Ceshtja came permes standardeve te BE
Albeu.com
nga Amos DojakaGreqia pati fatin të përfitonte nga ndihma e konsiderueshme e BE-së për të ringritur ekonomikisht dhe politikisht ekonominë dhe shtetin grek, të zhytura në një krizë totale.
Deficiti buxhetor dhe ai tregtar kanë goditur rëndë shëndetin afatmesëm ekonomik të këtij vendi. Greqia ka njohur një rënie dramatike në prodhim dhe në konsum, hiperinflacion dhe papunësi, fenomene që vijnë duke u shtuar.

Ndoshta ishte rasti më i volitshëm që udhëheqësit e BE-së, si pasues të iluminizmit për të drejtat universale të njeriut, ta këshillonin mirë Greqinë për përparësitë që duhet t`i japë institucionalizimit dhe konsolidimit të proceseve dhe qëndrimeve demokratike, në mënyrë që një kuadër politik i stabilizuar të mund të përthithë efektet e pashmangshme të tregut dhe të eliminojë krizat. BE duhet të artikulojë qartë se për sa kohë që në këtë vend nuk do të funksionojë një strukturë ligjore dhe një shtet që respekton të drejtat e njeriut, ndjekja e njëkohshme e qëllimeve të demokracisë dhe të tregut të lirë mund të përfundojë në vetëshkatërrim të ndërsjellë. Pa bërë këtë, çfarëdo politike ekonomike të ndjekë udhëheqja greke, përsëri, për një periudhë afatmesme, perspektivat politike dhe ekonomike të saj do të jenë të errëta.

Parë në këtë këndvështrim, toleranca e BE-së me financimet marramendëse pa kushte për këtë vend anëtar të saj nuk të çon asgjëkund. Politika e të drejtave të njeriut, e cila po merr shtrirje globale, duhet të mbështetet në një bindje të fortë racionale, nëse duan që demokracia dhe tregu i lirë të mbijetojnë edhe në Greqi.

Për paradoks, Greqia edhe sot e kësaj dite nuk njeh minoritete në territorin e saj dhe injoron në mënyrë absurde dhe të pandërprerë të drejtat legjitime të popullsisë çame. Në Greqi, kombësia dhe shtetësia vlerësohen në bazë të përkatësisë religjioze dhe jo nga karakteristikat kryesore të kombësisë, si gjuha dhe kultura. Mbi 250 mijë çamë ortodoksë jetojnë në rajonin e Thesprotisë, flasin shqip brenda shtëpive dhe ruajnë identitetin e tyre shqiptar, por askush nuk i njeh si minoritet, nuk gëzojnë asnjë mbrojtje, nuk kanë asnjë status, asnjë shkollë në gjuhën shqipe. Minoriteti çam është njohur qysh me traktatet e vitit 1913, por grekët, me gjenocide dhe spastrime etnike, dëbuan çamët myslimanë me pretendimin bajat se ikën vetë nga frika për ndëshkime ligjore pas “kolaboracionizmit”, duke kujtuar kështu se e mbyllën përfundimisht problemin e minoritetit shqiptar. Ndërsa për emigrantët shqiptarë, do të thoshim pa frikë se kudo ku kanë qenë, janë treguar të gatshëm t`i përshtaten kulturës politike të vendit mikpritës, pa qenë nevoja të braktisin format fetare ose kulturore të jetës së tyre.

Por në Greqi ka ndodhur e kundërta. Emigrantët e thjeshtë, që tashmë pritet të marrin edhe nënshtetësi greke, nuk mund të shkojnë në shkollë dhe të mësojnë gjërat më elementare në gjuhën amtare. Ata janë detyruar të heqin dorë nga identiteti i tyre, thjesht dhe vetëm për të mbijetuar. Kjo nuk duhet të ndodhte kurrsesi në një shtet të BE-së, që propagandon një bashkësi politike të rritur historikisht. Natyrisht që lëvrimi i gjuhës dhe i kulturës amtare në vendin përkatës për emigrantët është domosdoshmëri, pasi vetëm kjo e bën të mundur komunikimin reciprok ndërkulturor. Vetëm kështu shtetësia greke e 300 mijë emigrantëve shqiptarë, që propagandojnë me aq bujë mediat proqeveritare greke, do të ishte e hapur për shtetësinë e aspiruar evropiane, në mënyrë që të kristalizohet një vetëdije e përbashkët evropiane. Një bashkësi politike vërtet mund të kërkojë nga qytetarët e saj luajalitet politik, por në asnjë mënyrë edhe asimilim kulturor. Vetëm kështu mund të rritet vetëdija e bashkësisë. Kjo ambivalencë tregon qartë pse emigrantët në Greqi i përshtaten mjedisit si kameleoni, duke marrë ngjyra të ndryshme.

Rreth 300 mijë çamë, nënshtetas grekë jetojnë në Shqipëri. Quhemi nënshtetas grekë pasi kështu figurojmë në regjistrat e gjendjes civile në Thesproti (Çamëri). Kjo nënshtetësi, siç dihet, na është hequr pa dëshirën tonë nga qeveria shqiptare në vitin 1953, kështu që dekreti për heqjen e saj është në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare dhe konsiderohet si një veprim i paprecedent. Greqia duhet të zbatojë standardet e BE-së për çështjen çame dhe për çështjet e tjera të minoriteteve dhe t`i referojë ligjet e saj në përputhje me këto standarde. Ju tregoni ende pas 65 vjetësh përçmim e mohim për një pjesë të qytetarëve tuaj me origjinë çame, duke mos u dhënë atyre minimumin e respektit si persona të pavarur për të gëzuar të drejtat dhe pasuritë e tyre, i cili do të ishte një kusht qytetarie në një shoqëri me një minimum dinjiteti. Trajtimi mohues dhe i vazhdueshëm, në të njëjtën linjë me qeveritë e mëparshme, trajtimi jodemokratik i kërkesave legjitime të kësaj popullsie është jo vetëm një politikë e keqe, por tregon edhe një mungesë themelore respekti për institucionet evropiane dhe institucionet ndërkombëtare të së drejtës. A ka gjë më të natyrshme se kërkesat tona?

Ne jemi qenie të civilizuara dhe komunikuese, që e vlerësojmë të shprehurit e vetvetes, të formimit të opinioneve tona dhe të planeve për jetën nëpërmjet dialogut racional. Ne kërkojmë që në sistemin e rendit të lirisë edhe çamët të fitojnë statusin e të drejtave themelore, domethënë t`u akordohet një mbrojtje, siç është parashikuar në konventat më të njohura ndërkombëtare, që ju i keni firmosur me aq ngut e servilizëm njëkohësisht. Të shkelësh të drejtat natyrore të një personi ose të një popullsie të tërë në rastin tonë,do të thotë ta degradosh atë person dhe atë grup në një mënyrë mizore. Ju po vazhdoni edhe sot logjikën e mbrapshtë genocidiste, gjersa nuk pranoni në asnjë rrethanë të negocioni për problemin çam, duke deklaruar me nervozizëm se ky problem nuk ekziston! Ju keni një besnikëri (monstruoze) morale ndaj së kaluarës aspak të lavdishme të dhunës e spastrimit etnik, përderisa krenoheni në sheshet publike të kryeqytetit me përmendore të kriminelëve si Napoleon Zervas.

Zoti Papandreu, çdo grup etnik apo krahinor ka të drejtën e ruajtjes jo vetëm të trashëgimisë kulturore, të identitetit historik dhe të krenarisë racore, por edhe të drejtën për të poseduar pronat e tij të trashëguara. Madje zotëron edhe të drejtën dhe detyrimin për të gjeneruar nga këto prona të ardhura si për vete edhe për shtetin të cilit i përket. Popullsia çame, duke u kthyer në territoret e saj, synon brenda një etniteti politik jo vetëm të drejtën e posedimit të pronave, por edhe të vendimit për gjithçka që ka të bëjë me identitetin e tij (arsimin, artin, kultin e së kaluarës) gjithnjë duke mbetur besnik ndaj shtetit, si nënshtetas dhe taksapagues. Rajoni i Çamërisë, mjaft pjellor e i begatë, është vënë në gjendje “inkubacioni” disavjeçar, duke mbetur pothuajse i pazhvilluar, në varësi të politikave të ndjekura, që përkthehen në përbuzje shtetërore dhe nënvleftësim i territorit, edhe pse është një parajsë e vërtetë jo vetëm turistike, por edhe ekonomike. Biznesmenët çamë, kudo ku ndodhen, janë gati ta aktivizojnë atje shuma të mëdha kapitalesh për të rimëkëmbur ekonominë e degraduar të rajonit të tyre, për të rritur prodhimet e eksportit, pse jo për të ndikuar sadopak në zbutjen e krizës që përjeton ekonomia greke.

Ne kërkojmë thjesht të na lini në punën tonë, në të drejtat tona. Na ktheni tokat tona, të investojmë pa rezerva mjetet tona monetare dhe pasuritë njerëzore dhe intelektuale, duke ju garantuar se investimet tona direkte nuk do të kenë absolutisht karakter politik. Ato do të sjellin vetëm përfitime në favor të së mirës së përgjithshme. Ne jemi të bindur se me hir apo me pahir, por gjithmonë në rrugë demokratike, do të kthehemi në trojet tona shumë shpejt, pasi asnjëherë shteti grek nuk do të jetë i justifikuar duke vepruar në kundërshtim me të drejtën tonë.

* Sekretar i Përgjithshëm i PDU
Shtuar më 20/02/2010, ora 17:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori