Dy vjet me vone: A e kemi menduar ndryshe pavaresine?
Albeu.com
nga Augustin PalokajPër herë të dytë do ta shënojmë ditën e pavarësisë së Kosovës dhe do të dëgjojmë shumë fjalime rasti. Do të dëgjojmë për suksese dhe përparime. Do të shohim pamje nga ajo ditë e para dy viteve.
Do të ndjejmë emocione pozitive, sepse, e mirë apo e keqe, Kosova është e jona dhe e duam pavarësinë e saj. Por kur të zbuten emocionet shumë kosovarë do ta pyesin veten: A e kemi menduar kështu pavarësinë. Në vete do të gjejnë përgjigje të ndryshme. Do të ketë të atillë që nuk shohin ndonjë ndryshim të madh. Disa do të thonë se janë dëshpëruar, sepse kanë pritur më shumë, ndërsa do të ketë edhe të atillë që janë të kënaqur. Ndër të kënaqurit pa dyshim se do t’i shohim politikanët e partive në pushtet. Opozita do të mendojë ndryshe, por kështu e ka demokracia dhe asgjë më të mirë sesa demokracinë njerëzimi nuk ka zbuluar ende. Edhe EULEX-i do ta vlerësojë punën e vet si jashtëzakonisht të suksesshme. E tërë BE-ja po ashtu do të thotë se ka arritur sukses të pamohueshëm në Kosovë. NATO-ja si dëshmi për sukses do ta përmendë vendimin për zvogëlim drastik të numrit të ushtarëve. Përgjigjja në pyetjen se „A e kemi menduar kështu pavarësinë“ do të varet edhe nga niveli i pritjeve që secili qytetarë ka pasur para dy vjetësh.
Një gjë duhet ta dimë me siguri të madhe. Pavarësia nuk zhbëhet. Por shtetformimi në dy vjet ka shkuar më ngadalë sesa që kemi pritur. 65 shtete e kanë njohur, është anëtarësuar në vetëm dy organizata ndërkombëtare, me BE-në raportet formale më të vështira sesa në kohën e UNMIK-ut, territori de facto i ndarë, korrupsioni në tenderime publike në rritje, qytetarët mbeten të izoluar, papunësia nuk është zvogëluar. Këto nuk do t’i dëgjojmë nga fjalitë e politikanëve tanë, të cilët do të bëjnë rezymenë e tyre të dy vjet pavarësie. Suksesi më i madh është se stabiliteti është forcuar dhe nuk ka pasur konflikte serioze ndëretnike.
Në nivelin ndërkombëtar Kosova nuk e ka arritur qëllimin e deklaruar nga ana e udhëheqësve politikë. Edhe pse pritej që për dy ditë pas shpalljes së pavarësisë do t’i kemi hiç më pak se 100 njohje nga shtetet e tjera këtij numri magjik nuk ia afruam as pas dy vitesh. Edhe pse mendimin se do të nisim negociatat me BE-në për Marrëveshje Stabilizim-Asociimi, sikur kanë bërë më parë shtetet e tjera të rajonit, kjo nuk është bërë. Me përjashtim të nivelit teknik në nivel politik kontaktet me Bashkimin Evropian janë zvogëluar dukshëm. Me përjashtim të një vizite për të marrë pjesë në Konferencën e donatorëve për Kosovën në vitin 2008 (Kur kryeministri Thaçi mori me vete tërë qeverinë) asnjë vizitë e nivelit të lartë nuk ka ndodhur në Bruksel. Ka ardhur natyrisht dhjetëra herë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, por ai është pritur nga nëpunës teknikë të Komisionin Evropian përderisa homologun e tij të Serbisë, Bozhidar Gjeliq, për shembull, e takojnë komisionerët apo zëvendëskryetarët e Komisionit. Për këtë nuk i ka fajet Kosova, por duhet konstatuar si fakt.
Sa i përket vizitave nëpër vendet e tjera udhëheqësit kosovarë kanë qenë në disa të rëndësishme, por më së shumti kanë vizituar Shqipërinë. Me gjithë respektin për Shqipërinë ky është ndër vendet nga politikanët e të cilit më së paku do të duhej marrë mësime.
Zhvillimi ekonomik i Kosovës ka qenë po ashtu një dështim dhe dëshpërim. Kur suksesi matet me rritjen e numrit të poseduesve të telefonave mobilë apo me kilometra të rrugëve të asfaltuara, kur nuk regjistrohen investime të huaja në prodhim, kur Komisioni Evropian tërheq vërejtjen për ecje prapa dhe keqësim të situatës në prokurimin publik dhe kur Kosova mbetet e izoluar edhe në aspektin tregtar në rajon ndërsa dyqanet janë të mbushura kryesisht me mall nga Maqedonia dhe Serbia, ky pa dyshim nuk mund të quhet sukses ekonomik. Në anën tjetër, Kosova nuk qe në gjendje t’i thithë as paratë që i ishin vënë në dispozicion nga donatorët para dy vitesh sepse ata nuk duan që paratë e tyre të shpenzohen përmes tenderëve të kurdisur. As zhvillimi i demokracisë nuk ka ecur përpara. Ndikimi politik apo tentativa e ndikimit politik në media ka vazhduar dhe sipas disa analizave edhe është rritur. Zgjedhjet nuk u zhvilluan si duhet dhe, duke marrë parasysh se ka ende punë për Gjykatën Kushtetuese, ato në tërësi nuk mund të konsiderohen ende as të përmbyllura. E ishin këto zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur që i bëmë vetë. „Toleranca zero ndaj korrupsionit“ është kufizuar në kapjen e disa doganierëve apo mjekëve, ndërsa „peshqit e mëdhenj“ mbeten ende temë e titujve në disa gazeta dhe premtimeve të herëpashershme të misioneve ndërkombëtare.
Ka pasur megjithatë diçka shumë pozitive. Situata e sigurisë. Këtu ndoshta është arritur sukses më i madh sesa që ishte pritur. Nuk u realizuan parashikimet e zeza të Beogradit për dhunë në Kosovë dhe luftë në rajon. As luftërat në botë, as terrmeti në Haiti, as revolucioni i shtypur në Iran nuk ndodhen për shkak të Kosovës dhe as nuk u shpërbë Belgjika e as Zvicra si rezultat i njohjes së pavarësisë së Kosovës. Dhuna më e madhe prej shpalljes së pavarësisë ndodhi në Beograd ku u sulmuan ambasadat e disa vendeve që e njohën Kosovën.
Dhe nëse në dy vitet e para të pavarësisë prioriteti numër një ka qenë stabiliteti dhe siguria e qytetarëve, atëherë mund të jemi të kënaqur. Por tash jeta duhet të vazhdojë dhe duhet realizuar prioritetet e tjera po ashtu. Nëse deri tash organet e pushtetit, EULEX-i apo Zyra Civile Ndërkombëtare, kanë pasur frikë që të mos e rrezikojnë stabilitetin me ndonjë masë të rreptë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, këto arsyetime nuk duhet të ekzistojnë më. Fundi i fundit e ardhmja e Kosovës, funksionimi i saj si shtet demokratik dhe zhvillimi i saj ekonomik nuk varet vetëm nga mënyra se si trajtohen serbët e Kosovës (pa dashur të nënvlerësohet edhe ky kriter i rëndësishëm), por edhe nga ndërtimi i sistemit në të cilin dukuritë negative do të parandaloheshin dhe nëse ndodhin do të dënoheshin. Ky duhet të jetë drejtimi në të cilin Kosova nuk ishte nisur para dy vitesh dhe është momenti i fundit të niset. (Koha)
Shtuar më 16/02/2010, ora 04:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori