Dite e re-nafake e vjeter…!!!
Albeu.com
nga Hamdi NuhijuNë Maqedoninë populiste edhe ditët ecin për së mbrapshti. Ata në vend që të sjellin nafakën e re, ata sillen e vërdallën rreth nafakës së vjetër. Ajo nafakë në veti është e ndërtuar ...... prej problemeve të njëpasnjëshme sociale, ekonomike, kulturore, politike etj. Është nafakë e rënduar edhe më shumë për shqiptarët e këtushëm. Sikur ky popull të ishte i ndarë prej sistemit konstituiv të këtij shteti dhe të jetonte nëpër stepa e male thjeshtë për të plotësuar orekset e popullatës shumicë. Sikur kjo popullatë të ishte shoqëruese e Robinzo Krusos si një rob i saj dhe jo si një autokton i një vendi me të drejta dhe liri të barabarta. Mediet, po edhe qeveria e këtij vendi tregoi haptas për rritjen e papunësisë në vend. Niveli i papunësisë në Republikën e Maqedonisë është superior në krahasim me nivelin e papunësisë së të gjitha shteteve të botës. Ne dolëm edhe para Rripit të Gazës së okupuar. Paramendoni Gazën e mbyllur nga të gjitha anët prej terroristëve izraelit, në luftë të përhershme për ekzistencë të popullit palestinez. Maqedonia jo vetëm që nuk ka embargo dhe bllokadë prej askujt, por ajo ka edhe benificione të shumta ekonomike dhe politike prej shteteve të ndryshme të rajonit, po edhe të botës.
Arsyetimi i ministrit të ekonomisë, politikës dhe punës sociale dhe të kryeministrit Nikolla Gruevski për rritjen e papunësisë ishte shumë qesharak. Ata thanë se në këtë periudhë të vitit logjikshëm kemi një rënie të ndjeshme të papunësisë në të gjithë botën dhe jo vetëm në Republikën e Maqedonisë.
Po përdori emrin zyrtar dhe kushtetues Republika e Maqedonisë edhe pse disa të ashtuquajtur nacionalist shqiptarë shpeshherë më kanë kritikuar për këtë veprim. Ata bazohen tek diskriminimet e shumta që i bëhen shqiptarëve të këtij vendi, por nëse ne nuk njohim këtë shtet me emrin e saj kushtetues dhe e quajmë IRJM, atëherë i vulosim gjitha diskriminimet e kësaj qeverie dhe të qeverive tjera duke i dhënë arsye maqedonasve për veprimet e tyre.
Duke u bazuar në disa teori ekonomike se në periudha krizash ilaçi më i mirë është investimi, Nikolla Gruevski me qeverinë e tij filloi që të investoj në kuaj e ura të betonta për të ndërtuar një histori të re të këtij shteti. Projekti i ndërtimeve të këtilla titullohej Shkupi 2014 i cili sipas Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë është anti-kushtetues.
Se Maqedonia gjendet në një qorr sokak pa zgjidhje na dëshmon fakti se Nikolla Gruevski vendimit të Gjykatës Kushtetuese i dha një shuplakë mediatike duke thënë se pa marrë parasysh se çka thotë ajo ne do të vazhdojmë me projektet tona. D.m.th. ky kryeministër nuk njeh për autoritet Gjykatën Kushtetuese dhe i jep të drejtë vetes që të shkel kushtetutën e këtij vendi gjithmonë që dëshiron ai.
Shpenzimet e ministrive përkatëse janë ulur me një vendim të qeverisë dhe pika ku më së shumti preken shqiptarët nga ky vendim është Ministria e Arsimit pasi që shumë shkolla që ishin të dëmtuara ose edhe janë nisur të ndërtohen rrezikohen që të jenë jashtë agjendës nga ana e ministrit të arsimit të Republikës së Maqedonisë.
Rreth 30 firma të fuqishme punojnë në projektin Shkupi 2014 për ndërtimin e një identiteti ndaj maqedonasve dhe Maqedonisë. Për identitetin e ri të ndërtuar ne si shqiptarë nuk duhet që të hidhërohemi, le të ndërtojnë, por në të le të përfshihen edhe figura të rëndësishme historike, politike dhe arsimore shqiptare që kanë vepruar në këtë shtet gjatë shekujve të ndryshëm. Edhe pse për nga volumi dhe kapaciteti këto firma janë shumë të fuqishme, përsëri ankohen për realizimin e obligimeve të qeverisë së këtij vendi ndaj tyre në pagesë. Ka firma të tilla ndërtuese të cilat gjatë gjithë ekzistencës së tyre në sferën e biznesit nuk i kanë vonuar rrogat për punëtorët, por për shkak të mos plotësimit të obligimeve të kësaj qeverie ndaj këtyre firmave, rrogat iu janë vonuar punëtoreve madje deri në dy tre muaj.
Kryeministri Nikolla Gruevski pranon se ka disa vonesa në plotësimin e obligimeve ndaj firmave përkatëse, por ai thotë se këto gjëra janë të natyrshme ngaqë ekzistojnë shumë projekte dhe është e vështirë që në të njëjtën kohë të bëhen pagesat ndaj tyre.
Dhe si tha edhe Nikolla Gruevski se pas 19 vjen i 20. Dita është e re, por nafaka e vjetër, sipas disa burimeve me mbi 80% të papunësuar shqiptarë në këtë shtet dhe me mbi 300.000 të papunësuar në këtë shtet.
Shtuar më 01/07/2010, ora 22:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori