C'eshte ironia?!
Albeu.com
nga Arjeta Rexhepi Kosova- shtet demokratik, sovran, i pavarur… Janë fraza që i dëgjojmë të përdoren nga “të huajt”, poashtu në masë të madhe nga pushtetarët tanë. Thua, përdoruesit e këtyre frazave janë të vetëdijshëm për vet termin demokraci, shtet, sovranitet?!Nuk e besoj… Pse? Sepse Kosovës vetëm shtet nuk i thua dot, aq me tepër demokratik e sovran…

Në një shtet të mirëfilltë demokratik, njerëzit i kanë të drejtat e garantuara, jo vetëm në letër… Po panë që të drejtat e tyre po cënohen nga kushdo, organizojnë protesta, si mënyrë demokratike e shprehjes së pakënaqësive. Në vendet ku nuk lejohen protestat, e më keq akoma organizatorët dënohen, nuk vjen “erë” demokraci. E tillë është Kosova!

Ditët e fundit, flitet për vazhdimin e gjykimit të Albin Kurtit, nga EULEX-i. Nuk është ky “EULEX” që fillimisht erdhi me “idenë” se do të kishte rol monitorues dhe këshilldhënës? Apo gjatë rrugës mori edhe detyra tjera dhe “këshilldhënja” u transformua në “urdhërdhënje” dhe “vendim-marrje”?!

EULEX-it, më shumë i pengon Albin Kurti, i cili lufton për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, se sa një kriminel, i cili del hapur nëpër media dhe pranon që ka vra njerëz. I dyti lihet i lirë, ndërsa Albini ulet në karrigën e të akuzuarit. Absurditeti i kohës, për më tepër kur jetojmë në një “shtet demokratik”.

EULEX-it, nuk i intereson shkalla e kriminalitetit në vendin tonë...
EULEX-it, nuk i intereson pasuria e klasës politike...
EULEX-it nuk i interesojnë kufijtë e Kosovës...
EULEX-it, nuk i intereson asgjë tjetër, veçse t’ua mbyll gojën atyre pak njerëzve që guxojnë të flasin lirshëm me qëllim mbrojtjen e të drejtave të popullit të tyre... Atyre pak njerëzve që marrin guximin të kundërshtojnë padrejtësitë e sistemit, qoftë ato padrejtësi që burim e kanë klasën politike vendore, qoftë ato që “vijnë nga jashtë”!
EULEX-it, pse jo edhe klasës politike vendore, nuk u pëlqen që dikush t’ua tregojë se ku e kanë vendin... Nuk u pëlqen që dikush ka guxim dhe vendosmëri të dal dhe t’ua prishë “tymin”... Ata duan qetësi. Në këtë rast, Albinin e shohin si prishës qetësie.

Albin Kurti, sot, është i vetmi lider - idealist aktiv në Kosovë. Është i vetmi lider që lufton për vetëvendosje, e drejtë e jona e patjetërsueshme. Për dallim nga liderët tjerë që luftojnë për karrige dhe harrojnë idealet kombëtare... Luftojnë për interesa personale, duke harruar historinë dhe gjakun që u derdh për këtë vend... Turp!

Duket sikur në Kosovë, ligjin e bën i forti. Si në asnjë shtet demokratik, në vendin e absurditeteve, në Kosovë, një person gjykohet dy herë për të njëjtën çështje, mban burgim pa iu shqiptuar dënimi... Jemi apo s’jemi “shtet demokratik”?!

Kulmi i ironisë: Të dish që diku tjetër jetohet më mirë dhe të vazhdosh të jetosh në Kosovë!
Shtuar më 09/02/2010, ora 05:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori