C'ka i rekomandohet Qeverise Thaci lidhur me korrupsionin?
Pëlqej
Albeu.com
nga Fadil MalokuËshtë vërtetuar nga përvoja e vendeve në tranzicion, po edhe nga ato që kanë një traditë të gjatë demokratike, se korrupsioni shumë vështirë hetohet po edhe më vështirë dëshmohet!Kjo paradigmë deviante dhe e shikuar dhe e kënd vështruar kësi sojit lë përshtypje se qenka një fenomen i pa evitueshëm socio patologjik për cilin do sistem politik. Në anën tjetër po ashtu ka mendime se është gabim që këtë dukuri ta ilustrojmë apo ta njehsojmë me numra, pra me statistika, ngase sipas tyre statistikat edhe mund të na mashtrojnë në perceptimin tonë mbi shkallën e kërcënimit të shoqërisë nga kjo dukuri patologjike! Por, në anën tjetër ekzistojnë edhe studime relevante ndërkombëtare dhe sosh lokale që dëshmojnë se perceptimi ynë mbi këtë dukuri nuk mund gjithherë të shprehet dhe ilustrohet pa gjuhën e numrave dhe logjikën e statistikës.

Nëse pranojmë konstatimin e fundit edhe për shkak të shmangies apo ikjes së paragjykimeve të mundshme që rëndomë vijnë nga qarqet qeveritare, (zakonisht bëjnë përpjekje për ta minimizuar deri në maksimum?!) si në rastin e p.sh shoqërisë Kosovare, do të duhej t u adresohemi studimeve dhe ekspertizave ndërkombëtare që si të vetmin imperativ e kanë denoncimin dhe luftimin publik të këtyre sjelljeve devijante e patologjike në shoqëritë bashkëkohore, atëherë sipas Index Transparency Internacional (CPI index) Kosova (On December 6th, 2007 Transparency International /www.trransarency.org) në dhjetor të vitit 2007 gjendej në vendin e pestë të vendeve me përfshirje më të lartë të dukurisë së korrupsionit?!!. Po ashtu, nëse i adresohemi edhe publikimit të fundit të Raportit të Komisionit Evropian, lidhur me pro(re)gresin e ekonomik të shoqërisë sonë në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sërish na del se kjo shkallë kaq lartë, apo thënë më thjesht hiq pa eufemizëm, alarmuese(!!?) e korrupsionit në Kosovë, është bërë tashmë një pengesë shumë serioze, jo vetëm për proceset e reja integruese që e presin Kosovën në periudhën që po hyjmë, por në përgjithësi edhe një refleksion i përditshëm dhe gjithnjë e më aplikativ në diskursin e qytetarëve të Kosovës, konsiderojë që është koha të mobilizohemi jo vetëm si qeveri, si shtet, por edhe si shoqëri civile, si ekspert, si intelektual si qytetarë, etj. të kontribuojmë diçka lidhur me denoncimin dhe luftimin e kësaj gangrenë dukurie tek ne. Po e themi kështu, edhe për shkak se gjykojë që qytetarët e Kosovës tashmë nuk e kanë vëmendjen e tyre më tek fobia e pavarësisë së vendit, e as procesi i njohjes nga shtetet tjera, ngaqë janë plotësisht të vetëdijshëm se ky proces do të jetë i gjatë dhe i mundimshëm. Në fakt gjithnjë e më shumë qytetarët e Kosovës, po vetëdijesohen lidhur kërcënimin alarmues që po ua gërryen standardin dhe statusin e tyre dukuria e korrupsionit !

Këtë shkallë kaq të lartë të korrupsionit në shoqërinë e re të Kosovës, e dëshmojnë dhe shumë studime dhe investigime lokale të bëra nga agjensionet joqeveritare dhe ato qeveritare që nënkupton si sekret publik(!?) sot në Kosovë, institucionet më të korruptuara në Kosovë vijnë pikërisht nga: Sistemi i drejtësisë, qeveritë lokale, PTK-ja, KEK-u, Aeroporti, Doganat, Shëndetësia, Bankat, Administrata qendrore dhe ajo lokale, duke mos përjashtuar këtu edhe partitë politike dhe sidomos tenderët e formave private për shërbimet publike,etj.
Suma sumarum, gjenerimi i korrupsionit nga këto segmente të rëndësishme të shoqërisë kosovare, dëshmon më së miri se në ç’drejtim është duke shkuar shoqëria dhe perceptimi ynë mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe shkallën e pavarësisë dhe të sovranitetit në kushtet e globalizimit që po e synojmë ta ndërtojmë. Por për të qenë edhe më konkret në këtë analizë ne po ashtu i adresohemi edhe një studimi tonë empirik, ku mes tjerash dalin disa nga rekomandimet apo hapat e mundshëm të cilët rrjedhimisht qeveria aktuale të paktën do të duhej në vija të trasha ti ketë parasysh, në mënyrë që të fillojë më në fund odisejada e reduktimit të prezencës së korrupsionit në jetën tonë shoqërore.

Qeveria Thaçi, paraprakisht duhet t’i ketë parasysh edhe disa indikacione shtesë dhe në bazë të këtyre të hartojë dhe të zbatojë: projekte të tëra konkrete: afat shkurtra (të limituara në kohë dhe në llogaridhënie), afat mesme (të identifikuara me përgjegjësi dhe me resurse njerëzore) afat gjata (me dëshmi dhe dije profesionale teknokratike).

Në këtë kontekst, ajo do të duhej që: urgjentisht të hartohej një Projekt tjetër (tejet të detalizuar), ku do të identifikoheshin në vija të trasha , s pari: shkaqet apo dimensionet e përhapjes, s dyti, motivet që i nxisin format e manifestimit dhe s treti: duhet identifikuar teknikat dhe metodologjitë e luftimit të kësaj së kësaj shëmtie dhe tashmë edhe sëmundje gangrenë për Kosovën!

Më pastaj do të duhej ta instalojë ndjenjën e vendosmërisë së institucioneve legale , si edhe të fillojë Zbatimin me përpikëri dhe pa kurrfarë përjashtimi të sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës (duke mos përjashtuar këtu assesi veriun, ku sipas indikacioneve krimi është duke u shtri në të gjitha poret e jetës së qytetarëve pa dallim gjinie, e etnie!?) Së fundi Qeveria Thaçi, do të duhej të nxisë mobilizimin e gjitha segmenteve shoqërore në drejtim të shtimit të masave, rritjes së efikasitetit dhe veprimit në identifikimin e shkaqeve, së bashku me ndjekjen e pandalshme, por edhe zbulimin dhe dënimin e bartësve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, duke filluar që nga Ministrit që ai aktualisht i menaxhon duke e shtrirë kështu ndikimin e argumentit të ligjit nëpër të gjitha institucionet dhe Administratën lokale.


Tërë këtë synim Qeveria Thaçi, duhet ta bëjë jo herë pas herë (siç është duke u vepruar aktualisht, kur Qeveria ka nevojë bie fjala të zhvendosë vëmendjen nga problemet aktuale?), por në mënyrë sistematike, të përhershme dhe çka është më e rëndësishme shumë më shumë transparente?! Sepse vetëm transparenca, u garanton përkushtim dhe sinqeritet për të luftuar këtë shëmti, ngaqë trendi i tanishëm i kësaj dukurie do të mund të rrezikoj jo vetëm të arriturat tona: politike,(jo vetëm njohjen e ngadalshme por edhe tërë Projektin e Pavarësisë) ato të sigurisë (veriu tërësisht i dal nga kontrolli institucional) e sidomos ato ekonomike -sociale , për çka qytetarët tanë kanë më së shumti vërejtje dhe sugjerime(varfëri e plotë dhe pa perspektivë totale për sidomos kontingjentet e të rinjve), por edhe vetë qeverinë të cilën ai aktualisht po e udhëheqë!

Po ashtu, si rekomandim i studimit del se, Qeveria Thaçi, do të duhej që: me një vendim qeveritar të sanksionojë në mënyrën më të ashpër ligjore të gjithë keqpërdoruesit, prej momentit kur hyn në fuqi vendimi i sajë dhe atë, duke filluar nga: Kabineti i Kryeministrit, Presidenca, Ministrat, Administrata, Doganat, KEK-u, Shëndetësia, Etj. Pastaj, t’u garantohet dhe tu sigurohet respekti dhe ndihma institucionale në forma të ndryshme stimuluese materiale, të gjithë atyre që: punojnë me ndërgjegjshmëri, zbatojnë ligjin e ri të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, rreth korrupsionit, janë të gatshëm të japin dhe të marrin përgjegjësi.
Dhe krejt ne fund, si rekomandim, të fuqizohet etika profesionale nëpër të gjitha shërbimet lokale shtetërore, të personalizohet përgjegjësia individuale dhe të institucionalizohet llogaridhënia nëpër gjitha institucionet pa dallime rajonale, grupore, klanore, partiake, lokale apo ato qendrore, të reduktohen shpenzimet e panevojshme në shërbimet administrative, dhe ato të luksit (siç u veprua me rastin e beneficioneve rreth automobilave), të ndërgjegjësohen deputetet, lidhur me detyrat dhe obligimet që i kanë marrë ata me rastin e betimit kushtetues (të mos përsëritet më rasti i propozimeve banale për komoditet e benificione shtese (si ishte rasti i fundit për në Kryesinë e Kuvendit lidhur me automobilat dhe asistentët...).

Përndryshe, jam shumë i bindur se qytetarët (sidomos pjesa e abstenuesve që në zgjedhjet e kaluara sillej diku te 60%) e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, do të dinë dallojnë ofertën serioze për ngritjen e standardit dhe të mirëqenies së tyre sociale, nga flokulat e fryra mediatike që u servuan vjet partitë politike. Kjo do të ndodhë edhe për një fakt shumë të thjesht, ngaqë atyre tashmë është duke u kërcënuar edhe kafshorja e bukës, e kur kërcënohet ajo nuk është mirë më për askënd...?!

Shkruan Prof. Dr. Fadil MALOKU, Sociolog
Shtuar më 13/11/2008, ora 20:47
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori