Ç`është Dushku i madh?
Pëlqej
Albeu.com
nga Maksim Shimani (shekulli)Kohët e fundit, në politikën shqiptare po flitet gjithnjë e më shumë për Dushkun e madh, si një fenomen që rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri.Por ç`është në të vërtetë Dushku i madh? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje janë të nevojshme disa njohuri rreth sistemeve zgjedhore në botë si dhe sistemit zgjedhor në Shqipëri.
Sistemet zgjedhore në botë
Në botë aplikohen shumë sisteme zgjedhore, të cilat grupohen në tri familje të mëdha:
Sistemet maxhoritare, sistemet proporcionale dhe sistemet gjysmëproporcionale.
Sistemet maxhoritare janë ato sisteme zgjedhore me një ose dy raunde, ku kandidatët e mbështetur nga partitë politike konkurrojnë në zona një ose shumemërore.1. Kalimi i vendit të parë (first past the post), është sistem me një raund, ku fitues shpallen kandidatët që në zonën e tyre fitojnë qoftë dhe një votë më shumë se kandidatët e tjerë. 2. Vota në bllok. 3. Sistemi me dy raunde etj., janë disa nga sistemet e familjes maxhoritare, që aplikohen në rreth 55% të vendeve të botës, si në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada, SHBA, Indi, Pakistan etj.
Sistemet proporcionale janë ato sisteme me një ose dy raunde, ku shpërndarja e vendeve në Parlament bëhet në proporcion me votat që partitë politike fitojnë në rang vendi apo në rang zone. 1. Listëproporcionali, ku kandidatët fitues zgjidhen me një raund, në rang vendi apo zone, nga listat shumemërore të partive politike 2. Proporcionali me anëtarë të përzier (mixed member proportional) 3. Vota e vetme e transferueshme etj., janë disa nga sistemet e familjes proporcionale, që aplikohen në rreth 35% e vendeve të botës, si në Gjermani, Austri, Kosovë, Maqedoni etj..
Sistemet gjysmëproporcionale (të përziera) janë ato sisteme zgjedhore me një apo dy raunde që kanë elementë si të sistemeve maxhoritare, ashtu edhe të sistemeve proporcionale. 1. Sistemi paralel. 2. Vota limit. 3. Vota jo e transferueshme etj., janë disa nga sistemet e familjes gjysmëproporcionale të zgjedhjeve, që përdoren në 10% të vendeve të botës, si në Rusi, Japoni, Korenë e Jugut etj. Në sistemet gjysmëpropocionale më i përhapuri është sistemi paralel, i cili përdor si zonat njëemërore maxhoritare, ashtu edhe listat shumemërore proporcionale. Në këtë sistem, partitë politike fitojnë vende në Parlament edhe nëpërmjet listave shumemërore të partive politike (proporcionalisht me votat që ato kanë fituar në rang vendi apo zone), pavarësisht vendeve që ato kanë fituar në votimin maxhoritar. Duhet theksuar që të gjitha sistemet zgjedhore, si ato maxhoritare, proporcionale dhe gjysmëproporcionale, nuk janë të përsosura. Ato kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre.
Sistemi zgjedhor në Shqipëri
Sistemi zgjedhor në Shqipëri përpara vitit 1998 ka qenë një sistem zgjedhor gjysmëproporcional paralel. Pas miratimit të Kushtetutës së re të Shqipërisë (në nëntor të 1998) dhe miratimit të Kodit Zgjedhor (në maj të 2000-shit), në Shqipëri aplikohet një sistem zgjedhor proporcional me anëtarë të përzier (mixed member proportional) në të cilin 100 deputetë zgjidhen me një raund në zona njëemërore me votim maxhoritar dhe 40 deputetë zgjidhen nga listat shumemërore të partive politike me votim proporcional. Në dallim nga sistemi gjysmëproporcional paralel, në sistemin proporcional me anëtarë të përzier, partitë politike që kanë fituar një numër të konsiderueshëm vendesh në Parlament në pjesën maxhoritare nuk fitojnë vende në Parlament nga pjesa proporcionale. Kjo gjë realizohet me anën e një formule që synon që numri i vendeve që një partie politike fiton në Parlament të jetë në raport të përafërt me numrin e votave që ajo ka fituar në rang vendi si subjekt zgjedhor. Kështu, për shëmbull, në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 2001-shit, Partia Socialiste nuk fitoi asnjë vend në Parlament nga pjesa proporcionale (lista e saj shumemërore), megjithëse në këto zgjedhje në votimin proporcional ajo fitoi 42% të votave si subjekt zgjedhor, sepse në votimin maxhoritar ajo kishte fituar 73 vende në Parlament. Ky sistem, ashtu sikurse edhe sistemet e tjera zgjedhore, ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Disa nga avantazhet e këtij sistemi zgjedhor janë: 1. Ai lejon përfaqësimin në Parlament edhe të partive të vogla dhe atyre të pakicave kombëtare (minoriteteve). 2. Krijon mundësinë e ndarjes së fuqisë qeverisëse ndërmjet partive të mëdha dhe atyre më të vogla, gjë që i shërben më mirë stabilitetit dhe transparencës qeverisëse. 3. Lejon përfshirjen në legjislativ të më shumë grave etj. Disa nga disavantazhet e këtij sistemi janë:1. Mjaft zgjedhës të partive të vogla politike në votimin maxhoritar nuk ia japin votën e tyre kandidatëve të partive të tyre, por kandidatëve të partive më të madhe, që kanë program të afërt me atë të partisë së tyre dhe që ka shanse të fitojë në votimin maxhoritar. 2. Partitë e mëdha që marrin një numër të konsiderueshëm vendesh në Parlament nëpërmjet votimit maxhoritar, orientojnë elektoratin e tyre që votat e proporcionalit t`ia japin partive më të vogla aleate të tyre etj.
Ç`është Dushku i madh ?
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare të qershorit 2001, Partia Socialiste, duke shfrytëzuar disavantazhet e sistemit zgjedhor (mixed member proportional), kërkoi që të fitonte me çdo kusht 3/5 e vendeve në Parlament, pavarësisht elektoratit që ajo kishte. Për t`ia arritur këtij qëllimi, ajo fillimisht paraqiti disa prej kandidatëve të saj, në zonat njëemërore, si kandidatë të pavarur, në mënyrë që të përfitonte deputetë edhe nga votimi proporcional. Kundërshtimi i vendosur i institucioneve ndërkombëtare dhe i partive më të vogla bëri që ajo të hiqte dorë nga ky plan disa ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 2001-shit. Pasi dështoi me kandidatët e pavarur, ajo urdhëroi komisionerët e saj në KZZ-në e zonës 60 të Dushkut, të mos i zhvillonin zgjedhjet ditën e dekretuar nga presidenti i Republikës dhe pasi mori vesh rezultatin e proporcionalit, u kërkojë zgjedhësve të saj në këtë zonë që të mos votonin për Partinë Socialiste, por për tri parti më të vogla aleate të saj. Por, duket se kjo histori do të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2005-ës. Nga deklarimet e disa liderëve të partive më të vogla aleate të Partisë Socialiste, kuptohet se ato kanë rënë dakord me Partinë Socialiste që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në disa zona zgjedhore, do të orientojnë elektoratin e tyre, që në votimin maxhoritar të votojnë për kandidatët e Partisë Socialiste dhe në këmbim të këtij veprimi Partia Socialiste, në disa zona zgjedhore, do të orientojë elektoratin e saj që në votimin proporcional, të mos votojnë për të, por për partitë më të vogla aleate të saj. Pra, duke shfrytëzuar disavantazhet e sistemit zgjedhor (mixed member proportional) Partia Socialiste dhe aleatët e saj synojnë të fitojë edhe në këto zgjedhje, më shumë deputetë nga sa ato kanë elektorat, duke realizuar kështu një Dushk të madh, që pa dyshim është një shkelje e rëndë e parimit të mbajtjes së zgjedhjeve të ndershme.
Propozimi më i fundit i liderit demokrat
Përpara disa ditësh lideri demokrat, Sali Berisha, në një konferencë shtypi deklaroi që Partia Demokratike së shpejti do të paraqesë në Kuvend një amendament që synon parandalimin e fenomenit të Dushkut të madh, që konsiston në unifikimin e votës për kandidatët me atë për partitë politike. Por, a e parandalon në të vërtetë fenomenin e Dushkut të madh amendamenti i propozuar?
Së pari, duhet theksuar që amendamenti i propozuar, në thelb, ndryshon sistemin zgjedhor, kur dihet që në “Kodin e procedurave të mira të çështjeve zgjedhore”, të Komisionit të Venecias theksohet që ndryshimet e sistemit zgjedhor duhet të bëhen të paktën një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve të radhës.
Së dyti, sistemi zgjedhor që propozohet nëpërmjet amendamentit në fjalë nuk është as sistem maxhoritar, as sistem propocional, as sistem gjysmëproporcional. Duke u nisur nga fakti që Shqipëria po e kalon fazën e tranzicionit, mendoj që sistemi zgjedhor që do t’i përshtatej më mirë asaj dhe politikanëve të saj ështe sistemi listëproporcional me lista shumemërore në rang vendi. Sistem ky që eliminon plotësisht marrëveshjet (pazaret) mes partive të mëdha dhe atyre të vogla me votën e zgjedhësve.
Së treti, amendamenti i propozuar nuk i pengon partitë e mëdha dhe aleatët e tyre që të japin e të marrin vota, ashtu sikurse kanë bërë edhe me sistemin aktual zgjedhor. Kështu, për shmbull, nëpërmjet zonave të lira zgjedhore, partitë e vogla, në këmbim të votave të dhëna në zonat e tjera zgjedhore, partive më të mëdha, do të mund të përfitonin deputetë të drejtpërdrejtë dhe njëkohësisht edhe më shumë vota si subjekte zgjedhore.
Për kohën që ka mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, politikanët shqiptarë duhet ta kuptojnë që është domosdoshmëri respektimi rregullave të lojës, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë jo vetëm të lira, por edhe të ndershme.
_____________
* Maksim Shimani eshte ish-anëtar i KQZ-së.
Ky artikull eshte botuar ne numrin e sotem te gazetes Shekulli.
Shtuar më 11/04/2005, ora 20:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori