Dragan Pavlloviq Llatas vs Gazetaret
Albeu.com
nga Hamdi Nuhiju Aferat janë shndërruar në fenomene në Republikën e Maqedonisë. Asnjë periudhë nuk kalon pa ndonjë aferë të caktuar. E veçanërisht në këto momente kur po bëhet një presion i madh ndërkombëtar ndaj Maqedonisë ...... dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit ndërmjet veti rreth çështjes së emrit kushtetues të Maqedonisë. Si zakonisht në konteste të këtilla lojën kryesore e luajnë ndërmjetësit ndërkombëtar, ndërkaq lojtarë janë vet pjesëmarrësit në kontest.

Greqia dhe Maqedonia ka gati 20 vite që nuk merren vesh rreth kësaj çështjeje. Brenda kësaj periudhe dy dekadëshe, presioni ndërkombëtar nuk ka qenë kaq shumë i nxjerrur në pah. Beteja e këtillë është zhvilluar dhe po zhvillohet në dy linja, politik dhe gazetari. Në esencë, këto dy linja nuk munden të jenë të ndara indirekt asnjëherë.

Janë shkruar shumë mendime,opsione ,plane, strategji nëpër mediat e Maqedonisë dhe Greqisë rreth kësaj problematike. Opinioni publik shpesh herë edhe është manipuluar prej disa mendimeve ose opsioneve që janë ofruar si të sakta. Por, deri tash nuk ka pasur ndonjë tendosje serioze ose turbullim të ujërave në gazetarinë e Maqedonisë.

Në mënyrë të detajizuar janë analizuar të gjitha propozimet, edhe ato të Greqisë edhe ato të Maqedonisë. Është parë edhe mundësia e tolerimit nga ana e Maqedonisë në lidhje me këtë kontest, madje edhe është vizatuar edhe vija e kuqe e cila nuk tolerohet që të kapërcehet. Në mesin e tolerimeve dhe vijës së kuqe, gjithmonë gjenden opinionbërësit të cilët përgatisin terrenin për të mos krijuar ‘shok’ politik në mesin e qytetarëve të këtij vendi. Natyrshëm opinionet në Greqi përkrahin pozicionin e Greqisë, ndërkaq opinionet që jepen në Maqedoni përkrahin pozicionin e Maqedonisë.

Edhe pse edhe në Greqi edhe në Maqedoni ka opinionbërës të tillë të cilët favorizojnë pozicionin e shtetit fqinj dhe jo të shtetit ëmë. Kjo gjë mund të quhet edhe si lobim grek në Maqedoni, ose lobim maqedonas në Greqi. Kësi gjëra kanë ndodhur në të kaluarën, po ndodhin në të sotshmen dhe me siguri se do të ndodhin edhe në të ardhmen. Por në lobingje të këtilla, gjithmonë ka pasur njerëz që kanë shkuar kurban. Varet prej peshës së propagandës dhe lobingut që bëhet.

As Greqia e as Maqedonia në pozicionet e tyre ndërkombëtare nuk gjenden mirë. Greqia ka probleme ekonomike, dhe një bllokim të madh ekonomik nga ana e Bashkimit Evropian, ndërsa Maqedonia ka bllokime për futje në NATO dhe BE nga ana e Greqisë. Në këtë rast, pozicioni i Greqisë në sferën ndërkombëtare është pak më i favorizuar sesa ai i Maqedonisë.

Greqia kësaj here bëri lëvizjen më të rrezikshme dhe më të guximshme të mundshme. Ajo në pozicionin e saj ndërkombëtar dhe Ballkanik ka mbështetje të fuqishme nga ana e Serbisë. Ndërsa Serbia ka qendra të fuqishme të opinionbërjes në Maqedoni, madje ka të futur duart e veta edhe në Shërbimin Sekret Maqedonas. Greqia, përmes mikut të saj të përhershëm Serbisë krijoi aferën e radhës në Maqedoni. Dragan Pavlloviq Llatas i njohur në gazetarinë e këtushme si një njeri ekstremist dhe i dyshimtë, ishte aktori kryesor i kësaj ngjarjeje pro Greqisë. Ai në një shkrim të tij theksoi se Greqia i paguan gazetarët e vet në Greqi dhe Maqedoni që të kalojë propozimi i Greqisë. Në esencë kjo deklaratë duket pro Maqedonisë dhe kundër Greqisë duke i shpallur si fajtor të gjithë ata gazetar që kanë shkruar për këtë çështje. Por, personalisht kam ndjekur veprimtarinë e këtyre gazetarëve rreth kësaj çështjeje, gazetarë këto të akuzuar nga ana e Dragan Pavlloviq Llatas, dhe askund nuk kam hasur një mbështetje të propozimit të Greqisë nga ana e këtyre gazetarëve. Këta gazetarë thjeshtë kanë vepruar dhe punuar pro propozimit të Maqedonisë dhe kanë përgatitur terrenin që nëse Maqedonia detyrohet që të bëjë tolerime, atëherë të mos krijohen kriza politike në mesin e qytetarëve të këtij vendi, por qytetarët të jenë të përgatitur edhe për ndonjë rast eventual për tolerim.

Logjika e Llatasit dhe paguesve të tij, është që Maqedonia të mos përgatitet të bëjë tolerime, dhe opinioni në Maqedoni të jetë gjithmonë në luftë kundër Greqisë, dhe në momentin e bërjes së tolerimeve nga ana e Maqedonisë në këtë shtet të krijohet një kaos dhe krizë politike. Në këtë mënyrë të shtrihet ndikimi serb dhe grek në Maqedoni, dhe të përfitojnë nga rasti për të kapur pozicionet e ndryshme strategjike në këtë shtet.

Gazetarët të cilët ishin të përmendur në tekstin e Llatasit , përgatitën një padi penale ndaj tij dhe shpresojnë që betejën e tyre do ta fitojnë.

Përndryshe opinioni në Maqedoni është mësuar me kërcënime në gazetari si me këtë rast, si me rastin e kërcënimit të Menduh Thaçit ndaj gazetarit Iso Rusi në gazetën “Koha”.

Pozicioni i shqiptarëve në këtë rast sipas mendimit tim duhet të jetë pro Maqedonisë. Shqiptarët nëse marrin pozicion pro Greqisë, atëherë mundësojnë fuqizimin e një Greqie e cila ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, atëherë mundësojnë forcimin e aleatit kryesor në Ballkan të Serbisë një shtet që rrezikon pavarësinë e Kosovës. Vet ekzistenca e shtetit të Maqedonisë është faktor stabiliteti në Ballkan. Si duket këtë gjë e kanë kuptuar shumë mirë maqedonasit , prandaj edhe bëjnë diskriminime ndaj shqiptarëve në këtë shtet. Shpresojmë që këtë pozicion ta kuptojnë një ditë edhe shqiptarët e Maqedonisë, dhe të bëjnë lojërat politike në frymën e këtij pozicioni me qëllim të mirëqenies ekonomike, politike, sociale dhe kulturore.
Shtuar më 07/02/2010, ora 02:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori