Deri kur do ta mbrojme Maqedonine?!
Albeu.com
nga Blerim HyseniEdhe sa vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit një ndër temat më debatuese vazhdon të jetë implementimi i saj. Nëse kthehemi mbrapa në kohën e pas nënshkrimit na kapë nostalgjia ...... se të gjitha problemet atë kohë mendonim se u zgjodhën ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve për funksionim të një shteti të përbashkët. Përpjekjet dhe vendosmëria e shqiptarëve për realizimin e objektivave të tyre politike ka qenë dhe vazhdon të mbetet: e para jetësimi i plotë i kësaj marrëveshje për të cilën shqiptarët sakrifikuan jo edhe pak dhe e dyta intergimin në strukturat euroatlantike të këtij shteti të përbashkët. Por për të pas një marrëdhënie të mirë bashkëshortore duhet të ketë vullnet të dyanshëm. Në korelacion të kësaj a thua në Maqedoni kemi vullnet të këtillë, shqiptar dhe maqedonas , për të ndërtuar së bashku këtë shtet me probleme të shumta identiteti, thuaj se me gjithë fqinjët përveç me shqiptarët. Me plotë argumente mund të konstatojmë se nga 2001, d.m.th. që pas projektit për ndarjen e Maqedonisë nga ana e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, vetëm shqiptarët janë dëshmuar të gatshëm për ndërtimin e shtetit mbi bazën e vlerave demokratike, duke respektuar dallimet dhe divirgjencat qofshin ato politike e me theks të veçantë ato etnike. Shqiptarët që nga pavarësia, veçanërisht pas këtij projekti dëshmuan se të vetmen rrugë kanë jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike. Që të dy këto synime nga estabilishmenti politik maqedonas janë marrë vetëm në mënyrë deklarative, dhe asnjë subjekt nuk është angazhuar realisht për arritjen e këtyre dy synimeve që vlerësohen jetike për ekzistimin e Maqedonisë si shtet. Nëse analizojmë në çdo institucion ku sot kemi drejtor maqedonas, e zv shqiptar, kemi probleme për funksionimin e tyre, ndërkohë që e kundërta nuk ndodhë, aty ku drejtori është shqiptarë zëvendësi i tij maqedonas, problemet janë shumë më pak të theksuara për të mos thënë, ato nuk ekzistojnë fare. E vetmja mënyrë e funksionimit të institucioneve është ose udhëheqësi (qoftë drejtor, kryetar ose diçka tjetër) pra, bartësi i institucionit dhe zëvendësi i tij të kenë nënshkrim të lidhur, ose postet e zëvendësit të eliminohen në të gjitha institucionet shtetërore . Vlerësoj se më mirë është të kesh 15 bartës të funksioneve se sa 300 zëvendës që nuk pyeten për asgjë. Nëse analizojmë edhe mënyrën e funksionimit të qeverisë thuaj se të njëjtën gjendje e kemi, vallë pse ndodhë kështu ? E para, vlerësoj se ka të bëjë me gatishmërinë e shqiptarëve për të bashkëpunuar, ndërkohë që kjo gatishmëri te pala maqedonase është vetëm në mënyrë deklarative dhe e dyta, maqedonasit vazhdojnë t’i trajtojnë institucionet e tyre si pronë e tyre në të cilat shqiptarët kanë mundësi si zëvendës të marrin një rrogë dhe aty diku ndonjë makinë zyrtare,dhe kaq hiç më shumë!!! Shqiptarët ashtu edhe si deri më tani dëshmuan konstruktivitet, por sa do të jetë jetëgjatë ky konstruktivitet? Tendencat e kryeministrit aktual Nikolla Gruevski për ta futur BDI- në në sherr me ndërkombëtarët janë të kota sepse kryetarit të BDI-së z.Ali Ahmetit çdo vërejtje mund t’i bësh por në drejtim të bashkëpunimit me ndërkombëtarët asnjë. BDI për momentin duhet të jetë më syçelë ndaj veprimeve të VMRO-së si partnere e qeverisë dhe ndaj ndërkombëtareve që nuk guxon as të diskutohet. Gruevski me tendencën për të aplikuar gjuhën maqedonase që nga klasa e parë qartë tregoi se dëshiron të hap tema të karakterit ndëretnik duke e ditur se shqiptarët pikërisht në arsim kanë pikën e dobët . Është më se e qartë se Gruevski nuk është i interesuar jo vetëm të zgjidh kontestin me Greqinë, por, as ta inkuadrojë Maqedoninë në strukturat euroatlantike. Duke u hapur çështjet ndëretnike ai tenton që BDI-së t’ia imponojë daljen nga qeveria dhe të shpallen zgjedhje të parakohshme, por këtë tendencë besoj që e ka të qartë edhe më naivi në politikë. Ndërkohë që kryeministri për momentin është duke luajtur edhe një lojë edhe më të rrezikshme të karakterit fetar. Lejimi i ndërtimit të Kishës në qendër të kryeqytetit, dhe jo i Xhamisë është tendencë e qartë për t’i paraqitur shqiptarët si fundamentalistë islamik, tezë që ndërkombëtarët për shkak të zhvillimeve të gjithëmbarshme janë tepër të ndjeshëm. Ndërtimin e Kishës dhe jo të Xhamisë, shqiptarët kanë mundësi ta kuptojnë në dy mënyra, e para, se Shkupi nuk është kryeqytet edhe i shqiptarëve , dhe e dyta se shqiptarët nuk kanë se çfarë të kërkojnë andej Vardarit, sepse atje jeton populli ”elitë” ne këtë mënyrë duke fshehur apo rrënuar gjithçka që ka të bëjë me historinë kombëtare dhe fetare të shqiptarëve. Tendencat e kryeministrit Gruevski janë të qarta, por ku janë shqiptarët? I vetmi reagim që bëri bujë në opinion ishte letra e deputetit Fazli Veliu. Por, fatkeqësisht tek shqiptarët si gjatë historisë edhe sot e kësaj dite vazhdon avazi i vjetër, duke i shikuar gjërat me dioptrinë e interesit të ngushtë politik dhe marketingut partiak. T’i thuash Dajës (UDB-ash) është njësoj sikur të thuash se njeriu i parë që ka mbërri në hënë është shqiptarë !? Natyra e veprimit të Dajës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e pa kompromis kur në pyetje është mbrojtja e interesave kombëtare, këtë ai e ka dëshmuar me veprimin e tij politik, qoftë në ilegalitet, qoftë në legalitet që nga 2002 e këndej. Shpirti i tij revolucionar vazhdon të kultivohet edhe në këtë moshë të thyer të tij . Kur Fazli Veliu ka mbrojtur idenë se Kosova nuk mund të pavarësohet pa i përveshur mangët dhe pa marrë pushkën në dorë, disa që sot e quajnë (UDB-ash) ende bukës i kanë thënë mama. Është turp jo vetëm për ata që e quajnë të tillë, por edhe për disa të tjerë të cilët i thanë se ai vepron në këtë mënyrë sa për sy e faqe, ose edhe më fatale ta krahasosh atë me Sejdo Bajramoviça nga njëra anë e nga ana tjetër Millosheviqit po i njëjti deputet i thotë “ zotëri!!!” Letra e Fazli Veliut ishte me qëllim të mirë jo vetëm për shqiptarët, por në veçanti për Maqedoninë. Te vetmen “akuzë” që mund t’ia bëjmë Dajës por edhe gjithë shqiptarëve, pse edhe më tej janë të vetmit qe angazhohen me tërë qenien e tyre për ruajtjen e këtij shteti . Daja nuk di ndryshe të veprojë sepse ai ka shpirt unikat dhe nëse tenton dikush ta ridimenzionojë atë dhe gjërat t’i vështrojë nga ndonjë kënd tjetër do të jetë i dështuar, në fakt edhe s’ka nevojë për ndonjë vështrim tjetër. Në vorbull të gjitha këtyre zhvillimeve më ra në sy reagimi i kryetarit të DR-së Ymer Selmani ( parti e cila Fazli Veliun e krahasoi me bajram-viçin) i cili në foltore të parlamentit pa fije turpi mbrojti VMRO-në dhe akuzoi zv/kryeministrin Abdylaqim Ademi . Nëse i kthehemi për pak çaste të së kaluarës shumë lehtë e kemi të konstatojmë se çdo herë politika maqedonase, por edhe ajo serbe, ka tentuar që sherrin ta fusë ndërmjet shqiptarëve dhe lufta të zhvillohet ndërmjet kampit politik shqiptarë dhe jo shqiptaro-maqedonas. Siç duket këto instruksione Ymer Selmani i mori nga mentori i tij Nikolla Gruevski . Nga ana tjetër pse mediat maqedonase i dhanë publicitet kaq të madh siç nuk ka ndodhë në të kaluarën letrës së Fazli Veliut? E para, është se letra e tij kishte alarmin e fundit, jo vetëm për VMRO-në dhe kryeministrin Nikolla Gruevski, por, edhe për vetë funksionarët dhe anëtarësinë e BDI-së, se gjërat nuk po ecin me ritmin e dëshiruar në veçanti nga 2006 e këndej, kur u shkel verdikti i shqiptarëve në Maqedoni, nga po ky Imer Selman, i cili tani i paska “mësuar” shumë mirë rregullat e demokracisë!!! Pndaj, për fund mund të konstatoj se Daja dha alarmin e fundit, këtë e kuptuan shumë mirë përfaqësuesit ndërkombëtare të cilët për Nikolla Gruevskin nuk janë me relevancë . Të shpresojmë se ky alarm do të ndezë dritën e gjelbër të krijimit të besimit të ndërsjellë sepse për ndryshe vaj halli për Maqedoninë e në veçanti për maqedonasit, ngase fajin e mos integrimit, dështimeve ekonomiko-politike, problemet e etnisë në lindje të shtetit, nuk do të mund kush (as Nikolla) t’i hedhë më mbi etninë shqiptare para popullit të vet e as para komunitetit ndërkombëtarë, dhe paaftësia e menaxhimit do të bjerë mbi ta , mbi të cilët edhe do të pasojë shpërblimi… (lajm)
Shtuar më 02/02/2010, ora 00:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori