Momenti dhe goli më i mirë, çfarë e karakterizoi Euro 2020

Kampionati Evropian përfundoi të dielën mbrëma me ndeshjen finale në “Wembley”, në të cilën Italia e mposhti Anglinë 3:2, pas penalltive. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultatin 1:1. Një ditë pas mbylljes së Evropianit, po bëjmë një përmbledhje të gjërave më të mira, më të këqija dhe më të çuditshme të këtij turneu.

Momenti më i mirë

Ishte e bukur, prekëse dhe ngritëse, kaq shpejt pas gati një tragjedie. Tifozët e tronditur brenda “Parken Stadium” po prisnin për njoftime pasi mesfushori i Danimarkës, Christian Eriksen, kolapsoi në fushë gjatë ndeshjes kundër Finlandës. Pasi mbretëroi heshtja, ishin mbështetësit finlandezë që thyen heshtjen e frikshme. “Christian! Christian!”, brohoritën ata. Tifozët danezë dhanë përgjigjen e tyre që bëri jehonë rreth vendit të ngjarjes: “Eriksen! Eriksen!”. Brenda pak sekondave, mbështetësit nga të dy skuadrat u bashkuan në një brohoritje të madhe kur spikeri i stadiumit tha se Erikseni ishte “stabil dhe i zgjuar”.

Futbolli, si një sport i tërë, dha një psherëtimë kolektive lehtësimi pas një prej incidenteve më të frikshme në historinë e turneut, një që solli më të mirën nga shokët e ekipit të Eriksenit.

Top-lojtari

Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, mund të jetë zgjedhur lojtari i turneut nga UEFA, kryesisht sepse ai e priti penalltinë vendimtare në ndeshjen finale.

Por është e vështirë të shikosh përtej Simon Kjaerit.

Mbi të gjitha, kapiteni i Danimarkës mund të shpëtojë një jetë. Ishte Kjaer ai që siguroi qafën e Eriksenit, siguroi që rrugët e tij të frymëmarrjes ishin pastruar dhe filloi shtypjet e gjoksit para se të mbërrinin mjekët. Kjaer më pas organizoi formimin e një muri mbrojtës rreth Eriksenit me shokët e tij të skuadrës dhe ngushëlloi partneren e Eriksenit kur ajo hyri në fushë. Kjaer mori rolin e tij si kapiten përtej fushës së lojës, duke iu drejtuar lojtarëve të tronditur të ekipit të tij pas asaj loje shqetësuese kundër Finlandës dhe duke i udhëhequr ata në një udhëtim të ngarkuar emocionalisht nga faza e grupeve e deri në gjysmëfinale kundër Anglisë. Përkundër që shënoi autogol për barazimin e Anglisë, Kjaer ishte sërish lideri që ngushëlloi lojtarët e Danimarkës pas eliminimit në gjysmëfinale pas vazhdimeve.

Goli më i mirë

Ngjante më shumë me një goditje golfi sesa futbolli. Ndërsa topi rrotullohej lirshëm, sulmuesi i Çekisë, Patrick Schick, goditi nga 49.7 metra dhe arriti ta mposhtë portierin David Marshall që e kishte lëshuar portën. Ishte gol fantastik – më shumë se 10 metra larg se goli me distancën më të gjatë në historinë e turneut. Në fakt, ishte Schick ai që kishte vërejtur portierin Marshall që e kishte lëshuar portën dhe po priste momentin e duhur. Goli i shënuar nga Schick ishte një dëshpërim i madh për portierin skocez, i cili u mundua por nuk arriti ta largojë topin. Ai përfundoi i ngatërruar në rrjetën e portës. Ky gol i çekut Schick mund të konsiderohet si goli më i mirë i “Euro 2020”. Ndihmoi Çekinë ta mposhtë Skocinë 2:0 në fazën e grupeve.

Dështimi më i madh

Kur Kylian Mbappe pa penalltinë e tij të pritej nga portieri i Zvicrës, Yann Sommer, sulmuesi francez e mbylli një turne dërrmues – disa mund të thonë zhgënjyes – për një lojtar që konsiderohet si superylli i ri i futbollit botëror. Me dështimin e Mbappes nga penalltia, Franca i dha fund aventurës së saj në “Euro 2020” në 1/8 e finales. Sulmuesi Mbappe nuk shënoi asnjë gol në katër ndeshje në Evropian, turne që e filloi në mënyrë të pakëndshme pasi dolën zëra se ishte grindur me Olivier Giroudin. Mbappe, ylli i ri i botërorit “Rusia 2018”, me siguri se do të kthehet vitin tjetër nga Katari, por ai nuk do ta kujtojë me kënaqësi përvojën e tij të parë në Kampionatin Evropian.

Momenti i pakëndshëm

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, ishte në zonën e tij teknike, në pritje të fillimit të ndeshjes në fazën e grupeve kundër Gjermanisë, kur u detyrua të futej brenda dhe të vinte duart mbi kokën e tij ndërsa mbeturinat binin nga lart. Një protestues i grupit ambientalist “Greenpeace” sapo kishte rënë në stadium me një parashutë, pasi kishte humbur kontrollin dhe kishte goditur telat e një kamere të sipërme të bashkëngjitur në çati. Kjo bëri që ai të largohej nga zona e lojës drejt tribunës kryesore të stadiumit. Disa spektatorë u trajtuan për lëndime në spital për shkak të rënies së mbeturinave mbi ta.

Befasia më e madhe

Askush nuk kishte parashikuar që Danimarka mund të arrinte deri në gjysmëfinale të Evropianit. Por ja që ndodhi. Pas humbjeve në dy ndeshjet e para në grup dhe me lojtarin më të rëndësishëm, Christian Eriksen, jashtë turneut, ishte e mahnitshme të shihej Danimarka që arriti të avancojë nga faza e grupeve, me fitore ndaj Rusisë, në ndeshjen e fundit. Pas fitores ndaj Rusisë, Danimarka shkëlqeu në fazën e nokautit. Fillimisht eliminoi Uellsin me rezultatin 4:0 përpara se ta eliminonte edhe Çekinë 2:1 në çerekfinale.

Një përsëritje e ”Euro 1992”, kur Danimarka u shtua në turne me një njoftim të vonshëm për shkak të diskualifikimit të Jugosllavisë. Por humbja në gjysmëfinale 2:1 ndaj Anglisë në vazhdime, pas një penalltie të diskutueshme, i dha fund përrallës. Lojtarët e Danimarkës u drejtuan në shtëpi të dëshpëruar, por si heronj për shumë tifozë të futbollit.


Shtuar 13.07.2021 09:16

Tags: