Eckart von Klaeden: "Kosova nuk mund të jetë më në Serbi"
Albeu.com
Intervistë e DW me zëdhënësin e Grupit Parlamentar të Unionistëve në Bundestag për çështje të jashtme, Eckart von Klaeden.Të enjten Bundestagu zhvilloi një debat mbi Kosovën. U vendos që misioni i trupave gjermane të zgjatet edhe me një vit. Eckart von Kladen mbi situatën në rajon:

DW: Zoti von Klaeden, edhe raundi i gjashtë i bisedimeve të Vjenës përfundoi pa sukses. Në fjalën tuaj ju apeluat për qendrim konstruktiv të palëve. Çfarë nënkuptoni me këtë?

von Klaeden: Besoj që të dyja palët duhet të tregojnë më shumë mirëkuptim për hallet dhe interesat e njëra-tjetrës. Propopzimi i serbëve për shembull, sipas të cilit Kosova do të vazhdojë të mbetet nën sundimin e Serbisë, është i papranueshëm. Dhe anasjelltas, shqiptarët e Kosovës duhet të tregojnë më shumë interes për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës.

DW: A është kjo përshtypja që krijuat gjatë vizitës që patët javën e kaluar në Beograd dhe Kosovë?

von Klaeden: Kjo është përshtypja ime. Para së gjithash, më bie në sy që serbët janë shumë të hidhëruar. Ata thonë zyrtarisht që e njohin referendumin në Mal të Zi, por ndjehet një zhgënjim i madh dhe sado që kam mirëkuptim, që shqiptarët e Kosovës të thonë, ç'na interesojnë neve hallet e serbëve, gjithsesi duhet të jetë edhe në interes të shqiptarëve të Kosovës, por edhe të fqinjëve të tjerë, që forcat demokratike në Serbi të mbeten në pushtet e të mos forcohen radikalët. Nuk mund të jetë në interes të askujt, në se në Serbi dështon demokracia për shkak të një pavarësimi më të madh të territoreve që më parë janë parë si territore serbe. Pranadaj edhe për mua para së gjithash, situata e brendshme politike në Serbi është shumë shqetësuese.

DW: Po situata në Kosovë?

von Klaeden: Në Kosovë ka një sërë përparimesh, por edhe aty do të ishte mirë që shqiptarët e Kosovës të mos presin, që pavarësimi të vijë vetvetiu, por ata duhet të përpiqen vetë, të afrohen me serbët. Kjo vlen sigurisht edhe për serbët e Kosovës karshi shqiptarëve. Veçanërisht në Mitrovicë kam konstatuar, që ka tensione të jashtëzakonshme, të cilat në rast se shpallet pavarësia, mund të sjellin vështirësi të mëdha. E rëndësishme është gjithashtu që kosovarët vetë të përpiqen për ndërtimin e strukturave shtetërore dhe jo të presin gjithçka nga bashkësia ndërkombëtare.

DW: Në fjalën tuaj në Bundestag ju kërkuat që të ushtrohet presion kohor ndaj negociatave për statusin. Cili duhet të jetë rezultati i tyre, sipas jush?

von Klaeden: Kam thënë që duhet të ketë presion në aspektin kohor, sepse përndryshe palët negociuese krijojnë përshtypjen, sikur nuk kanë nevojë të angazhohen, por kam thënë, që me këtë afat duhet të jemi fleksibël, në mënyrë që të mos vijë deri tek imponimi i një rezultati të padëshiruar për njërën apo për të dyja palët. Besoj, se rezultati duhet të jetë pavarësi e kufizuar për Kosovën. Kosovës nuk mund t'i kërkohet të qendrojë në një shtet me Serbinë.

DW: Deri tani serbët nuk e kanë pranuar këtë kurrsesi?

von Klaeden: Kjo për fat të keq është ashtu është. Prandaj edhe ne duhet të mendojmë, se si të ndikojmë tek forcat demokratike të Serbisë, që ta pranojnë këtë situatë, dhe se si të zhvillojnë për vendin te tyre, për Serbinë, një perspektivë të mirë, edhe në rast se Kosova nuk bën më pjesë në të.


Intervistoi Anila Shuka, Berlin, DW
Shtuar më 03/06/2006, ora 11:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori