E sikur të uleshim të flisnim vërtet me Islamin?
Albeu.com
nga HANS KÜNGDuhet të pranojmë, atëherë, pas polemikave mbi karikaturat daneze, se teoria e Samuel Huntingtonit mbi "përplasjen e qytetërimeve" qenkësh e drejtë? Jo, sepse qytetërimet nuk janë aktorë në skenën e politikës botërore, e aq më pak shpallin luftra.Popuj me kultura të ndryshme jetojnë, në shumë vende, pak a shumë paqësisht. Politika botërore është çështje që u përket shteteve dhe udhëheqësve të tyre, e kështu ka qenë gjithmonë. Këta udhëheqës, nëpërmjet politikave të gabuara, mund të arrijnë, ama, t'i japin vlerë analizës së gabuar të Huntingtonit, duke e shndërruar teorinë e tij në një profeci që duhet të vihet në jetë. Ashtu si disa personazhe të medias e të politikës në Danimarkë e në Itali, edhe ata që në Washington ngucin për t'i shpallur luftë Iranit, bëjnë lojën e Bin Ladenit dhe të Al Qaedas, të cilët synojnë pikërisht plasjen e një lufte qytetërimesh. Por një luftë e tillë jo vetëm që nuk është kryekëput e pashmangshme, por duhet penguar me çdo kusht. E vetmja pikëpyetje është se si. Pa asnjë dyshim, hapi i parë përbëhet nga dialogu. Sigurisht, kjo nënkupton që muslimanët duhet të vihen në rolin e bashkëbiseduesve. Dialogje të tilla kryhen tashmë dhe përfshijnë, në shumë vende të botës, persona, grupe dhe komunitete fetare të larmishme. Polemika, tashmë në dukje e fashitur, mbi karikaturat e Muhametit solli shpërthimin e frustracioneve dhe mllefeve të rrënjosura thellësisht mes popullsive islamike. Shumë vetë, në Perëndim, arritën në përfundimin se indinjata e muslimanëve u ushqye nga fondamentalistët të cilët nuk lënë rast pa shfrytëzuar për t'i fryrë zemërimit popullor. Është e vërtetë që organizatat islamike radikale dhe qeveri të caktuara gjetën tek karikaturat një argumet të pëlqyer për t'i mëshuar idesë së vjetër mbi një Perëndim të dhunshëm e të pamoralshëm. Ashtu si në rastin e fotove të torturave në burgun Abu Ghraib, ku të drejtat e njeriut rregullisht dhunoheshin dhe muslimanët qëllimisht përqesheshin, edhe karikaturat u përdorën për të shfrytëzuar zemërimin popullor.
Por ky zemërim popullor nuk do të ishte shfrytëzuar po të qe se kjo fuçi baruti nuk do të ishte mbushur nga vetë Perëndimi. Për çdo ditë, nga Maroku në Indonezi, muslimanët dëgjojnë dhe shohin veprimet mizore ushtarake në Afganistan, në Irak, në Palestinë dhe në Çeçeni, dhe është ndjenja e nënshtypjes që u përcjellin këto lajme çka përshkallëzon shpërthime të dhunshme si protestat për karikaturat. Kështu, është tepër sipërfaqësor qëndrimi i analistëve perëndimorë sipas të cilëve liria e të shprehurit dhe e shtypit duhet mbrojtur me çdo kusht, dhe se, në fund të fundit një duzinë karikaturash të padëmshme janë pako gjë. Natyrisht, nuk ka demokraci pa media të lirë, e megjithatë liria e të shprehurit dhe e shtypit nuk duhet përdorur pakujdesshëm për të shkelur bindjet fetare dhe për të ngrehur imazhe stereotipikë, qofshin këta për çifutët, për muslimantë a për të krishterët. Liria e shtypit lyp një shtyp të përgjegjshëm, në brendi të të cilit të drejtat vlejnë po aq sa përgjegjësitë. Nëse nuk lejohet të hidhet baltë kundër njerëzve dhe t'u shkelet dinjiteti, mediat duhet të veprojnë me takt edhe përkundrejt udhëheqësve të mëdhenj fetarë të njerëzimit, qoftë profeti Muhamet, qoftë Buda, qoftë Jezu Krishti. Epiqendra e përballjes mes Islamit dhe Perëndimit mbetet konflikti izraelian-palestinez. Gjetja e një zgjidhjeje përkatësisht të kënaqshme për të dyja palët mbi këtë çështje do të ndihmonte zgjidhjen e gjithë të tjerave, ndërsa pa një marrëveshje në Palestinë "përplasja e qytetërimeve" shkon drejt përshkallëzimit. Problemi në Lindjen e Mesme, porse, nuk është problem terrorizmi, por një konflikt territorial, e si i tillë duhet zgjidhur. Një hap i parë u hodh me tërheqjen nga Rripi i Gazës. Që paqja të jetë e qëndrueshme nevojiten lëshime nga të dyja palët, por sidomos nga ana e më të fortit, dhe sot Izraeli është fuqia më e madhe ushtarake në Lindjen e Mesme.
Sa për Hamasin, zgjedhjet i fitoi duke premtuar se do të çlironte popullin palestinez nga mjerimi, nga korrupsioni dhe nga pushtimi. Mos vallë demokracitë perëndimore duhet të ndëshkojnë popullin se bëri zgjedhjen demokratike për të cilën ishte thirrur të zgjidhte? Është arsyetim tragjikisht i gabuar ta trajtosh qeverinë e re palestineze si një organizatë terroriste dhe të kërkosh të pengosh vullnetin popullor duke i krijuar vështirësi e duke i mbajtur në mënyrë të paligjshme të ardhuart nga taksat që i takojnë qeverisë së dalë nga votimi. Mos kjo do të thotë që duhet të pranojmë sulmet e dhunshme të islamistëve radikalë dhe pushtimin e ambasadave dhe të instituteve të huaja të kulturës? Sigurisht që jo. Por nuk duhet as t'i përgjigjemi dhunës me dhunë. Përkundrazi, duhet t'i shtrohemi një debati serioz e të hapur: lypset një dialog parandalues, jo një luftë parandaluese. Duke ruajtur parasysh impaktin e karikaturave të Muhametit dhe fotografitë e torturave të Abu Ghraibit, është e rëndësishme që Perëndimi të mos e kufizojë veten duke nxitur vlerat e bashkëndashme si liria, barazia, solidarësia, demokracia, të drejtat njerëzore dhe toleranca, por edhe të jetojë sipas këtyre parimeve nëpërmjet një etike të shenjuar nga njerëzimi, respekti për jetën, solidarësia, sinqeriteti dhe bashkëpunimi i ndërsjellë. Në përgjithësi, muslimanët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara kanë reaguar të përmbajtur ndaj ngjarjeve të dhimshme, dhe janë orvatur të ushtrojnë një influencë moderuese në bashkëfetarët e vendeve muslimane. Duke bërë thirrje për një dialog të ndershëm e të hapur mes islamikëve dhe Perëndimit nuk dua të dëmtoj marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mese muslimanëve dhe jomuslimanëve në Perëndim, por dua për më shumë t'i ndihmoj për t'u vënë në provë e për t'u rritur sëbashku, edhe po të jetë se kjo rritje duhet të kalojë nëpër jetimin e përbashkët të përvojave negative.
Për vite me radhë perëndimi e ka nëvlerësuar idenë e dialogut mes botës muslimane dhe asaj perëndimore. Por tani, këtë dialog, nuk mund të mos e shqyrtojmë më seriozisht. Nëse duam që teoria kallpe e përplasjes së qytetërimeve të mos kryhet, është koha për të dyja palët t'i flasin njëra tjetrës hapur dhe ndershmërisht, duke njohur ndryshimet përkatëse për të gjetur një terren të përbashkët.

© 2006 Hans Küng Distributed by The New York Times Syndicate
Botuar ne Gazeta Start: www.gazetastart.com
Shtuar më 30/04/2006, ora 10:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori