Ç'premtime do bëja në rolin e një boss-i partie?
Pëlqej
Albeu.com
Në një fushatë elektorale, kam nevojë të dëgjoj nga goja e një aspiranti për kryeministër, apo e një kryetari të një partie parlamentare, disa premtime që kurrë s’i kam dëgjuar, s’ka gjë se është e udhës të bëhen, s’ka gjë se është e kollajtë të thuhen e s’ka gjë se nuk duhet ndonjë mundim për t’i mbajtur. Amá, nëse thuhen e mbahen, politika bëhet, në mos eficiente, të paktën e ngjërueshme. E duke qenë se s’i ka bërë askush, po i bëj vetë. Duke supozuar se jam kryetar i një partie me ambicie për të qeverisur vendin. Po i rendis si të më vijnë, duke folur në vetë të parë, siç flasin rëndom kryetarët e partive tona (një stil shumë i kuptueshëm dhe shumë i pranueshëm nga ne shqiptarët). E në këtë mes nuk ka rëndësi nëse partia është e madhe apo e vogël. Këto premtime mund të bëhen fare mirë edhe nga kryetari i një partie dosido parlamentare, dhe mund të vihen si kusht në negociatat për krijimin e një koalicioni qeverisës. Ja:
1. Në emër të transparencës së qeverisjes, me të ardhur në pushtet, çdo shtetasi (e përsëris: çdo shtetasi) do t’i jepet në dorë çdo dokument e çdo shkresë e përpiluar nga administrata publike, dhe e ruajtur nga kjo administratë, qysh në momentin e parë që një gjë e tillë do të kërkohet prej tij. Transparenca është e para.
2. Do të shfuqizoj prerogativën ligjore, që u jep mundësinë shumë dinjitarëve shtetërorë, tok me eskortat e tyre, të shpërfillin semaforët në kryqëzime rrugësh. Këtë mundësi do t’ia heq edhe Presidentit e Kryeministrit të vendit, të cilët nuk kanë asnjë arsye të mos ndalojnë përpara ngjyrës së kuqe të semaforit.
3. Nuk do të lejoj ministrat (asnjë ministër) të kenë bodyguard-ë, sa kohë që në adresë të tyre nuk është raportuar asnjë kërcënim. Këtu përfshihet dhe ministri i Brendshëm e ai i Jashtëm, të cilët, medemek, janë më të kërcënuar për shkak të detyrës.
4. Do të shes të gjitha makinat luksoze të qeveritarëve. Një vend, në spitalet e të cilit nuk gjenden ilaçe, nuk mund t’i lejojë vetes ministra e kryeministra me makina që kushtojnë mbi 30, 50, 70 e 100 mijë dollarë. Është ndonjë gjë e tmerrshme që një ministër të lëvizë me një Volkswagen tip “golf”?
5. Përpara se të mendohet për ndërtesa të tjera, këtu duhet menduar për gjykatat e Faktit e të Apelit në Tiranë, të cilat janë sot për sot ndërtesa tepër modeste, të fshehura në periferi, e aspak funksionale. E dini se ç’do bëj? Dy prej ministrive (ndërtesave) buzë boulevard-it të madh, fjala vjen atë të bujqësisë dhe atë të ndërtimit, do t’i shndërroj në gjykata. Ndërsa ministritë do t’i kaloj në ndërtesat e lëna prej gjykatave. Nëse nuk janë solemne e hijerënda gjykatat dhe institucionet e sistemit të drejtësisë, asgjë tjetër nuk ka pse të jetë solemne e hijerëndë.
6. Me ndonjë përjashtim të kuptueshëm, të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes lokale do t’i kaloj në duart e të zgjedhurve lokalë. Do të jetë një nga ligjet e para që do bëj. Nuk mund të vazhdojë më praktika, sipas së cilës drejtorin e ujësjellësit të Bulqizës, apo Memaliajt, e zgjedh ministri i linjës në Tiranë. Të zgjedhurit lokalë duhet të marrin përgjegjësitë që u burojnë e u takojnë nga konsensusi popullor i fituar. Ndërsa zgjedhësit duhet të dinë se kujt t’i kërkojnë llogari.
7. Do të rekrutoj policë të rinj, të cilët, përveç të tjerash, nuk duhet të jenë nën 1.85 cm të gjatë e nuk duhet të jenë më shumë se 25 vjeç. Ripërtëritjen e policisë do ta bëj graduale, dhe të larguarve do t’u bëj një mbrojtje sociale trevjeçare. Nuk është faji i tyre që janë në moshë të thyer, që janë barkmëdhenj, që rrinë shtrembër, që kapardisen kafeneve me uniformë, që kanë shumë fëmijë, e që pinë duhan në orët e shërbimit.
8. Në krye të katër viteve do të bëj që të mos shihni policë me sy, duke përjashtuar rastet kur jeni në nevojë për ta. Do të filloj duke hequr nga rrugët policët e qarkullimit, të cilët janë një nga shkaqet kryesore të trafikut të rrëmujshëm. E dini? Statistikat thonë se shkallën e kriminalitetit e kanë më të lartë ato vende që kanë prani më të lartë policore në rrugë e në publik.
9. Ministrin e Brendshëm nuk do ta lejoja në asnjë rrethanë të merrte pjesë në debatin politik të ditës, duke përjashtuar rastet kur atij i duhet të përgjigjet për punën e vet.
10. Kryetarin e Parlamentit do ta lë që ta zgjedhë opozita nga radhët e mazhorancës (do ta studioj mirë dhe idenë e një kryetari të Parlamentit nga radhët e opozitës); në të gjitha rastet, ai do të jetë një njeri me sjellje shembullore institucionale. Cili do të ishte një model konkret? Nga këta që njihni ju, një shembull konkret do të ishte Gazmend Oketa, Besnik Mustafaj, Rexhep Meidani, Ilir Beqja etj.
11. Do ta heq atë foltoren e Parlamentit. Nuk ka asnjë foltore tjetër në botë, ku të jenë thënë aq marrëzira e të jenë bërë aq rrugaçëri sa në foltoren e Parlamentit tonë; është bërë si nevojtore. Do ta vë atë foltore veç për rastet kur ftohen për të folur vizitorë nga jashtë Parlamentit.
12. Si Kryeministër do t’ia heq vetes të drejtën për të replikuar me të gjithë ata që bëjnë kritika në adresën time.
13. Do të fus si një detyrim kanonik përdorimin e “ju”-së në komunikimin parlamentar, qoftë në seancë, qoftë në komisione. Kush nuk e respekton këtë detyrim, do të ndëshkohet me një gjobë të kripur, ose me largim disajavor nga Parlamenti.
14. Do të nxjerr një ligj, me anë të të cilit do të shpall se kërkesa për transparencën e numërimit të votave nuk mund të pengohet nga asnjë ligj tjetër e nga asnjë vendim gjykate. Me numërimin e saktë të votave s’bëhet shaká. Aty zë fill legjitimiteti i çdo institucioni tjetër shtetëror. Një hap i tillë lidhet me një ndërhyrje në Kushtetutë, rrjedhimisht do kërkonte konsensusin e opozitës.
15. Fushatat elektorale do të financohen nga shteti. Dhe në mënyrë minimale. Fushatat luksoze e spektakolare janë një nga shfaqjet më të padenja në këtë vend të varfër. Do të ndalohen në mënyrë kategorike financime të çdo lloji tjetër. Do krijoj një polici elektorale për këtë gjë.
16. Në rrugë e në mjedise të tjera publike nuk do të lejohen në asnjë rast postera e sllogane elektorale.
17. Do të largoj nga puna të gjithë ata nëpunës të administratës, të cilët janë emëruar me logjikë politike. Pas kësaj, do të organizoj e shpall konkurse për çdo vend pune. Të shkarkuarit do kenë të drejtën për të konkurruar.
18. Do të bëj një shqyrtim të imtë të mënyrës se si kanë vënë pasurinë e tyre padronët e stacioneve televizivë e të gazetave. Për ta bërë të besueshëm këtë proces, do ndërtoj një komision me ekspertë të huaj. Kush kontrollon mass-media-n e një vendi, duhet të ketë një patentë të mirë virgjërie.
19. Do të kalcifikoj me ligj postet e drejtorëve të dikastereve. Drejtorët do emërohen mbi kritere të qarta ligjore. Një nga kriteret, ndoshta më i rëndësishmi, do të jetë mosha nën 30 vjeç. Do të preferohen njerëzit me përvoja jashtë Shqipërisë.
20. Do ta privatizoj televizionin publik shqiptar. Është gjëja më toksike në këtë vend. Kështu ka qenë e kështu do të jetë. Është një institucion që nuk mund të shërohet.
21. Do të pakësoj numrin e festave kombëtare, të cilat janë tanimë dhe ditë pushimi. Pse? Sepse janë shtuar kot më kot, dhe sepse është shenjë e një dembelizmi të institucionalizuar, apo më saktë, e institucionalizimit të dembelizmit.
22. Do përgjysmoj numrin e njësive bashkiake; gjysma e këtyre të fundit do kenë statusin që meritojnë, atë të komunës.
23. Kur të shkoj të uroj klerikët e feve të ndryshme me rastin e festave të tyre, nuk do të njoftoj gazetarët, e kështu nuk do të kem kamera me vete; në mos, nuk do të shkoj fare. Protagonizmi e ngrefosja e politikanëve në mjediset fetare më është dukur përherë një nga gjërat më idiote që ndodhin në këtë vend.
24. Kur të shkoj për të votuar, do të sillem si një qytetar i zakonshëm. Do të futem në radhë. Ose do të gjej një moment, kur nuk ka radhë. Nuk do të njoftoj kamerat, gjithashtu.
25. Nuk do të marr pjesë në përurime veprash, qofshin këto dhe me rëndësi të jashtëzakonshme. Nuk do të pres shirita. Asnjë. Jua premtoj. Na i kanë pështirosur përurimet e prerjet e shiritave.
26. Sa kohë që jam në pushtet, nuk do të përmend kurrë opozitën; nuk do ta qortoj; nuk do t’i lejoj vetes veprime denigruese në adresë të partive kundërshtare, e të politikanëve kundërshtarë. Vetëm do t’u jap përgjigje kritikave të tyre.
27. Tok me anëtarët e kabinetit, që të gjithë, do t’i japim përgjigje çdo denoncimi të shtypit apo të opozitës lidhur me një korrupsion të hamendësuar. Nëse do të jetë fjala për shpifje e fyerje, do ngremë padi në adresë të gazetës e të autorit. Kush nuk ngre padi, nuk mund të jetë më ministër. Në ndonjë rast, dikush nuk mund të jetë ministër edhe po të ngrejë padi.
28. Do t’i heq të gjithë zëdhënësit (që s’merret vesh pse janë zëdhënëse) e dikastereve, dhe këshilltarët e ministrave. Ministrat, dhe vartësit e tij, do të jenë vetë zëdhënës e vetë këshilltarë.
29. Do fus në programin arsimor të ciklit shkollor parauniversitar (nëse do jetë nevoja dhe universitar) studimin e thelluar të gjuhës shqipe.
30. Do të urdhëroj që në rrugët nacionale të mbetej një distributor karburanti në çdo 20 kilometra. Përzgjedhja e distributorëve për t’u prishur do bëhet me short (nëse ndonjë logjikë a rrethanë objektive nuk dikton ndryshe).
31. Do të pastroj anët e rrugëve nacionale nga slloganet publicitare. Do ishte një nga gjërat e para që do të bëja. E keni vënë re që ky fenomen verifikohet në vende me biznes të kriminalizuar? Sa më i kriminalizuar të jetë biznesi, aq më i pranishëm është ai në mjedisin publik në forma promocionale. Përveç kësaj, anës rrugëve duhet të ketë vetëm indikacione për disiplinimin e trafikut. Çdo tabelë tjetër është trallisëse e shastisëse për ata që u grahin makinave; nuk ka ende një studim, por ka shumë gjasa që këto sllogane publicitare të jenë burim aksidentesh.
32. Do urdhëroj prishjen e të gjitha pllakave me mbishkrime e me lule përsipër të ngritura buzë rrugëve nacionale, apo dhe rrugëve urbane, si homazh familjarësh për të afërmit e tyre që kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Këtu s’do ketë asnjë përjashtim.
33. Do të gjobis rëndë të gjithë ata që, në mal apo në det qofshin, shqetësojnë të tjerët me zhurma të prodhuara në lokalet e tyre. Aksionin do ta filloj në zonën Plepa-Hekurudhë. Do të vë një “taksë të zhurmës”. E drejta për të bërë zhurmë do të blihet shumë shtrenjtë. Ndërsa do të ketë vende ku kjo e drejtë nuk mund të blihet me asnjë lloj çmimi.
34. Do të kufizoj numrin e bar-eve, furrave, restoranteve, loto-sport-eve, farmacive etj. etj., për njësi sipërfaqeje urbane. Heqja e lokaleve do të bëhet në kurriz të atyre që mbeten: këta të dytët duhet të paguajnë diçka, që shkon në xhepat e të parëve.
35. Do të pezulloj urgjentisht licencimin e universiteteve të tjera private e publike. Do të kërkoj urgjentisht asistencë të huaj për të bërë rating-un financiar e akademik, e mbi këtë bazë akreditimin, e universiteteve private ekzistuese.
Etj. Etj. etj.
Post Scriptum: Hej miq, merrni pjesë dhe ju në këtë lojë; por në mënyrë serioze amá. Më ndihmoni me ide të tjera! Ndoshta mund të bëjmë një broshurë me premtime elektorale, dhe t’ua japim kryetarëve të partive gjatë fushatës së ardhshme. Mos përtoni ta bëni këtë! Mund të dalë diçka me vlerë; në mos me vlerë, dobare interesante; në mos interesante, dobare dëfryese. S’humbim gjë. Apo jo?
Shtuar më 15/11/2010, ora 08:00
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori