"Deyton-2" hap idenë e bashkimit kombëtar
Albeu.com
Nëse imponohet një konference ndërkombëtare, atëherë në të duhet të marrin pjesë të gjitha kryeqendrat e politikës shqiptare në Ballkan. Tirana, Shkupi, Presheva, Ulqini, madje edhe Çamëria, sipas analistëve, do të bashkoheshin rreth idesë për bashkim kombëtar.Shqiptarët janë kundër mbajtjes së një konference ndërkombëtare, sepse ajo nuk do ta zgjidhte çështjen e Kosovës. Problemi do të mbetej i hapur, ndërsa Beogradi do të fitonte në kohë. Por, nëse një konference e tillë imponohet nga ndërkombëtarët, atëherë në të duhet të marrin pjesë të gjitha kryeqendrat e politikës shqiptare në Ballkan. Tirana, Shkupi, Presheva, Ulqini, madje edhe Çamëria, sipas analistëve, do të bashkoheshin rreth idesë për bashkim kombëtar

Nëse mbahet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në të, sipas analistëve, duhet të marrin pjesë të gjithë faktorët shqiptarë në Ballkan - Tirana,
Shkupi, Presheva, Ulqini, madje edhe Çamëria - për shkak se në të tilla konferenca të gjitha opsionet janë të hapura, mes tyre ndarja e Kosovës, apo shkëmbimi i territoreve, çështje këto që nuk i takojnë vetëm Kosovës, por tërë kombit shqiptar.
"Natyrisht, kur bisedohet për të ardhmen e Kosovës, në konferenca të tilla sigurisht duhet të marrin pjesë sa më shumë faktorë. Pra, edhe Tirana, edhe Shkupi, sepse mund të shtrohen opsione të ndryshme. Shqiptarët duhet të marrin pjesë, edhe pse dihet qëndrimi i tyre", tha për "Lajm" ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Arian Starova. Sipas Muhamet Kelmendit, professor i Shkencave Politike në Universitetin Mbretëror "Iliria", organizimi i një konference të tillë, pavarësisht sa do të zgjaste, do të krijonte një situate krejt tjetër, që nuk do të sillte asnjë zgjidhje.
"Një konferencë e tillë nuk do ta zgjidhte çështjen e Kosovës, por do ta ngrinte çështjen e shqiptarëve në Ballkan. Në të do të duhej të merrnin pjesë edhe shqiptarët e Tiranës, Shkupit, Ulqinit, Preshevës dhe Çamërisë dhe të kërkonin bashkimin e shqiptarëve në një shtet nacional", thotë Kelmendi për "Lajm".
Nëse mbahet një konferencë për rivendosjen e kufijve, sipas Kelmendit, faktorët shqiptarë nuk duhet të pajtohen me shkëmbimin e territoreve e as ndarjen, por të kërkojnë bashkimin e popullit shqiptar. Mundësia e organizimit të një conference të tipit të Deytonit është hedhur nga përfaqësuesi i BE-së në treshen ndërmjetësuese të Grupit të Kontaktit, Wolfgang Ischinger, muajin e kaluar. Ideja është fuqizuar edhe në takimin e së dielës në Bruksel, edhe pse pala kosovare e ka kundërshtuar që në start, për shkak se në konferenca ndërkombëtare të gjitha opsionet janë të hapura. Prandaj, ishzëvendësministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Pëllumb Xhufi, është kundër këtyre konferencave, të cilat, siç thotë, janë ide ruse, të hedhura në vitin 1998. "Sepse nga atëherë kanë ndryshuar rrethanat. Ka ndodhur një luftë. Së dyti, tani është një proces i negociatave dhe presim që të zgjidhet statusi i Kosovës. Një konferencë me shumë faktorë absolutisht nuk do të sillte ndonjë zgjidhje për Kosovën, sepse do të linte sherr, duke bërë që problemi të mbetej i hapur edhe më tej", tha Xhufi për "Lajm", të mërkurën. Sipas tij, kjo conference do të bëhej vetëm për t'i dhënë kohë Beogradit. Ajo do të duhej të mbahej në vitin 1998, e jo tani. "Por, nëse do të mbahej, atëherë fjalën kryesore për Kosovën do të duhej ta thoshin SHBA-të dhe BEja". BEja". Mundësinë e mbajtjes së një tipi konference të llojit të Deytonit, ku mund të diskutohej ndarja e Kosovës, nuk e përjashton as analisti nga Instituti i Studimeve Strategjike Kombëtare në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes, Jeffrey Simon. "Status-quoja është e paqëndrueshme, një konferencë sipas modelit të Dejtonit ndoshta është e mundshme. Një ditë pas 10 dhjetorit do të jemi dëshmitarë të pavarësisë së Kosovës, por jo në kufijtë e saj të sotëm. Pyetja është se a do të jetë ky rezultat paqësor i negociatave dhe I procesit të kontrolluar", ka thënë Simon për "Zërin e Amerikës". Nga ana tjetër, Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) tërheq vërejtjen se nëse copëtimi i Kosovës zyrtarizohet apo nëse pavarësia e Kosovës pasohet me dhunë në shkallë të gjerë, paqja do të mund të prishet edhe në Luginë të Preshevës. Presidenti Fatmir Sejdiu u bëri thirrje të mërkurën të gjithë mekanizmave vendimmarrës ndërkombëtarë që t'ia tërheqin vërejtjen Serbisë, të mos ngritë tensione në Luginën e Preshevës. Duke iu referuar raportit të ICG-së, Sejdiu kërkoi edhe nga Serbia që t'i ndërpresë lojërat e tilla, që do të mund të ishin me pasoja të paparashikueshme për rajonin.
Lidhur me rrjedhën e procesit dhe idetë që kanë qarkulluar së fundi ka reaguar edhe ish-presidenti I Shqipërisë, Alfred Moisiu. Qoftë Tirana, qoftë Prishtina, por në mënyrë të veçantë Prishtina, ka thënë Moisiu, duhet të jenë më agresive në trajtimin e problemeve dhe reagimin ndaj mënyrave të zgjidhjes që ofron pala serbe. "Nuk mendoj se nëse Kosova e shpall pavarësinë, Mitrovica do të shkëputet. Nëse do të ketë në vazhdimësi kërkesa nga më të ndryshimet që e barazojnë Kosovën me Abhazinë, ose me ndonjë vend tjetër në botë, natyrshëm mund të dalin zëra që thonë pse të mos bashkohet Kosova me Shqipërinë", ka thënë Moisiu në një intervistë për BBC-në.
Sebahate Shala, Lajm
Shtuar më 19/10/2007, ora 18:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori