Cka do te thone tani per 2 majin e UCK-se
Albeu.com
nga Suat SaqipiDita ditës po vijnë edhe përvjetorët e bujshëm, që gjithnjë e më tepër kishin ngjyrimet dhe prapavijën politike. Kemi 2 majin legjendar në Karadakun e Kumanovës dhe nuk mund të paramendohet se si do të ...... shkojë atje, Aliu, Daja dhe të tjerët, shokët e luftës. Çka do të thonë dhe si do t`ia lidhin kryet kësaj pune?

Çdo herë kur rikujtojmë apo përmendim ata që i hynë misionit kombëtar dhe u flijuan për ne dhe për idealin kombëtar duhet të luajmë vendin. Por aspak më mirë nuk janë ata – invalidët e luftës por edhe ushtria e tërë e ish-luftëtarëve që sot janë gjallë dhe po përjetojnë me dëshpërim të madh gjithë atë kaos dhe turpërim që po i bëhet idealit dhe amanetit.

E fillova këtë qasje time në këtë mënyrë, sepse gota po mbushet dhe durimi është në kulminacionin marramendës, sa që edhe luftëtari i fundit po ndjenë padrejtësinë e egër dhe institucionale, sidomos ndaj kësaj kategore që kërkon trajtim dhe jo inskenime të natyrave të ndryshme, që kanë si epilog burgun, arratisjen dhe ikjen pa kthim. Edhe pas nëntë viteve nga përfundimi i luftimeve që përfunduan me kompromisin e njohur të arritur me Marrëveshjen kornizë të Ohrit akoma nuk kemi zgjidhje të problemit të familjarëve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së vitit 2001.

Dinjiteti i ushtarit të rëndësishëm sot ka përfunduar me zhgënjim, sepse djemtë më të mirë përfunduan në burgje, me raste të montuara, ndërsa pjesa tjetër u arratis nëpër botë, sa në Kosovë, Shqipëri, Austri, Zvicër e deri në Amerikë, vetëm e vetëm për t`iu shmangur injorancës së atyre që emblemën e UÇK-së nëpër zonat e luftës e shfrytëzuan për sfilata para mediave dhe në rrethet e ulëta mediokre nëpër katundet shqiptare, dhe po të njëjtit sot janë sherifë lokalë që mbajnë kollare, e deri në ministra, funksionarë e deputetë, etj.

Gjithmonë duhet të bëjmë dallim ndërmjet luftëtarit dhe ushtarit, sepse janë kategori të ndryshme. Asnjëri nga ato luftëtarë që u rreshtuan në fillim të luftës dhe deri në përfundim të saj nuk u rreshtua në ate ushtri sepse e njihte apo e donte Ali Ahmetin apo Gëzim Ostrenin. Që të gjithë u rreshtuan nën emblemën e UÇK-së për t`i dhënë fund padrejtësive shekullore ndaj popullit shqiptarë këtu në Maqedoni. Fjala dëshmorë për to përbënte ëndrrën kryesore të tyre, që të mbetej gjithmonë i gjallë dhe disa këtë e arritën si: Qemal Shaqiri, Imri Elezi, Shpend Mazrekaj, Elham Curri e deri te dëshmori më i ri i UÇK-së,

Abdylmexhit Shahini. Dhe pas gjithë kësaj, sot nuk e kemi ligjin, me të cilin për nëntë vite partitë erdhën dhe shkuan nga pushteti, duke premtuar me gojën plotë zgjidhjen e fatit të familjeve të dëshmorëve, djemtë e vashat e të cilëve sot më janë vetëdijesuar dhe janë në moshën e rritur, për të kuptuar tradhtinë e misionit të baballarëve të tyre. Kjo është e pafalshme. Edhe nisma e dy ish-komandantëve Leka dhe Abedini po ndiqet me arrogancë, refuzim dhe atribuime të ndryshme se gjoja dikush po keqpërdor dikë. Misioni i tyre shihet i paqtë dhe ashtu edhe duhet të kuptohet dhe puna që duhet bërë në këtë drejtim është se të nënshkruhet propozimi dhe të bëhet lufta në institucione, se kjo tanimë i vyen shqiptarëve për të ngritur veten nga derexhja e turpit përballë politikës dominuese dhe ekspansioniste maqedonase të udhëhequr nga Gruevski dhe kompania e tij, i cili i sheh me arrogancë propozimet shqiptare, sidomos ato që kanë të bëjnë me UÇK-në. Por dikush nga viti 2006 thoshte se kishte raporte të ndryshme me Gruevskin.

Në vitin 2006 ishte fushata parazgjedhore e zgjedhjeve parlamentare dhe ajo që po bënte përshtypje ishte premtimi i Menduh Thaçit për 60 ditëshin e premtimeve për ligjin për UÇK-në. Në një takim mes Thaçit dhe njërit nga familjarët e dëshmorëve të UÇK-së, Selajdin Shahini ku isha unë dhe Granit Osmani, Thaçi me optimizëm të madh me gojën plotë premtonte se “ky problem është i kryer, sepse ai kishte premtime nga Gruevski, akoma pa hy në fushatë dhe se siç thoshtë kjo punë bëhet për 60 ditë”. Por dy vjet pushtet, as që u zu në gojë fati i UÇK-së, bile ajo që ishte skandaloze se VMRO-istët e PDSH-istët ofendonin UÇK-në dhe misionin e saj, se gjoja tanimë ata do t`i tregonin këtyre që i kishin rrëzuar nga pushteti më armë në dorë dhe kryengritje në vitin 2001.

Problemi vijoi edhe pasi Ali Ahmeti arriti të përmbush apetitetet e tij për të ulur në kolltukun e pushtetit me Gruevskin, me të cilin nënshkroi njëherë apo dikur një Marrëveshje Maji, e cila po ashtu mbante pjesën e statusit të UÇK-së dhe për të cilën “integristët” kur ishin në opozitë e shfrytëzonin si kartë mashtrimi. Kjo kartë mashtrimi u bë edhe nëpër varrezat e dëshmorëve dhe familjet e tyre, kur u premtohej zgjidhje përfundimtare. Por, sot jemi në nëntë vjetorin e konfliktit të 2001 dhe gjithë ata që kishin petkun e politikës dhe vendimmarrjes, pavarësisht se në çfarë pozita ishin dështuan dhe dështimi i faturohet edhe në histori. Dita ditës po vijnë edhe përvjetorët e bujshëm, që gjithnjë e më tepër kishin ngjyrimet dhe prapavijën politike.

Kemi 2 majin legjendar në Karadakun e Kumanovës dhe nuk mund të paramendohet se si do të shkojë atje, Aliu, Daja dhe të tjerët, shokët e luftës. Çka do të thonë dhe si do t`ia lidhin kryet kësaj pune? Në kontekst të këtyre pyetje, do ta ndërlidhi një përgjigje që rrjedh nga mesazhi i gjeneralit të shquar shqiptarë Kudusi Lame, i cili në një bisedë që patëm më tha një konkluzion të tillë, që kërkonte përgjigje publike: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kishte objektiva madhore kombëtare.

Ato i di shume mirë Ali Ahmeti. Nëse i ka realizuar le tu thotë shqiptarëve që objektivat e luftës u realizuan, edhe unë do të isha shumë i gëzuar, nëse nuk i ka realizuar prapë është në madhështinë e tij, tu thotë shqiptareve që mbeta në rruge e nuk po mundem tu qoj më tej. Shqiptarët historikisht i kanë zgjidhur problemet e tyre. Edhe këtë problem do të dinë ta zgjidhin. Për këtë jam i sigurt”. Me këtë kam vetëm një qëllim që të ngacmoj në ndërgjegjen e politikanëve sepse nuk mund të ecim përpara duke harruar luftën e UÇK-së dh të rënët e saj. (ina)
Shtuar më 01/05/2010, ora 03:20
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori