E kaluara kriminale serbe nuk mbulohet me shpifje
Albeu.com
nga Bajram PeçiO matjanë të Gurrës! Na bëtë krenar me qëndrimin tuaj. Të revoltuar ishit, vërtet të nxehur keqazi me të paftuarit europianë, por me të drejtë. Faleminderit për qëndrimin dhe mos u ndjeni të penduar se keni thyer kodin shqiptar të mikpritjes.Kohë më parë, ju banorë të asaj shtëpie, që ajo fytyrëmushka Karla del Ponte (është sharja më etike që m‘u lejua nga redaktori) i vuri emrin "Shtëpia e verdhë", për t‘i dhënë tërësisht përshkrimit ngjyrat e librave policeskë, ju nxorën jashtë shtëpie 24 orë, duke ju mashtruar se qëllimi i vizitës ishte se shtëpinë tuaj do e merrnin me qira kur të fillonte ndërtimi i Rrugës së Arbrit(!?). Ndërkohë që 12 veta inspektonin çdo skutë të saj për të gjetur mbetje të krimit.

Ajo, ish-kryeprokurorja e Hagës, ishte instrumenti që politika serbe përdori për të barazuar në akuzë, si agresorin serb, ashtu edhe viktimën shqiptare. Ajo abuzoi dhe e shpërdoroi postin, kur u shtir si e paanshme mes palës agresore dhe viktimës, e pothuajse tërë komandantët e formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u vendosën (atje ku mundën) me armë në mbrojtje të grave, fëmijëve, motrave, pleqve e plakave, në luftën për të shfarosur racën shqiptare, u çuan në bankën e të akuzuarit për krime lufte, me dëshirën e madhe që ata të mos e shihnin më dritën e diellit. Asnjë prej tyre nuk u dënua, sepse trupi gjykues përbëhej prej autoritetesh e jo monstrash të ndikuar. Gjykata e Hagës dha drejtësi

O malësori Katuçi dhe ju bijtë e bijat e denja të Abdullait e të Gurrës! Ajo krijesa e shëmtuar, që tani thonë se është ambasadore diku nga Argjentina, nuk është se ka dashur të përdhosë nderin a dinjitetin tuaj kur shpifi në librin e saj se, shtëpia juaj ishte vendi ku serbëve u merreshin organet. Jo mor jo, o Abdullah! Ajo donte të na ndotte e të na merrte nderin të gjithë ne shqiptarëve, këtej e andej, atij që ende i themi, nuk e di pse, kufiri. Ju mbrojtët me qëndrimin e sjelljen tuaj nderin e malësorit matjan dhe timin si malësor i Labërisë, por edhe të Metit, mikut tim nga Malësia e Sharrit. Ju banorë të Gurrës së Matit, mbase nuk e dinit kur kundërshtonit vizitën, se ai personi i strukur, diku në sediljet e prapme me xhama të errët të makinës së Ministrisë së Drejtësisë, ishte zvicerani Dik Marty, i atij shteti që nuk e lejoi Karla del Ponten ta publikonte librin e saj "Gjuetia" në Zvicër, tani i ngarkuar me misionin e hetimit të KE-së për akuzat serbe. Domosdo, s‘kishit pse ta dinit, sepse si hetues ai është i njëanshëm. Është po ai Dik Marty që ka folur publikisht kundër pavarësisë së Kosovës. Përse KE-ja ka caktuar si hetues, ndaj shpifjeve të Prokurorisë së Serbisë, një të anshëm, vetëm ata e dinë! E natyrshëm unë kam të drejtë ta paragjykoj atë, Dik Marty-n, por ju nuk e dinit këtë hollësi, sepse mediat tona as që i kushtuan rëndësi këtij fakti, se ato nuk e kanë nuhatjen të kuptojnë orën e nevojës kur duhet dhe të tregojnë zotësinë e tyre. Ju kundërshtuat vizitën e tij, jo se dinit që është kundër nesh, por e bëtë veprimin se keni vite që e ndieni veten të nëpërkëmbur.

Jo vetëm Millosheviçi, siç përmendet rëndom nga Europa dhe Solana, por shumica e popullit serb, me bekimin e kishës së saj ortodokse, iu turr popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, me bindjen se ishin ata të caktuarit nga historia e të zgjedhurit të Zotit për të sunduar këtë pjesë të botës. Ata u zhytën në krime deri në grykë, ushtruan gjenocid, e për rreth 10 vjet u bënë makthi i Europës. Zemërimi i tyre veçanërisht u shpalos me tërë egërsinë, mbi popullin shqiptar e atë boshnjak. Mizoritë e tyre ishin të pafundme, të rrëfyera e të parrëfyera. Faleminderit SHBA-së dhe Europës, që të tmerruara nga krimet që shihnin, të papërsëritura që nga Lufta e Dytë Botërore, më së fundi vendosën t‘i thonë ndal egërsisë serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

A i kërkuan kujt të falur serbët e rinj, me demek "demokratë"? Askujt. As ua ndiente fare. Ata, ndërsa i brente inati që nuk arritën të vrisnin pak më tepër se 10 mijë shqiptarët që vranë, filluan të kërkojnë 300 të humbur serbë, ndërkohë që janë mbi 3000 shqiptarë të vrarë, të konsideruar "të humbur", por që prehen në varreza masive në Serbi. Mbarimi i luftës dhe rrëzimi i Millosheviçit u shoqërua në Serbi me ringritjen e institucioneve. Famëkeqen UDB e pasoi BIA (Agjencia e Inteligjencës Serbe), e cila, me siguri, nga gjërat e para që bëri ishte marrja e masave për fshehjen e krimeve, ngritja e agjenturave serbe në Kosovë e Shqipëri dhe organizimi i shpifjeve. "...ata u vranë dhe organet e tyre u morën", thotë Karla del Ponte te libri i saj "Gjuetia", dhe BIA nuk mund ta linte t‘i shkonte kjo dhuratë (e rënë nga qielli apo e paguar nga toka serbe) pa e përdorur deri në fund, pavarësisht se Del Ponte nuk jep asnjë argument e provë, por shfaq thjesht hamendje. Vetëm BIA e di se sa mund ta ketë paguar gazetarin e BBC-së, Michael Montgomery, që të botonte më 10 prill 2009 një artikull me titullin "Zbulohen tmerret e UÇK-së", ku ai përshkruan vrasje e rrëmbime të serbëve. Ç‘prova dhe referenca ka? Asgjë. Vetëm thëniet e "një ish-ushtari" pa emër të UÇK-së. I nxitur nga paraja dhe Agjencia e Inteligjencës Serbe, ky gazetar e bëri shkrimin një film 13 minutash, me dëshirën e spikatur për t‘i thënë publikut se është ai që "...po zbulon heshtjen e gjatë të mizorive të mbajtura fshehur në Kosovë". Prokuroria serbe, pos këtij të ashtuquajturi material e ndonjë çikërrime tjetër, nuk ka më asgjë. Mbi to ka ngritur aktakuzën dhe kërkesën drejtuar KE-së, e cila sa hap e mbyll sytë nis ekipin dhe hetuesin Dik Marty në Serbi, Kosovë e Shqipëri.

Në tërë këtë fushatë shpifjesh, fillimisht nuk u desh fare ndërhyrja e institucioneve të Kosovës e Shqipërisë për të zbuluar të vërtetën, sepse ishte vetë një serbe, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Serbi që rrëzon akuzën. "Prokuroria serbe po bën fushatë dhe ngre akuza - thotë ajo - pa pasur të dhëna, vetëm me supozimet që BIA i ka servirur gazetarit të BBC-së". "Qëllimi - thotë Biserko - është nxitja e atmosferës së padurimit te shqiptarët". Por, ndërkohë, BIA-Agjencia e Inteligjencës Serbe, nuk fle gjumë. Ajo punon me agjentët e saj për sigurimin e provave. Mbi "transplantin shqiptar të organeve serbe" duhen vendosur disa "realitete". Ato duhen sajuar dhe blerë me çdo çmim. Serbia ka një goxha trashëgimi në këtë fushë. Sapo ta gërvishtësh paksa historinë e saj shfaqen duzina serbë me mustaqe, pistoleta dhe dinarë. 100 mijë euro për dëshmi të rreme për heqje organesh na nxjerrin si shifër transkriptimet e bëra në gazetën "Express" të Prishtinës, të bisedave të regjistruara nga shërbimet e Kosovës. Kaq premtonin tre agjentët e shërbimit BIA, Miladin Radanoviç, Predrag Zheljokoviç dhe Igor Juçinac, të tre spiunë të arrestuar në flagrancë, më 11 qershor 2009 në Çagllavicë të Kosovës.

Siç thotë fjala: e keqja kurrë nuk vjen vetëm. Edhe hetuesi i njëanshëm, Dik Marty, pasonte lajmin e BE-së se serbët dhe jo shqiptarët do lejohen të shkojnë në Europë pa viza. E keqja e dytë vjen në shërbim të së parës. Me duar në xhepa, këta hetues duan të hetojnë, por a kanë mandat? Kush, pos prokurorisë së vendit tim ka të drejtë të hetojë brenda kufijve shtetërorë? S‘di që legjislacioni shqiptar të ketë ndonjë nen, ku parashkruhet hetimi nga shtete të tjera, qoftë dhe KE-ja. Në raportin që hetuesi do të bëjë për KE-në, ka gjasa të shkruhet se institucionet shqiptare, Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk bashkëpunuan për hetimin dhe në fshatin Gurrë u ndjenë të kërcënuar nga banorët, të cilët nuk lejuan hetimin dhe gjetjen e provave (të cilat janë aty, thika, njolla gjaku dhe diku prapa "Shtëpisë së verdhë", varre). O Zot! Sa të mjerë jemi! Pse nuk i lënë banorët e Gurrës dhe familjen Katuçi në varfërinë e tyre. Kur ndeshesh me shpifjet serbe dhe gatishmërinë e KE-së për t‘iu përgjigjur kërkesës së Prokurorisë serbe për hetime, gjëja që të vjen ndërmend është: Si mund të hakmerresh ndaj shpifjeve? Dhe ja ku, nga lashtësia vjen zëri i Diogjenit: "... duke u bërë më të virtytshëm se ata". (shqip)
Shtuar më 13/08/2009, ora 06:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori