Dosja e ngjarjeve të harruara
Pëlqej
Albeu.com
Shqiptarët e Maqedonisë do të duhej të shfletonin dosjen e harresës së tyre, e jo ato përplot paqartësi, e që merren me zbardhjen e së kaluarës së prijësve të tyre partiakë. Vetëm kështu ata do të mund të pikturonin portretin e plotë të udhëheqësve partiakë, e që sot vendosin për fatin e tyre. Dhe po ta shfletonin dosjen e ngjarjeve që u kanë ndodhur gjatë dekadave të fundit, ata do ta shihnin sa të kota kanë qenë edhe shpresat se pas konfliktit të vitit 2001, do të fillonte epoka e re e zhvillimit të tyre, se do të jetonin në një Maqedoni, ku nuk do ndiheshin as të poshtëruar, as të lënë pas dore nga shteti. Pra, në dosjen e ngjarjeve të harruara ata do të "lexonin" qartë se partitë shqiptare edhe sot janë thuajse në pozitë të ngjashme si përfaqësuesit e tyre të dikurshëm komunistë, të cilët, vetëm zbukuronin buqetën ndëretnike të pushtetit, e me çka ua lehtësonin punën atyre që e mbronin shtetin nga "rreziku shqiptar". Pra, ata qartë do ta "lexonin" se partitë e tyre të tanishme nuk bënë thuajse asgjë për ta distancuar Maqedoninë e sotme nga ajo e dikurshmja, nuk bënë gjë që shtetit i sotëm demokratik, në mos më shumë, të kërkonte falje për të këqijat që ua bëri shqiptarëve gjatë periudhës së kaluar socialiste dhe t’u paguante dëmshpërblim të burgosurve politikë që pësuan gjatë "diferencimeve" të ndryshme nga "elementet antishtetërorë shqiptarë", gjë që do të veçohej viktima nga keqbërësi dhe Maqedonisë do t’i pamundësohej që kur bëhet fjalë për shqiptarët, të demokratizohet sipas formulave të dikurshme socialiste: të realizojë barazi ndëretnike nëpërmjet elitave të "vëllazëruara" politike maqedonaso-shqiptare.
Duke qenë se shqiptarët e Maqedonisë asnjëherë nuk e lexojnë dosjen e harresës së tyre, ata edhe nuk e shohin se mosdistancimi i Maqedonisë së sotme nga e kaluara e saj ndëshkuese ndaj shqiptarëve, asaj i mundësojnë të jetojë me vetëgënjimin se, njësoj si dikur në socializëm, barazia ndëretnike realizohet vetëm me pjesëmarrjen e disa shqiptarëve në pushtet, e të cilët nuk kanë asnjë ndikim në vendimmarrje dhe të cilët, nga lajmet qendrore marrin vesh për aksionet policore nëpër vendbanimet shqiptare. Pra, duke mos kërkuar spastrimin e "dosjes" kolektive të shqiptarëve të këtushëm nga një e kaluar, kur i tërë një popull ishte lënë nën kujdesin e shërbimeve policore, partiakët e sotëm shqiptarë edhe nuk mund të kishin fat tjetër përpos të shërbenin si mbulesë për tragjeditë që i ndodhën këtij populli në kohët demokratike, si për shembull, ajo e Sopotit, që tregon se shqiptari i këtushëm edhe më tej mund të shkojë në burg nëpërmjet proceseve të montuara gjyqësore, apo tragjedia e Brodecit dhe ekzekutimi i shqiptarëve në afërsi të fshatit Radushë të Shkupit, e që të gjitha së bashku tregojnë se ç’ndodh me një popull që ka përfaqësues, që nuk e kanë kuptuar se shtëpinë e kontrollon ai që i cakton rojtarët e saj dhe ai që e mban në xhep "kuletën" me para.
Nëse shqiptarët e Maqedonisë do ta shfletonin dosjen e harresës së tyre, aty ata do t’i gjenin përgjigjet që i kërkojnë sot kur dikush u hedh dosje policore nëpër oborre dhe kopshtet e shtëpive, aty do ta shihnin se edhe qeveritë ku ka pasur nga pesë ministra shqiptarë, dialogun demokrat me ta e kanë zhvilluar nëpërmjet kordonëve policorë dhe proceseve të montuara gjyqësore.  Apo do ta shihnin qartë se edhe pas konfliktit të 2001, ata mbeten në dosjen që mban titull: "Ta mbrosh Maqedoninë nga rreziku shqiptar". Dhe kur do ta shihnin këtë, shqiptarët e këtushëm do ta kuptonin se për të sotmen e tyre nuk është gjithaq i rëndësishëm dëmi eventual i bërë nga "kodoshët" e dikurshëm policorë, por ai që ia bëjnë këtij populli udhëheqësit e tanishëm demokratikë. Dhe kur të arrijnë ta kuptojnë këtë, shqiptarët e Maqedonisë do t’ia dalin t’i përgjigjen pyetjes pse përfaqësuesit e tyre nuk guxojnë t’i kundërvihen partnerit qeveritar maqedonas, pse ata asnjëherë nuk kanë kërkuar përgjegjësi konkrete për rastet tragjike që ata përjetuan në dekadat e fundit. Pra, do ta kuptojnë se zbardhja e rasteve si ai i Sopotit, Brodecit e Radushës, nuk do të shpjegonte vetëm demokracinë policore, të cilën Maqedonia e aplikon mbi shqiptarët, por këto ngjarje do të shpalosin edhe fytyrën e vërtetë të pushtetarëve shqiptarë, të cilët edhe sot janë objekt manipulimi të qarqeve politike e policore maqedonase. Dhe ndodhen në pozitë të tillë ngaqë kurrë nuk e përdorën drejt forcën politike që del nga legjitimiteti që ta jep populli dhe ngaqë nga të gjitha rrugët e veprimit politik, ata e mësuan vetëm atë që të çon në koalicionin qeveritar, ngaqë kurrë nuk hapën shtigje që të bëheshin bashkëdrejtues të shtetit.
Sikur shqiptarët e Maqedonisë të mos i trembeshin gjithaq ballafaqimit me ngjarjet tragjike dhe manipulimet që ua bëri Maqedonia "demokratike" gjatë këtyre dy dekadave të fundit, ata prej moti do t’i pyesnin kryesuesit e PDSH-së dhe BDI-së se me çka do t’i pastrojnë dosjet e veprimit të tyre të sotëm politik, me çka do t’i fshijnë njollat e gjakut të mbetura në dosjet për rastin e Brodecit dhe të Radushës, e për të cilat tragjedi kurrë dhe askush nuk u përgjigj, dhe kurrë dhe askush nuk tregoi se si ishte e mundur të ndodhin gjakderdhje të tilla edhe madje në një shtet ku partiakët shqiptarë thonë se janë bashkëqeverisës të barabartë me maqedonasit. Pa dyshim se, sikur shqiptarët e Maqedonisë të kërkonin përgjegjësi nga përfaqësuesit e tyre për tragjeditë e ndodhura, ata do t’ia dilnin të shpalosnin se më keq se të jesh spiun i djeshëm, është të kesh mbetur vasal i sotëm i pushtetit maqedonas, se më keq se të kesh dosje të errët nga e kaluara, është të mos i trembesh dosjes së të sotmes tënde, e që do ta lexojnë të nesërmit, dosje që do të tregojë qartë se shoqërisë së sotme shqiptare nuk i mungojnë vetëm politikanë të nivelit më të lartë si ai i "odave të burrave", por asaj i mungojnë organizata joqeveritare dhe elita intelektuale që nuk janë të varura nga partitë, se ajo vuan mungesën edhe të medieve dhe të gazetarëve që merren me hulumtimin e rasteve që janë në interes të opinionit të këtushëm shqiptar.
Në dosjen e harresës kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë, qysh sot është shkruar qartë se sikur të kishin sektorë të mirëfilltë civilë, sikur të kishin media profesioniste, ata qëmoti do kërkonin nga përfaqësuesit e këtushëm partiakë të jepnin shpjegim sesi është e mundur të dënohen të pafajshëm, e askush të mos mbaj përgjegjësi për këtë. Sikur shqiptarët e Maqedonisë të mos ishin aq harrestarë, ata do kërkonin shumë shpjegime nga përfaqësuesit e tyre partiakë që vijnë e shkojnë nga qeveritë e këtij shteti, e të cilët mbase harrojnë se një ditë do të hapen dosjet e së sotmes, se një ditë dikush do ta zbardhë rolin e shqiptarëve në tragjeditë e sotme të këtij populli. Pra, sikur shqiptarëve të Maqedonisë të mos u pëlqente gjithaq harresa – edhe atë mbase vetëm që të mos përballen me paaftësinë e vet për të kërkuar përgjegjësi nga ata që i paguan për ta mbrojtur – nuk do të kishte parti mamaje apo udhëheqës partiak që do të kishte guxim të kërkonte votën e tyre, para se të zbardheshin rastet e përmendura. Andaj, duke u shtirë se të gjitha i kanë harruar, shqiptarët e Maqedonisë e nënshkruan fatin që nesër të shtangen nga përmbajtja e dosjes që e shkruajnë sot, që nesër, e jo sot, të shohin fytyrën e vërtetë të vasalëve të sotëm qeveritarë, e të cilët mbetën të varur nga qarqet maqedonase e policore vetëm shkaku se kishin pranuar të fshihnin nga populli të vërtetat për "Sopotat, Brodecat e Radushat". Shkurt e shqip, populli shqiptar i Maqedonisë do ta shkruajë drejt dosjen e së sotmes së vet vetëm atëherë kur do të ketë sektorë të mirëfilltë civilë, kur do të ketë elita intelektuale që nuk u përkulen prijësve partiakë, si dhe universitete që nuk pranojnë të bëhen degë partiake. Kur do t’i ketë të gjitha këto, populli i këtushëm shqiptar do të ketë edhe politikanë mbi nivelin e "bajraktarokratëve" të sotëm, e të cilët politikëbërjen e kanë barazuar me kuvendet nëpër odat e burrave. (lajm)
Shtuar më 15/11/2010, ora 08:40
Tage: MEHMETI
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori