Dialogu dhe toleranca ndërfetare: ecuri dhe sfida (1)
Albeu.com
nga Genti Kruja"Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë; kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, si dhe lirinë për të manifestuar fenë ose bindjet, vetëm për vetëm ose bashkërisht, si në publik ashtu edhe privatisht, nëpërmjet arsimit, praktikave, kultit dhe kryerjes se riteve." (Deklarata universale e të drejtave të njeriut, neni 18).Debatimi për dialog ndërfetar vetëvetiu nxit disponime dhe reagime të ndryshme, nga ato mohuese, miratuese deri tek ato indiferente.

Vlen të theksohet se masat e gjera të popullit kërkojnë dialog, se janë më afër thelbit të problemit se sa prijëtarët e tyre, të shkolluarit, të cilët zakonisht, janë të lidhur me ndonjë qendër ndikimi, intelektualisht ose politikisht.

Dialogu ndërfetar, jo vetëm që është i dëshirueshëm, por është proces i domosdoshëm. Procesi i dialogimit ndërfetar nuk do të thotë njëkohësisht proces i kristianizimit, islamizimit, judaizimit, etj., respektivisht nuk është asimilim në ndonjë nga këto grupime ose organizata fetare, por është proces që ka disa funksione dhe më kryesori është komunikim i vazhdueshëm popujsh, kulturash e traditash.

Natyrisht, ekzistojnë edhe shumë pikëpamje dhe perceptime të kësaj dukurie, dhe kjo e paraqitura është vetëm një nga shumë mundësi. Dialogu për shqiptarët dhe mbarë botën nuk paraqet diçka të pamundur, por rrugë kah sendërtimi i plotë i dëshirës njerëzore për dialog.

Këto funksione të dialogut kërkojnë edhe diçka tejet të rëndësishme, e ajo është arsimimi për dialog, mirëkuptim e tolerancë. Aktualisht programet shtetërore dhe private, te ne dhe në rajon, nuk ofrojnë ndihmesë të mjaftueshme në këtë pikëpamje. Vlen të theksohet fakti se shkollat mbeten shumë për të bërë në këtë fushë. Edukimi dhe arsimimi i gjerë dhe i thellë, moral dhe estetik thuajse tërësisht është neglizhuar nëpër sistemet tona edukative-arsimore laike.

Kjo bën që dialogu të kalojë, siç e shpreh këtë Hans Kung, nga injorimi, nëpër arrogancë deri te toleranca, që e përkthyer në gjuhë të përditshme do të thotë më shumë disa pranë disave dhe disa kundër disave, se sa disa me disa. Ka shumë të përbashkët, por nuk ka unitet; askush s’është kundër, por secili i përmbahet të vetes; ka tubime, por nuk ka veprime, ka afrime, por nuk ka dashuri; ka paralajmërime simbolike, por nuk ka orvatje serioze; ka zbutje kontestesh, por nuk ka kapërcime të tyre; ka falje, por nuk ka harresë. Nuk ka takime të besimtarëve, por vetëm të institucioneve fetare, ose të përfaqësuesve të tyre.

Nevoja për dialog midis popujve dhe besimeve është përforcuar prej ngjarjeve që kanë ndodhur vitet e fundit. Dialogu ndërfetar është parë si një prej alternativave për të shumëpërfolurën “përplasja e qytetërimeve”. Ata që nuk pajtohen me teorinë që përplasja e qytetërimeve është e pashmangshme, këmbëngulin në dialogun e qytetërimeve.
Pikërisht sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për një dialog ndërfetar dhe ndëretnik për një paqe botërore dhe një etikë globale. Njerëzit lipset të lënë pas paragjykimet, dyshimet dhe të vërtetat e cunguara, në mënyrë që të jenë në gjendje të kuptojnë të vërtetën e aludimeve. Trajtimet lipsen të mos kufizohen tek titujt e gazetave të përditshme, ku supozohet që një fe e caktuar ushqen terrorizmin, sulmet vetvrasëse, shtypjen e femrës dhe urrejtjen për të tjerët. Kush do të dëshironte atëherë të bashkëbisedonte me njerëz a popuj që përkrahnin ide dhe veprime të tilla?

Dialogu ndërfetar është sot një domosdoshmëri. Hapi i parë në vendosjen e tij është harrimi i së kaluarës, largimi prej argumenteve polemizuese dhe theksimi me përparësi i pikave të përbashkëta, të cilat janë më të shumta se kundërshtimet e ndërsjella.

Por si mund të jetë modeli ideal i dialogut ndërfetar? Cilat mund të jenë qëllimet e tij? Çfarë mund të arrihet? Për përgjigjen e pyetjeve të tilla, lipset në radhë të parë që njerëzit të dinë kufijtë në mes të dialogut teologjik dhe atij shoqëror. Detyra kryesore e dialogut duhet të jetë që problemet e shoqërisë të zgjidhen bashkë. Kudo në botë lipsen të përforcohen thirrjet për liderët fetarë, për diskutime mbi përmbajtjen e idealeve të përbashkëta.

Vlerat bazë që janë tipare të shek. XXI janë modernizmi, pluralizmi, individualizmi, etj.. Disa pretendojnë që modernizmi i ka bërë njësh jetën vetjake dhe shoqërore, duke krijuar forma të reja të jetës fetare, kulturore dhe të pluralizmit politik. Shumë teoricienë e kanë përshkruar modernizmin prej perspektivës së shtimit të sovranitetit njerëzor përtej kufirit të tij dhe përparimit të shkencës. Kjo lidhje e drejtpërdrejtë e vendosur midis shkencës, nga njëra anë dhe aftësive dhe sovranitetit, nga ana tjetër, ka treguar mundësinë që u jepet shteteve më të fuqishme për të praktikuar forma të reja të dominimit të vendeve dhe popujve të tjerë.

Globalizimi i dijeve, pushteteve dhe teknologjive është pasuar prej teorisë së një konflikti të mundshëm midis kulturave dhe qytetërimeve. Tezat e Huntingtonit për konfliktin e qytetërimeve kanë qenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe kanë zënë një vend të rëndësishëm në diskutimet globale të dhjetëvjeçarit të fundit. Jehona dhe ndikimet e kësaj teorie në marrëdhëniet ndërkombëtare janë akoma të pranishme.

Shekulli XXI përfytyrohet si shekulli në të cilin njerëzimi do të dëshmojë lindjen e një force që do të gjallërojë vlerat morale pas një përgjumje të gjatë, një shekull të tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që do të sjellë përfundimisht, përmes dialogut ndërkulturor dhe pjesëmarrjes së vlerave të njësuara, qytetërimin gjithpërfshirës.

Në botën moderne, një rrugë kryesore për t’i bërë të tjerët të pranojnë idetë e dikujt, kalon nëpërmjet besimit dhe bindjes. Ata që përdorin forcën janë qenie intelektualisht të rrënuara. Njerëzit gjithmonë do të kërkojnë liri për të zgjedhur në rrugën ku ecin, në idealet e tyre dhe në shfaqjen e tyre, në vlerat fetare dhe shpirtërore që ata mbartin. Kështu me gjithë të metat e saj, demokracia është tashmë i vetmi sistem politik që mund të jetojë dhe njerëzit duhet të përpiqen t'i modernizojnë dhe konsolidojnë institucionet demokratike për të qenë në gjendje të ndërtojnë një shoqëri, ku liritë dhe të drejtat e individit të jenë të mbrojtura dhe të respektuara, një shoqëri ku mundësitë e njëjta për të gjithë janë më shumë se një ëndërr.

Përpjekjet për zhvillimin e dialogut ndërmjet grupimeve sociale që përfaqësojnë ideologji, kultura, besime fetare dhe kombësi të ndryshme, kanë dhënë rezultate pozitive kudo.

Përpjekjet për paqe kanë pasur jehonë në konferenca dhe simpoziume të ndryshme në përmasa botërore. “Simpoziumi i Heronjve të Paqes” (11-13 prill 2003) në universitetin Agustinian të Teksasit paraqiti një listë të luftëtarëve të paqes në mbi 5000 vjet të historisë njerëzore. Në listën e heronjve bashkëkohës të paqes, përfshiheshin emra të tillë si Jezusi, Buda, Mohandas Gandi, Martin Luter Kingu dhe Nënë Tereza, Gyleni, etj.

Është e nevojshme që feja të mos jetë pjesë e problemit, por pjesë e zgjidhjes. Angazhimi për dialog mes kulturave dhe qytetërimeve është edhe një angazhim kundër terrorizmit. Çfarëdo lloj forme totalitarizmi është e papajtueshme me dialogun. Fetë lipset të jenë të afta për të dialoguar dhe t’i kontribuojnë dialogut social.

Toleranca, një term që ne e përdorim herë pas here në vend të fjalëve respekt, mëshirë, bujari, ose vetëpërmbajtje, është elementi më thelbësor për sistemet morale, burimi më i rëndësishëm i disiplinës shpirtërore dhe një virtyt mjaft i çmuar për njerëzit e përkryer.

Njerëzit në përgjithësi dëshirojnë t'i referohen të kaluarës dhe të tashmes për klimën e tolerancës dhe të durimit që shpërndan, shndërron, qartëson, dhe pastron. Atëherë ecin drejt së ardhmes me besim, pa asnjë ndjenjë ankthi. Njerëzit përgjithësisht nuk dëshirojnë që e kaluara të jetë e kritikueshme ose e ardhmja të jetë e errët për arsye të së tashmes.

Është e pamundur të bisedosh rreth ideve të përbashkëta ose një ndjenje kolektive në komunitetet ku individët nuk i vështrojnë të tjerët me tolerancë ose në vendet ku shpirti i vetpërmbajtjes nuk është i mbrojtur plotësisht.

Në një kohë kur bota është bërë si një fshat i madh dhe në një moment kur shoqëria jonë është në prag të një ndryshimi dhe transformimi të rëndësishëm, nëse popujt dhe besimet e ndryshme nuk hyjnë në bisedime dhe dialog me njëri-tjetrin, atëherë nuk do të jetë e mundur të shpjegohen plotësisht mosmarrëveshjet midis tyre. Në këtë këndvështrim, toleranca është virtyt që ka nevojë të shpërblehet dhe për këtë arsye, toleranca duhet të depërtojë në të gjithë shoqërinë. Universitetet lipset të frymëzojnë tolerancë, politikanët lipsen të diskutojnë rreth tolerancës, popujt në muzikën botërore lipset të shkruajnë lirika për tolerancën dhe mjetet e komunikimit masiv lipset të mbështesin për zhvillimet pozitive lidhur me tolerancën.

Të pranosh tolerancën, nuk do të thotë të anashkalosh traditat që burojnë nga feja e secilit, nga historia e secilit, toleranca është vlerë që ka ekzistuar gjithmonë. Në emër të dialogut të gjithë mund të bashkohen në tokën e përbashkët dhe të shtrëngojnë duart me të gjithë.

Demokracia është një sistem organizmi shoqëror që i jep mundësinë çdokujt që gjendet në krahët e saj, të jetojë dhe punojë, duke shfaqur ndjenjat dhe mendimet e tij. Toleranca është një komponent i rëndësishëm i saj. Nuk mund të flitet për demokraci në një vend ku toleranca, si vlerë e rëndësishme kulturore nuk ekziston.

Është e vërtetë që konceptet për demokracinë, paqen, dialogun dhe tolerancën janë përhapur kudo në botë edhe në sajë të zhvillimit të shpejtë e të shumanshëm të mjeteve të komunikimit masiv. E rëndësishme është që këto koncepte të shpalosen akoma më shumë dhe çdokush të përfitojë prej tyre dhe për këtë, përgjegjësitë, si ato personale, ashtu edhe ato shoqërore, bien mbi të gjithë njerëzit.

Në lidhje me këtë çështje, një nga veprimtaritë që mund të japë ndihmë të çmueshme në transmetimin e këtyre koncepteve dhe që mund të ndikojë fuqishëm tek shoqëria, pa dyshim që është sporti.

Për sa u përket pretendimeve të Hantigtonit rreth përplasjes së qytetërimeve, ato mund të jenë më shumë se vlerësime realiste në lidhje me të ardhmen. Këto lloj pretendimesh ngjajnë të jenë përcaktime të qëllimeve të reja në një përpjekje për të ndikuar në opinionin publik brenda strukturës së këtyre qëllimeve. Deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ishte ideja e një përplasjeje midis Lindjes dhe Perëndimit, ose midis NATO-s dhe vendeve të Traktatit të Varshavës. Tani, nga krijimi i fronteve të reja armiqësore, është duke u përgatitur një përplasje në mes qytetërimeve bazuar në dallimet fetare dhe kulturore dhe ende ka përpjekje të shumanshme për vazhdimin e sundimit të blloqeve të fuqive të mëdha.

Në të vërtetë, deri më sot, konflikti është diçka e dëshiruar nga qendra të caktuara të pushtetit. Masat e gjera të popullit kanë qenë vënë në alarm kundër një armiku të frikshëm. Ky armik është më shumë imagjinar se real. Kjo është mënyra me të cilën masat janë përgatitur për çdo lloj lufte.

Në të vërtetë, asnjë fe nuk është bazuar kurrë në konfliktin, nëse ajo fe është përfaqësuar nga Moisiu, Jezusi ose nga Muhammedi. Në të kundërt, këto fe, janë rreptësisht kundër rrëmujës, tradhtisë, konfliktit dhe shtypjes.

Një zhvillim i rëndësishëm që do t'i shërbente paqes është që Jeruzalemi si qytet i shenjtë, të shpallet një zonë ndërkombëtare, një vend ku njëlloj si të krishterët, judaistët dhe muslimanët të jenë të lirë për të shkuar në pelegrinazh pa kufizim, madje pa pasur nevojë për vizë.

Debati i sotëm intelektual evropian karakterizohet nga kundërshtimi i dy sistemeve vlerash të ndryshme: njëra që bazohet mbi teoritë antropologjike të trashëguara që nga Epoka e Rilindjes, Renesancës, dhe tjetra, e bazuar në botëkuptimin tradicional fetar. Kjo shpesh karakterizohet si përleshje mes humanizmit liberal të bazuar mbi diturinë shkencore, nga njëra anë, dhe “spekulimeve teologjike dhe metafizike të së kaluarës”, në anën tjetër. Në realitet, megjithatë, ne sot po ballafaqohemi me dy versione krejtësisht të kundërta të humanizmit; njëri buron nga bindjet ateiste, dhe tjetri i inspiruar nga religjioni dhe i shtyrë nga vlerat shpirtërore. Në të vërtetë, feja nuk i përket ekskluzivisht sferës së të kaluarës: përkundrazi ajo është forcë thelbësore shpirtërore, që inspiron miliona njerëz të së tashmes. Dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit XX treguan një ringjallje fetare në shumë vende të botës, e dukshëm veçanërisht në shtetet e Evropës Lindore, përfshirë këtu edhe Ballkanin pas rënies së komunizmit.


Pjesa e dyte vijon ne ditet e ardhshme...
Shtuar më 21/09/2007, ora 15:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori