Djemtë e vajzat të studiojnë veçmas?
Pëlqej
Albeu.com
Sipas një studimi, ndarja mund të ndikojë në cilësinë e mësimit. Arsyeja nuk ka të bëjë me fenë, apo diskriminimin, por mbështetet në një tezë shkencore.Marsin e kaluar, një çift amerikan mori një letër nga presidentja e një shkolle të mesme në kryeqytetin e Teksasit, Austin. Fëmijët e tyre, Laura dhe Monika, përkatësisht 12 dhe 11 vjeç, u pranuan në një institut shkollor në Teksas, që më 27 gusht nisi vitin e parë akademik. Kjo është shkolla e vetme publike për vajza në kryeqytetin teksan dhe e dyta në këtë shtet, e kërkuar nga një numër jashtëzakonisht i madh nxënësish. Por, në fakt, numri i atyre që u pranuan ishin vetëm 230. Emri i institutit, "Ann Richards", është edhe emri i ish-guvernatores demokrate të Teksasit dhe një nga lideret e partisë në nivel kombëtar, e larguar nga skena politike një vit më parë. Në fakt, ndarja në shkolla sipas sekseve, që deri tani ka qenë "mollë sherri" mes ultrakonservatorëve amerikanë, po bëhet tendencë mes liberalëve. Për shembull, çifti i sipërpërmendur ka zgjedhur këtë lloj edukimi për fëmijët e tyre jo për motive etike apo fetare, por sepse janë të bindur se në një shkollë të përzier vajzat e tyre do të ishin të penalizuara nga prania e meshkujve, që e thënë nga shumë ekspertë të komunitetit shkollor, ndërhyjnë me potencialin akademik të vajzave. Nuk është çështje disipline, por metodash mësimi dhe se si funksionon inteligjenca e dy sekseve. Thuhet se djemtë mësojnë në mënyrë praktike, duke u bazuar në një nevojë më të madhe ndjenjash prekëse, nuhatëse, dëgjimore dhe kanë një raport të ndryshëm nga vajzat, për sa u përket tingujve dhe materialeve. Domethënë, është forcuar bindja se strukturat cerebrale të dy sekseve janë të ndryshme. Truri i meshkujve ka më shumë lëndë gri, ndërsa ai i femrave më shumë lëndë të bardhë. Për këtë arsye nuk do të ishte e drejtë të aplikoje të njëjtat metoda mësimi për të dy. Shkencëtarët flasin gjithmonë e më shumë për inteligjencën emotive të grave, të intuitës që është më produktive për sa i përket mësimit në krahasim me inteligjencën praktike të bazuar tek eksperienca. Një studim i fundit i kërkuesve të Universitetit të Albertas në Kanada ka konfirmuar se burrat dhe gratë vënë në punë pjesë të ndryshme të trurit për të kryer të njëjtin aktivitet. "Por ka edhe më shumë", shpjegon psikiatrja Emily Ball, një nga autoret e studimit. "Ndonjëherë meshkujt dhe femrat përdorin të njëjtën pjesë të trurit për procese të ndryshme logjike" dhe është pikërisht kjo tema e "The new feminine Brain", libri i neuropsikiatres Mona Lisa Shulz, që ka për nëntitull "Si gratë zhvilluan forcën e brendshme, gjenialitetin dhe sensin e intuitës". Sipas saj, truri femëror dhe ai mashkullor është i pajisur me inde të ndryshme, që rregullojnë ekuilibrin cerebral. Por, mbështet Shulz, evolucioni i teknologjisë dhe i shoqërisë në 50 vitet e fundit ka qenë ndëshkues për gratë, që u duhet të mbijetojnë në një botë tradicionalisht mashkullore. E çuditshme? Jo. Sepse kjo tezë është baza e ndarjes shkollore. Shekuj më parë, sipas Schulz, gratë mësonin nga gratë e tjera, nga eksperienca e tyre, ndërsa sot, mjetet e marrjes së informacionit janë bërë homogjene nga interneti e nga televizori dhe rrezikojnë të shtrembërojnë ndryshimet tradicionale mes trurit mashkullor dhe atij femëror. Në këtë kontekst, në një botë "high tech", gratë vuajnë si nga pikëpamja emocionale ashtu edhe nga ajo fizike. Ndaj, për të kompensuar këtë çekuilibrim kanë zhvilluar një inteligjencë "ad hoc", e përshtatshme me strukturën e tyre të trurit. Atëherë ndarja nuk është një element superioriteti, por një mjet për të mësuar të përballosh në mënyrë më kreative në krahasim me kolegët meshkuj, kompjuterin, çështjet tregtare, apo ato financiare. Kështu, gratë që janë në aparencë më pak të vendosura, janë më të pasigurta se meshkujt. Procesi i vendosjes bazohet më shumë mbi intuitën dhe parashikimet për të ardhmen sesa mbi eksperiencën e fituar. "Jemi ndërtuar për të komunikuar me njëri-tjetrin. Neuroshkenca ka zbuluar se struktura e trurit është e tillë sa e bën të paevitueshme komunikimin me individët e tjerë, duke vënë në përdorim trurin", tregon neurologu David Goleman. Është një urë lidhëse mes qenieve njerëzore që lind nga emocionet. Por, mënyrat e komunikimit janë të ndryshme mes dy sekseve. Ja sepse ajo që po ndodh në Austin është bërë një tendencë kombëtare. Në Ohaio është hapur një shkollë fillore për vajzat, në Kaliforninë e Veriut një shkollë e mesme, ndërsa në Majami një kolegj. Vetëm në Nju-Jork janë nëntë shkolla publike vetëm për femrat. Po ashtu, aty ekziston edhe një shkollë që drejtohet nga një filozof, i cili është bërë promotor i ndarjes akademike të sekseve. Dhjetë vjet më parë në SHBA, shkollë publike ku studionin fëmijë të të njëjtit seks, ishin vetëm tre, ndërsa sot janë 262. Rezultatet duket se u japin të drejtë edhe separatistëve. Ja një shembull për të gjithë: fëmijët i mësojnë më mirë gjuhët e huaja kur nuk janë në prezencën e seksit tjetër dhe vajzat japin rezultate më të mira në algjebër apo në shkenca kompjuterike. Por nuk mungojnë edhe polemikat. "Për momentin, rezultatet janë kundërshtuese", thotë drejtori i departamentit për të drejtat civile në Ministrinë e Arsimit në Uashington. Në lojë futen edhe tabutë, ose më mirë traditat e luftës për të drejtat civile. Në vitin 1972 u miratua një ligj, që i ndalonte fondet federale shkollave publike, që nuk e konsideronin të paligjshëm diskriminimin që bazohej te seksi. Është një ligj që ka shërbyer për të mbrojtur të drejtën e studimit për homoseksualët dhe ka çuar edhe në krijimin e liceut të parë për studentët transeksualë financuar nga qeveria federale e Nju-Jorkut. Për shumë shoqata që mbrojnë të drejtat e njeriut nuk ka asnjë dyshim: ndarja në shkolla publike, sipas sekseve, është një dhunim i të drejtave kushtetuese. "Qeveria ka dhënë lejen për t‘u dhënë shkollave të drejtën për të ndarë meshkujt veç dhe femrat veç", proteston një anëtar i tyre. "Afirmohen kështu stereotipat e identitetit seksual, që mendohej se nuk ekzistonin më dhe kur flitet për ndryshimin biologjik të trurit, unë mendoj se është një koncept i rrezikshëm". I rrezikshëm edhe për shoqërinë. Një utopi femërore që ka frymëzuar "The cleft", romanin e fundit të fitueses së çmimit "Nobel" për letërsinë Doris Lessing.
G. Shqip
Shtuar më 13/11/2007, ora 21:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori