Edhe ne arsim, Lugina per Kosoven e huaj…!
Albeu.com
nga Kushtrim MaliqiTë gjithë dimë mjaftueshëm rreth neglizhencës e cila u bëhet shqiptarëve etnikë në Luginë, të cilët janë nën administratën serbe në krahasim me ata serbë të cilët janë “nën administratën e Koso-Leksit”.
Këto diskriminime mjaft mirë vërehen duke hedhur paralele që nga fusha e kulturës, ekonomisë, mundësive për përparim e çka jo tjetër. Kjo shkallë e neglizhencës po rritet dhe tani më po bëhet jo nga shteti serb, por nga ai i Kosovës, po bëhet edhe në fushën e arsimit duke theksuar në maksimum pabarazinë e shkollimit të të rinjve të Luginës me ata të Kosovës, me të cilët flasin një gjuhe dhe për komb kanë një ideal të përbashkët “të madhen Shqipëri”.

Vetëm këtë vit në qyteti i Preshevës ka nxjerrë mbi shtatëqind nxënës të cilët ëndërrojnë që në një të ardhme të bëhen: mjekët, farmacistët, inxhinierët, arkitektët, ekonomistët apo juristët më me renome në rajon, por një ëndërr të tillë me sa duke dita ditës po ia shuan pikërisht Kosova, derisa me këngët të cilat iu kushtoheshin asaj i kishte përkundur djepi dhe i kishte rritur dashuria për të.

Ata çdo ditë lexojnë gazetat apo shikojnë edicione informative të mediave kosovare mos ndoshta ka diçka të re, ndoshta këtë vit do të jemi të barabartë me ata, me të cilët flasin një gjuhë dhe i bashkon një komb, me rinin kosovare. E dimë mjaft mirë të gjithë që sidomos pas luftës së Kosovës i rralli, për të mos thënë askush, nuk merr guximin që shkollimin superior ta vazhdojë në Beograd apo në ndonjërën prej qendrave tjera universitare serbe. E dimë të gjithë se Tetova viteve të fundit po ofron mjaft kushte të mira për studentët e Luginës, por kohëve të fundit edhe ky destinacion për të rinjtë e kësaj ane është bërë i vështirë për shkak se është ndërprerë nga ana e kufitarëve maqedonas qarkullimi i linjës Preshevë-Tetovë dhe këtë udhëtim studentet duhet ta bëjnë me taksi e që kushton afër dhjetë euro një drejtim e që nuk është aspak e lehtë për ekonominë e një familje mesatare në Preshevë. Shqipëria gjithashtu mund të merret si një destinacion i mundshëm, por duke ditur se Tirana është edhe me larg se Tetova dhe në automatizëm kjo reflekton në vështirësinë e studimit atje.

Duke i pasur parasysh të gjitha këto që i cekëm më lart, opsioni më i mirë dhe më serioz mbetet Prishtina, e cila sapo ka shpallur nëpër gazeta konkursin për pranim në fakultetet ku përsëri “Lugina e pabarabartë”. Teksa po shkoja ta merrja gazetën rrugës pash plot bashkëvendës të mi të rinj te kioska e Zeçës duke marrë gazetën dhe të gjithë e hapnin nga fundi për të parë konkursin, pasi që bënin disa metra tundnin kokën dhe dikujt, dikujt i shpëtonte ndoshta pa dashje ndonjë e sharë si “vëllau si shkau” apo diçka të ngjashme, ndoshta e kishin nga mllefi se do t’i mbetej fëmija pa shkollë…

Këtë vit në konkurs thuhej se Luginës i takojnë dy vende për mjek, vetëm tre inxhinierë nga 180, vetëm dy arkitektë nga 110 sa pranohen gjithsejtë në UP. E dimë të gjithë nga e kaluara se Lugina e Preshevës ka ditur të japë kuadro të forta, të cilët kanë ditur ta zotërojnë me sukses atë të cilën e kanë mësuar në universitet dhe kanë qenë mjaft aktivë e të suksesshëm në vazhdimësinë e jetës duke kryer atë profesion dhe ndoshta kjo do të duhej të ishte një motivim më tepër për Universitetin e Prishtinës që së paku në arsimimin, avancimin e rinis, Lugina të mos ndihet e huaj, por arsimi të jetë ndoshta pika e vetme dhe më e fortë e cila do të na mbajë të lidhur si një komb i vetëm.
Shtuar më 17/07/2010, ora 16:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori