DJATHTAS jo MAJTAS
Albeu.com
nga Ramadan CipuriDritëhije nga më të ndryshmet janë hedhur mbi listat e kandidatëve për deputetë që partitë kryesore PD e PS kanë paraqitur në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.E teksa tek të dyja palët vihen re emra të rinj dhe përjashtime të të vjetërve, në qendër të debateve duket se është mosprezenca e Kryetarit të Partisë Socialiste, njëkohësisht kryebashkiak i Tiranës, zotit Edi Rama në listën e partisë më të madhe opozitare.

Partia Socialiste do të futet në zgjedhje me më shumë emra të rinj se kurrë ndonjëherë tjetër. Mungesa e disa prej emrave që kanë luajtur rol të rëndësishëm brenda selisë rozë që nga themelimi i partisë së re në vitin 1991, tashmë jo më “Partia e Punës” por “Socialiste”, ndër këta edhe vetë kryetari i partisë, zoti Rama, përbën një tjetër pikë delikate në nxitjen e interpretimeve nga më të ndryshmet. Në përgjithësi, jashtë listës janë lënë deputetet pro-nanoistë të epitetuar tashmë si pjesë e politikës së vjetër brenda PS-së. E ndërsa për të majtët, mungesa e Ramës në këtë listë mund të interpretohet pozitivisht, për të djathtët dhe pse jo edhe për një pjesë të mirë të elektoratit të majtë, kjo ngjall dyshime për afera të ndryshme.

Ajo që të vjen në mendje për herë të parë teksa nuk shikon emrin e kryebashkiakut Rama në listën e kandidatëve për deputet të partisë së tij, është vërtetimi i akuzave që të djathtët po bëjnë çdo ditë e më shumë lidhur me të, ku e akuzojnë për afera nga më të shumtat në dhënien e lejeve të ndërtimit për ndërtuesit dhe investitorët pro-socialistë të Tiranës. Për të mos u futur në detaje, sektori i ndërtimit në Tiranë tashmë duket qartë se është monopolizuar në duart e vetëm dy tre kompanive të vetme, duke lënë jashtë shumë të tjera të cilat ose kanë falimentuar ose po shkojnë drejt falimentit. Vërtetësia e akuzave të ngritura nga selia blu për kryesocialistin Rama i takon të zbardhet nga drejtësia, por mospjesëmarrja e tij në listën e deputetëve me të drejtë nxit interpretime dhe padyshim që do të ndikojë negativisht në rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Një tjetër faktor që duket se do të ndikojë negativisht për PS-në, është edhe niveli i dobët që në përgjithësi emrat e rinj të politikës së saj tregojnë në debatet televizive. Trajnuesi socialist që përgatit për debat kandidatët e rinj për deputetet, duket të jetë i dështuar që në fillim, pasi pothuajse të gjithë paraqiten me të njëjtat argumente, me të njëjtën mënyrë ndërhyrjeje në fjalën e tjetrit dhe pa asgjë të re nga kandidati në kandidat. Pa ndryshimin më të vogël si në ligjëratë, ashtu edhe në mimikë, sjellje televizive etj, teksa ndjek kandidatët socialistë që marrin pjesë nëpër debate të ndryshme, nuk të ngjallin më dëshirë për ndjekur të tjerët.

Në prag të këtyre zgjedhjeve vendimtare jo vetëm për partitë, por ç’është më e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, Partia Socialiste pësoi një grusht të vërtetë edhe nga intervista tashmë mjaft e përfolur që ish themeluesi i saj Fatos Nano dha për Blendi Fevziun. I njohur si një ndër politikanët “dhelpër” dhe më me eksperiencë në arenën e politikës shqiptare, Fatos Nano nxori sheshit shumë të fshehta politike midis socialistëve të vjetër që tashmë janë ndarë në disa kahe, LSI, PS, G99 etj. Pakti 10 vjeçar Rama-Meta që zoti Nano zbuloi, ishte një sulm ndaj figurës së kryesocialistit aktual duke e paraqitur atë si “tradhtar” dhe jo të besuar. Vetë Nano orientoi të gjithë mbështetësit e tij drejt LSI-së, duke e treguar atë si përfaqësuese më të mirë të së majtës.

Një tjetër pikë që socialistëve u duhet të rregullojnë, është edhe gjetja e një zëdhënësi të mirë, të përgatitur dhe tërheqës në ekranin e vogël por aq orientues të televizionit. Të gjithë jemi dëshmitarë të zgjedhjeve të fundit lokale ku ndryshimi midis zëdhënësve të PD-së Majlinda Bregu dhe asaj të PS-së Mimi Kodheli ndikoi ndoshta në votat e orëve mbrëmjes. Ndoshta ishte edhe e veçanta që i dhuronte të qenurit gazetare Majlinda Bregut që edhe pse PS kishte fituar në bashkitë më të mëdha, e qeshur dhe e sigurt për fitore të PD-së dilte para kamerave duke sfiduar ndjeshëm fitoren e PS-së e dhe amatorizmin e koleges së saj socialiste, Kodheli.

Megjithatë, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, kësaj here, e rëndësishme është që të kemi zgjedhje të mbajtura sipas standardeve në mënyrë që të çelen portat e Evropës dhe të justifikohet besimi që na u dha për anëtarësimin në NATO. Cilado parti të vijë në pushtet, rezultatet janë të dukshme...
Shtuar më 25/05/2009, ora 21:41
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori