Bota pa armatim berthamor?
Albeu.com
Financial TimesTë privuara nga armët bërthamore, fuqitë më të mëdha botërore do të detyroheshin të derdhnin më shumë djersë dhe para në armët konvencionale ose në ato kimike dhe biologjike, ndërsa e gjithë bota do të dukej më e rrezikshme.
Barack Obama e dëshiron një botë pa armatim bërthamor. Amerika e lëvizi përpara këtë ide edhe në konferencën e Kombeve të Bashkuara për moszgjerimin e armëve bërthamore, e cila filloi punimet në New York.

Ky vizion është shpalosur jo më shumë se para një viti, gjatë vizitës që presidenti amerikan e bëri në Pragë, duke përshkruar një pikturë madhështore të një bote të çliruar nga kërcënimet bërthamore, edhe pse pati thënë edhe vetë se një gjë e këtillë mund të mos ndodhë shpejt.

Ideja e një bote pa armatim bërthamor nuk është aq shumë një ëndërr e pamundshme, sa është një makth i pamundshëm.

Si një mjet taktik për t’iu kundërvu propagandës që aktualisht zhvillon Irani, thirrjet e SHBA-së për çarmatim të plotë bërthamor kanë shkëlqimin e tyre. Ato ia mundësojnë SHBA-së rolin kryesor në debatet e këtilla dhe forcojnë pozicionin që ka vendi në diplomacinë komplekse bërthamore.

Por, arritjet aktuale të një bote pa armatim bërthamor do të ishin të rrezikshme. Askush nuk mund të dëshmojë se ishin armatimet bërthamore ato që kanë mbajtur paqen midis fuqive kryesore në botë që prej vitit 1945. Megjithatë, shpjegimi më i arsyeshëm mbi konfliktin midis shteteve që kishin armatim bërthamor është shumë i rrezikshëm për t’u marrë në konsideratë.

Bilanci i terrorit funksionon. Një botë që do të ishte tërësisht e lirë nga armatimi bërthamor do të dukej krejtësisht ndryshe.

Lufta midis fuqive të mëdha edhe një herë do të ishte e paimagjinueshme. Një botë e këtillë do të karakterizohej gjithashtu me dyshime edhe më të thella dhe të ndërsjella. Edhe po t’i shkatërronin të gjitha armatimet që kanë, shumë vende do të kishin ende njohuritë dhe mundësitë e domosdoshme për të prodhuar armatim bërthamor.

Të privuara nga armët bërthamore, fuqitë më të mëdha botërore do të detyroheshin të derdhnin më shumë djersë dhe para në armët konvencionale ose në ato kimike dhe biologjike, ndërsa e gjithë bota do të dukej më e rrezikshme.

Në vend se të niset qasja e shkatërrimit, do të ishte mbase më e sigurt të synohet pakësimi i arsenaleve bërthamore, në mënyrë që fuqitë e mëdha të kenë dhjetëra në vend të mijëra armëve të këtilla. Në këtë formë do të ruhej kontrolli mbi armatimin bërthamor, ndërkohë që do të zvogëlohej rreziku nga aksidentet tragjike.

Megjithatë, nëse mjetet bërthamore janë efektive në ruajtjen e paqes, atëherë pse kërkohet nga Irani të mos i zhvillojë ato? A nuk do t’i kontribuonte paqes një bombë iraniane në Lindjen e Mesme?

Një argument i këtillë nuk është absurd, ashtu siç tingëllon. Rreziku i një lufte midis Indisë dhe Pakistanit është zbehur tash, pasi që të dyja shtetet kanë zhvilluar armatim bërthamor. Fakti se Pakistani është një shtet i paqëndrueshëm e bën bombën e tij më të rrezikshme se ajo që ka Kina për shembull.

Marrëveshjet ndërkombëtare, siç është Traktati për Mospërhapje Bërthamore, nuk mund të bëjnë dallim midis vendeve varësisht nga stabiliteti i brendshëm dhe ideologjia qeverisëse, por arsyeja thotë se armatimi bërthamor në duart e koreanëve të veriut apo iranianëve është pa diskutim më shqetësuese se ato që kanë shumë vende të tjera në botë.

Por, natyrisht, ky është një argument i vështirë për t’u shfrytëzuar në një ambient me korrektësi politike, siç janë Kombet e Bashkuara. Dhe kjo është arsyeja pse duhet të shtiresh sikur beson se çarmatimi i përgjithshëm bërthamor mund të jetë pjesë e domosdoshme e hipokrizisë perëndimore.
Shtuar më 06/05/2010, ora 12:02
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori