Daytoni, 13 vjet pas
Pëlqej
Albeu.com
Trembëdhjetë vjet më vonë, askush nga nënshkruesit e marrëveshjes nuk jeton më, origjinali i marrëveshjes ka humbur, kurse politikanët në BeH edhe më tutje insistojnë në revidimin e saj.
Në marrëveshjen, e nënshkruar në bazën ushtarake amerikane Wright Patterson, në qytezën Dayton, pas negociatave trejavëshe të krerëve të BeH, Kroacisë dhe Republikës federale të Jugosllavisë dhe me ndërmjetësimin e SHBA, Bosnje e Hercegovina u nda në dy etnitete, në Federatën e BeH dhe në Republika Srpska.

Marrëveshjen e nënshkruar në Dayton në praninë e sekretarit amerikan të Shtetit, Warren Christopher, Milosevic, Tudjman dhe Izetbegovic e zyrtarizuan tri javë më vonë, më 14 dhjetor, në Pallatin Elysee në Paris.

Nënshkruesit u obliguan që raportet me njëri-tjetrin t’i rregullojnë përmes Deklaratës së OKB, Aktit final të Helsinkit dhe konventave dhe dokumenteve tjera të OSBE, por edhe në respektimin e sovranitetit të ndërsjellë dhe për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve ekskluzivisht në mënyrë paqësore.

Parlamenti i Jugosllavisë e ratifikoi Marrëveshjen e Daytonit më 13 nëntor 2002, dhe Jugosllavia kështu u dërgoi një porosi të qartë fqinjëve se nuk ka pretendime territoriale kundrejt BeH, dhe se do t’i përmbahet plotësisht parimeve të marrëveshjes së Daytonit.

Në pesë vjetët e para pas nënshkrimit të marrëveshjes, me organizimin e takimeve ndërkombëtare për çdo nëntor, në Dayton shënoheshin përvjetorët e përfundimit të luftës në BeH.

Përfaqësuesit e vendeve nënshkruese të marrëveshjes dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë për herë të fundit u takuan në Wright Patterson në nëntorin e vitit 2000, megjithëse në shënimin e asokohshëm të jubileut nuk mori pjesë asnjëri prej nënshkruesve.

Ish i deleguari ndërkombëtar për Ballkanin, Richard Holbrooke, i cili edhe konsiderohet arkitekti kryesor i marrëveshjes, në tetor 2005 tha në Sarajevë se Marrëveshja e Daytonit e ndali luftën në BeH, megjithëse brenda saj ka edhe disa gabime,të cilat u shfaqën kryesisht për shkak të mospërmbushjes së saj.

Në dhjetëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Daytonit, Holbrooke’ut iu nda Shpërblimi i Daytonit për Paqe, si shenj mirënjohjeje për arritjen e Marrëveshjes së Daytonit.

Mirënjohja që ndahet për merita të posaçme në ndërtimin e shoqërive të shkatërruara nga luftërat më parë iu nda edhe ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, por edhe filantropit, George Soros.

Viteve të fundit politikanët e BeH, përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare shtruan nevojën e revidimit të Marrëveshjes së Daytonit.

Ish-përfaqësuesi i lartë për BeH, Paddy Ashdown, gjatë mandatit të tij nënvizonte se Marrëveshja e Daytonit paraqet një zgjidhje bazike, por jo edhe përfundimtare për BeH, kështu që ndryshimet eventuale duhet të burojnë nga vetë BeH.

Edhe paraardhësi i tij, Wolfgang Petrich, mendon se është i domosdoshëm një reformim i Marrëveshjes së Daytonit, ashtu që BeH të bëhet një shtet funksional që mund të negociojë me BE.

Revidimin e Marrëveshjes së Daytonit në fund të vitit 2004 e kërkoi edhe një grup deputetësh të Parlamentit Evropian, por edhe disa politikanë tjerë evropianë në Strasbourgh. Asokohe, në konferencën evropiane ‘Justicia pax’, u aprovua një deklaratë për nevojën e revidimit të Daytonit.

Përfaqësuesi i ri i lartë për BeH, i gjashti me radhë, diplomati sllovak Miroslav Lajcak, derisa po e merret detyrën e re, në qershor të vitit të kaluar, shprehu shqetësimin me gjendjen në BeH, duke vlerësuar se “BeH tani është vendi më i largët Evropës krahasuar me të gjitha vendet tjera të rajonit”, sepse në shtet ishin ndalur proceset reformuese (policia dhe ndryshimet kushtetuese), të cilat paraqesin kushtin kryesor për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Liderët e SNSD (Milorad Dodik), SDA (Sulejman Tihic) dhe HDZ për BeH (Dragan Covic), gjatë takimit në Odzaci, më 8 nëntor arritën marrëveshjen për reformat kushtetuese në BeH. Sa i përket Kushtetutës së re, Lajcak mendon se ato janë domosdoshmëri urgjente për BeH, në mënyrë që ajo të bëhet funksionale dhe më efikase, kurse administrata e saj më e lirë.

Që qershor të 2008’ës, në Luxembourg, BeH dhe BE nënshkruan MSA dhe Marrëveshjen e Përkohshme Tregtare.

Para tri vitesh në Bruksel u mbajt konferenca për ndryshimet kushtetuese në BeH, ku liderët e tetë partive më të fuqishme politike të BeH nuk arritën të merreshin vesh për ndryshime përmbajtjesore të Marrëveshjes së Daytonit, megjithëse u arrit pajtimi që të forcoheshin strukturat qeverisëse, ashtu që ato të jenë më efikase.

Komisari evropian për Zgjerim, Olloi Rehn, kohë më parë shprehu dëshpërimin e tij shkaku i stagnimit të reformave në BeH, dhe theksoi se ishte i shqetësuar me retorikën negative dhe me situatën aktuale politike në BeH.

Një prej të akuzuarve më të kërkuar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës të kryera në BeH, Ratko Mladic, është ende i lirë, ndërkaq tjetri, Radovan Karadzic, është arrestuar në korrik 2008 në Serbi, dhe i është dorëzuar Tribunalit.

Ndërkaq, kryesuesi i Kryesisë së BeH, Zeljko Komsic, në fillim të viti njoftoi se nga arkivat e Kryesisë ishte zhdukur dokumenti origjinal i Marrëveshjes së Daytonit. (Beta)
Shtuar më 22/11/2008, ora 02:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori