, bareve e restoranteve. Kjo mungesë, fort e lavdërueshme, sidomos nga pikëpamja higjienike, dëshmon, se kjo specie, të paktën në kryeqytetin tonë, është në zhdukje e sipër edhe për shkak të ndotjes së ajrit. Për ato lexuese dhe ata lexues mosbesues po përmend faktin që në Tiranë ka kohë që nuk shohim më xixëllonja lulishteve apo parqeve publike dhe kopshteve të vilave e të shtëpive private; para disa vitesh, shiheshin në qytetet tona të mëdha dallëndyshe që fluturonin ngjitur me tokën për të gjuajtur insekte, kurse tani atyre u duhet të ngjiten lart në qiell për të vazhduar gjuetinë e tyre; nga ana tjetër, edhe mushkonjat mezi po mbijetojnë.

Gjithmonë sipas zotit Françesk Armadhi, i cili përherë më ka thënë gjëra jo vetëm interesante, por edhe të dokumentuara mirë, tipike të realitetit shqiptar, kjo dukuri, pra, është tashmë diçka karakteristike për rezidencat qeveritare dhe, kryesisht, sidomos e veçanërisht, për banesat, vilat vetjake të personaliteteve më top apo vip të politikës shqiptare, qofshin ata në pushtet apo në opozitë. Sipas disa të dhënave që i kanë besuar mikut dhe ish-kolegut tim dy-tre zotërinj që bëjnë pjesë në personelin e mirëmbajtjes së kopshteve rreth e rrotull disa vilave ku pushojnë rregullisht ose herë pas here një numër kryetarësh organizmash e strukturash të larta të shtetit shqiptar, atje nuk ka jo më gjarpërinj, iriqë, nuselale apo minj, por as hardhuca, as grerëza, as miza, as mushkonja, as kandrra të tjera fluturake apo zvarritëse, ndonëse as aty pranë, as më larg, nuk ka industri ndotëse të mjedisit, ajrit, ujit e tokës. Logjikisht, përherë sipas zoti Françesk Armadhi, lind pyetja: Çfarë i ka shtyrë këto kafshëza e insekte, nga të cilat disa fort të bezdisshme, madje edhe të rrezikshme, si gjarpërinjtë, të largohen, sidomos kur personalitetet e lartpërmendura më top apo vip (ose, në veçanti, më top & vip) vijnë për të pushuar?

Kjo pyetje më intrigoi shumë edhe mua, sidomos kur mësova, po nga goja e mikut dhe e ish-kolegut tim, se njëri nga “informatorët” e tij i kishte thënë, duke ulur zërin e duke këqyrur me mosbesim rreth e përqark, se, me t’u larguar nga vilat në fjalë personalitetet në fjalë, grerëzat e mushkonjat në fjalë, madje nganjëherë edhe ndonjë gjarpër apo nuselalë, rishfaqen me ndrojtje të madhe atyre anëve. I paaftë t’i jepja ndonjë përgjigje bindëse kësaj pyetjeje, u bëra gati t’i kërkoja zotit Françesk Armadhi të mos e vriste shumë mendjen për këtë dukuri, deri diku të mistershme, kur befas diçka më shkreptiu në tru: emri i Volterit, filozofit frëng të shekullit XVIII, i cili, si një nga personalitetet më të shquara të mendimit të lirë në Francën e asaj kohe, iu kundërvu obskurantizmit e hipokrizisë së Kishës Katolike dhe pati debate të forta edhe Freronin, një nga përfaqë- suesit e Urdhrit të Jezuitëve. I famshëm për ironinë e tij, Volteri shkroi edhe një epigramë kundër jezuitit në fjalë, të cilën e shqipërova pa vonuar si vijon për mikun e ish-kolegun tim, por edhe për ju që, në këtë çast, po më lexoni: “Një ditë, në fund të një lugine / një gjarpër pickoi Freronin / A e dini se çfarë ndodhi? / Ky mbeti gjallë, gjarpri ngordhi!”. A nuk i jep kjo epigramë, edhe pas dy shekujsh, njëfarë përgjigjeje pyetjes së zotit Françesk Armadhi? Gjithsesi, sido që të interpretohet kjo përgjigje, fajin e ka Volteri dhe vetëm ai.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga ky opinionist